Me rastin e 35-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, u zhvillua në Tiranë konferenca jubilare “30 vite Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të qeverisë, drejtësisë, institucioneve të pavarura dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi Komisionin si një partner të pazëvendësueshëm për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit europian, duke i shprehur mirënjohje të veçantë Presidentit, Gianni Buquicchio, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm ndër vite.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!
Shumë faleminderit për praninë dhe për organizimin e kësaj konference, lidhur me një institucion i cili e ka shoqëruar në vijimësi përpjekjen e Shqipërisë për tu demokratizuar dhe për tu transformuar nga një vend i sapo dalë prej diktaturës në një vend që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian.
Simbolikisht mund të thuhet se Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë materniteti. Kanë lindur në të njëjtën kohë në vitin 1990.
Komisioni i Venecias si një fëmijë i Europës së ribashkuar në vlerat e lirisë dhe me dëshirën për tu njësuar në parimet e demokracisë dhe demokracia shqiptare si një ëndërr e shumë ëndërruar që më në fund pa të hapur shtegun e saj.
Historia e zhvillimit demokratik në Shqipëri është ngushtësisht e lidhur me historinë e rritjes dhe të forcimit të influencës së Komisionit të Venecias mbi procese që vende si Shqipëria kanë pasur në vazhdimësi nevojën e ndihmës, nevojën e një mbështetjeje mençurie dhe nevojën e një asistenti po themi, se nuk është një gjykatës, por një asistenti bujar dhe të paanshëm të çdo vendi në kërkim të standardeve më të mira.
Sot Komisioni i Venecias ndër të tjera ka në bilancin e vet edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, asaj të vitit 1998 dhe po ashtu Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet dhe një sërë ndërhyrjesh shumë të rëndësishme në procese ku mendimi, opinioni i Komisionit ka luajtur një rol vendimtar për kahjen e procesit. Por pa diskutim që Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet dy kontribute kyçe për historinë e re ende, por gjithsesi histori e zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Kontributet për Kodin Zgjedhor të cilat kanë mbështetur thellësisht përmirësimin e këtij Kodi dhe kanë forcuar garancinë e standardeve demokratike dhe nga ana tjetër kontributin historik për reformën më të thellë dhe më të vështirë që ka bërë Shqipëria, reformën në drejtësi ku Komisioni ka qenë një bashkudhëtar i pandarë, një udhërrëfyes si gjithmonë i matur dhe një autoritet që na ka ndihmuar të ruajmë gjatë gjithë kohës busullën dhe të orientohemi gjatë gjithë kohës në drejtimin e duhur.
Pa Komisionin e Venecias dhe kontributin e tij do të kishte qenë e pamundur që Shqipëria të ndërmerrte procesin e vetting-ut, një proces kyç për reformën në drejtësi, një proces që e them më plot gojën sot se nuk është kryer me të njëjtën thellësi në asnjë vend që ngjashëm është përpjekur ta kryejë atë proces dhe një proces që deri në momentin e opinionit të Komisionit të Venecias kishte dhe jo pak kundërshti edhe në rrethet profesionale ndërkombëtare, por Komisioni i Venecias ndër të tjera ka fituar dhe fuqinë për tu imponuar në të gjitha instancat dhe për tu respektuar nga të gjitha instancat dhe unë jam dëshmitar i faktit që opinionet e Venecias janë opinione të cilat respektohen plotësisht në çdo nivel ndërkombëtar të lidhur me çështje qe kanë të bëjnë me shtetin e se drejtës dhe me proceset e reformave dhe të masave që lidhen me shtetin e së drejtës.
Sot nuk është thjeshtë dhe vetëm 35-vjetori i Komisionit të Venecias që ne celebrojmë këtu në Shqipëri, por është dhe një përvjetor tjetër që ka një përkim sa të rastësishëm aq dhe kuptimplotë me përvjetorin e 35 të Komisionit të Venecias, që është 30-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe janë dy përvjetorë që në sensin e shtetit të së drejtës kanë një vend në historinë tonë, kanë një vend në të gjithë mënyrën se si ka rrjedhur kjo periudhë dhe do të mjaftonte që për një moment të vetëm ne ta abstrakonim dhe ta hiqnim Komisionin e Venecias së bashku me Këshillin e Europes nga panorama e zhvillimit të këtyre 35 viteve duke u përpjekur të shohim se si do të kishin marrë gjërat në rast se opinionet e Komisionit të Venecias nuk do të kishin qenë të pranishme në këto 35 vite dhe në rast se Shqipëria nuk do të ishte anëtare e Këshillit të Europës për të kuptuar thellësinë e rëndësisë së këtyre dy përvjetorëve për ecurinë demokratike të Shqipërisë.
Unë nuk dua të zgjatem më tutje. Këtu ka shumë njerëz me të cilët i lidh profesioni, i lidhin studimet, i lidh interesi për kompleksitetin e temave që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, që me plot të drejtë kanë nevojë të kenë hapësirën dhe kohën e tyre për të diskutuar, por dua ta mbyll duke thënë se Komisioni i Venecias është një partner i pazëvendësueshëm. E sa i pazëvendësueshëm aq edhe i pabujshëm, i heshtur madje, i Shqipërisë që do të vazhdojë patjetër të jetë një pikë referimi për ne, për të kuptuar sa më mirë se çfarë duhet të bëjmë më mirë në të gjitha momentet kur do të kemi dilemat e pandashme nga proceset e reformave dhe të ndryshimeve.
Dhe fjalinë e fundit e kam të lidhur me të parën duke kërkuar mirëkuptimin e të gjithë të pranishmëve të tjerë që kanë ardhur në emër të Komisionit apo nga jashtë Tiranës këtu, për faktin që e kam të pamundur të mos e mbyll me një falënderim shumë të posaçëm për Gianni Buquicchio, për të gjithë durimin e jashtëzakonshëm që ka pasur, durim që merr një tipar heroik po të mendosh që Gianni vetë është italian dhe që tregon se sa më shumë nevojë ka për durim, kur ke të bësh me ne shqiptarët, edhe pse mund të jesh vetë italian që nuk je pjesë e një kombi që shquhet për virtytin e durimit.
Dhe për të gjithë atë durim, Gianni dhe për të gjitha përpjekjet e tua për të “lundruar në dallgët e politikës shqiptare” dhe për të gjetur pikën e ekuilibrit mes shumë ekstremeve që të është dashur të ballafaqohesh dhe shumë mendimeve të kundërta që të është dashur të dëgjosh, unë të jam thellësisht mirënjohës dhe nuk ka pikë dyshimi që nëse Shqipëria nuk do të të dedikojë një monument dhe më mirë mos të ta dedikojë se ne me monumentet kemi gjithmonë një raport jo shumë afatgjatë, ti meriton një monument në gjithë kujtesën e të gjithë atyre që punuan gjithë këto vite me Komisionin e Venecias.
Shumë faleminderit!