Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Ministerialin e 13-të të Komunitetit të Energjisë në Tiranë:
Faleminderit për praninë këtu në Tiranë, pas një Presidence të suksesshme të Shqipërisë në Komunitetin e Energjisë, për të cilin në vitin 2011, Komisioni citoi se: “Komuniteti i Energjisë është përqendruar rreth investimeve, zhvillimit ekonomik, sigurisë së furnizimit me energji dhe stabilitetit social”.
Por më shumë se këto, Komuniteti i Energjisë është edhe për solidaritetin, besimin reciprok dhe paqen.
E vërteta është që Shqipëria e mori Presidencën e radhës së Komunitetit të Energjisë në një situatë tejet dramatike për sektorin e energjisë në vend. Qeveria jonë trashëgoi një sektor energjetik në prag të falimentimit, me një situatë financiare pa likuiditete, e cila përbënte një kërcënim real, jo më për vetë sektorin, por për financat e vendit.
Kompania e Shpërndarjes së Energjisë, e cila në vitin 2007 e nisi rrugëtimin e saj me libra të pastër, në gusht të viti 2013-të përfundoi me 1 miliardë dollarë borxhe. 52% humbje për shkak të vjedhjeve dhe të një rrjeti tërësisht të amortizuar, i cili në 85% të tij është mbi 40 vjeçar.
Sot, ne kemi një situatë të përmbysur. Nga një sektor ku qeveria duhet të injektonte çdo vit, 150 milionë euro për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me energji, në një sektor ku të ardhurat janë 130 milionë dollarë në vit dhe ku nuk është më nevoja e injektimit të mbijetesës nga buxheti i shtetit. Mjafton të kujtojmë se mbi 300 mijë konsumatorë nënshkruan kontratat për t’u futur në sistem, pas një periudhe shumëvjeçare, gjatë së cilës e përfitonin energjinë jashtë sistemit, ose duke e vjedhur, ose duke refuzuar të paguanin borxhet.
Qysh në krye të herës, ne u përballëm përveç borxheve të rënda në sektorin e energjisë, edhe me një mal borxhesh të fshehura dhe të padeklaruara të qeverisë së mëparshme ndaj kontraktorëve të punëve publike apo të shërbimeve publike, që nga ilaçet në spitale deri tek bankat e shkollave, 720 milionë dollarë.
Domosdoshmëria jetike për të iniciuar një program të ri nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte e lidhur pazgjidhshmërisht me angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërmarrë reformën e shumëherë shtyrë në sektorin e energjisë, mbi të gjitha, si hallka kryesore e një zinxhiri reformash të shtyra vit pas viti; për shembull, ajo e pensioneve, të cilat kishin krijuar deficite katastrofike dhe haptazi kërcënuese për të ardhmen e afërt.
Edhe Banka Botërore, përpara sesa të ndërmerrte falë reformave, hapin e një programi të ri, që është programi më i madh i mbështetjes për Shqipërinë me 1.2 miliardë dollarë, përcaktoi qartë se gjithçka do të varej nga çfarë do të bënim me energjinë.
Për më tepër nënvizoj këtu, që kompania e shpërndarjes së energjisë, jo vetëm ishte në prag të një kolapsi total, me pasojë një blackout të plotë për vendin, por edhe në kushtet e një konflikti të hapur mes shtetit dhe pronarëve privatë të kompanisë, të cilët ishin përzënë forcërisht me polici nga Shqipëria. Nga janari i vitit 2013-të deri në gusht të vitit 2013-të, qeveria kishte imponuar një administrator të sajin në një pronë private, për të cilën nuk kishte ndërmarrë asnjë hap të rikthimit në pronë të vetën. Dhe Shqipëria gjendej edhe në një kërcënim tjetër, të një beteje, të një Vatërloje në arbitrazhin ndërkombëtar, ku malit të problemeve financiare për shkak të gjithë borxhit të akumuluar rrezikonte t’i shtohej edhe një borxh i ri, i papërballueshëm për financat e shtetit.
