Kryeministri Edi Rama priti sot në takim Përfaqësuesin e lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë dhe zv.President i Komisionit Europian, Josep Borrell. Pas takimit me tyre, Kryeministri Rama dhe zoti Josep Borrell dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Faleminderit për praninë tuaj! Sot kemi kënaqësinë të kemi në Tiranë përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian dhe Zv.Presidentin e Komisionit Europian, Josep Borrell me të cilin kemi diskutuar mbi shqetësimin e madh që është krijuar nga lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat e saj që janë shfaqur në Europë dhe jo vetëm, fillimisht në formën e rritjes së çmimeve.
Kemi diskutuar patjetër edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe qëndrimin e Shqipërisë në të njëjtën linjë me Bashkimin Europian, në raport me Rusinë dhe agresionin rus mbi Ukrainën, por natyrisht, pjesë e diskutimit ka qenë edhe ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe konkretisht, e procesit për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim, gjë për të cilën, besoj, zoti Borrell do flasë vetë.
Përsa më takon, unë kam përsëritur atë që dihet botërisht, se Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vet natyral dhe jo se na e ka kërkuar njeri në Bruksel, në Berlin, në Paris apo qoftë edhe në Washington.
Ne jemi anëtarë krenarë të një aleance të madhe siç është NATO dhe jemi po ashtu, europianë krenarë për qenien tonë europiane dhe shqiptarë që shohim nga Europa derën e të ardhmes sonë. Për të gjitha këto arsye, ne jemi sot në këtë pozicion dhe për më tepër, ky pozicion është një pozicion që na e imponojnë fëmijët tanë.
Lufta në Ukrainë është një vijë ndarëse mes botës që ne e njohim mirë, të mungesës së të drejtave të lirive, të izolimit dhe dhimbjeve të imponuara nga një regjim autoritar dhe botës që kemi sot, e cila mund të jetë, patjetër, shumë më e mirë seç është, por është pakrahasimisht më e mirë se bota që kishim. Në Ukrainë luhet fati i kësaj bote që kemi dhe qëndrimi ynë nuk është qëndrim parimor, në raport me një vend dhe me një popull tjetër, por është qëndrim jetësor, ekzistencial, në raport me fëmijët tanë dhe këtë atdhe që e kemi trashëgim nga të parët tanë dhe ku jemi thjesht kalimtarë.
Folëm për çështjen e çeljes së bisedimeve, unë mbetem aty ku kam qenë edhe më parë, prej disa kohësh tanimë, që kjo është çështje e Komisionit Europian dhe i Bashkimit Europian. Komisioni Europian, në mënyrë të përsëritur, e ka thënë që Shqipëria duhet të ulet në tryezë për të filluar bisedimet për anëtarësim.
Këshillimi Europian nuk ka arritur dot ta bëjë këtë për shkak të një bllokimi, së fundmi, të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo nuk është diçka që ne e kemi në dorë dhe ne jemi këtu të gatshëm të ulemi menjëherë në tryezën e bisedimeve për anëtarësim sapo të hapet drita jeshile, por nuk do të humbasim asnjë minutë, nga ai pak gjumë që flemë, që kjo të ndodhë sepse do të vazhdojmë të bëjmë punën njësoj sikundër të ishin hapur bisedimet.
I takon Këshillit Europian, sa më parë ta bëjnë, aq më në nderin e tyre është sepse po kalon shumë kohë, duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet por ne kuptojmë që tanimë nuk është çështja e një vullneti të përbashkët të Këshillit Europian sepse të gjitha vendet janë tani të gatshëm ti çelin këto bisedime; është çështje e një bllokimi mes dy vendeve të tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në qershor, do ishte mirë ta bënte, por edhe nëse nuk e bën, ne këtu jemi prapë dhe presim kur të bëhet, por nuk presim asnjë sekondë për të vazhduar të njëjtat punë që kemi bërë, që duhet të bëjmë dhe që do të bëjmë dhe që na afrojnë gjithmonë e më shumë me standardet e Bashkimit Europian, këtu në Shqipëri.
E fundit, fola me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për domosdoshmërinë që nëse Bashkimi Europian do ketë një plan për të mbështetur vendet, qoftë për përballimin e krizës energjetike, që është, sikundër edhe biseduam, pjesa më e rëndë e krizës, qoftë edhe për përballimin e pasojave të tjera të luftës, të mos e lënë Ballkanin Perëndimor jashtë, siç e lanë kur bënë skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave.
