Kryeministri Edi Rama u nderua sot me një pritje të veçantë në kampusin e Universitetit Georgetown në Uashington SHBA. Kryeministri mori falenderime të posaçme nga stafi drejtues i Universitetit për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të qeverisë shqiptare në pritjen, strehimin dhe ndihmën e ofruar për 2000 refugjatët afganë.
“Shqipëria ishte një prej vendeve të para që i hapi dyert refugjatëve afganë. Kemi priviolegjin që të njoh meritën e Kryeministrit për përpjekjet e vazhdueshme në mbështetje të refugjatëve afganë, në pritjen e 2 mijë prej tyre duke dëshmuar angazhimin e rëndësishëm ndaj komunitetit tonë global.” – u shpreh një nga drejtuesit e Universitetit, teksa i uroi mirëseardhjen Kryeministrit në emër të komunitetit të GeorgeTown. Gjatë ceremonisë, Kryeministrit iu dorëzua një punim i veçantë, simbol i mirënjohjes për këtë kontribut.
* * *
Ndihem shumë i përulur nga e gjitha kjo dhe sinqerisht jam kapur në befasi sepse askush nuk më kishte thënë që do të merrja këtë shenjë kaq të bukur mirënjohjeje, me këtë zog të mrekullueshëm.
Zakonisht ata që janë në politikë u tremben ngjarjeve. Zakonisht ngjarjet nuk janë të mirëpritura. Kështu që të kesh ngjarje që vijnë në këtë lloj mënyre e që unë i mirëpres është diçka mjaft e rrallë. Kështu që ju falenderoj shumë për këtë dhe me shumë mirënjohje, në të njëjtën kohë, më duhet t’ju them shumë sinqerisht se sa herë dëgjoj fjalë kaq të bukura për atë çka kemi bërë në raport me afganët, gratë afgane, aktivistët afganë, kam një ndjenjë sikleti sepse çfarë është kaq e veçantë, duhet të kishte qenë normë për të gjithë. Është e trishtë që një vend kaq i vogël si Shqipëria përgëzohet kaq shumë pasi të tjerë, shumë më të mëdhenj, shumë më të fuqishëm, shumë më të pasur, u larguan përballë nevojës së këtyre njerëzve në Afganistan, të cilët përballeshin me kërcënimin e vdekjes vetëm sepse na besuan vetëm sepse na ndoqën, vetëm sepse punuan me ne, me të gjithë komunitetin e NATO-s dhe vetëm sepse ëndërruan një të ardhme ndryshe për vendin e tyre, mbështetur nga premtimet tona dhe inkurajuar nga mbështetja jonë, papritur e gjithë kjo u zhduk dhe shumë të tjerë u zhdukën bashkë me të, por ne nuk mund ta bënim këtë. Jemi më shumë se të nderuar që patëm mundësinë të ndihmonim aq sa mundeshim afganë, ashtu siç gjatë jetës sonë ne u ndihmuam kur ishim “afganët” që i iknin vendit të tyre në përpjekje për të gjetur rrugës një të ardhme më të mirë, duke i ikur një regjimi mjaft të egër, i cili nuk u themelua si një regjim fondamentalist, por që mbështetej tek forma më e pamëshirshme e ateizmit.
Prania ime këtu sot, në këtë tempull të botës akademike, si një piktor që nuk ka qenë kurrë akademik dhe asnjëherë nuk pati shansin të ishte pjesë e kësaj bote edhe pse kam qenë pedagog në Akademinë e Arteve, diçka e jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë më bën të mendoj se sa shumë ai regjim shtypi besimin, të drejtën për të besuar dhe sa shumë vuajtje i shkaktoi komunitetit katolik vetëm sepse përfaqësonte lidhjen më të drejtpërdrejtë me “perëndimin e degjeneruar”.
Nga ana tjetër, ndihem mjaft i përulur kur dëgjoj lëvdatat e komunitetit të grave që i përkasin rrjetit të madh të grave mjaft kurajoze e të guximshme të këtij vendi, të cilat janë kaq të zëshme për të drejtat e grave, për gratë që duhen mbrojtur dhe më duhet të them se zgjedhja për të pasur një qeveri me më shumë gra se sa burra, nuk është për faktin se unë jam një njeri mirëfilli demokratik, por kam kuptuar që gratë janë më mirë se sa burrat dhe janë më të mira për të bërë punën më mirë. Besoj na duhen më shumë gra sepse burrat janë të mirë për të folur, gratë janë të mira për t’i bërë gjërat. Këtë e kam dëgjuar nga përvoja, e kam dëgjuar më parë nga Margaret Thatcher që thoshte, “nëse doni të flisni, bëjeni me burrat. Nëse doni t’i realizoni gjërat, bëjeni me gratë”. Edhe pse ajo kurrë nuk pati një grua tjetër në kabinet, që është një histori tjetër.
