Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë e përbashkët për shtyp e liderëve pjesëmarrës, në takimin e tretë rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor; Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, Presidenti i Malit të Zi Milo Đukanović, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić:

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Më lejoni në çelje të kësaj konference, në mbyllje të takimit të tretë të nismës së Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara procese të nisura prej vitesh dhe për të zbatuar marrëveshje të bëra prej vitesh, në radhë të parë të shpreh falënderimin tim më të thellë për të gjithë solidaritetin e shprehur nga të tre miqtë e nderuar që ndajnë bashkë me mua tryezën këtu dhe nga vendet e tyre, menjëherë pas tragjedisë së 26 Nëntorit.

U jemi shumë mirënjohës të gjithë trupave të kërkim-shpëtimit, apo edhe të gjithë individëve dhe grupeve që erdhën nga Mali i Zi, nga Serbia, nga Maqedonia e Veriut për të asistuar Shqipërinë dhe shqiptarët, popullin e prekur në zonën ku goditi fort tërmeti dhe për të shpëtuar bashkë me të tjerët, jetë njerëzish.

Është diçka që do të mbetet e mbresuar gjithmonë në kujtesën tonë dhe nga ana tjetër është një shembull kuptimplotë i faktit se, ndajmë sëbashku fatet tona në një territor, në një hapësirë, ku jemi të gjithë të detyruar të kapërcejmë të shkuarën dhe të ndërtojmë një të ardhme të denjë në paqe, në prosperitet për të gjithë fëmijët tanë.

Dua të falënderoj nga zemra këtu, Bashkimin Europian përfaqësuesit e Bashkimit Europian, Departamentin e Shtetit, përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit, si dhe të gjithë përfaqësuesit e organizatave të rëndësishme financiare ndërkombëtare, BB, BERZH, BEI, që ishin të pranishëm në këtë takim dhe që e mbështesin  këtë proces.

Dua ta them që në fillim se, nuk do lodhem së përsërituri që kjo nismë nuk është përjashtuese për askënd. Është gjithëpërfshirëse, është e hapur, nuk ka kushte, nuk i imponohet askujt dhe nuk imponohet nga askush.

I kemi ftuar edhe në Tiranë, siç ishin të ftuar edhe në takimet e mëparshme, të gjithë.

Më lejoni ta them hapur, se për mua refuzimi i përsëritur i autoriteteve të Kosovës për të marrë pjesë në këtë tryezë është i pakuptueshëm dhe përveçse që është i pakuptueshëm, mendoj që është i dëmshëm për vetë Kosovën.

Ne jemi këtu për të ndërtuar urën midis të shkuarës dhe të ardhmes, midis një të shkuare që na ndan dhe një të ardhmeje që na bashkon.

Bindja ime e thellë është se i gjithë ky proces, është në koherencë të plotë me ambicien e shprehur nga të gjitha vendet dhe me angazhimin e çdo vendi për t’u bërë pjesë e familjes europiane, duke bashkuar forcat për ta përshpejtuar procesin e integrimit në BE dhe për të krijuar në hapësirën tonë, standardet që i përgjigjen 4 lirive të BE: liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.

Plagët e të shkuarës nuk kurohen me helm dhe me acid, por me ilaçe. Dhe ilaçet nuk jemi të ftuar që t’i shpikim, mjafton që të shohim se si kanë funksionuar në realitete të ngjashme dhe se si dialogu, bashkëbisedimi i vazhdueshëm, diskutimi i hapur, dakordësia për të mos rënë dakord me gjithçka, por për të punuar së bashku mbi atë që biem dakord, i kanë çuar popujt dhe vendet përpara dhe iu kanë krijuar gjeneratave të tjera kushte shumë më të mira se ato që kanë trashëguar nga e shkuara.

Nisma nuk ndalet dhe do të vazhdojë me bindjen se i kemi të gjitha forcat për të zbatuar marrëveshje që janë bërë më parë, i kemi të gjitha forcat për ta kthyer në realitetin e  njerëzve në realitetin e përgjithshëm të qytetarëve, në realitetin e përgjithshëm të sipërmarrjeve, atë që ka qenë në mënyrë të përsëritur e dakordësuar në Procesin e Berlinit, në kuadër të CEFTA-s, apo edhe të nismave e të tryezave të tjera.

Asnjëherë, në asnjë rast, historia nuk tregon se vetëpërjashtimi, vetëizolimi, mbyllja dhe refuzimi të kenë sjellë ndonjë të mirë, apo të kenë mbjellë ndonjë pemë me fruta të dobishme për gjeneratat e tjera.

Duke falënderuar në mënyrë të posaçme Presidentin e Malit të Zi, i cili sot na u bashkua në këtë diskutim, eksperienca dhe qasja e të cilit janë një vlerë e madhe e shtuar në këtë proces, po i kaloj atij fjalën me mirëkuptimin e dy kolegëve të tjerë dhe pastaj me radhë, Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Presidenti i Malit të Zi Milo Đukanović:  Të nderuar zonja dhe zotërinj! Së pari dua t’u përshëndes dhe t’u shpreh mirënjohjen time sot mikut tim Kryeministrit Rama, Presidentit Vucic dhe kryeministrit Zaev për ftesën që i bënë Malit të Zi dhe mua personalisht, të jem miku i tyre në takimin e kësaj iniciative të ndërmarrë nga këto 3 vende të rajonit tonë. Dua të falënderoj në veçanti Kryeministrin Rama për mikpritjen e tij të mrekullueshme.