Nga ana tjetër, të nxitohet mundësisht edhe projekti i Korridorit të Tetë, i cili është një projekt që është prej disa kohësh në tryezë me planin ekonomik të investimeve, por që tanimë, në këto kushte të reja, bëhet edhe më strategjik, në aspektin e një korridori sigurie.
Këto ishin pak a shumë temat.
Dua ta falënderoj mikun tonë sepse realisht, është një mik më shumë i vendit tonë dhe i këtij rajoni qysh se, për shkak të detyrës, është më afër rajonit dhe është një avokat që meriton respektin tonë për sa bën që të përshpejtojë këto procese, të cilat kanë patjetër nevojë për zërat dhe njerëzit e duhur.
Po ia kaloj fjalën një nga zërave dhe njerëzve të duhur që punojnë edhe për Shqipërinë në Bruksel.
Përfaqësuesi i lartë për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë dhe zv.President i KE, Josep Borrell: Faleminderit zoti Kryeministër! Jam vërtet shumë i kënaqur që jam sot këtu në Tiranë me ju dhe me qeverinë tuaj. Shqipëria është në fakt ndalesa ime e dytë në këtë udhëtim në Ballkanin Perëndimor dhe më lejoni që ta filloj fjalën time, duke falënderuar kryeministrin Edi Rama, me të cilin kam patur diskutime interesante dhe të mira dhe me kënaqësi pres që të takohem me Ministren për Europën dhe Çështjet e Jashtme, me ministrin e Brendshëm dhe me zëvendësministrin e mbrojtjes më pas sot.
Po ashtu, do të takohem me shoqërinë civile për të shkëmbyer ide me përfaqësues të qytetarëve të Shqipërisë, të cilwt luajnë një rol kaq të rëndësishëm për demokracinë e vendit dhe për një shoqëri kaq të gjallë të Shqipërisë.
Të gjithë e dinë dhe e përsëriti edhe zoti Kryeministër dhe jam dakord me të që ky është një moment kritik për ne, për Bashkimin Europian, për europianët e në fakt, në një kuptim më të gjerë për të gjithë botën, duke përfshirë këtu dhe Ballkanin Perëndimor, natyrisht edhe Shqipërinë. Është një moment kritik ky dhe më shumë se kurrë duhet që ne të takohemi, të diskutojmë këto çështje siç i kemi bërë me një nga aleatët dhe partnerët tanë më të ngushtë.
Është e tmerrshme, por të gjithë e shikojmë me anën e televizioneve se si udhëheqja ruse vazhdon të sulmojë Ukrainën pa dallim, Ukrainën dhe qytetarët e saj. Nuk është thjeshtw një luftë këtu kjo, në kuptimin ushtarak, por është një sulm kundër popullsisë së Ukrainës, qyteteve të saj, civilëve, përfshirë këtu gra, fëmijë, shkolla, spitale.
Forcat e armatosura ruse po shkaktojnë vdekje, humbje jete, dëshpërim, dëme tejet të mëdha dhe të gjithë besoj i shikojnë këto gjëra nëpërmjet televizioneve në shtëpitë tona. Por po ashtu, të gjithë kemi parë dhe qëndresën e madhe kurajoze, të guximtë të popullit të Ukrainës dhe ata vazhdojnë me këtë qëndresë të mbështesin forcat e tyre të armatosura dhe ne po ashtu me ngulm do të vazhdojmë mbështetjen tonë të gjerë për Ukrainën dhe popullin ukrainas, e cila do të vijojë pavarësisht kërcënimeve dhe sulmeve ruse, kjo mbështetje e jona do të vazhdojë.
Ka qenë agresion brutal nga Rusia me fqinjin e saj dhe në përgjigje të këtij agresioni brutal kundër Ukrainës dhe popullit të saj ne kemi miratuar sot zoti Kryeministër, në fakt ne e diskutuam këtë çështje dhe sëbashku më parë sot, për një paketë të katërt të fortë masash kufizuese, të cilat ne i quajmë sanksione, që të kontribuojmë më tej për të rritur presionin ekonomik ndaj Kremlinit, si dhe të gjymtojë bazën e vetë logjistike dhe kapacitetet për të financuar pushtimin e Ukrainës.
