Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Rama me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO Stoltenberg:

Jens Stoltenberg:

Mirë se u kthyet në selinë e NATO-s. Më vjen shumë mirë që ju takoj sërish. Të gjithë u tronditëm nga tërmeti që goditi Shqipërinë në fund të nëntorit të kaluar dhe ne të gjithë në NATO ndjejmë dhimbjen e atyre që u prekën. Edi, ju vetë pësuat një humbje personale. Ju lutem, pranoni ngushëllimet e mia të sinqerta për të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre nga ai tërmet i tmerrshëm.
NATO-ja u përgjigj përmes qendrës së saj të lehtësimit të katastrofave. Ne mobilizuam ndihmë nga aleatë e partnerë. Kjo tregon se kur aleatët tanë vuajnë, ne qëndrojmë së bashku dhe veprojmë së bashku.
Sot ju uroj mirëseardhjen në NATO si Kryetari i radhës së OSBE-së dhe si Kryeministër i Shqipërisë dhe duam t’ju falënderojmë vërtet për mbështetjen e fortë qoftë për NATO-n, ashtu edhe për punën tuaj të rëndësishme në OSBE si kryetar i radhës i OSBE-së.
OSBE-ja është një forum kyç për të diskutuar masat rreth kontrollit të armëve, transparencës ushtarake dhe ndërtimit të besimit. E përgëzoj për rolin që luan ajo në Ukrainë dhe në të gjitha zonat e konfliktit.
Të gjitha këto janë masa të rëndësishme për NATO-n, ndaj mund të mbështeteni te përkrahja jonë për rolin tuaj si kryetar i radhës i OSBE-së për këtë vit.
Shqipëria është një aleate e çmuar. Pjesëmarrja juaj në operacionet, misionet dhe dislokimet e NATO-s në Kosovë, Afganistan dhe shtetet Baltike përbën kontribute solide për sigurinë tonë të përbashkët.
Ne mund të mbështetemi tek angazhimi aktiv e pozitiv i Shqipërisë për stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe rolin tuaj aktiv në nxitjen e politikës së dyerve të hapura të NATO-s.
Ndihem i inkurajuar nga përpjekja e Shqipërisë për të investuar më shumë në mbrojtje dhe ju mbështes në këtë përpjekje. Investimi i NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës dëshmon angazhimin tonë ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
Ne do të ndihmojmë dhe kjo do të na ndihmojë të gjithë që të bëhemi më të sigurt, pasi do të forcojë praninë tonë në këtë pjesë të Evropës.
Ndaj, Kryeministër Rama, ju falënderoj edhe njëherë për kontributin e madh të Shqipërisë në sigurinë e stabilitetin tonë të përbashkët përmes NATO-s dhe, tani, nëpërmjet kryesimit të OSBE-së. Edhe njëherë, mirë se erdhët, më vjen shumë mirë që jeni këtu.

Edi Rama:

