Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, i cili ndodhet në Tiranë, në kuadër të vizitës së tij në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në përfundim të takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:
Kryeministri Edi Rama: Përsëri, në një kohë relativisht të shkurtër, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel rikthehet në Tiranë.
E nënvizova fjalën përsëri sepse është shumë e rëndësishme që për një moment të bëjmë dallimin mes periudhës së deri pak viteve më parë dhe periudhës më pas në raport me vizitat, por jo vetëm por dhe me intensitetin e komunikimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, gjë që besoj, tregon se përtej vështirësive të procesit, përtej aspekteve të mirënjohura të formalizimit të hapave të mëtejshëm për t’u hedhur, jemi në një nivel krejt tjetër të bashkëjetesës në situatën politike europiane, si rezultat edhe i një vullneti, gjithmonë e më të shprehur, nga ana e Bashkimit Europian, nga ana e autoriteteve në Bruksel për ta afruar më shumë Ballkanin Perëndimor drejt Bashkimit Europian.
Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj se ne ndjehemi shumë krenarë që jemi pjesë njëkohësisht e frontit të përbashkët që sot është më shumë sesa asnjëherë tjetër qartësisht një front i të mirës kundër të keqes, duke pasur parasysh konfliktin luftarak në Ukrainë.
Folëm me presidentin Michel për situatën e përgjithshme dhe për angazhimet, por edhe për sfidat, në raport me luftën në Ukrainë. Folëm patjetër dhe besoj se ai do të komunikojë vetë më në detaje për procesin në vigjilje të Këshillit Europian ku dihet, Shqipëria së bashku me Maqedoninë e Veriut janë në agjendë për t’u shqyrtuar çështja e çeljes formaleve të bisedimeve për anëtarësim, folëm për ecurinë e marrëdhënieve rajonale, për Ballkanin e Hapur, për të gjithë sfidat e brendshme të rajonit dhe sigurisht folëm për reformat në vendin tonë, duke filluar nga Reforma në Drejtësi e cila tanimë po jep frutet domethënëse.
Të gjithë e ndoqën dje operacionin shumë domethënës të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Shtetit për të goditur një rrjet kriminal dhe për t’i dhënë, ndoshta, goditjen më të rëndësishme, përsa i përket thellësisë së saj, krimit të organizuar në të tëra vitet e kësaj lufte që vazhdon, ashtu sikundër edhe shembuj kuptimplotë të vënies përpara drejtësisë të individëve, pavarësisht lidhjeve, pavarësisht përkatësive të tyre politike që tregojnë qartë se, jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por se kemi hedhur hapa domethënës edhe në krahasim me vendet që prej kohësh i kanë çelur negociatat.
Falenderoj presidentin e Këshillit Europian, duke e falënderuar edhe njëherë përzemërsisht bashkë me ekipin e tij për rikthimin në kryeqytetin tonë dhe duke e falënderuar po ashtu publikisht, jo thjeshtw për mbështetjen e vazhdueshme që ai i ka dhënë qysh ditën e parë në krye të kësaj detyre integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, por për një sens shumë të prekshëm kujdesi në raport me këtë rajon, ku bën pjesë dhe Shqipëria dhe patjetër dhe për sensin e respektit dhe gatishmërisë për të ndihmuar në çdo hap vendin tonë.