Pas vizitës zyrtare në Seul, Kore e Jugut, Kryeministri Rama do të vijojë sot agjendën me vizitën zyrtare në Tokio, Japoni, (21 – 23 maj), me synim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
Gjatë qëndrimit në Tokio, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me Kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, si edhe një vizitë kortezie me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Eisuke Mori.
Në kuadër të vizitës, Kryeministri Edi Rama do të vizitojë gjithashtu Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku do t’u drejtohet pjesëmarrësve në një panel diskutimi me titull “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”. Kryeministri Rama do të prezantojë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2030 dhe do të theksojë rëndësinë e partneritetit strategjik me një vend që ndan të njëjtat vlera si Japonia, në një botë ku mbrojtja e përbashkët e vlerave tona të përbashkëta është bërë ekzistenciale.
Axhenda e vizitës përfshin gjithashtu një takim me anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni–Shqipëri dhe një takim me drejtuesit e lartë të Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme (JETRO).
Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një tryezë të rrumbullakët me drejtuesit e Federatës Japoneze të Biznesit (KEIDANREN) dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, me qëllim prezantimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë dhe inkurajimin e investimeve japoneze në vend.