Po filloj duke shprehur përshtypjen e parë që patëm nga vizita jonë në Durrës.

Për fat të keq, ne i pamë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore sot.

Ne pamë se një numër i konsiderueshme qytetarësh të Shqipërisë po i vuajnë këto pasoja. Dua të nënvizoj solidaritetin, miqësinë, në këtë rast me Shqipërinë, por edhe me të gjitha vendet, të cilat mund të ndodhen në situata të ngjashme. Nuk kam pse t’ju kujtoj, por edhe Mali i Zi, jo shumë kohë më parë, kaloi një situatë të ngjashme dhe e ndjeu çdo të thotë solidariteti dhe ndihma e fqinjëve.

Prandaj jemi të angazhuar përherë me solidaritetin tonë me Shqipërinë dhe përpjekjet e qeverisë së saj për të siguruar rehabilitimin e situatës dhe zhdukjen e pasojave të këtij tërmeti.

Ju falënderoj për këtë rast që më dhatë të punoj me ju sot dhe të diskutoj me ju përfitimet e mundshme që kjo iniciativë e quajtur midis nesh Minishengen mund të sjellë, jo vetëm për ato vende që e kanë iniciuar këtë, por dhe për vende të tjera sepse siç tha Kryeministri Rama, kjo është pjesë përbërëse e të gjitha atyre që u thanë. Pra, kjo iniciativë është përfshirëse dhe të gjithë që e shohin të mirën e kësaj iniciative, mund të bashkohen me të ose në pjesë të caktuara të saj ose me të gjithë këtë iniciativë.

Nëse ne mendojmë se mund të sjellim ndonjë të mirë për të gjithë të tjerët, duhet t’i bashkëngjitkemi. Nuk kam nevojë t’ju kujtoj se Mali i Zi është shumë i angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal. Ne kemi qenë anëtare e plotë në 27 iniciativa rajonale dhe 6 prej tyre i kryesojmë. Gjë që tregon se iniciativat rajonale krijojnë mundësi të shkëlqyera për të rifreskuar dhe përmirësuar besimin midis vendeve të rajonit dhe për të kontribuar për zhvillimin vendeve tona dhe rajonit përmes këtij bashkëpunimi.

Përveç kësaj, iniciativat rajonale krijojnë mundësi të mëdha që ne të forcojmë kapacitetet tona për bashkëpunim, në kuadër të iniciativave më të gjëra ku ne duam të jemi anëtarë. Më shpesh ne përmendim integrimin në bashkimin Europian dhe të qenit anëtar në Bashkimin Europian.

Dëshiroj të them gjithashtu se Kryeministri Rama gjatë pjesës së punës së takimeve që patëm sot, përmendi mundësinë që Mali i ZI mund të organizojë takimin tjetër të kësaj iniciative dhe unë dua të konfirmoj se jemi absolutisht të gatshëm të jemi mikpritësit e një iniciative të tillë sepse besoj që duhet të nxisim dialogun për çdo temë me rëndësi për ne dhe duhet të bëjmë përpjekje që të përfshijmë të gjithë që e gjejnë me interes këtë dialog.

Mendoj se është shumë e rëndësishme që aktivitetet e iniciativës së mini shengen të jenë në harmoni me iniciativa të tjera. Siç dëgjuam sot, kjo duhet të jetë një iniciativë që do të sjellë përmirësim në fushën e zbatimit. Në iniciativat e mëparshëm kemi folur për përmirësimin e lirive të ndryshme, të cilat janë bazë e kësaj iniciative të minishengenit. Tani është koha që të përpiqemi të përmirësojmë zbatimin e saj në praktikë sepse ne besojmë që kjo iniciativë do të sjellë mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillimi për secilin nga vendet tona. Është shumë e rëndësishme që në çdo iniciativë rajonale të shohim një mundësi për të bërë progres dinamik në drejtim të qëllimeve që kemi në drejtim të integrimit europian. Secili prej vendeve tona dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, por secili prej tyre do që kryesisht t’i bëjë shoqëritë e tyre më europiane dhe të sigurojë që vendet, popujt e rajonit tonë i takojnë sistemit europian të vlerave dhe se ata mund të kenë të njëjtin standard jetese si qytetar të Europës së  zhvilluar.

Kjo është përgjegjësia parësore e qeverive tona. Prandaj të gjitha iniciativat kanë më kuptim nëse ne dimë që ato do të na shpien drejt arritjes së standardeve që do na ndihmojnë ne të arrijmë anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian më shpejt.

Besoj që në diskutimet tona sot, në takimet që patëm, ne arritëm të shpjegojmë për vete e për publikun se sa mundësi mund të ofrojë një iniciativë e tillë dhe do të jetë kënaqësia jonë që të marrim pjesë në këto takime në të ardhmen dhe të kontribuojmë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që ai të arrijë integrimin në BE sa më shpejt të të jetë e mundur

Faleminderit!

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic: Zonja dhe zotërinj! Të nderuar kryeministra!

I nderuar president!

