Deklaratë e ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, midis të tjerave, qeveria mori dhe një vendim tjetër shumë të rëndësishëm, atë të përcaktimit të mënyrës së realizimit të kontrollit mjekësor bazë për shtetasit e moshës 40 – 65 vjeç.
Është hapi i parë i rëndësishëm dhe konkret, drejt kalimit të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri në mbulim universal.
Historikisht dhe tradicionalisht sistemi i kujdesit shëndetësor në Shqipëri ka qenë i ndërtuar rreth sëmundjes.
Ne synojmë të shkojmë drejt shëndetit.
Do të ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, në grupmoshën 40 deri në 65 vjeç, të bëjnë një kontroll bazë shëndetësor pa pagesë. Do të ftohen të gjithë pa pasur dallim, nëse janë apo jo, sot, të siguruar, në sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, me kontributet e tyre apo me programet e tjera që i sigurojnë nga buxheti i shtetit.
Është një aksion, një ushtrim që do të jetë i përvitshëm, që do të realizohet në të gjithë qendrat e kujdesit shëndetësor të Republikës së Shqipërisë. Do financohet nga fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Janë të përfshira edhe në buxhetin e vitit 2014, siç e kemi bërë të njohur edhe më parë, fondet e nevojshme për pjesën e parë të fillimit brenda këtij viti.
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se si do të bëhet identifikimi i personave që janë rezident, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se shtetasit do të njoftohen nëpërmjet mjekut të tyre të familjes. Gjithashtu vendimi i qeverisë ka përcaktuar dhe çfarë do të përmbajë ky kontroll bazë, paketa e të cilit ka një pjesë që lidhet me vlerësimin, këshillimin, trajtimin dhe ndjekjen e faktorëve të stilit të jetës; ka matje, vlerësim këshillim, referim dhe ndjekje të parametrave fiziologjikë; si dhe ka matje, vlerësim, këshillim, trajtim, referim dhe ndjekje të parametrave biokimikë.
Gjithashtu, vendimi ka përcaktuar se ky aktivitet do të realizohet në bashkëpunim me operatorë të përzgjedhur sipas dispozitave të ligjit numër 125/ 2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik, privat.”
Sigurisht, në kontratën e koncesionit do të përcaktohen rregulla të hollësishme për mënyrën dhënies së shërbimit, për mënyrën e kryerjes së pagesës dhe monitorimin e zbatimit të tij.
Gjithashtu, vendimi i qeverisë ka përcaktuar se do të ngrihet Regjistri Kombëtar i Kontrollit Mjekësor Bazë, pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Me këtë vendim qeveria po fillon, praktikisht, zbatimin e programit, pra është realizim i një angazhimi programor të programit të qeverisë. Padyshim ka elemente thelbësorë të rinj, të sigurisë të kujdesit shëndetësor të qytetarëve, sepse me këtë kontroll bazë, ne do të jemi në gjendje të zbulojmë në stade shumë të hershme dhe për rrjedhojë të reagojmë në mënyrë shumë më të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë për kujdesin shëndetësor të qytetarëve shqiptarë.
Sigurisht që programi do të paraprihet nga një fushatë intensive e komunikimit me publikun në të gjitha format e sotme të larmishme të komunikimit me publikun. Gjithashtu, qeveria ka përcaktuar institucionet e drejtpërdrejta, përgjegjëse për zbatimin që janë: Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Fondi i Sigurimeve të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor; si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.
Faleminderit!
***
Qeveria, vendime të reja mbi programet e nxitjes së punësimit
Deklaratë për shtyp e zëvendësministres së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:
Kam kënaqësinë t’u njoftoj se Këshilli i Ministrave sapo miratoi një sërë vendimesh mbi programet e nxitjes së punësimit, që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka hartuar, për t’i dhënë prioritet maksimal punësimit të qytetarëve.
Pas trefishimit që qeveria i bëri këtij fondi me buxhetin e ri apo edhe nismës për hapjen e zyrave të reja të punës, ky është një tjetër lajm i mirë. Në bazë të ndryshimeve që u miratuan sot, çdo biznes, person juridik ose fizik, ka të drejtë të aplikojë e të përfitojë nga programet e fondit të nxitjes së punësimit. Me ndryshimet e bëra, afati i kohor i shpërndarjes së fondeve, me kërkesë të industrisë fasone shkurtohet në 10 ditë, me qëllim shpejtimin e impaktit në hapjen e vendeve të reja të punës.
Nga ana tjetër, ndryshimet sjellin inovacion dhe futjen e mjeteve elektronike në publikimin dhe aplikimin për programet e nxitjes së punësimit, lehtësojnë procedurat për subjektet private, si dhe përmirësojnë procesin e miratimit të projekteve.
Këto ndryshime kanë për qëllim dhënien me prioritet të fondeve për punësimin e kategorive specifike në vështirësi; grupeve të veçanta të femrave; punëkërkuesve të papunë, të rinj pa profesion; si dhe atyre që përfitojnë pagesë papunësie dhe ndihmë ekonomike; të papunët afatgjatë; personat mbi 45 vjeç që nuk kanë një arsim më të lartë se arsimi i mesëm ose ekuivalent të tij; personat me aftësi të kufizuar; personat nga komuniteti rom dhe emigrantët e kthyer me probleme ekonomike.
Për vitin 2014 fushat prioritare për zbatimin e fondit për nxitjen e punësimit janë: industria prodhuese, aktivitetet e lidhura me bujqësinë dhe blegtorinë, industria e turizmit, teknologjia e informacionit dhe industritë e lidhura me detin.
Vendimet e miratuara sot nga qeveria shqiptare, sjellin progres në krijimin e kushteve të nevojshme që fondi i nxitjes së punësimit të shndërrohet në një mekanizëm të vërtetë për rritjen e punësimit në vend, ndryshe nga çka ndodhur deri tani.