Masat që po ndërmarrim do të kenë ndikim, do të prekin tregtinë ruse, qasjen në tregje, anëtarësimin në institucione të ndryshme ndërkombëtare financiare, kriptopasuritë, eksportin e mallrave dhe po ashtu në shënjestër ne kemi vënë dhe sektorë kritikë të ekonomisë, si për shembull sektorët e çelikut dhe të energjisë.
Po ashtu, në listën tonë, ne po shtojmë gjithnjë e më shumë individë, kemi tashmë 800 individë dhe kompani, të cilat luajnë një rol aktiv në mbështetjen që u japin atyre personave, klikës rreth Putinit, të cilët minojnë sovranitetin e Ukrainës nga qeveria ruse.
Kjo është një goditje tjetër madhe ndaj bazës ekonomike dhe logjistike mbi të cilën Putini po ndërton pushtimin dhe po merr burimet për ta financuar atë. Pra, nuk ia vlen të përsëritet sepse është thënë gjithë ato herë që ky agresion është një shkelje e qartë e jurisprudencës, të të drejtës ndërkombëtare, të parimeve, por dhe të sigurisë dhe stabilitetit në Europë.
Unë e di që sot Shqipëria e ka treguar qartë që është një nga partnerët më të besueshëm të bashkimit Europian dhe në botë. Politikat e Shqipërisë janë 100% në përputhje me politikën e përbashkët të BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë, edhe përpara luftës, e në këto kohë sprove Shqipëria ka ri konfirmuar angazhimin e saj, përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare.
Dëshiroj që në mënyrë të veçantë të falënderoj Shqipërinë për punën e saj në botë, në arenën ndërkombëtare si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqipëria ka qenë në fakt bashkë hartuese e rezolutës s këshillit të sigurimit të OKB-së dhe bashkësponsorizuese e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kundër Rusisë që solli në fakt dhe dënimin e fortë që ju bë në arenën dhe komunitetin ndërkombëtar Rusisë.
Shqipëria është po ashtu anëtare e NATO-s, është aleate e jonë e NATO-s, por përtej kësaj Shqipëria është dhe ofruese e sigurisë dhe ju jam shumë mirënjohës juve, Shqipërisë, për kontributin tuaj në misionet tona të përbashkëta për sigurinë dhe mbrojtjen, për operacione të ndryshme në botë. Është një kontribut shumë i rëndësishëm i cili në fakt ka ndodhur shumë përpara luftës dhe ne shpresojmë që do të vijojë në fakt të rritet më tej. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për sigurinë kibernetike, për të luftuar kundër dezinformimit, gjë që duhet vërtet shumë tashmë dhe unë propozoj që të përcaktohen burime të reja për të rritur sigurinë dhe mbrojtjen në rajon.
Ne jetojmë në momente në të cilat stabilitetit dhe të qenit të bashkuar është më e rëndësishme se kurrë më parë. Ka ardhur koha tashmë që të rigjallërohet procesi i zgjerimit. E di që ndoshta këtë e keni dëgjuar dhe herë të tjera në të shkuarën. Ju sidomos zoti Kryeministër keni thënë nga hera që nuk na duhen më shumë deklarata, pra fjalë, por na duhen vepra dhe kjo është në fakt e vërtetë por është po ashtu e vërtetë që ka ardhur koha të rijetëzohet, të rigjallërohet procesi i zgjerimit dhe të integrohet Ballkanin Perëndimor në mënyrë të pakthyeshme në Bashkimin Europian.
Shqipëria i ka përmbushur tashmë me kohë të gjitha kushtet për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe edhe një herë, me zë të fortë e them dhe e mbështes punën që bëhet. Unë do të vazhdoj të mbështes çeljen e negociatave gjatë presidencës franceze. Nuk është një datë e caktuar por është horizonti dhe koha dhe ajo që unë por them për Shqipërinë është e vërtetë edhe për Maqedoninë e veriut. Më lejoni të them zoti Kryeministër, më besoni kur them që unë dhe kolegët e mi nënkomisionerë dhe komisioneri Oliver që është për çështjet e zgjerimit, jemi të angazhuar, të përkushtuar dhe unë, pra gjithmonë nga këndvështrimi më i gjerë që ka të bëjë me stabilitetin rajonal, me politikën e jashtme të gjitha institucionet e kanë kuptuar fare qartë rëndësinë që sot më shumë se kurrë ne duhet të përfaqësojmë europianët e bashkuar me integrimin e Ballkanit Perëndimor. Kjo duhet përmbushur në atë horizont kohor, sa më konkret që të jetë e mundur, brenda presidencës franceze.