Ajo çfarë është e rëndësishme për ne është që bashkëpunimi ynë të bëhet sa më intensiv, por përpara se të them diçka për hapat konkretë do doja që të shprehja ngushëllimet e mia për të gjitha familjet e personave që vdiqën në këtë tërmet të tmerrshëm që goditi Shqipërinë.

Për aq sa mundëm, duke dërguar ekipet tona të shpëtimit, ne e bëmë, por gjithashtu unë besoj se gjithë njerëzit në vendin tuaj e kuptuan dhe gjithë simpatinë tonë.

Dua të falënderoj kryeministrin Rama për mikpritjen e tij, falënderoj atë që na çoi sot në Durrës ku pamë ata fëmijë të mrekullueshëm që kishin humbur shtëpitë, pamë prindërit, gjyshërit e tyre dhe ajo që mund t’ju them është që qeveria e Serbisë do të marrë një vendim të hënën për të ndihmuar me një vlerë domethënëse parash Shqipërinë dhe besoj që do të jetë një nga 2-3  apo 4 donatorët më të mëdhenj për vendet, Durrësin, Thumanën dhe zonat e tjera në Shqipëri.

Ajo që ka rëndësi për ne është që diskutimet që kemi zhvilluar ishin në funksion të intensifikimit të përpjekjeve tona dhe të të bërit të marrëveshjeve tona më konkrete. Çfarë do të nënkuptojë kjo për njerëzit në vendet tona? Dua që ta kaloj, ta kapërcej këtë kornizë filozofike. Kjo nënkupton që njësitë tona të emergjencës, të shpëtimit do të bashkëpunojnë më ngushtë në të ardhmen kur një tragjedi të mund të godasë Shqipërinë, Serbinë apo Maqedoninë e Veriut e në të njëjtën kohë, të gjitha forcat në vendet e tjera do të jenë në dispozicion të vendit përkatës dhe autoritetet e vendeve respektive që goditen, ndoshta nga tërmeti apo përmbytjet apo zjarret apo katastrofa të tjera, do të diskutojmë më tej, pra do të jemi në dispozicion të njëri-tjetrit.

Natyrisht, diskutuam edhe se si të zhvillojmë më tej tregtinë, se si të lehtësojmë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve gjithashtu edhe fluksin e kapitalit të shërbimeve.

Besoj se kemi marrë vendime të rëndësishme. Do të nënshkruajmë natyrisht, për mua është njësoj, në Beograd apo Podgoricë, si të biem darkod, por besoj që ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin sepse kjo nënkupton që ne do të vijojmë të ndërtojmë, do të kemi gjithashtu dhe funksion 24 orë në 7 ditë të javës të pikave kufitare të doganës, gjithashtu do të lehtësojmë procedurat, do të kemi më shumë korsi në këto pika kalimi kufitare e do të kemi më shumë shkallë apo hapësira për kamionët, maunet që të mos rrinë më shumë se 5-6 orë në pikat kufitare. Do të përpiqemi të zbatojmë marrëveshjen e quajtur të operatorëve të autorizuar.

Gjithashtu, do të nënshkruajmë këtë marrëveshje qoftë në mënyrë dypalëshe me Shqipërinë, gjithashtu dhe në takimet e tjera me ato kompani, të cilat e kanë tashmë këtë, të kenë mundësi të kalojnë në mënyrë më të lehtë, më lehtësisht kamionët e tyre. Kjo do të ulë kostot operative dhe do të përmirësojë standardet e qytetarëve tanë. Që njerëzit ta kuptojnë më mirë, 320 mijë kamionë kalojnë në Preshevë, në vit, pra kjo ju tregon se çfarë përfitimesh ka një gjë e tillë dhe natyrisht edhe ata që shqetësohen apo që e quajnë minishengen, do të përpiqemi që të krijojmë një treg të përbashkët pune, që nënkupton krahasimisht një nivel më të lartë tërheqjeje për investuesit e huaj, çka nënkupton që kur serbët apo maqedonasit të duan të punojnë në Shqipëri, ne do të kemi të njëjtat sisteme. Pra do të jetë e mundur që ata thjesht të aplikojnë dhe të marrin leje të përhershme pune në Shqipëri dhe e njëjta gjë vlen dhe për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi. Pra është me një rëndësi kryesore për të gjitha vendet tona duke qenë se kemi probleme domethënëse me tregun e punës.

Natyrisht, këto janë probleme të cilat vazhdojnë dhe në të ardhmen, ne duhet të përpiqemi që dhe me tregtinë të ecim sa më mirë të jetë e mundur dhe të jetë në përfitim të gjithsekujt. Kam përshtypjen që një propozim që do të shohim dhe në takimet e tjera do të jetë dhe përafrimi i shumë rregulloreve në mënyrë që të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur një treg unik të 11 apo 12 milionë qytetarëve që është më i madh, që është më i mirë për të gjithë, për ne dhe për më gjerë, për BE. Kjo është diçka, shumë e rëndësishme për ne që jemi vende të vogla me  pak banorë.

