Më poshtë fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:
Kryeministri siguroi se për sa i përket ndërmarrjeve, nuk do të jetë një sistem taksimi progresiv, i cili shkon drejt mbytjes, por do të ketë dy nivele.
Unë dua t’ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen! Do të flas në gjuhën italiane, sepse në fund të fundit, unë besoj se njohja e gjuhës italiane është një faktor shumë i rëndësishëm për këtë vend dhe një pikë referimi shumë e rëndësishme për të gjithë ata që duan të investojnë në Shqipëri, pasi ndihen si në shtëpinë e tyre. Ndihen si në shtëpinë e tyre, jo vetëm për faktin e gjuhës, por edhe për këto cilësi.
Së pari, jo për formalitet, por për hir të së vërtetës unë dua të falënderoj përzemërsisht shkëlqesinë e tij Z. Ambasador, pasi ka qenë mjaft e dobishme mbështetja e tij gjatë kësaj nisme të re. Është një nismë, e cila konsiston në vënien në jetë të një angazhimi shumë të fortë politik, jo vetëm për të lehtësuar situatën, jo shumë të thjeshtë për të gjithë ju që punoni në Shqipëri, por edhe për të hapur dhe porta të tjera për investues të tjerë italianë, të cilët do të donin apo do të mundnin të investonin në Shqipëri, nga larg po edhe nga histori që mund të kenë dëgjuar dhe që për momentin qëndrojnë atje, nuk lëvizin, nuk marrin udhën, për të mbërritur këtu. Atëherë, çfarë kemi bërë deri më tani?
Kemi krijuar një grup deputetësh, të cilët kanë detyrimin dhe përgjegjësinë, por së pari mbi të gjitha kanë dëshirën për të marrë pjesë personalisht në këtë nismë, duke shkuar në Itali, duke folur për Shqipërinë, duke paraqitur mundësi, duke dëgjuar sipërmarrësit italianë, që sigurisht kanë shumë pyetje për të bërë duke marrë shënime; pyetje, dyshime që burojnë nga skepticizmat e kuptueshme dhe të mundshme; pastaj, duke krijuar një urë ndërmjet botës së sipërmarrësve italianë dhe Qeverisë, institucioneve shqiptare. Nuk është një grup personash të zgjedhur rastësisht, por është një grup personash të lidhur në një mënyrë, apo në një tjetër me Italinë, falë historisë së tyre, kulturës, por edhe një grup personash që vijnë qoftë nga bota e sipërmarrjes e biznesit, qoftë nga bota akademike dhe që mund të lidhin në mënyrë të përsosur këto dy botë dhe të paraqesin propozime të rëndësishme në nivel legjislativ edhe në krijimin e kushteve për të mbrojtur nismat dhe projektet që mund të paraqiten. Tani, unë jam i sigurt që këtu ndoshta nuk ka asnjeri që ka dëshirë të tregojë historinë e vet, por si “katolik përpara priftit” mund të tregoni histori të besueshme, që lidhen me vështirësitë apo situatat e vazhdueshme me burokracinë shqiptare, me administratën, me gjykatat, me të gjitha strukturat që ekzistojnë aty për të mbështetur dhe për të ndihmuar, por që jo rrallë bëhen pengesa shpesh edhe të pakapërcyeshme që shkurajojnë të gjitha ëndrrat e mundura e të pamundura. Duke krijuar një grup, i cili është i përfaqësimit më të lartë politik e që në të njëjtën kohë ka këtë përgjegjësi, krijojmë edhe një grup mbrojtjeje të këtyre ideve, të këtyre projekteve dhe një mbështetjeje të fortë në të gjitha instancat e projekteve dhe të investitorëve. Kështu, askush nuk ka nevojë pastaj të kërkojë deputetin e rastit për t’i hapur derën për një çështje të caktuar, apo nëpërmjet mekanizmave të tjera për të zgjidhur një punë, e cila mund të zgjidhet normalisht me transparencë në frymën e plotë të bashkëpunimit. Ne e dimë shumë mirë që ka jo pak gjëra që kanë të bëjnë me vështirësitë, por edhe problemet jo vetëm të pazgjidhura, por edhe të akumuluara, të grumbulluara në vite, në botën e sipërmarrjes dhe të biznesit shqiptar e sidomos në botën e biznesit të huaj dhe në mënyrë specifike në botën e sipërmarrësve italianë. Sidoqoftë, nuk dimë mjaftueshëm dhe jemi shumë të gatshëm për të diskutuar me ju, duke dëgjuar, me të gjithë ata që do të donin të bashkoheshin me ju në këtë aventurë, e cila është një aventurë e vështirë, por për sa kohë do të jeni ju, kjo është një aventurë shumë e bukur.
Qëllimi ynë është që të mund të përshpejtojmë zgjidhjen e problemeve që janë grumbulluar që janë të vjetra, por edhe që mbeten gjithmonë aktuale. Gjithashtu, të përcaktojmë propozime të reja për të krijuar kushte të favorshme dhe të shtojmë volumin e investimeve italiane në Shqipëri. Nuk jemi xhelozë për të tjerët, por sidoqoftë jemi ziliqarë për faktin që në vende të tjera që nuk janë shumë të ndryshëm nga Shqipëria që të themi të vërtetën qoftë për vendndodhjen kanë një prani shumë më të rëndësishme, shumë më të madhe të sipërmarrësve italianë dhe në këto vende ka shumë më tepër përfitim qoftë nga ana e investitorëve, e shtetit, ndërsa ne jemi të fundit në këtë zinxhir. Jemi të fundit duke qenë objektivisht më afër Italisë. Shqipëria është, praktikisht, dera ku hyhet për të shkuar më tej. Ne duam ta hapim këtë derë plotësisht dhe që ta bëjmë Shqipërinë një vend të zgjedhjes së parë, për ata që duan të zgjerojnë volumin e tyre të investimeve dhe të vijnë në Shqipëri. Ky është pak a shumë koncepti i kësaj nisme, por sigurisht do të ishte më interesante që të krijojmë një situatë dialogu në mënyrë që t’ju dëgjojmë edhe ju.