Natyrisht nuk mund të them diçka që të mund të më angazhojë mua personalisht pasi kjo nuk varet personalisht prej meje por varet nga të gjitha institucionet e Bashkimit Europian, megjithatë ju siguroj që ne po punojmë sa më shumë që të jetë e mundur, për të tejkaluar vështirësinë e fundit, në mënyrë që kjo gjë të bëhet realitet.
Po ashtu dëshiroj t’ju përgëzoj zoti Kryeministër për shpejtësinë e reformave tuaja, në veçanti në fushën e reformës në drejtësi, në mbështetjen për sundimin e ligjit, shtetin e të drejtës. Kanë qenë shumë domethënëse, të konsiderueshme dhe duhet të vijojnë sepse me këto reforma, me mbështetjen për ekonominë e gjelbër dhe transformimin digjital ne do të arrijmë të kemi një avancim të shpejtë pasi të lancohen negociatat.
Nëse më lejoni tani dëshiroj t’i kthehem një çështje që është shumë e rëndësishme për jetën e përditshme të qytetarëve tanë. E di që ju keni hasur shqetësime mjaft të mëdha dhe në fakt në mendjet e të gjithë qytetarëve janë rritja e çmimeve e jo vetëm në Shqipëri kjo. Lufta ka krijuar një ndërprerje shumë të madhe në ekonominë botërore. Nuk janë pasoja të qenit në krah të sanksioneve pasi nuk ka pasur të bëjë kjo fare me sanksionet por është një proces që ka nisur me rritjen e çmimeve më parë, të energjisë, të naftës, të karburantit, të gazit, që është pasojë e varësisë që kemi ne të gjithë botës ekonomike dhe botërore, pra është një varësi e ndërvarure të gjithëve ne e tashmë po bëhet shumë më e qartë pasi Rusia po e përdor atë si armë. Kjo nuk është thjesht një çështje që ka të bëjë vetëm me Shqipërinë apo është pasojë e sanksioneve. Është pasojë e luftës. Pasojë e ndalimit të eksporteve, e rritjes së çmimeve të produkteve të cilat na prekin të gjithëve ne këtu në Europë, në Ballkanin Perëndimor, në Afrikën veriore, gjithandej.
Më lejoni ta ilustroj këtë me një shembull. Unë për shembull po paguaj faturën e energjisë në Spanjë. 50 euro ka qenë më parë ndërsa tani ka shkuar 500 euro pikërisht njësia e mëparshme. Kjo ka ndodhur në të gjithë Europën. Çmimet e energjisë elektrike janë rritur të paktën gjashtëfish. Nafta, karburanti që përdor për makinën në Bruksel është më shumë se 2 euro litri. Pra 20% rritje ka qenë. Mund të përmend të njëjtat shifra për ushqimet, produktet ushqimore por më vjen keq të them që do të jetë një fenomen që do të ndikojë vendet më të varfëra në botë shumë më shumë se ne, sepse ata janë të varur shumë nga gruri që prodhohet në Rusi, që edhe Rusia ka ndaluar tashmë eksportet dhe do të krijojë valë të mëdha shoku, tronditjeje në ekonomitë tona dhe gjëja më e mirë do të jetë që ne të bëhemi bashkë e të kemi një strategji që do të na bëjë të ndihmojmë njëri tjetrin.
Mbajta shënim kërkesën që ju bëtë për një përgjigje, një reagim pra për Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë, për këtë krizë ekonomike dhe se ne kemi këtë shok të tretë asimetrik në ekonominë europiane.
Së pari ka qenë kriza e eurove, asimetrike, që ka ndikuar vendet në jug. Së dyti ka qenë pandemia, edhe kjo asimetrike, ndoshta disa vende pak më shumë se të tjera por është edhe simetrike pasi po të shikojmë kufijtë lindor të Europës, Polonia sot ka arritur të ketë aq shumë refugjatë, të njëjtën shifër refugjatësh sa është bërë vendi në Europë me përqindjen më të lartë të refugjatëve vetëm brenda 2 javëve. Pra mendoni sa shpejtë kanë ndryshuar gjërat. Ne kemi pritur në Bashkimin Europian, në shtetet anëtare të BE-së më shumë se 2 milionë individë dhe kjo është bërë me qëllim për të shkatërruar Ukrainën, për ta boshatisur atë, që ti detyrojë qytetarët ukrainas të largohen. Pra, 2.5 milionë sot por sa do të jetë ko shifër nesër apo pasnesër nëse fushata e bombardimeve vijon, në rast se popullsia do të mbetet pa ushqim? Pra mund të qëndrosh ca kohë pa ngrohej, por jo pa ushqim dhe pa ujë. Kjo po ndodh në Mariupol dhe në shumë qytete të tjera të Ukrainës.