Faleminderit shumë për mikpritjen tuaj të mrekullueshme dhe shpresoj se do të kemi lajme edhe shumë më të mira për qytetarët tanë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev: Në këtë rast dëshiroj që të shpreh kënaqësinë time dhe dakordësinë time me Kryeministrin Rama për të organizuar këtë takim. Sot në mëngjes shkuam në Durrës dhe tragjedia që ka ndodhur në atë qytet, më la një përshtypje shumë të madhe. Shpresoj sinqerisht se ndihma që erdhi pothuaj menjëherë nga fqinjët dhe nga komuniteti ndërkombëtar do të zbusë dhimbjen dhe pasojat e tërmetit. Sigurisht që ndihma do të vazhdojë në formën e fondeve dhe unë përfitoj nga ky rast që t’ju bëj thirrje qytetarëve dhe udhëheqësve të vendeve tona, që të vazhdojnë të ofrojnë ndihmën shumë të nevojshme sepse ky është  një nga segmentet e rëndësishëm  të bashkëpunimit rajonal për të cilën po flasim këtu.

Gjithashtu, dua të them se në takimin e ardhshëm,  ndoshta në Beograd në fillim të shkurtit, institucionet tona të kërkim – shpëtimit do të nënshkruajnë protokollin e   bashkëpunimit dhe të procesit të aktivizimit të shpejtë që  të jenë në dispozicion të të gjithë vendeve të rajonit dhe të tregojnë efekte më të mira të solidaritetit dhe  të bashkëpunimit që do  të jenë me përfitim për të gjithë qytetarët tanë.  Pas takimeve që kemi patur në Novi Sad dhe Ohër, këtu po bëjmë një përmbledhje në Tiranë.

Bashkëpunimi 24 orësh që kemi ofruar  me shërbime po jep rezultate. Do të zgjerojmë korsitë dhe kjo do të ndihet nga qytetarët dhe mjetet që përdorin pikat kufitare. Ajo që kemi treguar si shembull në Ohër është se vetëm në katër javë kemi nënshkruar marrëveshje  për pikëkalimet kufitare që është me mjaft rëndësi dhe që tregon që kur punojmë së bashku përfitohen të mirat që ka për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut  një  bashkëpunim i tillë. Në rastin konkret, edhe në rastin e shqiptarëve nga Serbia, dhe  nga Maqedonia e Veriut, e them si një thirrje për ata që na kuptojnë  se kjo ka shumë përfitime dhe të gjithë ne duhet të bashkojmë forcat. Në shkurt, në takimin që patëm në Beograd, administratat tatimore të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut do të nënshkruajnë marrëveshje kur gjithçka do të bëhet me ”One Stop Shop”, në një vend të caktuar, pra me një ndalesë.

Ata do të bëhen shumë shpejt pikat kufitare ku nuk do të ketë asnjë ndalesë në të ardhmen. Në qoftë se tani do të ketë një, në të ardhmen nuk do të ketë asnjë. Pra, ky është një nga objektivat tona. Presidenti Vucic  tha që ne duhet të fusim sistemet elektronike që është qëllimi i administratave doganore, objektiv që kemi vënë vetes përpara.

Vendimet e marra gjatë  presidencës shqiptare të CEFTA-s  për njohjen e operatorëve ekonomikë të autorizuar është  shumë e rëndësishme dhe duhet të realizohet.

Kemi vendosur në shkurt që të nënshkruajmë  një memorandum për lëvizjen e lirë të njerëzve vetëm me kartat e identitetit dhe të unifikojmë procedurat për dhënien e lejeve të punës për të gjithë qytetarët e vendeve të rajonit, qoftë nga Serbia, në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, dhe duke i harmonizuar këto procedura. Ne do të kemi mundësi që qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut  të përfitojnë nga një sistem i tillë, pra që të ketë vetëm një procedurë të vetme të dhënies së vizave apo lejeve për punë.

Mjafton që t’i dërgosh dokumentet në kohë. Plani i BERZH për të patur një konferencë të veçantë në shkurt për Ballkanin Perëndimor është me rëndësi themelore dhe secili prej vendeve tona duhet të jetë pjesë e kësaj konference. Të gjithë qytetarët e botës, Azia, Evropa, Australia e të tjerë që do të vijnë në këtë rajon nga Hungaria , nga Greqia  nuk do të kenë nevojë që të kenë kontrolle apo viza të veçanta për të hyrë në  rajonin tonë. Për shembull, ne qoftë se një kinez vjen  në aeroportin e Beogradit të ketë mundësi që të hyjë lirisht në të gjithë vendet e tjera të rajonit.

Ajo që është me rëndësi dhe që duhet theksuar në këtë moment është se  Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin mesazhe pozitive në pranverën e  ardhshme sepse ajo që ne bëjmë sot  është  CEFTA +, është Berlin+ është diçka që ne mund ta bëjmë vetëm dhe bashkë dhe qytetarët tanë do ta ndiejnë këtë dhe partnerët evropiane do ta quajnë me rëndësi.

Prandaj shpreh vlerësimin tonë për Komisionin Evropian të pranishëm këtu,  për të cilën dua të shpreh falënderimin qoftë për BERZH, qoftë për Bankën Botërore, përfaqësuesit e tyre,  Majlinda nga RCC-ja, të cilët janë të gjithë këtu me ne dhe konfirmojnë që jemi të gjithë të fokusuar në rrugën tonë drejt BE dhe së bashku mund të bëjmë më shumë. Takimi tjetër siç thashë  planifikohet të zhvillohet në Beograd. Zoti Vučić  do të përcaktojë datën e saktë  dhe unë pres dhe jam dakord siç tha dhe Presidenti Đukanović, që takimi tjetër të zhvillohet në Podgoricë.

