Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Rama foli në seancën e sotme parlamentare për çështjen e Butrinit për të cilën tha se është nje temë interesante për të rikthyer në sytë e publikut dallimin si nata me ditën mes përfaqësuesve të PD-së që nuk dinë çfarë flasin dhe PS (qeverisë) që sipas tij, dinë çfarë bëjmë.

‘’Dua të kujtoj si fillim që sot e gjithë ditën ka një pretendent fizik, një subjekt fizik për Butrintin, si pronë familjare, me pronën të njohur nga ju. I keni njohur pronën në teatrin antik të Butrintit një subjekti fizik. Keni pranuar se sot në Shqipëri jeton stër, stër, stër, stër nipi i atyre që në pronën e tyre, pra të familjes së tij, ndërtuan teatrin antik. Këta jeni ju! ‘’- tha Rama.

‘’Këtu nuk ka asnjë marrëveshje sekrete dhe se çfarë do bëhet me Butrintin e vendosim ne që kemi shpëtuar Butrintin nga ju.

Fondacioni shqiptaro-amerikan është një kontributor shumë i rëndësishëm në të gjithë procesin e zhvillimit të vendit me kohë dhe me vakt dhe është një faktor dhe një bashkëpunëtor i qeverisë, jo sot, por i të gjitha qeverive të Shqipërisë prej shumë kohësh. Dhe ju këtu nuk po akuzoni ministrin e kulturës, ju këtu po akuzoni se fondacioni shqiptaro-amerikan, një fondacion me qindra miliona dollarë që janë kontribut i një grupi njerëzish që jetojnë ne SHBA që mbledhin fonde për Shqipërinë.

Partneri ynë është fondacioni shqiptaro-amerikan. Bilanci i fondacionit shqiptaro-amerikan është një bilanc absolutisht i shkëlqyer në raport me kontributet e dhëna për Shqipërinë. Fondacioni shqiptaro- amerikan nuk jep kredi. Fondacioni shqiptaro-amerikan nuk kërkon nga shteti shqiptar asgjë tjetër përveç partneritetit.

Ndërkohë që, në Butrint po kalohet në modelin e administrimit të parqeve kombëtare në botën e zhvilluar. Kështu zhvillohen parqet kombëtare në botën e zhvilluar dhe për atë që ju merrni dhe tundni këtu, e lexoni pa ditur se çfarë flisni është punuar me ekspertë ndërkombëtare që e dinë mirë këtë fushë dhe qëllimi është që Butrinti të jetë një park kombëtar që të vazhdojë të rrisë fuqinë e vet atraktive, i cili të vazhdojë të zhvillohet në sensin e vijimit të gërmimeve dhe të kërkimeve arkeologjike që aty vazhdojnë; i cili të vazhdojë të shërbejë edhe si një hapësirë transferimi dijesh nga ata që janë më me eksperiencë tek ata  që janë studentë, janë të rinj dhe do të marrin stafetën e kësaj pune.

Përveç këtyre, parku i Butrintit do të jetë edhe e para zonë që do të hyjë në hartën e zonave pa asnjë përqindje karboni, pra komplet zonë e gjelbër në sensin, jo me pemë dhe shkurre, por në sensin me të gjitha aktivitetet e brendshme pa asnjë përqindje karboni nga aktivitetet, do të jetë karbon free.

***

Replikë e Kryeministrit Edi Rama në seancën parlamentare:

Tani, te gjuha ne kemi gjithmonë një përplasje dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, sepse te gjuha nis gjithmonë problemi. Nuk nisin kot librat e shenjtë më fjalën “e para ishte fjala, fjala ishte Zoti, Zoti ishte fjala’’.

Kështu që, tek fjala fillon gjithçka dhe ne kemi probleme të mëdha që na ndajnë në shumë gjëra, por tek gjuha ne kemi problemin kryesor sepse ju keni një nivel të gjuhës shqipe që është nivel bazik, është nivel i ulët, i ulët fare dhe do më falni mungesën e modestisë, por, jo vetëm unë, edhe ne e kemi një çikë ndryshe këtë punën e gjuhës. Unë nuk i thashë asnjërit nga ju “ti je budalla”. Po t’i them dikujt, “ti je budalla”, kjo është fyerje. Unë ju thashë juve keni budallallëkun sëmundje ngjitëse në kopenë tuaj.  Dhe nëse ju u ndjetë për një moment dele, apo çfarëdolloj qenieje tjetër që futet në kope, ky është problemi juaj, nuk është problemi im.

Tani nëse do të hyjmë tek gjuha parlamentare, juve nuk duhet të hynit më në parlament kurrë. Sepse juve nuk bëni thjesht, nuk thoni thjesht fjalë që mund të jenë fyese por juve shani, shani, shani, shani me fjalë të cilat përbëjnë akuza penale. Pra për mua nëse dikush më thotë ‘’budalla’’, s’ka asnjë problem, është një opinion, por nëse dikush më thotë kriminel, sigurisht që kam problem, patjetër që kam problem.

Pra thjesht vërtetoni atë që them unë dhe prandaj nuk ju voton njeri, e kupton?

E para njëherë, në vitin 1993 nuk është themeluar Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, është themeluar fondi shqiptaro-amerikan, janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan është themeluar në vitin 2009, pra ka ndryshuar trajtë ajo iniciativë. E dyta, ju akuzoni këtu një fondacion, i cili është fondacion jo fitimprurës i financuar nga qeveria e SHBA dhe ju këtu bëni akuza a thua se Fondacioni Shqiptaro- Amerikan është ministria juaj e Kulturës, e cila kalanë e Lezhës e bëri me disko dhe e ktheu në një hapësirë ku shkonin dhe bëheshin shiringa droge, në kalanë e Lezhës. Ky është koncepti juaj për trashëgiminë kulturore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.