Ushtria ruse nuk e ka të mundur të pushtojë siç donte dhe çfarë bën? Rrotullohet, vjen rrotull dhe e di se çfarë mund të bëjnë dhe ky është bombardimi, shkatërrimi dhe këtë e kanë bërë në Siri. Mos harroni, të gjitha ato filmime që na kanë ardhur nga Alepo, ose në Çeçeni dhe po bëjnë të njëjtën gjë sot në Ukrainë. Kjo do të jetë kriza më e madhe humanitare, siç e tha dhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së dje. Prandaj ne duhet të bëjmë tre gjëra për të izoluar Rusinë nga komuniteti ndërkombëtar, për të vendosur një kosto shumë të lartë të sanksioneve tona për Rusinë dhe të mbështesim popullin ukrainas dhe të mbështesim ata popuj që po na mbështesin ne në këtë përpjekje madhorë dhe Shqipëria është një prej këtyre vendeve, populli shqiptar është një nga popujt më të rëndësishëm që janë qartësisht të vendosur për të qëndruar plotësisht në anën e të drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe të drejtave të njeriut.
Në fund të fjalës sime, ju folët për planin e investimeve ekonomike, i cili ka mobilizuar e do të vazhdojë të mobilizojë burime të paprecedente për të mbështetur diversifikimin e furnizimit me energji, uljen e varësive që përmendëm por dhe fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, ndërtimin e infrastrukturave, krijimin e vendeve të punës dhe mbajta shënim dhe vullnetin që ju shprehët për infrastrukturën që të mund të ndihmojë që ta hapë Shqipërinë në të gjithë këtë hapësirë fizike të të gjithë rajonit. Pra do të ketë vëmendjen e duhur të cilët ju e kërkuat.
Janë pikërisht këto nismash, iniciativash të cilat mund të trajtojnë ose sëbashku mund të përballemi me pasojat e luftës në rajone më tej por po ashtu dhe tronditje të ardhshme që do të pësojmë dhe më lejoni që të mbështetet tek rikuperimi ekonomik, të fokusohem këtu, sepse natyrisht që ky preket nga këto ngjarje të pakënaqshme dhe natyrisht është momenti që ne të tregojmë solidaritet që nga kursimi i energjisë dhe tek burimet. Jam shumë i kënaqur që jam këtu me ju zoti Kryeministër, që ndava këto mendime, të cilat do të na orientojnë në veprimet tona. Faleminderit!
-Një pyetje për zotin Borrelli. Ishte emocionuese ajo gatishmëria që tregoi Brukseli duke mirëpritur Ukrainën kur filluan sulmet ndaj këtij shteti, por a do të presë Brukseli që në portat e Ballkanit të trokasë lufta që, përveçse të shprehë vullnetin në rastin konkret për Shqipërinë një datë konkrete për konferencën ndërqeveritare? Do të vazhdohet vetëm me fjalë apo do të ketë një vullnet të shprehur për këtë. Ju e prekët pak, por unë doja t’ju pyesja, vërtet që kriza e çmimeve nuk është një kizë që ka prekur vetëm Shqipërinë, siç e thatë dhe ju ka prekur dhe Brukselin, ka prekur kryeqytetet e mëdha botërore, por në Shqipëri është më pak specifike sepse nuk janë të njëjtat rroga siç janë në kryeqytetet europiane. A do ta merrni parasysh kërkesën e kryeministrit për një mbështetje financiar për të përballuar këtë krizë?