Së fundi, do doja të shtoja se jam katolik, bashkëshortja ime është myslimane. Dy fëmijët tanë, më të rritur, nga martesat e mëparshme janë ortodoksë. Kemi një të vogël, i cili mund të vendosë të bëhet hebre, i takon atij ta marrë vendimin, por e përmend këtë shembull këtu thjeshtw sepse mendoj që kjo është trashëgimia më e bukur që ka Shqipëria dhe na duhet ta kremtojmë e të sigurohemi që fëmijët tanë do të vazhdojnë në drejtimin e të parëve tanë që shpëtuan hebrenjtë dhe e bënë Shqipërinë vendin e vetëm europian me më shumë hebrej pas luftës së dytë botërore se sa përpara saj dhe ata ishin kryesisht myslimanë që i ofronin strehë hebrenjve.
Më pas, u hapën dyert gjysmë milioni refugjatëve kosovarë që i iknin spastrimit etnik, gjysmë milionë njerëz në Shqipërinë e vogël, por ja ku jemi, mbijetuam dhe u pasuruam më shumë në pikëpamjen kulturore dhe morale. Më pas, pjesëtarët e MEK-ut, iranianë të cilëve u ofruam strehë, duke i shpëtuar nga mizoritë me të cilat përballeshin në kampin Iliria në Irak për shkak të aktivitetit dashakeq te regjimit të Ajatollahut e tashmë me afganët.
Është i gjithi një thesar i madh, një thesar që duam të sigurohemi që të kremtohet nga brezat e ardhshme e për ata njerëz, shumë njerëz që më kanë pyetur pse e bëmë, ju përgjigjem e vazhdoj t’u përgjigjem, sepse këta jemi ne e këta duam që të jenë fëmijët tanë. Ne nuk jemi të pasur e ndoshta kjo është arsyeja pse nuk e kemi të shkurtër kujtesën, kështu që jam shumë krenar që Shqipwria mundi ta bënte, dhe, edhe një herë, këtë e konsideroj si diçka që nuk më përket vetëm mua personalisht, por popullit shqiptar sepse ishte një vendim politik, por në të njëjtën kohë ishte një vendim, i cili u pranua plotësisht nga shumica dërrmuese e njerëzve dhe ishte një vendim që nuk u kundërshtua politikisht nga askush. Në Shqipëri, ne nuk kemi një jetë të lehtë politike edhe pse tani mund të ndihet që është pak më mirë sepse kemi parë që politika është vështirësuar edhe në SHBA dhe diku tjetër, kështu që tani jeni pjesë e një klubi të madh, por ne mund të mos biem dakord edhe për sa është ora. E pra gjejeni, kur erdhi fjala për strehimin e afganëve nuk patëm asnjë mosdakordësi e kjo është vërtetë diçka shumë e bukur, unë jam krenar për këtë dhe mendoj që kjo shenjë mirënjohjeje, çdo fjalë e mirë për Shqipërinë është plotësisht e merituar, jo për mua personalisht, por për të gjithë popullin shqiptar, për të gjitha partitë politike, për të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë sepse askush prej tyre nuk e ngriti zërin për të thënë “jo” dhe po, ata janë me ne. Në fillim na u tha që do të jetë vetëm për pak muaj, nuk e besova, për të qenë i sinqertë dhe u thashë miqve tanë amerikanë, mos e premtoni këtë, sepse ne e dimë si funksionon me ju. Kur nuk është në lajme, thuajse nuk ekziston.
Nuk kemi probleme me këtë, ata mund të rrinë për aq kohë sa duan të rrinë, me shpresë, do të marrin vizat për të ardhur në SHBA një ditë, por nëse vendosin të mos ta bëjnë, janë të mirëpritur të qëndrojnë në vendin tonë e të rrinë me ne sepse janë njerëz të mrekullueshëm.
Ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë, edhe pse flasim gjuhë krejt të ndryshme. Është historia jonë, është mënyra jonë e të qenit, janë dhimbjet tona, e po kështu edhe vullneti ynë shumë i fortë për të ndërtuar të ardhmen që na bëjnë mjaft të afërt si qenie njerëzore dhe në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me qeniet njerëzore.
Faleminderit shumë!