Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me sipërmarrës dhe industrialistë të rinj italianë:

Pikë së pari dua t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë Markos dhe gjithë bashkudhëtareve të tij, në këtë vizitë të organizuar menjëherë, pasi ne u takuam dhe u ballafaquam në Konventën e të Rinjve Industrialistë. Për mua, kjo është një etapë shumë e rëndësishme në një proces që e kërkuam dhe e mbështetëm së bashku me mikun e dashur, zotin Ambasador, i cili po numëron ditët përpara se të na lërë për një detyrë më të rëndësishme, sipas autoriteteve italiane. Edhe pse unë i propozova të merrte nënshtetësinë shqiptare dhe të paraqitej në Romë si ambasador i Shqipërisë. Por, nëse detyra e re nuk do kënaqë pritshmëritë e tij, ekziston gjithmonë mundësia që ai të kthehet në këtë vend dhe ta përfaqësojë atë me shumë dinjitet dhe autoritet.

Dua gjithashtu të falenderoj Bashkimin e Dhomave të Tregtisë, kryetaren e re të Bashkimit, për organizimin e këtij takimi, i cili uroj që do të jetë shumë inkurajues për të ftuarit tanë.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, tani dua të vazhdoj të flas në shqip, sepse u hapim punë boshe kritikëve dhe besoj se ata duhet të fokusohen në çështje më të rëndësishme se kjo.

Është shumë e rëndësishme që ky proces i nisur me Italinë, për t’i drejtuar një mesazh të vazhdueshëm dhe konsistent sipërmarrjes italiane, arrijmë në këtë etapë ku kemi përfaqësi shumë të nderuar të industrialistëve të rinj italianë, me mendje të hapur dhe me shpirtin e nevojshëm të aventurës për t’u ballafaquar me mundësitë që ofron Shqipëria dhe për të eksploruar nga njëra anë, mundësitë e investimeve direkte në Shqipëri dhe nga ana tjetër, mundësitë e bashkëpunimeve me sipërmarrjet shqiptare.

Jam shumë i kënaqur që këtu ka një numër të konsiderueshëm sipërmarrësish shqiptarë, të cilët tanimë kanë kaluar në një stad të ri dhe janë të gatshëm të ballafaqohen dhe të ndërveprojnë me sipërmarrje të huaja. Edhe fakti që janë kaq shumë të pranishëm në një ditë pa makina është një fakt shumë inkurajues, sepse, kur unë erdha këtu, prisja që të gjeja vetëm italianë, por faktikisht mungesat janë shumë të pakta, gjë që tregon se të gjithë ata që kanë ardhur në këmbë deri këtu kanë më shumë sesa një kuriozitet për t’u takuar dhe për të diskutuar.

Do doja të shkëpusja një moment nga fjala e mikut tonë dhe kam privilegjin të them dhe mikut tim, Presidentit të Industrialistëve të Rinj, i cili renditi disa kushte. Kushte të domosdoshme për këdo qoftë që kërkon të bëjë sipërmarrje dhe më bëri përshtypje sepse taksat i vuri në fund, nuk i vuri në fillim. Foli për ‘legalita’, domethënë, për domosdoshmërinë e një mjedisi ku rregullat e lojës të jenë të barabarta për të gjithë dhe të jenë të garantuara, pra, ku konkurrenca të mos ndalohet të bëjë punën e vet të natyrshme dhe të mos deformohet nga procese si ato me të cilat ne jemi ndeshur vazhdimisht, që kulmojnë në vendime gjyqësore krejtësisht të papranueshme.