Ne do të jemi të gëzuar që ta vazhdojmë   pastaj në Sarajevë, Prishtinë, dhe në maj kur të përfundojmë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut  do të kemi mundësi t’ju mirëpresim.

Faleminderit shumë për praninë tuaj!

-Ky është takimi juaj i tretë dhe tashmë nuk ka asnjë lloj dyshimi, apo diskutim për vullnetin tuaj të mirë për t’i çuar këto iniciativa rajonale përpara. Por kur qytetarët e rajonit do kenë një produkt konkret, të prekshëm për këto çfarë ju jeni dakordësuar sot?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, ne kemi rënë dakord së bashku me Komisionin Europian edhe me Bankën Botërore për të hartuar dhe në takimin e radhës për ta pasur, jo vetëm në tryezë, por edhe një dokument që mund të ndahet me publikun, një hartë të zhvillimit të pritshëm nga kjo nismë, që e përsëris, është një nismë përforcuese e marrëveshjeve dhe për zbatimin e marrëveshjeve me impaktin specifik ekonomik në të tërë rajonin dhe në vendet në veçanti, e shoqëruar me një tabelë arritjesh ku, çdo 6 muaj, së bashku me Komisionin dhe me Bankën, do mund të bëjmë edhe një bilanc.

E them këtë, sepse dëgjoj shumë teori konspirative dhe shumë broçkulla lidhur me faktin se kjo nismë nuk ka impakt për të gjitha vendet, se kjo nismë ka impakt ndoshta vetëm për Serbinë, e kështu me radhë. Ndërkohë që është absolutisht e kundërta, çdo vend që përfshihet në këtë proces përfiton dhe procesi ka një përfitim progresiv për të gjitha vendet.

Nga ana tjetër, më vjen mirë ta theksoj që Komisioni bëhet gati për të dedikuar qysh në vitin e ardhshëm 1.2 miliardë euro për vendet tona të këtij rajoni, në funksion të zbatimit të marrëveshjeve.

Pra, kjo nismë i shërben edhe rritjes së besueshmërisë dhe të kapacitetit për të mundur të thithim fonde, që, nuk janë kredi, janë grant.

Së treti, po jap vetëm një shembull, duke hapur kufijtë që ata vijnë nga vende të treta – dhe po marr Kinën, – për të vizituar njërin nga vendet dhe po marr konkretisht Serbinë, – meqë me kënaqësi dhe me keqardhje njëkohësisht po shoh se sa shumë patriotë të “Facebook” më janë vërsulur, – ne bëjmë të mundur që të rrisim në mënyrë eksponenciale numrin e turistëve kinezë në vendin tonë, po flas për Shqipërinë, por edhe në të gjithë rajonin, sepse menjëherë – dhe kjo nuk është fantazi kjo është thjesht dhe vetëm një kalkulim ekonomik i bazuar në eksperienca të të tjerëve, – zgjerohet paketa. Për turistin që zbret në një vend mundësia për të shkuar në vendet e tjera pa pasur nevojë për viza e për procedura e për të kalkuluar se sa orë do humbasë në një proces të tillë, është imediate.

Po ju marr dhe shembullin tjetër, të eksportuesve shqiptarë. Eksportuesit shqiptarë të produkteve bujqësore të cilat në rajon vijnë në rritje, eksportuesit shqiptarë të materialeve të ndërtimit, të cilat në rajon vijnë në rritje, pra eksportet shqiptare në këto dy drejtime, të paktën, minimalisht, do kenë një përfitim progresiv.

Kush mund të thotë të kundërtën?

Kush mund të thotë se lëvizja e lirë e njerëzve, lëvizja e lirë e mallrave, heqja e kaq shumë barrierave dhe procedurave, lehtësimi maksimal i dokumentacionit mund të mos sjellë zhvillim për ekonominë, për biznesin, për mirëqenien e vendit të vet?

Këtë mund ta thonë vetëm ata që nuk duan të shikojnë realitetin dhe që jetojnë jashtë realitetit.

Folëm me Presidentin e Malit të Zi lidhur me sa shumë fluks ka mes Shqipërisë dhe Malit të Zi gjatë gjithë sezonit. Mali i Zi është atraksioni më i madh turistik sot në rajonin tonë dhe çfarë përfitueshmërie të madhe kemi ne, por edhe Mali i Zi reciprokisht, nëse ne e hapim kufirin dhe nuk është më një linjë e gjatë pritjeje atje kontrollesh një për një.

Kemi rënë dakord për të lehtësuar maksimalisht kalimin doganor në Qafë- Thanë. Do ta bëjmë në Janar. Sa herë kemi parë se sa shumë njerëzit që duan të eksportojnë në Maqedoninë e Veriut, ose anasjelltas, nga Maqedonia e Veriut këtu presin e presin e presin, deri në pikën që mund edhe t’iu kalben produktet në doganë, sepse duhet marrë aprovimi për dokumentin e AKU-s tonë, apo dokumentin e AKU-s në Maqedoni, që malli, produkti bujqësor është ok.

Unifikimi i dokumenteve dhe mjaftueshmëria e një certifikate, pra kur ti e merr certifikatën në një vend, ajo certifikatë njihet edhe në vendet e tjera – dhe këtu do bashkëpunojmë me KE për të standardizuar përmes teknologjisë dhe për të investuar në laboratorët përkatës dhe për ta lehtësuar dhe për ta konsoliduar më shumë këtë punë, – bën një ndryshim nata me ditën, me realitetin që kemi.

