Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u nderua sot nga Presidenti francez Hollande me dekoratën e lartë të Komandantit të Urdhrit të Legjionit të Nderit. Ky dekorim krejt surprizë u krye jashtë kushteve normale të reciprocitetit, gjë shumë e rrallë në protokollin e Presidencës Franceze që në rastin e figurave shtetërore akordohet vetëm si njohje meritash të veçanta. Pikërisht për meritat e posaçme në forcimin e marrëdhënieve franko-shqiptare dhe politikën rajonale të Edi Ramës, si edhe për një inkurajim personal për Kryeministrin shqiptar në dinamikën euro-integruese të Shqipërisë e në drejtimin e duhur të nisur 4 vite më parë, Presidenti i Francës ka vendosur t’i akordojë shefit të ekzekutivit shqiptar titullin e lartë. Kryeministri Edi Rama mban tashmë të njëjtën gradë sipërore në Legjionin e Nderit si shkrimtari Ismail Kadare. Edi Rama është i pari Kryeministër shqiptar që nderohet me këtë dekoratë që nga vitet ’30 dhe i vetmi që dekorohet jashtë kushteve të reciprocitetit, me iniciativë të vetë Presidentit francez. E njëjta praktikë jo reciprociteti u ndoq para pak muajsh edhe për Sekretarin e Shtetit John Kerry, të cilit i’u akordua i njëjti titull i lartë nga Presidenti i Republikës së Francës.

Dekorata e lartë iu dorëzuar Kryeministrit Rama gjatë një ceremonie nga Homologu i tij francez Bernard Cazeneuve

***

Fjala e Kryeministrit Francez Bernard Cazeneuve me rastin e ceremonisë së dhënies së medaljes së Komandantit të Legjionit të Nderit Kryeministrit shqiptar, Z. Edi Rama:

Zoti Kryeministër,

Zotërinj Ministra,

Zotërinj Ambasadorë,

Zonja, Zotërinj,

Takimi ynë i sotëm përbën një moment historik në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Francës, duke qenë se Marrëveshja e Partneritetit Strategjik, që sapo nënshkruam, mbulon tashmë të gjitha fushat e bashkëpunimit tonë dypalësh.

Dëshiroj të përfitoj nga ky rast për t’ju shprehur, Zoti Kryeministër, në emër të Presidentit të Republikës dhe në emrin tim personal, vlerësimin dhe mirënjohjen tonë të gjithanshme për rolin që ju keni luajtur në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis Francës dhe vendit tuaj.

Çdokujt këtu i kujtohet prania juaj, gjatë manifestimit të 11 janarit 2015, në krah të popullit francez, duke valëvitur, në homazh të karikaturistëve të vrarë disa ditë më parë të “Charlie Hebdo-së”, lapsat tuaj me ngjyrën blu, të bardhë e të kuqe.

Përmes këtij simboli, ju shprehnit, si prirjen tuaj të dyfishtë prej artisti dhe politikani të angazhuar, ashtu edhe marrëdhënien vetjake që ju lidh me vendin, me gjuhën dhe me kulturën tonë.

Artist i arteve figurative, ju keni kryer studime për artet e bukura dhe për shumë vite keni bërë pjesë në skenën artistike pariziene. Me kthimin në Shqipëri, ju jeni angazhuar në politikë dhe keni ditur t’i bashkoni lumturisht këto dy përmasa të angazhimit tuaj. Në vitin 2004, ndërsa po përfundonit mandatin tuaj të parë si Kryebashkiak i Tiranës, ju është dhënë çmimi “Kryebashkiak i Botës” nga shoqata “Internet City Mayors” për modernizimin e kryeqytetit shqiptar. Miku juaj, artisti Anri Sala, që ka përfaqësuar në atë kohë Francën në Bienalen e Venecias, i ka zbuluar botës projektin tuaj vizionar, të ngjyrimit të godinave të Tiranës, nëpërmjet një filmi, ku ju deklaronit: “Ngjyra është ajo që na sjell bashkimin.”

Dhe po më tregojnë se, kur u bëtë Kryeministër disa vjet më vonë, ju keni ristrukturuar Sallën e Hartave në selinë e qeverisë suaj, duke stolisur me katërkëndësha të kuq të mrekullueshmet harta të lashta të Shqipërisë dhe armurat e drunjta italiane të paraluftës, duke i dhënë kështu atij salloni një penelatë moderniteti.

Nga qëndrimi juaj në Paris, ju keni ruajtur një shije dhe një zotërim të shkëlqyer të gjuhës sonë; dhe kam konstatuar vetë, gjatë vizitës që ju kam bërë në Tiranë, se bisedimet zyrtare me personalitetet franceze apo frankofone që kanë vizituar vendin tuaj, ju i zhvilloni në frëngjisht.

Ju jeni një mik i madh i Francës. I bindur për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve tona dypalëshe, ju keni mbështetur gjithmonë projektet ekonomike dhe kulturore që kanë kontribuar në këtë afrim. E di që tashmë ato janë të shumta, duke filluar me Trans-Adriatic Pipeline, këtë projekt madhor infrastrukture, realizimi i të cilit iu besua vitin e shkuar një sipërmarrjeje franceze.

Por edhe Franca ju është mirënjohëse për rolin aktiv që ju luani në favor të paqes dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit. Ju jeni i pari shef i Qeverisë shqiptare që e keni angazhuar, me kurajë, vendin tuaj në rrugën e pajtimit me Serbinë; dhe sidomos ia keni dalë, në marrëveshje me homologun tuaj serb, të ngrini një Zyrë Rajonale të Rinisë që bashkon gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor. Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë nismë të bukur, themeluar mbi modelin e Zyrës franko-gjermane të Rinisë që kishin krijuar në kohën e tyre Gjenerali De Gaulle dhe Kancelari Adenauer.

Duke ju pranuar sot në gjirin e Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit, Republika i bën kësisoj homazh një burri shteti, një miku të madh të Francës dhe një europiani të bindur, që punon në mënyrë të palodhur për t’i dhënë Shqipërisë vendin që i takon në gjirin e Eurpës, ashtu siç edhe ne e dëshirojmë, të fortë, të begatë dhe paqësore.

Kryeministri Edi Rama:

Po e marr veten me vështirësi, pasi nuk e prisja një gjë të tillë. Sigurisht është më se e mirëpritur. Ju falënderoj me gjithë zemër juve, dhe gjithashtu edhe zotin President. Nuk e di nëse e meritoj, por është pa dyshim një nder i jashtëzakonshëm për dikë që mbërriti në Francë si një artist i cili nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do të mbërrinte në sallonet e Francës së politikanëve dhe njerëzve të shquar. Dhe marrja e kësaj medaljeje është vërtet një ëndërr. Një ëndërr, në fakt, që ende nuk e kisha parë.

Kryeministri Bernard Cazeneuve: 

Presidenti Hollande është në një vizitë zyrtare në Indonezi por, pak më parë pata një bisedë telefonike me të dhe me tha t’ju transmetoj se është një krenari e madhe për të që të dekorojë sot një kryeministër të madh shqiptar dhe një artist të madh francez.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.