Ju falënderoj shumë
Z. Sekretar i Përgjithshëm, Jens

Gjendem këtu dhe jam i nderuar që vij në cilësinë e kryetarit të radhës së OSBE-së, por edhe për të përfituar nga kjo mundësi për të ndarë me ju diçka më tepër rreth Shqipërisë dhe marrëdhënieve me NATO-n.
Pikësëpari, ju falënderoj shumë për fjalët e ngrohta për tragjedinë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor e, po ashtu, për ndihmën tuaj bujare përmes thirrjes drejtuar aleatëve për të ardhur në ndihmë dhe dua t’ua them edhe publikisht atë që ju thashë në privat, që ne u jemi mirënjohës të gjithëve atyre, ushtarakëve të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët, qysh prej ditës së parë, kanë qenë krah nesh e na kanë ndihmuar të përballemi me këtë tragjedi shkatërrimtare. Sa i takon OSBE-së, dua të përsëris se, për ne, kriza në Ukrainë e rreth saj mbetet sfida më e ngutshme e sigurisë në Evropë dhe për këtë arsye ajo është përparësia kryesore e kryesisë shqiptare. Ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur përpjekjet drejt zgjidhjes paqësore e do të nxisim respektimin e parimeve e angazhimeve të OSBE-së, si dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Minskut, duke mbështetur përpjekjet e Grupit Trepalësh të Kontaktit dhe Procesit të Normandisë, me synim zbatimin e angazhimeve që e bëjnë më të lehtë jetën e qytetarëve. Këtu hyn edhe roli i jashtëzakonshëm dhe rëndësia e madhe e pranisë së misionit të posaçëm të monitorimit në Ukrainë, si një instrument thelbësor për të mos përshkallëzuar tensionet dhe për të ecur drejt zgjidhjes së konfliktit. Vendet anëtare të NATO-s janë mes kontribuueseve kryesore të misionit, si me fonde ashtu edhe me burime njerëzore dhe kjo mbështetje e vazhdueshme është mjaft e mirëpritur. Sa për t’ju dhënë një ide, ka rreth 4 milionë njerëz në të dyja anët e vijës së kontaktit që kanë përfituar nga misioni i posaçëm i monitorimit, i cili ka monitoruar e ndërmjetësuar armëpushimet e lokalizuara në vitin 2019. Në të njëjtën kohë, edhe pse ka pasur 143 viktima ndër civilë, diçka e papranueshme dhe e dhimbshme, kjo është një rënie e konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, në 2018 dhe presim me padurim ta ulim më tej. Jam shpresëplotë që edhe nga ana e vendeve anëtare të NATO-s do të ketë ndjeshmëri për të mbështetur shtimin e objekteve teknologjike për të monitoruar zonën e konfliktit, ku, sidomos gjatë natës, ka shumë shkelje të armëpushimit. Së fundi, në radhë por jo për nga rëndësia, dua gjithashtu të rikonfirmoj publikisht atë që rikonfirmova në samitin e NATO-s dhe në takimin tonë privat se Shqipëria, pavarësisht nevojës për të riorganizuar buxhetin e saj e për të përballuar nevojat e një operacioni masiv rindërtimi, do të vijojë t’i përmbahet angazhimit për buxhetin e dedikuar NATO-s. Ne do të vazhdojmë t’i qëndrojmë kësaj dhe të plotësojmë objektivat e vendosura së bashku në Uells. Po kështu, ju falënderoj që i keni dhënë kaq ndihmë e mbështetje të rajonit dhe, sidomos, kohët e fundit, me përkrahjen e një zhvillimi mjaft të mirëpritur midis Beogradit dhe Prishtinës për rivendosjen e linjës ajrore. Është vërtet një hap mjaft i rëndësishëm dhe bie plotësisht dakord me ju që duhet ndjekur nga hapa të tjerë në një proces bashkëpunimi paqësor dhe zhvillimi rajonal. Kështu, ju falënderoj edhe njëherë për gjithçka dhe do të vazhdojmë të punojmë krah për krah, pasi ne e konsiderojmë NATO-n një pjesë të rëndësishme të punës sonë në OSBE dhe si një faktor të rëndësishëm në të gjitha përpjekjet tona për ta kryer me sukses misionin tonë e për ta bërë më të mirë jetën e njerëzve gjatë këtij viti.

 

Denada Shkodrani, Televizioni Publik Shqiptar: Cila do të jetë përparësia e bashkëpunimit tuaj për sigurinë e popullsisë në zonat e konfliktit, si Ukraina?

Stoltenberg: Së pari, ne vlerësojmë shumë bashkëpunimin midis NATO-s e OSBE-së dhe vetëm fakti që Kryeministri Edi Rama është këtu tani dhe do të informojë të 29-të vendet anëtare, aleatët e NATO-s mbi planet dhe ambiciet e mandatit të tij si kryetar i OSBE-së pasqyron rëndësinë e bashkëpunimit midis NATO-s dhe OSBE-së. Së dyti, ne e mbështesim fort OSBE-në në përgjithësi dhe, veçanërisht përpjekjet e saj në Ukrainë. Misioni i posaçëm i monitorimit ka rëndësi të madhe për të ndihmuar në zbutjen e konfliktit, për të zbatuar armëpushimin dhe ne, nga ana e NATO-s, e kemi deklaruar herë pas here se është tejet e rëndësishme që monitoruesit të veprojnë lirisht dhe të kenë akses pa pengesa në të gjithë territorin dhe, sigurisht, që është absolutisht e papranueshme që disa prej pajisjeve që ata përdorin e disa prej dronëve survejues janë sulmuar. Kështu, ne mbështesim Kryeministrin Rama në përpjekjet e tij për të forcuar pozicionin dhe veprimtaritë e OSBE-së në Ukrainë. Kjo është kyçe për zbutjen e konfliktit dhe gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme e paqësore.

Rama: Më lini të theksoj se përtej panoramës mjaft shqetësuese, janë bërë disa hapa përpara edhe falë përfshirjes dhe përpjekjeve të Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron përmes Formatit të Normandisë dhe kemi parë shkëmbimin e një numri të madhe të burgosurish më 29 dhjetor, që është veçanërisht e rëndësishme dhe kam shumë shpresë se do të shohim më shumë nga këta hapa pozitivë që nevojiten menjëherë për të shkuar drejt zgjidhjes paqësore të konfliktit. Ndaj është e rëndësishme të konsolidohet ajo çka është arritur deri tani. Situata është sigurisht mjaft e brishtë, po pikërisht për këtë kemi folur, si të mbështesim procesin dhe si të forcojmë, përmes disa masave të nevojshme, kapacitetet e misionit të posaçëm të monitorimit përmes teknologjisë dhe besimin midis të dyja palëve, duke i ndihmuar e shtyrë drejt hapave më domethënëse.