Unë i jam shumë mirënjohës Komunitetit të Energjisë, që në atë moment aq kritik dhe të vështirë për vendin u bë mbështetja jonë jetike, në një proces kaq transformues për një reformë në një front kaq të gjerë, ku falë Komunitetit të Energjisë, mbështetjes teknike dhe morale të tij, ne arritëm edhe marrëveshjen me kompaninë me të cilën rrezikonim të përballeshim në një arbitrazh, që do të ishte Vatërloja e financave shqiptare dhe që Shqipëria, ashtu sikundër e kishin nënvizuar qartësisht konsulentët ligjorë të angazhuar nga qeveria, nuk kishte asnjë shans të fitonte.
Sot, pamja është e përmbysur. Mbi të gjitha dua të nënvizoj se kjo ka qenë reforma më e vështirë e kësaj periudhe, por ka qenë edhe reforma më e mbështetur nga populli shqiptar. Sado e çuditshme mund t’ju duket atyre që i shikojnë reformat si momente kyçe për të investuar kapitalin politik, me rrezikun e humbjes së një pjese të konsiderueshme të kapitalit, kjo reformë e ka rritur kapitalin politik të qeverisë shqiptare dhe ka rritur besueshmërinë e publikut në një proces, që sigurisht ka ende shumë për të siguruar një raport të shëndetshëm mes konsumatorëve dhe dhënësve të shërbimit.
Për herë të parë mbas një periudhe që është e pallogaritshme në kohë, ne kemi filluar të investojmë në sektorin e energjisë dhe konkretisht, në sektorin e shpërndarjes, të ardhura nga vetë kompania, gjë e paimagjinueshme deri dy vite më parë.
Ashtu sikundër, kjo reformë e ka rritur jashtëzakonisht shumë besueshmërinë e organizmave financiarë dhe tanimë, kompania po përballet me sfidën e madhe të modernizimit të sistemit të shpërndarjes dhe modernizimit të shërbimit ndaj klientit.
Por e vërteta e kërkon të thuhet që pa mbështetjen e Komunitetit të Energjisë, kjo nuk do të kishte qenë e mundur. Unë ju jam mirënjohës të gjithë atyre që në Vjenë siguruan mjedisin ideal dhe mbështetjen më të lartë për nga pikëpamja teknike, që ne të arrinim një marrëveshje, për të cilën sot jemi krenarë, sepse kemi realizuar bazën e një historie suksesi. Nga 52% humbje, të cilat kompensoheshin me shumë më pak infrastrukturë, shumë më pak spitale, shumë më pak shkolla, shumë më pak kopshte dhe çerdhe, shumë më pak investime publike, për të mbushur gropën e vjedhjeve dhe të humbjeve, ne kemi pasur në muajin shtator, një shifër mbresëlënëse, 25.3% humbje. Shifra më e ulët e humbjeve në historinë e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Nga ana tjetër kemi hyrë në një reformë tërësore të legjislacionit, për një kuadër të ri ligjor që nuk përmbyllet thjesht me sektorin e energjisë elektrike, por shtrihet edhe tek sektori i gazit natyror, në harmoni me paketën e tretë legjislative. Këtë javë parlamenti do të miratojë ligjin për eficencën e energjisë. Ndërkohë që për herë të parë, edhe kjo i dedikohet bashkëpunimit me Komunitetin e Energjisë në Vjenë, Shqipëria ka një plan kombëtar të zhvillimit të sektorit, përfshirë edhe planin kombëtar të energjisë së rinovueshme, për të cilën kanë nisur procedurat e nevojshme drejt miratimit. Gjithashtu, intensivisht po punohet për ndryshimet në ligjin e energjive të rinovueshme, që është pjesa përmbyllëse e reformës legjislative në këtë sektor.
Jemi krenar, sepse dy vjet më parë ishim jo vetëm të fundit në rajon për nga baza legjislative dhe për nga mungesa e një reforme në sektor, por ishim dhe në prag të një humnere me pasoja të pallogaritshme.
Sot, Shqipëria është vendi lider në rajon për reformat në sektorin e energjisë dhe jam plotësisht i bindur se këto reforma janë baza që garanton përmirësime të ndjeshme në të ardhmen e afërt, me afat të shkurtër dhe të mesëm dhe një ndikim shumë të madh në cilësinë e shërbimit dhe në cilësinë e sektorit në tërësi.