Ne jemi duke përgatitur këtë nismë të re. Ditët e ardhshme me grupin e deputetëve, me Ambasadorin, ne do të shkojmë dhe do të bëjmë vizitën e parë në Itali duke u nisur sikurse është e natyrshme nga rajoni i Pulias dhe pastaj, duke u ngjitur më lart drejt rajoneve të tjera italiane për të komunikuar drejtpërdrejt me botën e sipërmarrësve, botën e biznesit italian. Në të njëjtën kohë jemi duke u përgatitur mirë për të qenë të gatshëm që të bëjmë propozime konkrete dhe për të ofruar kushte dhe situata konkrete që mund të jenë të arritshme në mënyrë që të mund të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri pa u dashur që të kalojnë nëpërmjet të njëjtit labirint problemesh që shumë prej jush keni qenë të detyruar t’i kaloni. Sigurisht, kjo shtytje vjen edhe nga fakti shumë i rëndësishëm që në këtë vend ne kemi nevojë mjaft të madhe për vende të reja pune, të cilat nuk mund të krijohen nga shteti, por mund të krijohen nga bota e biznesit, nga hapja drejt botës së biznesit me nxitje të reja. Duam të eksplorojmë potenciale të sektorit të manifakturës në Itali dhe duam të përfitojmë edhe nga ajo gjendje në të cilën sektori i manifakturës po përjeton sot në Itali, në punën e përditshme të vendit tuaj, duke përfituar nga fakti që ne mund të ofrojmë kushte të favorshme dhe mund të krijojmë avantazhe për daljen e ndërmarrjeve italiane jashtë Italisë. Sigurisht, duam të eksplorojmë edhe atë çka mund të bëhet në sektorin e bujqësisë, jo vetëm në fushën e prodhimit, por edhe në fushën e industrisë ushqimore. Ka një potencial të rëndësishëm në Shqipëri për sa i përket fushës së përpunimit agro-ushqimor. Ka një treg jo të ngopur me investime në prodhimin agroushqimor ashtu siç ka edhe në Itali shumë përvojë, mjaft teknologji dhe këtë e them, pa dashur ta vë gishtin në plagën e askujt, e njëjta gjendje e keqe për shkak të problemeve strukturore tatimore që vendet e Bashkimit Evropian në përgjithësi edhe në Itali po përjetojnë sot. Nuk do të kufizohemi me kaq, ka edhe fusha të tjera të rëndësishme në Itali, por për ne janë të mirëpritura edhe industritë e mëdha nëse ka nevojë nga ana e tyre ne jemi të gatshëm për t’i mirëpritur, por fokusi ynë është përqendruar tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme italiane, për të krijuar vende të reja pune edhe me një farë arsyetimi në kohë, që janë më të shpejta, më të realizueshme këto lloj investimesh. Unë di mjaftueshëm për të kuptuar pse nuk kemi sot më shumë se 1200 – 1300 ndërmarrje aktive në Shqipëri. Mund të kishim 20 mijë, por kemi vetëm 1200 apo 1300. Të gjithë i dinë problemet me paparashikueshmërinë e normave me sistemin tonë, në përgjithësi problemet me pronësinë, me administratën, me korrupsionin, me gjykatat, e kështu me radhë, por unë jam i bindur që me vullnetin e mirë, por edhe me idetë e qarta dhe propozime të qarta, jo gjithçka, por shumë prej këtyre gjërave mund të kapërcehen. Di edhe që problemet fillojnë që kur trokitet në derë, që kur hyhet në dogana dhe kur të trokasin në derë dhe shikon tek pragu 2 apo 3, 4 a 5 nëpunës të taksave. Sidoqoftë, unë jam optimist në mënyrë të arsyeshme që ne mund t’ia dalim që të krijojmë kushte më normale dhe që të kemi një vend, ku mund të investohet, jo pa probleme, por sigurisht, pa tepër probleme. Kjo do të thotë sipas meje optimizëm realist. Unë jam i sigurt që me shembuj të rinj, ne mund të fillojmë një proces stabiliteti, normaliteti, në botën e ndërmarrjeve në përgjithësi, por edhe në botën e biznesit italian në mënyrë të veçantë.
Tani unë e mbyll këtu fjalën time. Shpresoj që edhe interesi juaj ashtu si edhe interesi ynë është të mund të vazhdojmë pjesën tjetër të kësaj mbrëmjeje duke diskutuar. Unë jam i gatshëm që t’u përgjigjem pyetjeve.
Faleminderit!
Pyetje – Përgjigje:
-Kam 20 vjet që jam në Shqipëri. Fakti që pas 20 vjetësh po ndërtojmë një fabrikë të re do të thotë diçka. Përfundimi është ky: Të gjithë ne jemi “Dante Aligeri” që kemi ikur nga Firence. Nëse i jepet ky dinjitet sipërmarrësit ai është një motor shumë i fuqishëm.
-Quhem Stefani Falkone dhe drejtoj një shoqëri që merret me zhvillimin e Parqeve Olike. Shoqëria quhet EREN, një shoqëri që përbëhet nga 32 ortakë, investitorë italianë, jetoj në Tiranë prej 3 vitesh.