Ernest Bunguri, Euronews Albania: Kryeministër, ka pasur kohët e fundit disa fërkime, kryesisht përmes medias sociale, midis Tiranës e Teheranit. A paraqesin ato kërcënim real për Shqipërinë e vogël dhe, për rrjedhojë, për NATO-n? Për Sekretarin e Përgjithshëm: A kemi një datë për vendin më të ri që pritet të anëtarësohet, Maqedoninë e Veriut dhe si po ecën procedura në Spanjë. Më tej, si i shihni këto përpjekje bashkëpunimi midis vendeve në rajon dhe, specifikisht, këto përpjekje për një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës? Ju faleminderit.

Rama: Shqipëria është krenare që u ka ofruar strehë disa mijëra njerëzve, jetët e të cilëve kërcënoheshin nga regjimi i Teheranit. Kjo është pjesë e traditës sonë, pjesë e asaj që jemi. Ne jemi i vetmi vend që, pas Luftës së Dytë Botërore, kishte më shumë hebrenj sesa në fillim të saj. Ndaj e dimë shumë mirë se për hebrenjtë Shqipëria ishte një shtëpi e sigurt gjatë periudhës së Holokaustit. Ne e bëmë si operacion humanitar; për të qenë të sinqertë, nuk ishte shprehje kundër regjimit, por ne nuk do të ndryshojmë aspak traditën dhe qasjen tonë ndaj këtyre njerëzve, të cilët kanë nevojë për mbrojtje nga një regjim që iu kërcënon jetën. E sa për ta, për veprimtaritë e tyre dashakeqe në Shqipëri, kemi qenë shumë të qartë. Kemi dëbuar ambasadorin e tyre më parë e tani së fundmi njerëz të tjerë të përfshirë në veprimtari që dalin përtej misionit të rregullt diplomatik dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë të palëkundur dhe, nga ana tjetër, nuk jemi të vetëm në këtë. Ne jemi pjesë e një aleance të madhe dhe ky operacion është zhvilluar krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Stoltenberg: Thuajse të gjithë aleatët e NATO-s e kanë ratifikuar tashmë protokollin e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, ndaj shpresoj vërtet që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare me të drejta të plota në të ardhmen e afërt. Jam absolutisht i sigurt që do të bëhet anëtare, por, sigurisht, na duhet të respektojmë faktin se ka një proces që duhet zhvilluar në të 29-të parlamentet, përpara ratifikimit të protokollit të anëtarësimit në të gjitha vendet aleate. Sidoqoftë jemi mjaft pranë finalizimit të procesit. Mendoj se anëtarësimi me të drejta të plota i Maqedonisë së Veriut ka rëndësi të madhe për vetë Maqedoninë e Veriut, për të gjithë rajonin dhe për NATO-n dhe mund ta shohim këtë, pasi NATO-ja është zgjeruar gjatë vitit të fundit dhe ky ka qenë një proces historik dhe tejet i rëndësishëm. E kemi parë këtë edhe në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria u anëtarësua në vitin 2009. Sërish, kjo ishte diçka e mirë për Shqipërinë, ishte mirë për NATO-n. NATO-ja e Shqipëria punojnë mjaft ngushtë së bashku dhe kjo është me rëndësi për sigurinë tonë të përbashkët. Po kështu, është një mënyrë që NATO-ja të investojë në infrastrukturë dhe përmenda investimin e planifikuar të NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës. Ky është një investim i rëndësishëm. Ne kemi vendosur ta bëjmë këtë dhe unë do të sigurohem që zbatimi të nisë sa më shpejt të jetë e mundur. Investimi lidhet me modernizimin e bazës ajrore, modernizimin e pistës së fluturimit, kullës dhe ngritjes së një objekti magazinimi për karburantin dhe municionet. Më pas, kjo bazë mund të përdoret për shumë veprimtari të rëndësishme, përfshi patrullimin nga ajri, trajnimin nga baza ajrore e modernizuar në Shqipëri. Edhe njëherë, kjo është e mirë për Shqipërinë dhe e mirë për të gjitha vendet aleate të NATO-s. Ne e mbështesim fort dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit e, për rrjedhojë, mbështesim rinisjen e dialogut, pasi ka qenë i pezulluar prej disa kohësh. Ne besojmë se ky dialog është e vetmja mënyrë për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme e të përhershme politike të konfliktit dhe do ta mbështesim atë, jo vetëm përmes ofrimit të mbështetjes sonë politike, por edhe duke ndihmuar për zgjidhjen e një problemi siç është hapësira e ulët ajrore mbi Kosovë. Shpresojmë që të gjejmë një mënyrë për të rëndë dakord për rihapjen e kësaj hapësirë ajrore të ulët, që të ketë trafik të drejtpërdrejtë ajror midis Beogradit dhe Prishtinës dhe po punojmë fort për këtë brenda kuadrit të NATO-s.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.