Në këtë aspekt, ne po bëjmë një punë si asnjëherë më parë dhe po përpiqemi në dy drejtime. Nga njëra anë të krijojmë kushtet që informaliteti të mos jetë një pengesë kaq serioze sa ç’ka qenë deri më sot për konkurrencën në ekonomi; Nga ana tjetër të krijojmë kushte që më në fund, Shqipëria të bëjë një reformë të drejtësisë, e cila të mos jetë thjeshtë një tjetër vandak letrash më shumë në procesin e ligjvënies, por të jetë një instrument për ta përmbysur sistemin e korruptuar të drejtësisë dhe për të krijuar kushtet që drejtësia të mos jetë më mall që blihet, ose që shitet. Presidenti foli për administratën. Ne po bëjmë çmos që ta shtyjmë administratën drejt një faze të re, por dua t’u sjell në vëmendje që e kemi filluar nga vetja. Kemi trashëguar kur erdhëm në qeveri, një mal me borxhe të akumuluara ndaj sipërmarrjes për kontrata të papaguara. Pastaj e mora vesh me shumë kënaqësi, në fakt, që edhe në këtë pikë jemi të ngjashëm, se edhe ju në Itali keni problem me qeverinë që ju ka borxhe për kontrata të papaguara.

Ne praktikisht jemi në muajt kur po shlyejmë përfundimisht borxhet. Kishim 720 milionë dollarë borxhe, që për ekonominë tonë janë shumë. Borxhe të trashëguara ndaj sipërmarrësve me kontrata në infrastrukturë, në shërbimin e furnizimit të spitaleve, të furnizimit të shkollave, plus edhe një sasi të madhe TVSH-je të parimbursuar, pra, një kredi të marrë me forcë nga shteti, nga xhepat e sipërmarrësve, që e vinte shtetin në pozitën e më të fortit në raport me sipërmarrjen. Në këtë pikë, ne besoj ia dolëm që ta kthejmë shtetin në një pozicion të barabartë me sipërmarrjen, ku të dyja palët kanë detyrime dhe jo vetëm të drejta. Ndërkohë që shteti ynë, përmes qeverisë së mëparshme, ishte mësuar që t’i njihte vetes vetëm të drejta, por asnjë detyrim.

Presidenti foli për transparencë. Edhe ky, për ne, është një proces ku me patjetër duhet të rrisim vazhdimisht transparencën, në raport me sipërmarrjen. Sot, ne jemi në një moment kyç të një lufte ndaj informalitetit, që nuk do të ndalet dhe ku ne nuk do të zmbrapsemi asnjë milimetër, për arsye se kemi shumë sipërmarrës që sot, qoftë biznese të mëdha, qoftë biznese të vogla, kanë mall ilegal, sepse u mësuan me vite e vite të tëra që të deklarojnë një pjesë dhe një pjesë tjetër të mos e deklarojnë. Mjafton t’ju jap një shembull, për të kuptuar se në çfarë niveli arriti informaliteti në Shqipëri; që distributorët e mëdhenj punojnë deri në 90% me kasë fiskale, si të ishin biznes i vogël. Pra, distributorët e mëdhenj operojnë si shitës me pakicë. Ndërkohë që shitësit me pakicë, në një pjesë të madhe marrin mallin pa faturë tatimore.

Sigurisht që, ne jemi të vetëdijshëm që ky është një proces ku në radhë të parë transparenca ka një rëndësi themelore, përpara se të vijë ndëshkimi. Ajo që ne ju ofrojmë sipërmarrësve sot nuk është një amnisti. Nuk ka për të pasur asnjë lloj amnistie dhe asnjë lloj tolerance ndaj kujtdo, që në inercinë e shkeljes së ligjit kërkon zgjatje kohe, por ju ofrojmë vetërregullim, pra, të deklarojnë atë që kanë fshehur, pa pasojë. Nuk do të kenë pasoja, në rast se atë që e kanë fshehur do ta deklarojnë. Të nxitojnë ta deklarojnë sot, sepse, nëse nesër do të jenë objekt i kontrollit, do të duhet të përballen me pasojat ligjore. Kështu që askush nuk i dekurajon, përkundrazi, i inkurajon të mëdhenj e të vegjël që mallin që kanë të paregjistruar dhe që e kanë në kushte ilegaliteti, për shkak të një evazioni të vazhduar me vite, ta vetëdeklarojnë dhe të vetërregullojnë gjendjen e tyre, në raport me tatimet. Kjo i shpëton nga çdo ndëshkim ligjor dhe vendos kushte transparente barazie në marrëdhëniet e tyre me shtetin.