Shembujt janë pa fund dhe kush ka dëshirën e mirë ta shohë në sy realitetin, mund t’i gjejë vetë. Nuk ka nevojë t’ua përsërisim 1000 herë. Por, përgjigja konkrete është: Viti 2020 do të flasë vetë për këtë.

Unë jam i bindur që në fund të vitit 2020, shifrat e ekonomive tona, të vendeve që janë këtu në këtë tryezë dhe uroj shumë edhe të Kosovës, edhe të Bosnjës që mungojnë këtu për arsye të mosarsyes politike, do flasin vetë.

Do ketë padiskutim në shifrat e ekonomisë tonë, në shifrat e punësimit në shifrat e punësimit, në shifrat e investimeve të huaja një shenjë të parë domethënëse se çfarë impakti ka kjo dhe çdo vit kjo shenjë domethënëse e vitit 2020 do fillojë dhe do kthehet në zë domethënës të ekonomisë së vendeve tona. Kjo nuk është shkencë. Kjo është thjesht e vetëm një shprehje e vullnetit për të mësuar nga ata që janë sot shumë më përpara nesh, sepse kanë kuptuar shumë kohë përpara nesh, që nga kufijtë, nga vetëmbyllja, nga proteksionizmi, nga teoritë e konspiracionit vetëm mund të humbasësh, ndërsa nga integrimi ekonomik vetëm mund të fitosh.

-Sot tryezës iu bashkua edhe Presidenti i Malit të Zi, Đukanović, por po vazhdoni të jeni 4 liderë nga 6 që ka Ballkani Perëndimor. A është i suksesshëm ky format nëse nuk përfshihen të 6 vendet? A ka pasur kushte shtesë për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinën? Si i komentoni ju deklaratat e zotit Thaçi për refuzimin e ftesës dhe të gjithë debatin që ka ngritur vazhdimi i kësaj iniciative, pa pjesëmarrjen e Kosovës, si në Shqipëri dhe në Kosovë? Fakti që u bë pjesë e këtij formati BE dhe SHBA, por në mënyrë të veçantë BE, a është një sinjal që po bekojnë krijimin e një  unioni ballkanik, duke pranuar që BE nuk e ka në krye të axhendës së zgjerimin me vende të reja nga Ballkani Perëndimor?

Presidenti i Malit të Zi Milo Đukanović:  Mendoj që është shumë e qartë. Nuk mendoj se pjesëmarrja e të gjithëve në këtë dialog, në vetvete përmban idenë e krijimit të ndonjë Bashkimi Ballkanik për të zëvendësuar anëtarësinë tonë në BE, edhe nëse mund të duket si e tillë, ne do të thonim jo. Ne dëshirojmë të jemi anëtarë të BE dhe duhet t’ju kujtoj se në këtë fushë ne kemi kohë që punojmë dhe kemi punuar fort dhe kemi negociuar për 7 vjet me BE, prandaj nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë drejtimin strategjik tani. Nuk kemi marrë asnjë informacion të ri që do të na bënte të nguronim dhe të thonim që jo, nuk duam të shkojmë në BE. Përkundrazi! Kohët e fundit kemi deklaruar se jemi kundër çdo ideje për të ndryshuar rregullat e lojës tani, pas kaq vitesh, sepse rregullat e lojës janë vendosur në Selanik në 2003-in dhe janë vendosur kur filluan bisedimet në 2013. Pra, Mali i Zi nuk do të donte ta zëvendësonte këtë gjë me një bashkim tjetër. Siç thashë, ndërkohë, e pranojmë dhe i njohim të gjithë iniciativat europiane që na sjellin më afër këtij qëllimi.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev: Do të donim të theksonim se mbështetja e BE dhe institucioneve të tij dhe sigurisht edhe SHBA-ve për mua personalisht ndihmojnë për ta përshpejtuar anëtarësimin tonë në BE dhe asgjë më shumë. Ky bashkëpunim që po fillojmë tani vetëm do ta përshpejtojë dhe do të largojë padurimin e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE sa më shpejt, për proceset transformuese që do ta sjellin Europën këtu. Kjo gjë mund të arrihet edhe përmes bashkëpunimit tonë. Shohim shumë hapësirë përpara nesh dhe mendojmë se mund ta përdorim dhe kemi për detyrë të punojmë për qytetarët, për ekonomitë, për shoqëritë tona me qëllim që të sjellim sa më shpejt standarde më të mira jetese dhe standarde ekonomike. Në këtë mënyrë do u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë dhe shtetet e BE ta njohin këtë gjë.

Kjo tregon vetëm rritjen e aspiratës tonë për t’u bërë anëtarë dhe jo më shumë e as më pak. Vlerat europiane janë gjithçka që qytetarët tanë i presin dhe detyra jonë është që t’ua ofrojmë këtë gjë qytetarëve tanë.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić: Dua t’i përgjigjem pyetjes së parë: Çfarë do të përfitojnë qytetarët tanë? Çfarë përfitimesh të prekshme do të kenë? Mendoj që është pyetja më e mirë, më e bukur. Do i përgjigjem në dy mënyra. Së pari, pa këtë nuk mund të jetojmë. Kjo nuk shihet vetëm nga ata që nuk duan ta shohin. Askush nuk mund të mbijetojë pa këtë, sepse jemi kaq të vegjël, jemi kaq të parëndësishëm po të mos i bëjmë tregjet tona të punës dhe ekonomike më të mëdha, nëse nuk bashkohemi, nëse nuk punojmë se bashku.