-Jam Silvana Ismaili dhe përfaqësoj 24 ndërmarrje. Jemi në Shqipëri prej 9 vitesh. Ne po punojmë edhe në sektorin e energjisë, do fillojë pikërisht këtë vit ndërtimi i 4 hidrocentraleve. Ndjejmë vështirësitë për momentin dhe të menaxhimit të këtij problemi në këto vitet e fundit, sepse sipërmarrësit prodhojnë, por shesin vetëm në letër dhe nuk paguhen nga KESH. Unë do të kisha një propozim që lidhet me zonat industriale. 3-4 vite më parë i kërkuam qeverisë së mëparshme shqiptare të na ofronte disa hapësira publike, të kishim mundësinë që t’i restauronim, në mënyrë që të kishte ujë dhe energji elektrike. Ka ndërmarrje të zonës së Venetos që janë të interesuara për të investuar në Shqipëri, sepse siç thatë edhe ju zoti Kryeministër, janë më elastike, zhvendosen kollaj dhe lidhet edhe me vet vendin, sepse duke sjellë këtu personelin dhe njohuritë e tyre, krijojnë dhe rrënjët në këtë vend, sepse Shqipëria është shumë afër. Të gjithë janë të interesuar edhe për 10 përqindëshin që është folur, por edhe më shumë sepse në Itali arrihet në 70-72% tatimi. Ka shumë sipërmarrës që më thonë: “Silvana ne jemi të gatshëm të paguajmë edhe 15%, kur kemi parasysh që në Itali kemi 70-72%. Jemi të gatshëm të vijmë të punojmë nëse na jepen hapësirat dhe mundësitë.”
-Unë jam pronar i një manifakture italiane që ndodhet në Durrës, në sektorin metal-mekanik që ka punësuar 350 punonjës. Kam dy pyetje: Si ka mundësi që një ndërmarrje në momentin që kërkojmë rimbursimin e TVSH-së dhe të taksave na bëhet kontrolli dhe pastaj kalojmë nga kreditorë në debitorë, pa na u rimbursuar asgjë, pa na u kthyer as TVSH e as taksa? Ne kalojmë nga kreditorë, në debitorë. Së dyti, si ka mundësi që nuk zbatohet dogana e thjeshtëzuar? A do të ketë angazhim që edhe në Shqipëri të krijohet thjeshtimi i praktikave doganore?
Kryeministri Rama: “Faleminderit! Sigurisht që këto dhe probleme të tjera janë të vjetra në kohë, janë probleme të akumuluara me kalimin e kohës. Por nga ana tjetër, është e qartë që ne nuk mund të fshihemi dhe nuk mund t’i lëmë gjërat ashtu siç janë, sepse çdo ditë është një ditë e rëndësishme për një ndërmarrje dhe askush nuk do në të vërtetë të mendojë që ne jemi në Qeveri vetëm prej pak më shumë se dy muajsh.
Një nga problemet e rënda që ne kemi trashëguar janë borxhet kundrejt ndërmarrjeve. Në këtë mal borxhesh kundrejt ndërmarrjeve, ndodhen edhe borxhet ndaj sektorit të prodhimit energjetik, por edhe borxhet kundrejt shumë ndërmarrjeve në formën e mosrimbursimit të TVSH-së. Unë mendoj se një Qeveri nuk mund t’u kërkojë asgjë ndërmarrjeve, konsumatorëve, familjeve, në qoftë se nuk është në gjendje të respektojë angazhimet e veta, por edhe t’u përgjigjet për të gjitha ato që sipas ligjit Qeveria është përgjegjëse. Për këtë, përparësia jonë e parë më e rëndësishme është që të kthejmë atë që nuk është e jona, të kthejmë mbrapsht paratë për veprat publike të pa paguara, punimet që janë kryer por nuk janë paguar, për prodhimin e energjisë së marrë, por të papaguar, për shërbimet për spitalet, për shkollat që janë kryer nga sektori privat, por nuk janë paguar, si edhe për sektorë të tjerë, fusha të tjera, madje edhe për biseda telefonike që më kot janë bërë dhe nuk janë paguar, edhe mbledhje, darka të bëra dhe të papaguara.
Në qoftë se Qeveria nuk është në gjendje të bëjë këtë, është e pamundur të kërkojë që të tjerët të bëjnë më shumë. Prej këtej ne duam të nisim me vitin e ri tatimor dhe me buxhetin e ri. Prej këtej jemi nisur edhe në negociatat tona me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore, pasi sikurse e dini, vullneti ynë është që të rifillojmë një program me FMN-në për të rivendosur ekuilibrat makro-ekonomikë dhe të mos lejojmë që vendi të zhytet në borxhe, si dhe për të rritur besimin e botës së biznesit kundrejt këtij vendi.
Pra, me një fjalë, rimbursimi apo kthimi i TVSH-së është ajo që duhet të paguhet nga shteti për sektorin e energjisë, kjo bën pjesë në urgjencën. Thënë të gjitha këto, është e qartë për ne që potenciali i madh i Shqipërisë në sektorin e energjisë, duke pasur burime ujore shumë të rëndësishme, nuk është përkthyer apo shndërruar në një zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori. E ata që e njohin sektorin e dinë shumë mirë që, në këtë terren shumë të frytshëm, ku mund dhe duhej të çohej përpara një projekt kombëtar i qëndrueshëm, janë krijuar probleme të reja, në vend që të zgjidhen problemet e vjetra. Procedura koncesionesh absolutisht absurde, zhvillime jo të planifikuara mirë. Kemi situata, ku atje ku është ndërtuar një hidrocentral, nuk ka ujë për ujitjen e tokave përreth dhe sigurisht nuk e kanë fajin për këtë ata që kanë investuar atje, por mungesa e qartësisë, e qëndrueshmërisë së zhvillimit të sektorit. Por ky nuk është problem i juaji.
