Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama u nderua me çmimin e solidaritetit nga Organizata “Vital Voices Global Partnership” në SHBA, për mikpritjen që Shqipëria iu bëri refugjatëve afganë, duke ofruar për ta strehim, arsimim, shërbime mjekësore, e mbështetje psikosociale.

Çmimi iu dorëzua Kryeministrit Rama, nga ish Sekretarja e Shtetit të SHBA, zonja Hillary Clinton,  njëkohësisht dhe një nga themelueset e organizatës, çmim, i cili dedikohet për njerëz të shquar që kanë treguar guxim dhe dhembshuri në mbrojtjen e grave dhe vajzave në mbarë botën.”

Kryeministri Rama u nderua më ketë çmim gjatë një mbrëmje të veçantë, të organizuar me këtë rast, gjatë të cilës u shfaq një dokumentar dhe një mesazh mirënjohës nga gratë afgane që ndodhen aktualisht në Shqipëri, drejtuar Kryeministrit Rama.

“Një nga vendet që nuk i braktisi afganët ishte Shqipëria. Kryeministri i saj, Edi Rama, u angazhua të priste deri në katër mijë refugjatë afganë, më shumë sesa çdo vend tjetër në botë. Vital Voices dhe një koalicion i grupeve të grave mbështeti evakuimin e rreth 1 000 udhëheqëseve gra: ministre të qeverisë, mjeke, drejtuese të shoqërisë civile, atlete, gazetare dhe shumë të tjera. Koalicioni me partnerët shqiptarë po u siguron strehim, arsimim, shërbime mjekësore, mbështetje psikosociale dhe të traumës. “Është gjëja e drejtë e më e natyrshme për t’u bërë,” u shpreh Z. Rama në një intervistë për Neë York Times, “Ne nuk i vendosim njerëzit në kampe. Ato janë çnjerëzore.” – thuhej në këtë dokumentar.

 

Ndërsa, zonja Hillary Clinton u shpreh në fjalën e saj:

“Mirëmbrëma! Çfarë mbrëmjeje e jashtëzakonshme dhe frymëzuese solidariteti. Më kujtohet gjithë ato vite më parë kur filluam Vital Voices, kur shpresonim se do të bëhej rrjeti global që është sot dhe është kaq përmbushëse të dëgjosh historitë e njerëzve që nderohen sot. Billi, Roberto, Xhejms dhe Den, ju falënderoj secilin prej jush për atë që bëni, për udhëheqjen që ofroni ndërkohë që vazhdojmë të sigurohemi që zëri i çdo gruaje e vajze të të vlejë.

Gjatë muajve të fundit, jemi përballur me përvojën e pabesueshme të kthimit në Afganistan të një grupi burrash, të cilët duan ta kthejnë orën mbrapa për gratë dhe rolin e të drejtat e grave. Do të doja që ata të ishin njerëzit e vetëm sot në botë që duan të kthejnë kohën pas. Për fat të keq, ka shumë prej tyre, që janë jo vetëm pengesë për përparimin, por, më keq se kaq, janë instrumente të përpjekjes për të zhbërë përparimin e bërë. Ja pse na duhen më shumë se kurrë udhëheqës, aktivistë dhe, veçanërisht, duke iu përmbajtur temës së sotme, burra, burra të mirë Xhejms, burra të mirë që ngrihen, flasin dhe mbështetin të drejtat dhe rolet e grave. Kësisoj, është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua t’ju prezantoj dikë të cilin e admiroj, të cilin kam patur privilegjin ta njoh, karrierën e të cilit e kam ndjekur me interes dhe admirim të madh, udhëheqja e të cilit është simbol i një misioni të përbashkët, atë të ngritjes së grave dhe vajzave. Tani, mjaft udhëheqës ndërkombëtarë nuk ishin të gatshëm të bënin shumë. Edhe kur iu kërkua, gjithnjë në rastin kur u përgjigjën pozitivisht, angazhimet që morën ishin shumë të vogla. Megjithatë, pati një numër të vogël – dhe, për fat të keq, kaq janë, një dorë e vogël – udhëheqësish, që u shprehën të gatshëm në një kohë nevoje të madhe. Në krye të kësaj liste është Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama kuptoi thuajse instinktivisht sa e rëndësishme ishte të shtrinte dorën, të thoshte “po”. Kështu, së bashku me Vital Voices, Institutin e Xhorxhtaunit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Gratë për Gratë dhe Nina’s List dhe shumë të tjerë, Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e, kryesisht, grave në nevojë dhe, falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri.

