Kryeministri Edi Rama ndodhet në Ohër, në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në Samitin e radhës të “Open Ballkan”, i cili do të zhvillohet gjatë ditës së mërkurë 8 qershor, në këtë qytet.
Në Samit janë të pranishëm liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor; Dimitar Kovacevski, Kryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut, njëkohësisht mikpritësi i eventit; Aleksandar Vuçiç, President i Republikës së Serbisë; Dritan Abazovic Kryeministër i Republikës së Malit të Zi; Zoran Tegeltija Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe ministra të kabineteve qeveritare respektive.
Në Samit marrin pjesë edhe Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE për zgjerimin dhe Fqinjësinë, si dhe do të jetë i pranishëm online Gabriel Escobar Zv/Ndihmës Sekretar i Shtetit të SHBA për Çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Në hapjen e samitit të Open Balkan, liderët e vendeve përkatëse do t’i drejtohen audiencës me një fjalë. Ndërkohë që, agjenda do të vijojë me seancën plenare dedikuar turizmit, ku ministrat e fushës të vendeve pjesëmarrëse, do të adresojnë çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimin e këtij sektori dhe perspektivën e përbashkët rajonale. Ndërkohë që seanca e dytë plenare do të ketë në qendër Kulturën, bashkëpunimin rajonal në këtë fushë dhe perspektivën e përbashkët zhvillimore.
Bashkëpunimi në kuadër të Open Balkan do të konkretizohet me nënshkrimin e disa marrëveshjeve mes interes të ndërsjellë mes vendeve, përkatësisht:
-Marrëveshje për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara;
-Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e turizmit në Ballkanin
Perëndimor;
-Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor;
-Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.
Agjenda do të vijojë me Konferencën e përbashkët për shtyp të liderëve e më pas me vizitën në Manastirin e Shën Naunit.
Në një event të posaçëm, Kryeministrit Rama do t’i akordohet çmimi i lidershipit rajonal për nismën e Ballkanit të Hapur, nga Kryetari i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, z.Branko Azeski, në 100 vjetorin e krijimit të kësaj Dhome. Ky çmim do t’u jepet edhe tre liderëve të tjerë, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Kovaçevski, si dhe ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.
Pjesë e agjendës së Samitit do të jetë edhe Seanca koordinuese e liderëve me komunitetin ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të organizmave ndërkombëtare si Këshilli i Atlantikut, Fondacioni Open Society, RÇ, CEFTA, Komisioni Europian, USAID, etj