Unë këtë e them vetëm që të parashtroj dy gjëra;
· Duhet të riorganizojmë, mbi bazën e një vizioni të plotë integral, Planin e Zhvillimit Energjetik të vendit.
· Duhet të japim një hartë, për të qenë në pozicionin e hapjes së dyerve ndaj investimeve të reja, por edhe të themi, se ku mund të investohet, cili është hapi i parë, i dytë, i tretë e kështu me radhë që duhet bërë.
E pastaj, çfarë duhet të marrin palët nga këto investime. Sepse kemi të bëjmë në këtë sektor edhe me ndonjë kontratë të paqëndrueshme për Qeverinë dhe në qoftë se do të vazhdohet kështu, do ta gjejmë veten pastaj para një paradoksi vdekjeprurës; më shumë prodhim energjetik, më pak kapacitet për ta thithur këtë produkt dhe më e shtrenjtë do të jetë energjia. Këto janë ato nyjet që duhet të zgjidhim në një situatë kaotike në të cilën ndodhemi.
Për sa i përket praktikave doganore të thjeshtëzuara, jam absolutisht dakord. Me ndihmën e Ambasadorit; nuk lodhem duke e përsëritur; kemi vënë në lëvizje, kemi aktivizuar një bashkëpunim të ngushtë me Doganën italiane dhe ajo që duhet të bëjmë është që të lidhim dy sistemet, që do të thotë që, në momentin që trajleri juaj del nga Italia, ai që del hyn në sistemin tonë dhe trajleri juaj mbërrin dhe nuk ka nevojë të kontrollohet, sepse në det ju duhet të jeni tepër të sofistikuar që të mund të ndërroni peshat apo të vendosni pjesë shtesë. Por, edhe në det do të bëjmë më tepër kontrolle, falë Qeverisë italiane që angazhohet edhe në atë front, në gjirin e Bashkimit Evropian.
E kjo nuk është diçka që do të ndodhë pas 1000 vjetësh, por është diçka që do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Do të jetë një ndryshim i menjëhershëm. Me Italinë e kemi përfunduar këtë. Ambasadori mund ta dëshmojë një gjë të tillë. Kemi pasur edhe gatishmëri nga ana tjetër për të lidhur të dhënat dhe të krijojmë një sistem të vetëm të përbashkët. Edhe kur ju dilni nga Shqipëria e shkoni në Itali, menjëherë ajo që del, pasqyrohet në kompjuterin e doganës dhe hyn menjëherë në Itali dhe mund të vazhdoni atje.
Për sa i përket zonave industriale, është absolutisht e vërtetë që moskrijimi i zonave industriale na ka penalizuar në mënyrë shkatërruese. Zonat industriale bëjnë pjesë në projektin që ne kemi me këtë grup pune. Jam i sigurt që pa humbur shumë kohë, ne do të jemi të gatshëm që të kemi propozimet tona dhe më pas është i mirëpritur kush i dëshiron ato. Do të doja të shtoja edhe diçka.
Drejtoresha e re e Doganave, Drejtoresha e re e Tatimeve, jo vetëm janë në dispozicionin tuaj, por bën pjesë në punën e tyre që të organizojnë në mënyrë sistematike, të bëjnë mbledhje si kjo e sotmja, për të dëgjuar drejtpërdrejt nga ju, por jo vetëm me ju, por edhe me të tjerë, problemet, çështjet sipas jush dhe pastaj zgjidhjet e mundshme. Kemi krijuar Këshillin Kombëtar të Ekonomisë, i cili është një forum i përzier ndërmjet Qeverisë, sipërmarrësve, bankave, institucioneve ndërkombëtare dhe një grupi ekspertësh me reputacion të madh ndërkombëtar. Ky këshill; të cilin unë e drejtoj me Ministrin e Financave dhe Ministrin e Ekonomisë; duhet të trajtojë edhe çështje specifike të çdo ndërmarrjeje, në rast se ndërmarrja do të kishte probleme me burokracinë. Këshilli, sigurisht nuk është një institucion që punon çdo ditë, por do të ketë në zyrën e Kryeministrit një sekretari teknike, ku çdo ditë ju dhe të gjithë sipërmarrësit mund të paraqesin problemet e tyre, mund të tregojnë shqetësimet që kanë, të bëjnë pyetje, apo të parashtrojnë ide edhe për Këshillin Kombëtar, edhe përmes Dhomës së Tregtisë Italiane. Kjo dhomë bën pjesë në këtë Këshill.
-Mirëmbrëma zoti Kryeministër! Dëgjoj se flitet shumë për sektorin e manifakturës, unë e pranoj këtë ide që duhet të hapen kufijtë në mënyrë që të vijnë edhe ndërmarrjet e tjera në fushën e manifakturës, por një kërkesë specifike është ajo që të mund të bëjmë të piqen, të rriten edhe më shumë të bëhen ndërkombëtare ato ndërmarrje që ekzistojnë. Një tjetër lajm që nuk është zyrtar, është edhe ulja e taksave në Shqipëri, mund të krijonte një terren që është sot i frytshëm në Shqipëri. Nesër mund të bëjë të kundërtën që ky terren të mos jetë më i frytshëm. Lëvizja e mallrave nga Azia drejt Evropës, e krahasuar me lëvizjen e mallrave tona është poshtë kostove tona, një pjesëmarrje, një ndërmarrje, diçka që mund të përmirësojë dhe lëvizjen detare dhe kjo do të na jepte avantazhe të mëdha.