Përfaqësuesi i lartë për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë dhe zv.President i KE, Josep Borrell: Nëse me lejoni të them që pyetja juaj është pak artificiale. Të thuash thjeshtw që dikush ose një vend duhet të pushtohet në mënyrë që të bëhet vend kandidat është një thjeshtim shumë i madh i një realiteti të trishtë dhe kompleks. Ne reaguam në mënyrë të menjëhershme kundër pushtimit, një gjë nuk ndodh çdo ditë. Mobilizuam një sasi fantastike popujsh, njerëzish dhe sanksionesh. Me Ukrainën ne kemi marrëveshjen më të plotë të stabilizim-asocimit me çdo vend tjetër. Është një partnerë i fortë, Ukraina.
Ne kemi investuar shumë para në Ukrainë që kur e mori Rusia, Krimenë. Është normale që ne ndjemë shqetësim sepse nuk është thjesht një çështje dypalëshe kjo, nuk është vetëm një çështje dypalëshe, apo një marrëveshje stabilizim asocimi ndërmjet BE-së dhe Ukrainës, por në fakt kjo ka të bëjë me rendin ndërkombëtar, me të drejtat e njeriut në të gjithë botën. Ne u treguam shumë të qartë, paralajmëruam Putinin që në rast se ju pushtoni Ukrainën, në mënyrë të menjëhershme do të ndeshni sanksionet më të fortat, të cilat i keni ndeshur më parë. E thamë këtë gjë dhe e mbajtëm atë premtim sepse e thamë. Nuk ka të bëjë kjo me shpejtësinë e zgjerimit të procesit me shtetet e tjera, por ka të bëjë me situatën e përgjithshme politike në Europë. Është rritur ndërgjegjësimi për rëndësinë e përshpejtimit të procesit, i cili ishte ngadalësuar vitet e fundit për rrethana që nuk kanë të bëjnë me përgatitjen e vendeve kandidate dhe ka rritur gatishmërinë tonë për ta zgjidhur këtë çështje. Këto janë pasoja të natyrshme të ndryshimeve të rrethanave. Këtë gjë e thashë gjatë fjalës time, ne do të na duhet të vazhdojmë dhe do të vazhdojmë mbështetjen tonë ndaj Ukrainës dhe Ukraina ka kërkuar që të konsiderohet vend kandidat si vendet e tjera si Moldavia, Gjeorgjia.
Kjo do të dojë kohën e vetë, do të kërkojë procedurat e veta, por ama ka vende të tjera që kanë pritur për një kohë të gjatë, që i kanë përmbushur të gjitha kushtet, kërkesat që janë bërë dhe tashmë ka ardhur koha shpresoj, që kur ka dëshirë gjendet mënyra, zgjidhja që këto aktivitete të funksionojnë si katalizator për këto çështje. Nga këndvështrimi i asistencës financiare mbajta shënim analizën dhe çdo gjë që më tha zoti kryeministër. Gjatë pandemisë ne e mbështetëm Shqipërinë. Është e vërtetë që në fillim ishim të ngadaltë në mbështetjen tonë. Imagjinoni një plan nga këndvështrimi ekonomik dhe pasojat ekonomike të luftës sigurisht që ky plan do të përfshijë patjetër Ballkanin Perëndimor, medoemos, por mos mendoni se do të jetë një plan ekonomik për t’i dhënë përgjigje çdo lloji sfide të mundshme brenda natës. Udhëheqësit i kanë diskutuar këto çështje do të vazhdojnë me diskutimin e këtyre çështjeve dhe ne po hapim kapacitete tona ekonomike dhe financiare për t’iu përgjigjur kësaj krize, e cila nuk është vetëm çështje për Shqipërinë, por është çështje për Brukselin dhe për një ndërprerje shumë të madhe që ka krijuar lufta në qarqet ekonomike financiare botërore. Për këtë duhen përgjigje e reagime të duhura të kapaciteteve të bankave qendrore, të bankave të investimeve dhe të kapaciteteve investuese të shteteve anëtare.
-Një pyetje për ju, zoti kryeministër. Në fakt, prej kohësh ne përgatitemi për dasmë, por nusja nuk po duket në horizont. Në traditën e shqiptarit, nëse nusja nuk sillet apo nuk lejohet nga krushqit që ta marrë dhëndri, atëherë dasma anulohet përfundimisht. Ne do vijojnë të presim ende në këtë drejtim apo do kemi një qasje tjetër?