Sa të rinj janë larguar nga Bullgaria, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia? Më thoni një vend që nuk janë larguar dhe që nuk largohen çdo ditë! Si do t’i kthejmë këta njerëz ne? Këta njerëz që rrinë në vendet tona si do t’i mbajmë këtu, duke krijuar një atmosferë konflikti dhe lufte, sepse kjo na ndihmon politikisht?!

U zemërova pak më parë me mikun tonë Edi, sepse gjithë kohën duket sikur mbrohet. Përse duhet të mbrohemi? Nga çfarë duhet të mbrohemi? Që po përpiqemi të bëjmë gjërat më të mira për vendet tona, që po mbrohemi nga ata që duan të na shohim mbrapa në shekullin e XVII, XVIII, ata që duan të na shohin përsëri duke luftuar me njëri-tjetrin, apo të punojmë dhe të jetojmë pranë njëri-tjetrit e të kemi një të ardhme normale dhe të mendojmë si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin?

Mbrëmë në koncert u kënaqa, por u ndjeva dhe i trishtuar. E njoha më shumë kulturën shqiptare, shumë më tepër se më parë dhe dua ta falënderoj Kryeministrin Rama që na e dha këtë mundësi. Dua t’ju pyes, a mund të më thoni një masë, një gjë të vetme që është e keqe nga kjo që po bëjmë këtu? Jam shumë i kënaqur që të gjithë të huajt, janë këtu të pranishëm, jam vërtetë shumë i kënaqur, por nuk mund të marr unë rolin e padronit sepse për mua, mendoj se është më mirë, më e rëndësishme është ajo që mendojnë qytetarët për këtë që po bëjmë. Ç’të keqe ka për popujt tanë kjo gjë, që Serbia do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmën e vet, që do të ofrojmë një shtëpi për të qenë për 100 familje shqiptare, do të ushqejmë shumë familje shqiptare, serbe, maqedonase, duke krijuar vende të reja pune. Pse të kemi turp nga kjo gjë? Kjo është ftesa më e mirë që kemi për investitorët. Janë hapur fabrika të reja gjermane të cilët shkëmbejnë inxhinierë, ekonomistë, ekspertë me njëri-tjetrin. Nuk do të kenë problem ta bëjnë një gjë të tillë në të ardhmen e madje nëse gjithçka shkon në rregull mund të ndërtojnë një fabrikë në Shqipëri. Si do ti tërheqim investitorët? Duke luftuar? Duke vendosur taksa të reja? Duke vendosur pagesa të reja doganore? Më lejoni të them një gjë.

Kjo gjë nuk do të finalizohet në tre muaj. Njerëzit nuk do t’i shikojnë përfitimet në tre muaj, por kujtoni këtë që po them. Shikoni rritjen e këtyre tre vendeve, apo 4 apo 5 apo sado vendeve, mbas 3 viteve. Krahasojeni me disa të tjerë sepse duke krijuar një mjedis të tillë, duhen vite, vetëm atëherë do të shikosh rezultat më të mira të mundshme e të gjithë njerëzit që merren me biznes e dinë këtë gjë shumë më mirë.

Kur vjen puna tek Europa dhe kushte të ndryshuara, nuk ka kushte, për asnjë. Të gjithë janë të mirëpritur. Ne jemi në rrugën tonë europiane. Kanë kaluar 6 vite që kur kemi hapur bisedimet e pranimit. I falënderoj të gjithë për atë që kanë bërë, por ne varemi e duhet të varemi pikë së pari, t’i lutemi Zotit e pastaj duhet t’i lutemi atyre që të na hapin 2-3 kapituj? Jo nuk dua të poshtëroj, as veten time, as popullin tim. Unë i them popullit, ne po e bëjmë punën tonë dhe ju si popull na thoni nëse po e bëjmë mirë apo jo punën tonë, vlerësojeni si të doni ju, por kjo nuk varet më nga ne, varet nga populli e nga rrethanat e tyre të brendshme e unë këtë e them hapur, nuk e fsheh nga askush. Gjithçka varet nga ata që do bëjnë me veten e tyre dhe cila do jetë politika e tyre në të ardhmen. Ne mund të themi çfarë të duam, por asgjë nuk na sjell kjo. Ne mund të jemi më të mirët, por asgjë nuk do përfitojmë sepse ka shtete europiane që nuk do të ishin të aftë të hapnin bisedimet me BE-në. Nëse ne do të bënim atë që bëjnë disa shtete të tjera të Europës, do të na varnin, në kuptimin që do na kritikonin shumë në Europë, të katërta vendet tona.

Pra, le të bëjmë atë që varen nga ne, ato që mund të bëjmë e jo ato që nuk varen nga ne. Mënyra se si ne organizojmë rajonin tonë, varet nga ne dhe jo nga fuqitë e mëdha, nga askush tjetër. Nëse ne e kuptojmë njëri-tjetrin më mirë, do të kemi një jetë më të mirë dhe askush nuk do të mund të na nënvlerësojë dhe ne do ta vlerësojmë njëri-tjetrin shumë më tepër. Faleminderit dhe ju kërkoj ndjesë që fola kaq gjatë.

