Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Nju Jork, zhvilloi një takim me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi. Në këtë takim pune u diskutua për shumë çështje të interesit të përbashkët për të dy vendet, veçanërisht për axhendën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës. Gjatë takimit u bisedua gjithashtu edhe për projekte të përbashkëta, me interes reciprok për të dy shtetet.

Në përfundim të takimit të dy kryeministrat dhanë prononcim për mediat.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se në këtë takim pune u diskutua koordinimi i forcave në funksion të njohjeve të reja të shtetit të Kosovës: “Ishte kënaqësi e posaçme që u takuam, edhe pse takimet midis nesh janë gjithnjë e më të shpeshta. Ishte kënaqësi aq më tepër këtu në Nju Jork, në këtë moment të rëndësishëm të vitit politik dhe padyshim, që mundëm të shkëmbejmë pikëpamjet për thellimin e një procesi bashkëpunimi që tanimë ka filluar. Në ndërkohë shkëmbyem mendime edhe për koordinimin e forcave në funksion të njohjeve të reja të shtetit të Kosovës, si dhe në funksion të partneriteteve ekonomike midis nesh dhe me palë të treta”.

Kryeministri Thaçi ka pohuar se është diskutuar për hapat që do ndërmerren për bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës: “E falënderova edhe njëherë Kryeministrin Rama për mbështetjen e fuqishme, që po jep për Republikën e Kosovës në procesin e njohjeve, në çdo takim që ka patur me lidershipin botëror këtu në Nju Jork. Ne diskutuam për hapat që do ndërmerren për bashkëpunimin strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajon. Natyrisht, kemi një axhendë e cila lidhet drejtpërdrejtë edhe me procesin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Për këtë çështje, që njohjet të rriten, besoj se angazhimi i Shqipërisë dhe i Kryeministrit Rama do të vazhdojë të jetë fuqimisht i përkushtuar”.

Axhenda e takimeve të Kryeministrit Rama në Nju Jork ka vijuar me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe ndihmën e mbështetjen që Austria ka dhënë deri tani për Shqipërinë. Kryeministri Rama e njohu Presidentin Austriak me prioritetet e qeverisë së re në integrimin sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij, Presidenti Heinz Fischer e siguroi Kryeministrin për mbështetjen që Austria do t’i japë Shqipërisë në dhjetor për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Marrëdhëniet e mira tregtare dhe të sipërmarrjes, mes dy vendeve, ishin një tjetër pikë e rëndësishme e takimit. Kryeministri Rama e siguroi Presidentin Fischer për klimën pozitive të biznesit në Shqipëri dhe ftoi sipërmarrësit austriakë të investojnë në vendin tonë.

Kryeministri Rama zhvilloi edhe një takim miqësor me kongresmenin Eliot Engel, i cili e përgëzoi Edi Ramën për fitoren e thellë në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për programin qeverisës që mori votëbesimin e parlamentit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.