– Z. Kryeministër, ne së bashku me Ambasadorin kemi paraqitur një sërë çështjes që jua kemi prezantuar në relacionin që ju keni. Unë përfaqësoj Dhomën e Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe kjo nismë e sotme është e rëndësishme qoftë në planin administrativ, por edhe politik, pasi është një risi e madhe që ne besojmë se duhet ta ndihmojmë. Ne do angazhohemi për të garantuar marrëdhëniet me të gjitha Dhomat e Tregtisë Italiane, të ndihmojmë. Besojmë se kjo risi do të sjellë edhe fryte. Unë besoj se ne duhet të kemi nga Qeveria ndihmë, sepse industritë e vogla dhe të mesme që punojnë në Shqipëri dhe përfaqësojmë ambasadorët e vërtetë, pasi ne ndihmojmë që investitorët e rinj të vijnë në Shqipëri.
Kryeministri Rama: “Për sa i përket taksave, unë do të thosha këtë gjë. Nga të gjitha ato që ne mundëm të perceptojmë nëpërmjet shumë takimeve që kemi bërë, kemi bërë 5 mijë intervista të ndërmarrjeve të vogla, të mesme, të mëdha, kur përgatitëm programin tonë për fushatën elektorale zgjedhore dhe që më pas u bë një program i Qeverisë. Sigurisht, i kuptuam shumë mirë duke premtuar dhe duke garantuar konfidencialitetin e tyre që taksimi i vërtetë i këtij vendi, është taksimi i korrupsionit. Pra, 10% është i ligjshëm dhe në fakt shumë më tepër është ajo që del nga xhepat e ndërmarrjeve , është shumë më tepër sesa ai 10%, po të bëjmë shumatoren e të gjithë atyre që vihen në bilanc, që nga TVSH-ja e parimbursuar, pa kthyer edhe pagesat që duhen bërë e kështu me radhë. Më parë unë fola për përgjegjësitë, thashë dhe e përsëris, ne do të marrim përgjegjësitë tona përsipër, të gjitha, sepse na pëlqen apo jo atë çka kemi trashëguar, e kemi për detyrë ta trajtojmë dhe do të fillojmë duke kthyer paratë që u janë hequr në mënyrë abuzive ndërmarrjeve dhe nuk ju janë kthyer, por edhe ndërmarrjet duhet të marrin një përgjegjësi të tyre. Taksimi është taksim dhe kaq. Nuk ka pastaj më tej e më tej. Nuk bëhet fjalë për rritje taksash që do të jenë të ndryshme nga ato që janë sot, por është çështja të thjeshtëzojmë sistemin në taksimin e të ardhurave personale. Pra, të lehtësojmë ata që marrin më pak. Për ne është një detyrim edhe social që një mësues, një infermier, një polic apo edhe dikush që punon dhe ka të ardhura mesatare të paguajë të njëjtën gjë që paguan edhe Kryeministri, Ministri, deputeti e kështu me radhë. 10%-ëshi, e ashtuquajtura taksa e sheshtë është një mashtrim që ne nuk mund ta pranojmë. Ndërsa, për atë që i përket në taksimin e të ardhurave ne do të shkojmë drejt taksës progresive. Kush merr më pak do të paguajë më pak. Për ata që marrin më shumë do të taksohen më shumë dhe kjo është e qartë.
Për sa i përket ndërmarrjes, nuk jemi për të njëjtën formulë. Nuk do të bëjmë një sistem taksimi progresiv, i cili shkon drejt mbytjes, por do të kemi dy nivele. Sigurisht që ato që në Shqipëri quhen ndërmarrje të vogla, në fakt nuk janë ndërmarrje të vogla, por janë vende pune të krijuara për të mbajtur familjen, ne kemi premtuar që do heqim taksën mbi ndërmarrjet e vogla që është një taksë, e cila i shkon komunave, pra pushtetit lokal. Kemi premtuar dhe do të fillojmë duke hequr 10%. Do të shkojmë duke e ulur, poshtë 10%-ëshit për sa u përket ndërmarrjeve të vogla, ndërsa për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha do të shkojmë mbi 10%. Nuk mund t’ua themi tani, sepse po negociojmë me FMN-në, por sigurisht do të jemi në atë hapësirën tonë, nuk do të shkojmë drejt shifrave të papërballueshme. Do të shkojmë drejt niveleve tona. Kjo të jetë e qartë.
Ndërsa, për sa i përket transportit detar, ju e dini që qoftë në transportin detar dhe atë ajror, ne kemi vuajtur për sa i përket një problemi të madh të monopolit dhe ky është fakti. Me transportin detar, jo vetëm jemi prapa, por kemi vuajtur edhe problemin e monopolit, e tarifave të fryra nga fakti që nuk ka konkurrencë, si për sa i përket problemeve me kosto të ulët të transportit ajror, ashtu edhe në transportin detar, ku nuk ka pasur konkurrencë. Për sa i përket transportit ajror, e filluam liberalizimin e tregut dhe kështu besoj se më shumë se një shoqëri do të ketë mundësi të marrë licencën sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Nuk do të ketë asnjë lloj pengese. E njëjta gjë do të bëhet edhe në transportin detar, ku liberalizmi do t’i bëjë gjërat edhe më të thjeshta. Ajo që ne kemi bërë me Italinë, jemi duke u përpjekur ta bëjmë edhe me Kinën, pra thjeshtimin e procesit të hyrje-daljeve në doganë. Aty vërtet besojmë që mund të bëjmë një hap shumë të rëndësishëm përpara si në hyrje për shtetin, ashtu edhe për të garantuar një lloj konkurrence të ndershme, sepse është e vërtetë ajo që thatë ju. Nganjëherë, është vërtet shkatërruese si për shtetin dhe për ju; konkurrenca e pandershme.