Ajo që dua të nënvizoj është se për ne, sot është më e qartë se dje, që çështja e energjisë nuk është një çështje e socialistëve, e demokratëve, e republikanëve apo e të pavarurve, por është një çështje kombëtare, me dobi kombëtare. Puna e bërë nga kjo qeveri shkon përtej dobisë politike dhe duhet të jetë një pikë referimi për të gjithë, pasi mjaft të përmendim zhvillimin kaotik, të paqëndrueshëm dhe me pasoja të sektorit të prodhimit të energjisë, ku Shqipëria u katandis realisht në një “case study” për mënyrën sesi një vend mund t’i shpërdorojë potencialet e veta të mëdha hidroenergjetike, duke krijuar me duart e veta premisat e një xhungle, ku të gjithë të dilnin të humbur, në një vend sot që ka hedhur themele të sigurta për të ardhmen e sektorit.
Në kuadrin e Presidencës, sigurisht që ne kemi bërë detyrat tona, duke mbështetur të gjitha nismat rajonale, si në drejtim të sigurisë së furnizimit me energji, por dhe për zhvillimin e nismave për krijimin e një tregu rajonal si pjesë e tregut europian. Qeveria që unë drejtoj është shumë e qartë se, nëse ne do ia dalim që të krijojmë tregun e përbashkët rajonal të energjisë, duke përfituar nga potencialet specifike të çdo vendi dhe duke harmonizuar shfrytëzimin e burimeve, ne do të jemi në një periudhë jo të largët, në një situatë që sot shumëkush e ka të vështirë t’ia imagjinojë përfitimet reciproke.
Ballkani ka një potencial të madh dhe ka një diversitet të plotë të burimeve të prodhimit të energjisë, që nëse shfrytëzohen të ndara, janë më të kushtueshme dhe janë padyshim dhe shumë më pak avantazhuese për secilin nga popujt tanë, por nëse shfrytëzohen sëbashku janë me kosto më të ulët dhe me avantazhe shumë më të mëdha për çdonjërin nga popujt e rajonit.
Duke hedhur një hap të rëndësishëm për ta transformuar sektorin e energjisë në një treg të hapur, duke hequr blloqet tarifore, duke organizuar ngritjen e një strukture tërësisht të re të tregut, si dhe duke përgatitur tarifat e aksesit në rrjet, ne kemi krijuar premisën e një shembulli suksesi, që nëse do ta përqafojmë rajonalisht, do të na japë në një afat të mesëm, përfitime të jashtëzakonshme.
Ekzistenca e Komunitetit të Energjisë, vetëm 10 vjet nga përfundimi i gjakderdhjes në Ballkan është një shembull i shkëlqyer mbi të cilin ne do të vazhdojmë të ndërtojmë. Është një shembull sesi bashkëpunimi rajonal dhe bashkërendimi i axhendave strategjike në çështje që i përkasin të gjithëve dhe në çështje ku gjithkush ka mundësinë të përfitojë më shumë duke bashkëpunuar me tjetrin dhe ka vetëm për të humbur, duke e parë të ardhmen vetëm me forcat e tij, është në të njëjtën kohë edhe një shembull shumë frymëzues për ekonominë në tërësi.
Shqipëria i ka përkrahur të gjitha nismat për reformimin e Komunitetin të Energjisë, sipas propozimeve të grupit të lartë të reflektimit, që është i mandatuar për të vlerësuar strukturën institucionale dhe metodat e punës së Komunitetit të Energjisë në arritjen objektive të Traktatit.
Gjithashtu, ne e mbështesim edhe zgjerimin e aktivitetit të zyrës së CAO-s. Iniciativa e pjesëmarrjes së Turqisë në këtë zyrë për ankandet e kufirit Turqi-Greqi, që duke filluar nga viti i ardhshëm do të bëhet vjetor, mujor, ka krijuar një terren që dhe Shqipëria ta mbështesë fort organizimin e këtij procesi dhe në kufijtë e tjerë, si me Greqinë dhe me Kosovën, që tani do të jetë një kontroll-zonë më vete.