Presidenti foli edhe për taksat edhe për koston e punës. Në këtë pikë, ju e dini që Shqipëria është vendi ku ajo që ju shihni në ëndërr në Itali, këtu është realitet. Në Itali mund ta ëndërroni, por kam frikë se do të duhet të prisni nipërit tuaj që ta shohin të realizuar. Megjithëse, edhe këtë nuk e besoj, se taksat do të shkojnë duke u rritur dhe jo duke u ulur, në përgjithësi, ma merr mendja. Por në Shqipëri, ne kemi një taksim shumë të thjeshtë, 15%, pavarësisht fitimit. Nga ana tjetër kemi një kosto të punës që është më e ulëta sot dhe më konkurruese në gjithë Europën. Sigurisht i përket një faze të caktuar historike, nuk do të zgjasë pafund si kosto, sepse do të rriten edhe mundësitë dhe përgjigja e duhur ndaj kërkesave, por ky është momenti për ta shfrytëzuar, një hark kohe disa vjeçar dhe për të bërë sukses këtu në Shqipëri.

Nga ana tjetër kemi kaluar dy ligje shumë të rëndësishme, një ligj për investime strategjike ku kemi krijuar kuadrin më të favorshëm dhe më të garantuar për çdo sipërmarrje që operon me investime në sektorët e konsideruar strategjikë nga ne dhe ligjin për turizmin që krijon një hapësirë të re për të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri, në turizëm.

Kush investon sot, në Shqipëri, pa pritur që të gjitha gjerat të jenë në rregull, bën një investim që nesër do të pendohet pse nuk e bëri, në rast se nuk e bën. Kur të gjitha gjërat të jenë në rregull, nuk do ketë më nevojë për shpirtin e aventurës tuaj. Sot duhet edhe shpirti i aventurës tuaj.

Në mbyllje, unë i jam shumë mirënjohës Markos dhe të gjithëve ju, edhe për një arsye tjetër; Ne kemi biseduar jo thjesht se çfarë ju mund të investoni në Shqipëri, por dhe se çfarë ju mund të sillni si dije, si kulturë të re të sipërmarrjes dhe të marrëdhënieve me shtetin dhe me qeverinë. Në Itali keni një qeveri dhe një kryeministër që po bën çmos të jetë zëri i sipërmarrjes dhe të jetë shtysa për të rrëzuar barrierat, e ngritura me vite e vite të tëra, mes shumë faktorëve, aktorëve, trupave e ndër trupave që ka Italia. Ndërkohë që bëni atë betejë atje, këtu e keni gati që të filloni dhe t’i realizoni gjërat.

Ne jemi shumë të lumtur që t’ju themi edhe një gjë tjetër, që ky është një vend ku gjithkush padyshim e kupton shumë mirë italishten, pjesa më e madhe edhe e flet dhe të gjitha sipërmarrjet italiane në Shqipëri, të gjithë ata që kanë investuar në Shqipëri, deri më sot janë dëshmitarë që kanë bërë investimin e duhur dhe kanë gjetur mjedisin e duhur, njerëzit e duhur dhe padyshim kanë bërë fitimet, por kanë marrë edhe kënaqësitë e nevojshme.

Në fund të fundit, Shqipëria, në shumë pikëpamje është si një pjesë e Italisë edhe nga pikëpamja gjeografike, edhe nga pikëpamja klimaterike, edhe nga pikëpamja e mendësisë shoqërore. Kështu që besoj se është një terren ideal për të investuar, pa u ndjerë sikur po investon në një terren të huaj. Çdo italian që investon në Shqipëri, faktikisht investon në një pjesë të panjohur Italie dhe çdo ditë që punon me shqiptarët, provon se ne jemi faktikisht, dy popuj të ndryshëm, por krejtësisht një lloj tipologjie njeriu dhe shoqërie. Sigurisht, ju keni Leonardo Da Vinçin, ne kemi Skënderbeun, por po të shikojmë me sytë e të sotmes, ju i ngjani Leonardos, sa ç’i ngjajnë grekët e sotëm Platonit, ne i ngjajmë Skënderbeut, sa i ngjani ju Leonardos.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.