Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama priti në një takim Presidentin  e Parlamentit të Kroacisë, Jozip Leko, i cili ndodhet në Tiranë, në kuadër të nismës Adriatiko-Joniane.

Kryeministri Rama dhe Presidenti i Parlamentit kroat Leko vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, duke ndarë angazhimin e përbashkët për zgjerimin dhe thellimin e tyre në të ardhmen, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, si energjetika, infrastruktura, turizmi, etj.

Në takim u vlerësua si tejet e rëndësishme nxitja e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, përmes nismave dhe projekteve të përbashkëta, të cilat do të ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm.

Kryeministri Rama  vlerësoi  mbështetjen që Kroacia i ka dhënë dhe vijon t’i japë Shqipërisë  në rrugën drejt integrimit evropian, si një vend mik, por edhe si një vend, nga eksperienca e të cilit Shqipëria mund të mësojë shumë. Ndërsa, Presidenti i Parlamentit Leko u shpreh se Kroacia do të vijojë të mbështesë ashtu si  deri tani, të gjitha përpjekjet dhe hapat e Shqipërisë në procesin e Integrimit në BE, duke shpresuar se muaji qershor do të sjellë një përgjigje pozitive lidhur me statusin  e vendit kandidat.

Përsa i përket zhvillimeve të tjera në rajon, bashkëbiseduesit ndanë mendimin se politika e paqes, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë, gjeneron siguri dhe stabilitet.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.