Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama vizitoi në Spitalin e Traumës efektivët e Policisë të plagosur në krye të detyrës, gjatë protestës së sotme në kryeqytet. “Besoj që çdo prind dhe çdo familje e parafytyron se çfarë do ndjente nëse vajza 24 vjeçare do kthehej në shtëpi pa gishtat e dorës, të këputur. Të gjithë mund ta parafytyrojnë, çdo familje mund ta parafytyrojë, çdo prind mund ta parafytyrojë, çdo vëlla, çdo motër mund ta parafytyrojë çdo të thotë të të vijë vajza 24 vjeç me gishta të këputur, pasi ka dalë në mëngjes nga puna për të kryer detyrën.

Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur në Shqipëri, qysh kur kanë filluar prishjet masive për interes publik, që nga parku “Rinia” dhe me radhë. Pavarësisht kush ka qenë në qeveri, është hera e parë që një parti politike merr përsipër, bashkë me një grup njerëzish, – ku ka një pjesë që janë zaptues profesionistë trojesh dhe një pjesë tjetër janë të ngatërruar e të keqkuptuar pa lidhje, kundër interesit publik, – për të frenuar zhvillimin e një vepre që nuk kanë për ta frenuar dot. Prerja e gishtave të vajzës është vërtetë një vijë e kuqe që është vendosur sot mes atyre që kanë marrë përsipër t’i kundërvihen ligjit dhe Policisë së Shtetit që është në mbrojtje të ligjit dhe në mbrojtje të interesave publike dhe të komunitetit.

Kjo është fare e qartë. Nuk ka shans që ligji të mos zbatohet njësoj për të gjithë dhe nuk ka shans që Polica e Shtetit të kthehet në shënjestër për kapsollat, për gurët apo për kërcënimet e një grupi njerëzish që duhet të largohen që aty.

Ata që kanë letrat e pronës do të dëmshpërblehen si të gjithë në Republikën e Shqipërisë gjatë gjithë viteve, qofshin me tituj të vjetër, qofshin edhe të legalizuar, ashtu siç janë legalizuar, por kjo nuk ka rëndësi sepse zbatohet ligji. Ata që janë aty, vetëm me një strehë dhe nuk kanë gjë tjetër do të marrin bonusin e qerasë 3 vjet si gjithë të tjerët në këto raste, bonus qeraje që nuk do e merrnin kurrë përpara 2013 dhe e marrin pas 2013.

Të tjerët duhet të largohen sa më parë se nuk do marrin absolutisht as edhe një gjë. Përkundrazi, sa më shumë i bien ndesh ligjit, aq më shumë do përballen me ligjin,” – u shpreh Kryeministri Edi Rama, në prononcimin për mediat e pranishme.

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.