Prononcim i Kryeministrit Edi Rama përpara fillimit të Samitit:
Mirëdita të gjithëve,
Shqipëria nuk është e prekur ende. Besohet se me ardhjen e dimrit, ekziston mundësia për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë. Por gjithsesi, arsyeja se pse ne jemi këtu ka të bëjë me domosdoshmërinë për tu koordinuar në nivel rajonal dhe europian.
Padyshim, edhe Shqipëria ka rolin e saj në këtë moment kaq delikat dhe kaq të rëndësishëm për atë që jemi dhe për atë që do të jemi nesër të gjithë sëbashku, si europianë.
Faleminderit!
***
Me datë 25 tetor 2015, Presidenti i Komisionit Junker thirri një takim të krerëve të shteteve përgjatë rrugës migratore të Ballkanit Perëndimor, për të rënë dakord për disa masa operative të menjëhershme për menaxhimin e situatës së krijuar në rajon me flukset e pakontrolluara të refugjatëve nga Lindja e Mesme.
Synimi ishte krijimi i një përqasjeje ndërkufitare, rajonale të menaxhimit të krizës, nëpërmjet koordinimit dhe konsultimit të shtuar mes vendeve me qëllim shmangien e një katastrofe të mundshme humanitare përgjatë rrugës së tranzitit.
Kryeministri Rama mori pjesë në këtë takim përkrah lidervë të Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë, Gjermanisë, Greqisë, Hungarisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Suedisë.
Kryeministri Rama shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e skemave të zgjidhjeve në rajon në përmbushje të rolit të Shqipërisë si vend kandidat i BE-së dhe përqafues e në mbështetje të fuqishme të vlerave evropianë në përballimin e kësaj krize. Kryeministri Rama shprehu gatishmërinë për zbatimin nga Shqipëria të masave operative të dakordësuara brenda një plani të përbashkët veprimi të BE-së për menaxhimin e krizës së refugjatëve.
Takimi miratoi një deklaratë të përbashkët që përmban 17 pika operative duke filluar nga detyrimi i shkëmbimit të informacionit në mënyrë të rregullt për flukset dhe nevojat, detyrimi për informimin paraprak për lëvizjen e refugjatëve në kufijtë e vendit fqinj, sigurimin e strehëve përgjatë rrugës ballkanike për refugjatët në lëvizje, menaxhimin eficent të flukseve nëpërmjet regjistrimit, kthimeve dhe shtimit të bashkëpunimit për zbatimin e marrëveshjeve të ripranimit me vendet e treta, si dhe menaxhimin efektiv të kufijve.