Kryeministri Edi Rama i dërgoi një letër Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, pas vizitës që ai së bashku me delegacionin e tij zhvilluan në Tiranë më 15 shkurt.
Kryeministri Rama e falenderoi Sekretarin Blinken për realizimin e kësaj vizite, teksa riafirmoi angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për aleancën me Shtetet e Bashkuara dhe synimet e përbashkëta për promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.
Ndër të tjera, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për reformimin e disa prej sektorëve të shoqërisë, të cilët janë thelbësorë për suksesin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE.
Kryeministri siguroi gjithashtu për angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal, ndërsa vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin në rajon.