-Pyetje për zotin Borrel. Në një kohë kur premtime të njëpasnjëshme po bëhen nga Bashkimi Europian për integrimin e Shqipërisë dhe asgjë konkrete nuk është. Në këto kohë lufte, ku diçka duket më me rrezik për Ballkanin Perëndimor, a nuk mendoni që mund të ketë një ndërhyrje nga ndonjë regjim tjetër autoritar në Ballkanin Perëndimor, ndoshta efekti i drejtpërdrejtë i Rusisë mbi Serbinw dhe të mos harrojmë tensionin e ndezur që kemi mes Kosovës dhe Serbisë?
Përfaqësuesi i lartë për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë dhe zv.President i KE, Josep Borrell:Sigurisht që jemi të shqetësuar nga ndërhyrja dhe influenca e Rusisë në Ballkanin perëndimor, por kjo nuk është diçka e re. Dezinformimi rus është një fjalë që ne përdorim për të folur propagandën dhe gënjeshtrat sistematike, është rritur, ne e shikojmë dhe e perceptojmë këtë gjë.
Për shembull, shpjegimi që i bëhet luftës, duke thënë që kjo është një mënyrë për të mbrojtur popullin rus që kërcënohet nga gjenocidi i kriminelëve nazistë e ukrainas. Kjo është gjuha e përdorur për presidentin Zelenski. Ëshët një mjet që p përdoret dhe duhej prerë vijat në Bashkimin Europian dhe na duhej ta mbyllnim këtë disinformim jo vetëm për hapësirën ku njerëzit tanë jetojnë por edhe për mendjen dhe mendësinë e tyre sepse këto gjëra kanë ndikim tek njerëzit. Ne duhet ta kuptojmë dhe të përballemi me influencën ruse, kudo ku ajo ndodhet në Ballkanin Perëndimor, në disa vende më shumë se në disa të tjera.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që Ballkani Perëndimor do jetë fushë beteje për ide, për të ardhmen, për rrugëtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra, secilën rrugë do ndjekin vendet e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen dhe kjo natyrisht rigjallëron një proces i cili është varur në çështje, të cilat përpara luftës dhe përpara kësaj tragjedie njerëzore dhe kësaj vuajtjeje të miliona njerëzve, tashmë duket sikur nuk është kaq e rëndësishme saç ka qenë.
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di këtë traditën shqiptare që anulon dasmën sepse krushqit nuk lënë nusen që të vijë sepse zakonisht, dasmat në traditën shqiptare bëhen me marrëveshje mes krushqve, jo me dakordësi mes të martuarve, por po t’i shkoj kësaj e ta marr për të mirëqenë, këtu nuk ka krushk që anulon dasmën se ne jemi në dashni të madhe me Europën, që do të thotë që forca e dashurisë bën që ne të jemi gati për t’u martuar në momentin që Europa do thotë “Jam dhe unë gati” dhe nuk do mjaftohet duke thënë “Ne ju duam shumë, por nuk kemi kohë tani të flasim bashkë” sepse flitet për bisedime për anëtarësim, pra për bisedime për martesë.
Deklaratat e dashurisë i kemi marrë dhe do vazhdojmë t’i marrim, jam i bindur dhe i meritojmë se jemi për tu dashur, flas për shqiptarët dhe Shqipërinë, por përgatitje për martesë siç kemi bërë më parë nuk do bëjmë më sepse këta nuk paraqiten, jo se nuk duan të martohen, por se nuk kanë kohë të martohen në këtë moment. Kur ta gjejnë kohën ne gati jemi, por nuk do ketë muzikë, fishekzjarrë e festë të madhe, por do jetë martesë e konsumuar pa u martuar akoma.
Përsa i përket asaj që ishte më e rëndësishme, që kishte të bënte me propagandën ruse, në diskutuam edhe një aspekt tjetër që ka të bëjë me përmendjen e vazhdueshme të Shqipërisë nga ana e autoriteteve të Moskës, si një prani problematike në këtë konflikt dhe akuza se Shqipëria po furnizon Ukrainën me mercenarë, së bashku me Kosovën, është një akuzë, në radhë të parë, pa asnjë bazë sepse kjo është e pavërtetë, por edhe shqetësues.
Megjithatë, ne po e ndjekim me shumë vëmendje edhe këtë aspekt dhe ndërkohë, dua ta falënderoj edhe njëherë përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për këtë vizitë dhe për gatishmërinë që, në rast se, unë besoj se nëse gjërat do vazhdojnë kështu edhe për një apo dy muaj, Bashkimi Europian do detyrohet të bëjë diçka për të mbështetur vendet në vetvete dhe për të mbështetur njerëzit, dhe në rast se do ta bëjë këtë, patjetër që duhet ta ketë Ballkanin Perëndimor si pjesë të këtij plani.