–Jam Seliami Noti. Kemi krijuar prej pak kohësh një investim në sektorin e përpunimit të mbeturinave jo të rrezikshme. Doja të ndaja me ju dhe me të pranishmit një shqetësim të vogël, duke menduar pikërisht për interesin dhe ndjeshmërinë që kjo Qeveri ka për temën e mjedisit, përfshirë edhe sektorin e mbeturinave. Ajo që mund të bëjmë është që me pak gjëra të bëjmë shumë dhe ajo që duhet të bëjë Qeveria është që të marrë disa masa për të krijuar shoqëri të reja dhe vende të reja pune. Njëra nga këto masa, me kosto zero për Qeverinë mund të jetë shtysa apo përshpejtimi i mbledhjes së diferencuar të mbeturinave që është i parashikuar në normat ligjore shqiptare dhe kjo do të sillte më shumë ligjshmëri në sektor, por do të sillte gjithashtu krijimin e ndërmarrjeve të vogla si e jona dhe do të nxiste industrinë dhe riciklimin e mbeturinave si edhe do ti jepte një impakt pozitiv mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Dhe kjo do të kishte një kosto pothuajse zero për Qeverinë?
– Unë jam administrator i një shoqërie që është e pranishme prej më shumë se 20 vitesh në Shqipëri, por e pranishme prej 4-5 vitesh në Lezhë me një aktivitet të ri. Përtej problemeve që ju i cituat, vështirësia jonë më e madhe është të punojmë me transparencë dhe me korrektesë, të angazhohemi për të gjetur zgjidhjen e problemit. Krijimi i një këshilli për ekonominë që mund të jetë një element lidhës për sipërmarrësit dhe institucioneve politike, unë shpresoj që të mund të marrë formë në kohë sa më të shpejtë dhe të mund të na japë mundësinë për t’i bërë ballë problemeve që shpesh janë probleme individuale, por që janë probleme themelore për investimet tona këtu. Ne tani jemi duke u përpjekur të nuhasim se çfarë do të ndodhë dhe se çfarë iniciativash mund të marrim?
– Unë kam investuar tek Marina e Orikumit. Jam në Shqipëri prej 20 vitesh dhe i kam kaluar të gjitha periudhat e këtij vendi. Marina që ne kemi në Orikum është një marinë në funksion të plotë në të gjithë kontekstin evropian dhe për fat të keq për shkak të ligjeve që ne i dimë, siç është ai i moratoriumit, na ka penguar mundësinë e operimit në fushën që ne operojmë. Është edhe mungesa sot e një rregulloreje për aktivitetin që unë kryej. Kjo mungesë nuk është as në dobi të shtetit shqiptar, por edhe të investimeve evropiane që do të kishin kënaqësi që të vinin në Shqipëri.
Kryeministri Rama: “Faleminderit për ndërhyrjen tuaj. Unë besoj se është një sfidë shumë e rëndësishme për ne, që ta integrojmë Shqipërinë. Themi ta integrojmë Shqipërinë dhe një pjesë e këtij integrimi, është të integrojmë detin tonë në detin Mesdhe, pasi është vetëm një copëz deti në gjithë detin Mesdhe, ku në fakt nuk ka det në kuptimin e ekonomisë së detit. Ju e dini më mirë se unë që edhe të gjithë udhët detare, e shmangin këtë pjesë, këtë segmen. Bëjnë një zig-zag sikur këtu në vend të detit të kishte beton. Është një sfidë kjo që ne duhet ta përballojmë qoftë nga pikëpamja turistike, qoftë nga pikëpamja ekonomike. E atëherë, unë do t’ju isha shumë mirënjohës nëse ju do të viheshit në kontakt me këtë grup dhe me kryetarin e grupit Artan Gaçi, për të diskutuar për këtë rregullore, pasi ne jo vetëm nuk dimë gjithçka, por ka edhe sektorë, zona, ku kemi mungesë të konsiderueshme njohjeje. Dhe ky është një sektor i paeksploruar.
Besoj që ky është një çast shumë i rëndësishëm nëse duam vërtet të krijojmë edhe një shembull që të tregojmë që marina funksionon, të luftojmë skepticizmin që është krijuar nga fakti që ne kemi humbur detin prej vitesh për shkak të këtij ligji të mallkuar që në fakt na ka lënë pa det.
Jam në djeni të problemit të ndërmarrjes së Lezhës dhe është duke u bërë një vlerësim në mënyrë që t’i jepet një zgjidhje këtij problemi. Unë jam shumë dakord me ju që sidoqoftë duhen krijuar kushtet në mënyrë që të jepet çdo përgjigje sa më shpejt. Më kujtohet një sipërmarrës para ca vitesh që thoshte se me administratën këtu ka një problem të dyfishtë. Nuk është problemi se të thonë “Po”, por nuk thonë as “Jo”. Në qoftë se më thua “Jo”, më zgjidh një problem të madh, sepse unë do të shkoj diku tjetër, por nëse ti më thua “Po, po”, dhe asnjëherë “Jo”, atëherë kjo i shton kostot. Ky sekretariat i Këshillit Kombëtarë të Ekonomisë, do të fillojë punën së shpejti, do të jetë krejtësisht operativ në muajin janar. Sekretari i këtij këshilli që do të merret personalisht me të gjithë veprimtarinë e zyrës do të jetë një avokat me emër të madh këtu në Shqipëri është Genc Boga, një avokat që i njeh shumë mirë problemet e sipërmarrësve, të biznesit, ne ia kemi kërkuar këtë angazhim dhe ai e pranoi. Ne deshëm që të jetë ai, pasi ai e njeh mirë gjuhën e problemeve të sipërmarrësve të huaj në Shqipëri.