Nord Pool Spot-i, që është e licencuar nga burimet ujore-energjetike të Drejtorisë norvegjeze të organizojë dhe operojë në një vend për pushtet tregtar dhe nga Ministria Norvegjeze e Naftës dhe Energjetikes për të lehtësuar tregun e energjisë në vendet e huaja, është një aset shumë i veçantë. Me ndihmën e Nord Pool-it ka nisur të zhvillohet ideja e krijimit për një PX, duke nënvizuar se në vendet e rajonit tonë, me një treg të vogël individual, është e domosdoshme të organizohemi rajonalisht dhe të funksionojmë rajonalisht, në mënyrë që të rrisim evidencën e gjenerimit dhe të reduktojmë kostot në interes të konsumatorëve.
Ne jemi absolutisht të hapur dhe do të vazhdojmë të jemi aktivë përmes shembullit në këtë Komunitet të Energjisë, duke i mbështetur të gjitha nismat për rritjen e investimeve në rajon. Edhe Samiti i Vjenës, ku faktikisht sektori i energjisë mori mbështetjen më konkrete, ishte një tregues i qartë se nëse funksionojmë rajonalisht, jo vetëm do të rrisim përfitimet për secilin prej popujve tanë, por do të jemi një vlerë e shtuar për vetë Europën në këtë sektor.
Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i maksimizuar kapacitetet e interkonjeksionit dhe për të shërbyer si një pikënyje në mbështetjen e një tregu të hapur, konkurrues, rajonal, duke mos hequr dorë nga investime të tjera, në krye të herës, ai i linjës së interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Italisë, si pjesë e zgjerimit të tregut rajonal në një treg më të gjerë.
Çdo nismë e marrë në këtë kuadër na bën entuziastë, duke besuar se kontributi ynë në Presidencën e radhës ka qenë frytdhënës.
Nëse është dije e lashtë se në fund të çdo tuneli ka gjithmonë dritë, është e sigurt se Komuniteti i Energjisë është një instrument që garanton se për këdo që ka vizionin, kurajën dhe vendosmërinë për ta gjetur dritën në fund të tunelit, drita është aty. Dhe jam i bindur se duke ecur në binarët e filozofisë mbi të cilën u ngrit Komuniteti i Energjisë, që është krijimi i tregjeve të integruara të energjisë, mbështetur në themelet e interesit të përbashkët dhe të besimit reciprok e të paqes, ne do të jemi në një kohë shumë më të shkurtër, sesa ç ‘mund të imagjinojmë sot, në kushtet kur çfarë kemi kaluar në këto vite të vështira tranzicioni do të na duket parahistori.
Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa zhvillim të qëndrueshëm energjetik. Kjo është një aksiomë, vërtetësinë e të cilës, ne e prekim që nga dita e parë që kemi ndërmarrë këtë reformë historike dhe vërtetësinë e të cilës, ne duhet ta kërkojmë sëbashku, për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të të gjithë rajonit tonë.
Jemi shumë të vegjël për të qëndruar të ndarë dhe për të luftuar bazuar në ndarjet tona. Por mund të jemi shumë të vlefshëm për vete dhe për njeri-tjetrin, nëse i bashkojmë hapësirat, tregjet, forcat dhe krijojmë një orë e më parë, atë që ia kemi detyrim fëmijëve tanë, gjeneratave të tjera; Një hapësirë të përbashkët zhvillimi të qëndrueshëm, që në themelin e vet ka zhvillimin e qëndrueshëm energjetik.
Edhe një herë, shumë faleminderit për praninë tuaj në Tiranë. Faleminderit atyre që kanë ardhur për herë të dytë, të tretë, të katërt dhe faleminderit atyre që kanë ardhur për herë të parë, të cilët i siguroj se Shqipëria është gjithmonë e vështirë për herën e parë, por është kënaqësi për herët e tjera. Shqipëria në sytë e të huajve është si molla e ndaluar, që të gjithë thonë mos e kafsho, por sapo e kafshon, do vetëm prapë, prapë e prapë.
Faleminderit!