Kur e mora në telefon kryeministrin për ta falënderuar për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, ai u përgjigj shumë natyrshëm “po çfarë tjetër duhet të kishim bërë”. Do doja të kishte më shumë udhëheqës me këtë lloj qasjeje. Por kjo nuk është e vetmja arsye që ai nderohet sonte. Pas rizgjedhjes së tij, në shtator, Kryeministri Rama shënoi një rekord historik, duke emëruar numrin më të madh ndonjëherë në Shqipëri të grave në qeverinë e vendit. Mbi 70 për qind e ministrave të kabinetit të tij qeveritar janë gra dhe disa prej tyre gjenden këtu këtë mbrëmje – partnere të barabarta në përpjekjen për të formësuar vendin të cilit i shërbejnë. Ai vazhdon ta  vendosë barazinë gjinore në qendër të agjendës së qeverisë së tij dhe të ngrejë zërin kundër dhunës gjinore dhe krah forcimit të pjesëmarrjes ekonomike të gruas shqiptare. Në një kohë kur në mbarë globin tonë të drejtat dhe siguria e grave janë në momente të vështira, angazhimi i Kryeministrit Rama për të çuar përpara mirëqenien, mundësitë në Shqipëri dhe për afganët e të tjerët duhet të na frymëzojë të gjithëve për të vepruar. Kësisoj, në emër të Vital Voices, kam nderin e madh t’ia jap Çmimin e ““Vital Voices Global”, Kryeministrit Edi Rama.

* * *

Kryeministri e vlerësoi çmimin e nderit të jashtëzakonshëm, ndërsa aktin e solidaritetit me popullin afgan si një detyrim për brezat e rinj:

Përpara se t’ju them ato që duhet të them, dua t’ju tregoj se, sipas Vital Voice (zërit jetik) në familjen time, gruas sime, Linda, modestia nuk është pika ime e fortë. Kështu që, kur më dëgjoni që ju them se ndihem jo vetëm i përulur, por edhe i sekëlldisur për këtë nderim të jashtëzakonshëm që më bëhet, e mendoj kështu vërtetë sepse më duket një shenjë mjaft alarmuese për botën në të cilën jetojmë, kjo dëshirë e madhe për të vlerësuar një gjykim bazik të arsyeshëm.

Përpara sesa të mbërrinte Sekretarja Klinton, “hija” që e ndjek pas, hije fort e bukur, meqë ra fjala – Huma Abedin, më takoi dhe më tha “ti je hero”. Sigurisht të vjen mirë të dëgjosh fjalë të tilla nga një grua aq e mrekullueshme, por unë nuk jam hero. Nuk është kurrëfarë heroizmi të mos u kthesh kurrizin njerëzve që rrezikojnë të vdesin. E meqë po flasim për heronj, dua ta vë diskutimin në kornizën e duhur, duke ju thënë se heronjtë ishin të tjerë. Heronj ishin shqiptarët që kishin gjithçka për të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtuan hebrenjtë, duke e bërë Shqipërinë vendin e vetëm në Europë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa në nisje të saj dhe duke e radhitur Shqipërinë tek të drejtët mes kombeve, përmes shpëtimit të 3750 hebrenjve dhe mbylljes së kapitullit të Luftës pa asnjë hebre të dorëzuar te nazistët. Pati shumë heronj ajo kohë. Njëri prej tyre quhej Mustafa Rezniku i cili është nderuar po ashtu nga shteti i Izraelit si i drejtë mes kombeve. Ai shpëtoi 42 familje hebreje, por veprimtaria e tij e fshehjes së hebrenjve në fshatra të ndryshme përreth vendbanimit të tij, u spiunua tek nazistët dhe kur ata shkuan tek ai e i kërkuan të dorëzonte hebrenjtë, ai u dorëzoi dy djemtë e tij. Të cilët përfunduan në Mathausen. Por nuk i dorëzoi hebrenjtë!

Ka shumë histori si kjo po e gjitha vjen nga shumë kohë më parë, kur shqiptarët shkruan kushtetutën e tyre të parë. Paragrafi kyç i kushtetutës sonë të parë thotë: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Nënvizoj, fjala “mik” në atë paragraf nuk nënkupton vetëm atë që fton, por edhe të që të troket e shfaqet në derë i paftuar dhe ajo trokitje është detyrimi që ke ndaj Zotit për ta hapur derën e për t’iu gjendur atij që troket. Kur ishim mbledhur në qershor në një takim të vendeve anëtare të NATO-s dhe po flitej për tërheqjen nga Afganistani, unë përmenda edhe nevojën për t’u marrë me çështjen e “tradhtarëve”. “Tradhtarët”, siç na mëson historia jonë mjaft e hidhur e diktaturës, janë ata që pasi instalohet një regjim shikohen si bashkëpunëtorët e armikut dhe në këtë rast, “tradhtarët” ishin të gjithë ata afganë, burra e gra, që na u gjendën ne, që punuan me ne, që mbuluan kaq shumë shërbime për vendet e NATO-s. Gjithashtu ishin ata që u rreshtuan në vijën e parë të ndryshimit, pasi besuan në ato që u thamë ne, që ishim aty për ta bërë një vend ndryshe Afganistanin. Ata na besuan, u rreshtuan krah nesh dhe befas, pas njëzet vjetësh, ne ikëm. Sigurisht, ky nuk ishte vendimi im. Unë e them përherë se të jesh Kryeministri i Shqipërisë në NATO është punë goxha e lehtë, sepse nuk të takon ty t’i marrësh vendimet. Por gjithsesi, mu duk mjaft e çuditshme që askujt nuk po i shkonte mendja tek këta njerëz. Më pas, në gusht, kur situata nisi të vështirësohej, dikush erdhi në Shqipëri e më tha: “Sekretares Klinton i duhet ndihma jote”. Ia ktheva: “Si është e mundur? As në ëndërr s’e kam parë!” “E kam seriozisht!”, vazhdoi ai. Pastaj ai, se ishte një “ai”, meqë ra fjala më tregon për Vital Voice e gjithë të tjerat dhe unë i them: “Në rregull, le ta bëjmë”. “Si?”, thotë.

