Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në iftarin e shtruar në Peshkopi:

Të dashur vëllezër dhe motra të besës islame!

Të nderuar të pranishëm!

Jam i nderuar që jam me ju sot, në Peshkopi, për të thyer agjërimin dhe për të medituar mbi virtytet kalitëse të privimit nga teprica, e cila, porsi fjalët e tepërta, është varfëria, apo fukarallëku i vërtetë.

Nisa një fjalë në iftarin shtruar në Elbasan, pardje dhe nëse më lejoni, dua ta rimarr aty ku e lashë. Nga Hafiz Ali Korça, tek i cili rikthehem si qendër graviteti, sa herë që dua të flas me bashkëkombësit myslimanë me sy dhe shpirt të hapur, po e vijoj me Hafiz Ali Krajën, tjetër mendimtar i shquar mysliman në Shqipëri, në shek. XX.

Këtë autor ma sugjeroi një njohës i mirë i besimit islam, duke mundësor ta vë gishtin mbi një aspekt esencial, mbi detyrimin dhe sensin e përgjegjësisë tek çdokush që ka përqafuar mesazhin e Profetit.

Në një broshurë të tijën, A duhet feja, a e pengon bashkimin kombëtar?, Hafiz Ali Kraja nënvizon me bindje se besimi i cili nuk i vë detyrë vetes të pajisë njeriun me një ndjeshmëri të theksuar ndaj detyrave dhe përgjegjësive shoqërore, është i destinuar të dështojë në misionin e tij. “Do të ishte gabim, – thotë Kraja – të paramendohet kombi si një shoqërim ndërmjet individëve të veçantë, të cilët nuk kanë ndjenjat e përgjegjësisë e të detyrimit ndaj njëri-tjetrit dhe vetë shoqërisë.”

Bashkësia e një komuniteti të një gjuhe, gjaku e tradite, çimentuar jo prej dhunës apo mashtrimit, po prej aderimit të gjithsecilit në kontratën e përbashkët shoqërore, në kushtetutë, ligje, rregulla dhe vetëpërmbajtje e vetkufizime, është, për vetë islamin, në evolucionin e tij organik, kushti i trajtimit të barabartë dhe garancia e një të drejte të përhershme qytetarie.

Në këtë sens duhet lexuar, njohja, nga dy hafizët e mëdhenj, Kraja dhe Korça, të institucionit të demokracisë politike, me të gjitha obligimet e saj në çdo vend e në çdo kohë.

Nuk mund të ketë emirë individualë që japin mend pa prekur as me pupël përgjegjësinë më të vogël nga çka predikojnë dhe një masë të bindur e të heshtur myslimane. Të gjithë janë, sidomos kur flasim për një popull aq të ndërthurur dje aq së bashku si pjesë e njëri-tjetrit sa shqiptarët, të barabartë mes të barabartëve.

Jo më kot, dy hafizët e shpallnin qartë në vitet ’20, se “në gjuh të Kuranit jo vetëm në nënshtetasit e nji shteti, po edhe gjithë bota janë vllazën, demokrata e jo aristokrata”.

A mund të thuhet sot se ky përkufizim është ende i rrënjosur në korpusin e besimtarëve qytetarë, e fetarit nënshtetas, e besëmirit bashkëkombës?

Miku që ju përmenda pak më sipër, teksa shkëmbenim këto mendime dhe i ngrija këto pikëpyetje në telefon, se nuk jam gjithmonë në Facebook, kështu që mos kujtoni se merrem edhe me gjëra serioze, më detyroi të hyja në një hulli më të thellë duke marrë si shembull polemikën e pabazë të një kundërshtie që u krijua përpara pak kohësh mes respektit të të kremtes së Bajramit dhe zhvillimin në të njëjtën ditë të zgjedhjeve të përgjithshme.

Zgjedhjet, zhvillimi i të cilave mund të thuhet se i detyrohen më shumë vullnetit providencial, sa sa suksesit të përpjekjeve njerëzore…

“Bajrami është një thirrje e përhershme për të vepruar, nëpërmjet fruteve të sakrificës dhe luftës së shenjtë për drejtësi. Sipas frymës më të pastër kuranore, doktrina islame shpall kurdoherë parimin: të veproni në çdo vend, në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, pa asnjë dallim, për realizimin e më të mirës, më të drejtës, për vendosjen e rendit të drejtësisë dhe një shoqërie njerëzore të paanshme.”

Miku më dërgoi edhe frazën në arabisht të cilën për fat të keq as e lexoj dot dhe as e shqiptoj dot se më duhet të skuqem përpara imamit.

Çfarë janë edhe vetë zgjedhjet, në mos një nga rrugët për të arritur qëllime të mira?

“Vetë Maslaha Shar’iyya, jurisprudenca e së mirës së përbashkët në islam, fton në angazhim social e qytetar, sidomos nëpërmjet ushtrimit të votës, sa herë dhe kurdoherë bëhet fjalë për të evituar dëmtimin e shoqërisë dhe siguruar interesin e përbashkët të çdo kombi.

Të ndriçuarit në fe, mos të druhen aspak duke shpallur se asnjë porosi, apo parashkrim në besim nuk quhet i plotësuar, aq më pak fruti përmbushës dhe përkryes i një feste si Bajrami, nëse nuk mbahet parasysh dhe zbatohet në letër e në frymë, urdhëresa madhore e Profetit që thotë:

“Secilit prej jush i kemi dhënë një udhërrëfyes për të ndjekur. Konkurroni me njëri-tjetrin gjithmonë në përmbushjen e veprave të duhura. Të gjithë do të kthehemi te Zoti. Kështu do të na qartësohet aty ku secili prej nesh ndryshon, në mendim, prej tjetrit”.

Dhe dinte ç’fliste i bardhëlinduri, princi dibran i myslimanizmës, atdhetar i pashoq e pa të sharë, Said Najdeni, Hoxhë Voka, tek shkruante me brengë dhe shtrëngatë në shpirtin e tij fetar dhe qytetar këto fjalë:

“Me dituri – me dituri që unë them është forca e shembullit përkundrejt shembullit të forcës – me dituri të mendjes t’u vijmë armiqve që i kemi rreth e rrotull, pra me lartësinë e diturisë, t’i presim e t’ua lëmë zbrazët armët, që janë duke i përdorur kundër nesh”.

Vëllezër e motra, muaji i shenjtë i Ramazanit, është një kohë sprove dhe në sensin më fisnik të fjalës është një larje hesapesh me veten, me ndërgjegjen, me çka ju bën plotësisht fetarë por dhe plotësisht qytetarë, një frymë civilizuese në dy shëmbëlltyra.

Nuk e kan korit kurrë myslimanët Shqypnin, thoshte At Gjergj Fishta në Lahutën e Malcis:

“Shtrinë të ngratin hafiz Myslimin, dhe në dru e rrahën trimin

Sado që ishte një “hafiz”, jam shqiptar me gjuhë e fis”,

Vargje të cilave u bën përjetësisht jehonë, motoja e famshme e Hafiz Aliut:

“Nacionalist jam po, fetar si duhet

Le të thonë bota ashtu si t’u thuhet”

Ramazani ju qoftë i lehtë, i bardhë, i shenjtë e i mbarë!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.