Ndërsa, për sa i përket mbetjeve, unë besoj se në një kohë të afërt Ministri i Mjedisit do të shpallë një projekt shumë tërheqës, i cili do t’i japë një shtytje të rëndësishme përpara, do të shënojë një hap përpara për të gjithë ata që kanë investuar në industrinë e riciklimit të mbetjeve. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme edhe këtu që të kemi një dialog dhe të mund të kuptojmë pa humbur kohë gjërat që ju i kuptoni më mire, edhe falë faktit se ju merreni me këtë profesion prej shumë vitesh, prandaj është edhe një gjë, ka shumë probleme mbledhja e mbetjeve dhe më pas diferencimi, i cili është një tjetër nivel. Ka një problem shumë të madh për të trajtuar.”
-Përshëndetje, unë investoj në Vlorë prej 23 vitesh. Problemi që ne kemi evidentuar është problemi i lejeve të qëndrimit. A mund të na jepet të gjithëve ne kjo pasi ne po investojmë dhe paguajmë taksa, por nuk na jepet leja e qëndrimit?
-Z. Kryeministër, unë përfaqësoj një ndërmarrje që punon prej 1996-ës në Shqipëri. Ne merremi me gaz për mjekësinë. Jemi një ndërmarrje për përdorim teknik, në nivelin infrastrukturor. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe politika punën e vet. Duhet të jemi të ndarë secili në rrugën e vet, por duke bashkëpunuar për të mirën e vendit. Ajo që mungon dhe urojmë që të arrihet është një qartësi në marrëdhënie dhe përgjigje të qarta.
–Unë vij nga Breshia dhe kam investuar në fushën e saldimeve. Do të doja të dija në lidhje me certifikimin e ndërmarrjeve. Nuk është puna të blihen thjesht certifikata, por të kryhet një punë dhe të arrihet drejt cilësisë?
Kryeministri Rama: “Mbi të gjitha unë ju falënderoj për këtë shkëmbim shumë të sinqertë mendimesh. Unë di që sot është më e thjeshtë për mua pasi, jam i ri në këtë detyrë, por pas nja 6 muajsh apo një viti do të jetë më e vështirë, sepse ju edhe bujaria nga ana juaj do të jetë më e pakët, pasi do të flitet për probleme e gjëra që më pas unë nuk mund të them se nuk na përkasin. Sidoqoftë, unë ju them se kjo nuk është hera e fundit që ne do të bëjmë takime të tilla. Do të ishte shumë mirë të organizonim gjëra të tilla jo në mënyrë shumë të shpeshtë, por sistematike, të bënim një lloj analize çdo 6 muaj dhe kjo nuk do t’i bënte dëm askujt. Është e rëndësishme, se tani me ndryshimin e 23 qershorit, ka ndryshuar një pikë shumë e rëndësishme ndër shumë pika të tjera themelore, por unë do t’ju lutesha që nëse opozita do të kërkonte të bënte të njëjtën gjë, duhet ta bëni edhe me ta. Askush nuk duhet të ketë frikë që të shihet në TV duke folur me opozitën apo të ketë nesër nëpunësit e taksave që ju shtojnë detyrimet tatimore që nuk ekzistojnë.
Unë jam i sigurt se një botë e hapur ndërmjet politikës, Qeverisë, opozitës dhe botës së sipërmarrjes, ndihmon, i ndihmon të gjithë. Është një opozitë që mund të komunikojë lirshëm me botën e sipërmarrjes, është një opozitë me këmbë në tokë, por edhe me zërin më të lartë për probleme të vërteta. Ne nuk kemi mundur më parë, kur ishim në opozitë, të kishim një takim të tillë, jo për shkakun tuaj. Por unë, ju lutem që të pranoni çdo lloj ftese që mund t’ju bëjë edhe opozita e të flisni me ta, me sinqeritet, haptazi, pa asnjë problem, edhe nëse do të thoni ato fjalë që mendoni dhe që nuk do të më pëlqenin mua apo Qeverisë, pasi rritet shtytja për t’i bërë punët edhe më mirë. Konkurrenca politike duhet të jetë kush punon më mirë e jo kush i fsheh më mirë problemet. Pasi, duke i fshehur problemet arrijmë pastaj në situata si këto që kemi parë.
Së dyti, unë do t’i thosha mikut këtu, që është prej 23 vitesh në Shqipëri, nuk kam një përgjigje sot për këtë pyetje, mbi lejet e qëndrimit në Shqipëri
Për sa i përket faktit të korrektesës që theksoi sipërmarrësi tjetër këtu, unë do të doja t’ju thosha që një nga arsyet kryesore, për të cilin do të hapë dyert ky Sekretariat, është që të luftojmë së bashku aktet e mungesës së korrektesës. Ajo që pengon, në mënyrë tradicionale, një sipërmarrës që ta ngrejë zërin kundër një nëpunësi taksash që i vjen te ndërmarrja dhe merr rolin e të zotit të shtëpisë e pastaj ndodhin edhe mitmarrja, shpërblimet, është sepse nuk ka mundësi për ta çuar këtë problem në një nivel më të lartë. E pastaj, nga ato që ne dëgjuam këtu, pamë që ka nga ata që provuan të ngrenë zërin dhe rezultati ka qenë që u kanë kërkuar para nën dorë. Janë gjendur përballë njerëzish që nuk dinin asgjë për këto fakte.