Shtrenjtimi eksponencial i energjisë që, meqë ra fjala, në Spanjë është i liberalizuar dhe aty shteti e ka të pamundur të ndërhyjë dhe ndaj fatura është eksponenciale apo shtrenjtimi i të gjitha produkteve të tjera dhe sidomos produkteve të shportës, nuk është rezultat i pozicionit që kemi marrë ne, as i pozicionit që ka marrë Bashkimi Europian, është rezultat i luftës.
Ka dhe vende të tjera që nuk e kanë marrë këtë pozicion dhe po paguajnë të njëjtën kosto sepse ekonomia është e ndërlidhur tanimë dhe ndërprerja e zinxhirëve të lidhjeve ekonomike sjell këtë turbulencë që unë i bindur që Bashkimi Europian i ka kapacitetet për ta kapërcyer, por do të kërkojë pak kohë sepse ka gjithë fuqinë e nevojshme dhe ne duam të jemi pjesë e kësaj mundësie, pasi ne nuk e kemi atë fuqi në vendet e Ballkanit Perëndimor ndërkohë që Bashkimi Europian e ka.
Bashkimi Europian do mund ta kapërcejë këtë dhe gjithë, madje nuk e kishim folur sepse sot u takuam dhe e tha zoti Borrell këtë përpara se ta thosha unë, se dhe e keni dëgjuar nga unë, zoti Borrell përmendi një shprehje që është shumë e rëndësishme për t’u mbajtur në mendje; “Rritja e çmimeve është një armë që Rusia kërkon ta përdorë kundër nesh, si vende, për të kundërvendosur opinionet publike ndaj qeverive, në mënyrë që qeveritë të fillojnë të cedojnë në raport me presionin që po i bëjnë Rusisë, jo për Ukrainën në vetvete, por për të garantuar të ardhmen e të gjitha vendeve që janë në radhë pas Ukrainës dhe për të shmangur një Luftë të Tretë Botërore.
Këtë armë që Kremlini po e përdor, ne duhet ta neutralizojmë me shumë durim, me shumë vendosmëri dhe qartësi të madhe që kjo nuk është një luftë që nuk na përket, kjo është një luftë që na përket tërësisht se është një luftë për të mbrojtur atë që ne e kemi fituar si shqiptarë 30 e një, dy vjet përpara e për të mos u kthyer më atje.
Është edhe një luftë për të mos lejuar që forca e Rusisë të shtrihet përtej, duke ardhur deri këtu ose duke shkuar deri poshtë. Besoj shumë që Bashkimi Europian i ka të gjitha fuqitë që këtë armë ta neutralizojë dhe do ta neutralizojë. Jam i sigurt që do ta neutralizojë sepse i ka të gjitha resurset dhe këtu është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e gjithë kësaj.
Përtej shakasë, përsa i përket pjesës tjetër, asaj të integrimit, në kuptimin e hapjes formale të bisedimeve, kapitujve e hapave, ajo është pjesa më pak domethënëse sot, në raport me gjithë këtë pjesë tjetër që tregon qartë që ne jemi pjesë e të njëjtës familje, e të njëjtës bashkësi, në të njëjtin front dhe edhe kjo që ndodh sot e forcon edhe më shumë këtë lidhje, forcon edhe më shumë bindjen e vendeve anëtare për vlerën që Shqipëria mishëron si një realitet modest në përmasë, por cilësisht i qartë, në raport me këtë komunitet vlerash dhe forcon edhe bindjen tonë që kjo është zgjedhja e duhur, që ne i përkasim këtij komuniteti dhe jemi këtu të vendosur deri në fund.
Këta do detyrohen të martohen me ne deri në fund, nuk kanë ku shkojnë, është vetëm çështje kohe. Nuk e shmangin dot martesën tonë, por ne duhet të rezistojmë me të gjithë forcën e pasionit dhe dashurisë tonë që do ta tregojnë me durimin që kemi.
Faleminderit shumë!
Përfaqësuesi i lartë për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë dhe zv.President i KE, Josep Borrell: Nëse flasim për martesa, ka lloje të ndryshme martesash, por nuk po e ndërlikojmë.