“Ta bëjmë, t’i marrim këto gra”.

Më thotë: “A do që të të marrë në telefon Sekretarja Klinton?”

“Jo i them, le ta bëjmë, pastaj, nëse do të kujtohet më për këtë, le të më marrë në telefon.” E di, meqë ra llafi, se është shumë amerikane… të paparë kur vjen puna për të të joshur e, pastaj, kur mbarojnë punë të thonë: “Më fal kush je?”

Megjithatë nuk ishte ky rasti dhe ajo më telefonoi. Kur të gjitha gratë në listë ishin shpëtuar e vendosur në Shqipëri, më telefonoi dhe sigurisht ishte nder shumë i madh sepse duhet ta dini që nëse quhesh Klinton në Shqipëri apo mes shqiptarëve, kjo është diçka shumë speciale që lidhet me çlirimin e gjysmës së kombit tonë, Kosovës. E meqë ra fjala, është i vetmi vend mbi këtë tokë, ku sot ka njerëz, djem, që e kanë emrin Klinton – emrin, jo mbiemrin. Madje ka edhe djem që quhen Billklinton. Kështu e kanë thjesht emrin, si të themi, Billklinton Rama dhe të gjithë këta djem që sot janë rritur, ishin bebe të sapolindura në kohën kur falë Presidentit Klinton, Zonjës së Parë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara asokohe, ai popull u çlirua nga një regjim, i cili u përpoq ta spastronte etnikisht që të gjithin.

E pra thelbi është që ne e bëmë këtë sepse mendoj se edhe si vend anëtar i NATO-s po ashtu, na takonte ta bënim. Ne jemi një vend i vogël, nuk mund të ndryshojmë fatet e asnjë lufte dhe shkojmë në luftë kur e vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ama nëse nuk gjendemi as kur bëhet fjalë për të shpëtuar njerëz pa bërë sidoqoftë akte heroike si ato që gratë e burrat e vjetër përpara nesh bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore pse duhet të jemi anëtarë të NATO-s dhe ç’vlerë kemi fundja në këtë botë?!

Nga ana tjetër ne ishim afganët e 30 vjetëve më parë, kur na u desh t’i shpëtonim një regjimi mizor i cili nuk ishte fondamentalist islamik, por ishte fondamentalist ateist. Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë që e kishte të shkruar në Kushtetutë se ishte një republikë ateiste dhe njësoj si talebanët, ata hodhën në erë me dinamit, jo statujat e Budës, por 2453 kisha e xhami dhe dogjën rrugëve 300 000 vepra arti fetar dhe libra të shenjtë. Ishim Koreja e Veriut e Europës dhe ne afganët që largoheshim nga vendi me anije. Kur mu desh të bëja publik vendimin për të pritur afganët, postova një foto të afganëve në avion në atë avionin e çmendur që iku nga Kabuli plot me njerëz dhe të shqiptarëve në anije 30 vjet më parë. E njëjta pamje, të njëjtët njerëz, vetëm kombe të ndryshme në mjete lëvizëse të ndryshme. Jam shumë krenar t’ju them se asnjë parti politike shqiptare nuk i tha “jo” pritjes së këtyre njerëzve dhe opinioni ynë publik ishte shumë në mbështetje të mikpritjes së tyre, por po ashtu mendoj, se duhej ta bënim edhe si detyrim ndaj fëmijëve tanë. Ata duhet ta dinë se në këtë jetë, ka një kohë kur merr dhe ka një kohë kur jep. Atëherë ishim ne që morëm, tani ishte radha jonë të japim.

Ndërsa për gratë në qeveri, kjo është shumë e thjeshtë, nuk kam pse marr lëvdata për këtë. E kam bërë duke ndjekur në një farë mënyre këshillën e zonjës së hekur, Margaret Theçer. Ajo thoshte: “Nëse do që diçka të thuhet, kërkoja një burri, nëse do që diçka të bëhet, kërkoja një gruaje”. Tani, çështja është që ajo vetë nuk zgjodhi asnjë grua në qeverinë e saj. Ndoshta sepse ishte vetë aty sa për çdo grua tjetër  por mua nuk më dilte hesapi ashtu, kështu që mu desh të zgjidhja shumë gra për të bërë punën dhe jo sepse jam i veçantë. Unë thjesht e di nga përvoja që nëse do muhabet për diçka, burrat janë gati dhe mund të flasin e të flasin pa mbarim. Po nëse do që të kryesh punë, mos humb kohë me burrat. Kjo është këshilla ime modeste.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.