Kryeministri Edi Rama : Faleminderit për pyetjen dhe e thashë që nuk do lodhem së përsërituri që kjo nismë është gjithëpërfshirëse, nuk përjashton askënd, nuk ka asnjë kusht dhe më lejoni t’ju sjell këtu në vëmendjen tuaj një fakt shumë të thjeshtë që i shpjegon të gjitha. Ka 20 vjet, 30 vjet, nuk e di sa ka, që sa herë duhen marrë vota e sa herë duhet bërë politikë, predikohet hapja e kufirit të Shqipërisë me Kosovën. Kufiri nuk hapet. E nuk hapet jo thjeshtë sepse çohen në Beograd kundër kufirit, por sepse çohen në Ëashington, çohen në Bruksel. E sot me këtë nismë, ne po themi të hapim të tërë kufijtë e nuk ka asnjë kusht. Do  të ishte vërtetë për t’u konsideruar e papranueshme nëse mungesa këtu e Kosovës do të ishte rezultat i ndonjë kushti vendosur nga Serbia. Nuk ka asnjë kusht. E nuk ka asnjë lloj klauzole përjashtuese për asnjë nga marrëveshjet që ne biem dakord. Pra, nëse ne biem dakord me Serbinë, biem dakord me Malin e Zi, biem dakord me Maqedoninë e Veriut për të bërë liberalizim në çdo aspekt, atëherë ma thoni çfarë fiton Kosova duke mos ardhur? Ndërkohë që, askush nuk thotë kjo nuk duhet bërë me Kosovën, përkundrazi. E nga ana tjetër, për sa i përket deklaratave, më vjen shumë keq. Janë deklarata për politikë të brendshme në një rrugë që unë e konsideroj qorre për Kosovën.

Kosova nuk ka nevojë për izolim, nuk ka nevojë për vetëpërjashtim, nuk ka nevojë për një garë të brendshme se kush është më refuzues ndaj proceseve të integrimit dhe gjithëpërfshirjes dhe mbi të gjitha, nuk ka nevojë që të bëjë të pakënaqur edhe ata që e mbështetën pa kushte në ditët e veta të vështira. Sot këtu janë SHBA-të, sot këtu është BE, sot këtu janë 4 vende që e kanë të hapur derën edhe për 2 të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe nëse Kosova ka nevojë sot për respekt, për integrim, për zhvillim ekonomik, kjo është rruga.

Rrugët e tjera të fantazive neomarksiste, të proteksionizmit absurd, keni parë ju në ndonjë vend të varfër që bën proteksionizëm; të vendosjes së pikave krahasimore me tarifat e SHBA-ve apo me tarifat e Kinës janë vetëvrasje në planin ekonomik po e po, por dhe në planin politik, pasi miqtë, mbështetësit dhe partnerët në këtë proces, janë këtu, nuk mungojnë. Janë këtu që të gjithë dhe e fundit që kam është që pa diskutim, kjo nuk bëhet për pushtet apo për vota kjo që po bëjmë. Po të ishte për pushtet dhe për vota, mbase nuk do ishim këtu sot. Kjo bëhet për të ardhmen. Kjo bëhet për njerëzit, për njerëzit që i harrojmë shumë rëndom kur flasim për politikë. Për njerëzit e zakonshëm, njerëzit që merren me sipërmarrje, njerëzit që duan të punojnë, njerëzit që duan të lëvizin, njerëzit që duan investime, sepse u tha këtu disa herë, ne jemi shumë të vegjël të ndarë dhe nëse duam më shumë investime në sektorë strategjikë, nëse duam më shumë investime në energji, nëse duam më shumë investime në të gjitha fushat ku mund të vijnë investime të mëdha, ne duhet t’u ofrojmë investitorëve një treg të hapur. Serbia është një vend që shënon numrin më të madh të investimeve të huaja sot, por është komplet e pamjaftueshme dhe për vetë Serbinë që sot është me një nivel investimesh dhe edhe në Serbi, edhe kudo, pyetja është kjo, sa është tregu?

Sa të thjeshtë e kemi që të lëvizim lirisht forcat e punës në këtë treg, sa të thjeshtë e kemi që të kemi integrim të burimeve njerëzore? Pyetje të investitorëve,  jo pyetje të politikanëve. Kështu që duke ju falënderuar të gjithëve për praninë tuaj, dua ta them me një fjali; Kjo nismë është nismë për të ardhmen, nuk është një oxhak për të shkuarën.

Ne po ndërtojmë një urë mes të shkuarës dhe të ardhmes. E shkuara na ndan, e ardhmja na bashkon, e në të tashmen ne duhet të kemi kurajën t’ia themi sy në sy njeri-tjetrit atë që mendojmë për të shkuarën, por duhet të kemi po ashtu kurajën që sy më sy të bashkëpunojmë për të ardhmen. Vetëm duke bashkëpunuar për të ardhmen mund të shërojmë plagët e të shkuarës.  Nëse mbytemi në acidin, e të shkuarës, ne vrasim të ardhmen dhe këtë unë nuk ka për ta lejuar kurrë sa të jem unë në këtë pozicion.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.