Atëherë, a duhet ta mbyllim këtë qark? Duhet të lemë Ministrin e Ekonomisë, Ministrin e Financave dhe Kryeministrin pa alibi? Çfarë do të thotë kjo? Në qoftë se ju ndodheni përballë një përpjekjeje për ta marrë peng situatën me një presion, për t’i marrë para, apo përballë një problemi burokratik që nuk zgjidhet me kalimin e kohës, nëpërmjet këtij Sekretariati, t’i parashtrohet Këshillit Kombëtar të Ekonomisë një problem konkret, ku Ministri i Ekonomisë, i Financave dhe vetë Kryeministri, të jenë në dijeni të problemeve dhe pastaj, nëse ai nëpunës nuk largohet nga puna, apo nuk paguan pasojat e sjelljes së vet, ose procedura burokratike nuk zgjidhet, atëherë ta dini se atje ka një problem shumë më të rëndë se ai që paraqitet në dukje. Gjë që do të thotë se, qoftë Ministri i Financave, qoftë i Ekonomisë, duhet të jenë në gjendje që të distancohen nga akte të tilla, qoftë nga personat jo korrektë, qoftë nga procedurat jo korrekte dhe duhet t’i zgjidhin këto probleme. Atëherë, kur të gjithë ata që do të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me sipërmarrësit, me biznesin, ta dinë që nëse bëjnë një gjë të padrejtë, ai akt, ai veprim, mund të përcillet në nivele më të larta, atëherë do të mendohen dy herë para se ta bëjnë një gjë të tillë, ose nuk do ta bëjnë më. Kjo do të bëjë që të bjerë ai presion.
U fol shumë këtu për Italinë. Unë po ju them një gjë. Është shumë e rëndësishme që këtu, sipërmarrësi italian, shqiptar, gjerman, kushdo qoftë, të vihet në të njëjtin vend që vëmë artistët, sportistët, ata që merren si shembull. Sipërmarrësit janë krijuesit e vendeve të punës, janë krijuesit e mirëqenies dhe të pasurisë dhe në këtë vend, për fat të keq, të gjithë fshihen, sepse po të dalësh në dritë paraqet një rrezik, që sjell edhe presion ku mund t’u kërkojnë para. Në fakt, ne duhet t’u mësojmë të rinjve sipërmarrës që ky është një akt kurajoje, guximi, përgjegjësie dhe një akt ndihme ndaj njerëzimit. Nuk është t’i bësh keq askujt. Nuk do të thotë ta shohësh tjetrin me dyshimin që ka përpara një kriminel, një mafioz apo dikë që vë pasuri duke “ia pirë gjakun njerëzimit”. Këtu është një situatë, ku pjesa më e madhe e ndërmarrjeve refuzojnë të bëjnë edhe publicitet, refuzojnë të dalin në dritë, pasi po bënë reklama, u vjen më pas nëpunësi i taksave dhe u thotë: “Aaa, ti paske para për të bërë publicitet e nuk paske para për mua!” Domethënë, jemi një vend, sidoqoftë, me një përdorim të madh, të gjerë, të internetit dhe nëse shohim numrin e ndërmarrjeve që kanë faqe online, është më i ulëti në Evropë. Nga frika. Jo, sepse nuk dini apo nuk doni ta bëni, por nga frika.
Atëherë, duhet ta ndryshojmë këtë gjë. Duhet t’i vendosim në piedestal të gjithë sipërmarrësit, si gjithë shembujt e mirë të shoqërisë. Nuk janë evazorë të lindur, nuk u shmangen taksave, por janë krijues të vendeve të punës, të mirëqenies e të pasurisë. Problemi nuk janë të pasurit. Problemi është varfëria dhe të luftosh varfërinë pa të pasurit, do të thotë të luftosh kundër mullinjve me erë, të luftosh kundër asgjëje.
E për ta mbyllur, do të thosha dy gjëra:
Ne në fund të vitit do të organizojmë një veprimtari tjetër, po e them me modestinë tonë, për të dhënë një çmim “Oskar” për biznesin, në fusha të ndryshme dhe për merita të ndryshme, sigurisht edhe për të krijuar këtë figurë të re të sipërmarrësit në këtë vend.
Nga ana tjetër, do të organizojmë edhe një konkurs, ku unë ju ftoj të gjithë juve të merrni pjesë: “Konkursin e procedurës më absurde”, do ta quanim. Domethënë, procedura më absurde që një sipërmarrës i huaj ose shqiptar ka pësuar apo ka pasur të bëjë, falë “rregulloreve tona evropiane”. Nuk është shaka kjo. Sigurisht, është edhe një mënyrë për të qeshur, por 10 procedurat e para absurde, do të shfuqizohen. Në qoftë se ju keni ndonjë gjë, ndonjë obsesion me ndonjë procedurë të caktuar, merrni pjesë në këtë konkurs, shpjegoni mirë pasojat psiko-fizike të asaj procedure dhe ne do të kundërveprojmë dhe do të shpëtojmë njerëz të tjerë nga kjo torturë që keni hequr ju përpara.
Pra, këto janë dy gjërat që ne duam të organizojmë në fund të vitit, në botën e sipërmarrësve. Në natën e çmimeve “Oskar” për sipërmarrësit, do të bëhet edhe mbledhja e të gjithë produkteve të konkurrentëve të këtij konkursi, procedurës më absurde që ju përmenda.
Kjo ishte ajo që doja t’ju thosha. Anglezët kanë një fjalë të artë, e cila thotë: “ta thuash është e lehtë, por ta bësh është pak më e ndërlikuar”. Por sidoqoftë, ka edhe një fjalë tjetër që juve ju tingëllon shumë mirë që: “fjala ishte e para”. Pra, pa fjalën nuk mund të shkojmë më tutje. Sot fjalët, nesër faktet.
Faleminderit!