Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në një konferencë me gazetarët të zhvilluar në Kryeministri, kreu i qeverisë Edi Rama bashkë me ministren e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari folën për masat e reja të qeverisë për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike nga zaptuesit dhe zbatimin e lejeve të ndërtimit.

***

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita dhe mirë se keni ardhur!

Kjo konferencë ka një vlerë të posaçme për këtë moment të rrugës sonë dhe ka një vlerë të posaçme edhe për të njohur publikun me të gjitha aspektet e masave që qeveria ka ndërmarrë dhe që tanimë një pjesë e tyre janë kthyer, kanë marrë fuqi ligjore ndërkohë që një pjesë tjetër do të dalë për konsultim publik pasi janë masa që lidhen me Kodin Penal dhe tërësia e këtyre masave lidhet me atë që e kam paralajmëruar prej disa kohësh, domosdoshmërinë e ngritjes në një nivel tjetër të përpjekjes për t’i dhënë fund një herë e mirë ndërhyrjeve të paligjshme të të gjitha natyrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo është një qasje 360 gradë besoj, që shtrihet në të gjitha drejtimet e konstatuara si problematike dhe kam bindjen që do të na japë rezultate të konsiderueshme pasi krijon kushtet për një disiplinim të mëtejshme të gjithë procesit të ndërtimit dhe jo vetëm lidhur me ndërtimet pa leje, por edhe me ndërtimet me leje që rëndom bëhen shkak për deri edhe situata të vështira për njerëzit që paguajnë për të blerë një shtëpi dhe pastaj hasin gjithfarëlloj pengesash, deri edhe pamundësinë për të regjistruar shtëpinë e tyre si pronë të patundshme apo edhe pamundësinë për të hyrë në shtëpi, siç ka ndodhur në disa raste për shkak të konflikteve mes ndërtuesish apo të tjera të kësaj natyre.

Atëherë, po i marr me radhë sepse janë masa që i drejtohen edhe aktorëve të ndryshëm në këtë proces, duke filluar nga rritja e garancisë së zbatimit të projekteve arkitekturore përmes përfshirjes detyruese me ligj të arkitektit përgjegjës në procesin e zbatimit të punimeve. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që për shkak se arkitektët janë në një trysni të madhe nga ndërtuesit, për të bërë devijime nga projekti i miratuar dhe ndërkohë nuk janë subjekt i ligjit, kemi parë deformime të vazhdueshme në procesin e ndërtimit, duke e kthyer arkitektin në subjekt të ligjit dhe duke ngarkuar me përgjegjësinë e ndjekjes së projektit dhe me përgjegjësinë për çdo devijim nga projekti, bëhet e pamundur që çfarëdo lloj presioni nga ana e ndërtuesit, të funksionoj mbi arkitektin, pasi në rast se arkitekti i ikën përgjegjësisë që i ngarkon ligji, është ai që paguan pasojat.

Po ashtu një tjetër risi është formalizimi i mënyrës së njoftimit duke vendosur rregulla të detajuara për institucionet përgjegjëse dhe autoritetet mbikëqyrëse përpara fillimit të çdo lloj punimi, në mënyrë që procesi të jetë i gjithi i gjurmueshëm dhe i dokumentuar, gjë që sot nuk është rasti.

Më tutje, është përcaktimi i fazave të kontrollit duke ndarë qartë çdo fazë në periudhën e zbatimit të punimeve me kontroll në kohë të projekteve të miratuara. Edhe ky është një aspekt që ka çaluar shumë deri sot.

Më tutje është forcimi i mekanizmave të kontrollit duke përcaktuar 4 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe pastaj vjen detyrimi për dhënien e certifikatës së përdorimit nga ana e autoritetit përgjegjës, i zhvillimit të territorit, vetëm pas konfirmimit të aktit të kontrollit nga njësia e vetëqeverisjes vendore që përfshin edhe përfundimin sipas lejes së ndërtimit të fasadave, rifiniturave dhe sistemit të jashtëm në përputhje me projektin arkitektonik të miratuar dhe kemi shtuar dhe detyrimin që uji dhe dritat lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit sepse e keni parasysh, që arsyeja pse njerëzit mbeten pa hipotekë, është se ndërtuesit nuk respektojnë të gjithë parametrat e lejeve të ndërtimit dhe mbikëqyrja nga ana e bashkive është konstatuar të jetë jashtëzakonisht e dobët, gjë që kthen drejtpërdrejtë në viktimë, atë që është në fakt jo vetëm i pafajshëm, por që është i zoti i investimit, qytetari që ka paguar për të pasur një shtëpi.

Nga ana tjetër nuk do të lejohet më, që në godinat, pallatet pa certifikatë përdorimi të lidhet uji dhe të lidhen dritat; nuk do të lejohet më, që të merren njerëzit e të futen nëpër apartamente pa u përfunduar ashtu siç duhet objekti dhe pa u pajisur njerëzit me hipotekë. Futen në apartament dhe janë në shtëpinë që e kanë paguar me të gjitha kursimet e tyre po nuk janë pronarë me letra, një gjë e papranueshme dhe e patolerueshme për më tutje. E gjithë kjo pjesë lidhet me procesin ku janë të përfshirë aktorët institucionalë, që nga arkitekti deri tek Agjencia e Zhvillimit të Territorit apo bashkitë, si edhe vetë agjencitë që garantojnë furnizimin me energji dhe me ujë.

Më tutje, është një tjetër, ky bllok hyn tek ligji për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit.

Ndërkohë që kemi një tjetër bllok që është blloku i ndryshimeve në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ku janë rregullimi, inventarizimi dhe regjistrimi i hapësirave publike. Këtu dua të ndalem një moment se është shumë e rëndësishme për të gjithë ata që ndjekin gjithë procesin e çlirimit të hapësirave publike, por është shumë e rëndësishme dhe për ata që operojnë dhe kryejnë aktivitet komercial në hapësira publike, por është shumë e rëndësishme dhe për ata që zhvillojnë pronën private në një komunitet.

Deri më sot nuk ka qenë rregulli i regjistrimit të hapësirës publike. Sot me këtë masë të re hyn në fuqi si një detyrim ligjor pikërisht regjistrimi i hapësirës publike. Që do të thotë, kur kemi një zhvillim të caktuar mbi një pronë private për një godinë e cila pastaj iu jepet një numri të caktuar familjesh apo biznesesh që a të blejnë aty hapësira çdo metër katror rreth e rrotull asaj godine nuk është më pronë private, është pronë publike. Dhe nuk mund të ketë aty gardhe dhe zhvillime të tjera dhe leje të tjera për privatin pasi vetë koncepti i përqindjes së shfrytëzimit të pronës, do të thotë që nga kjo pronë ti mund të shfrytëzosh kaq dhe pjesa tjetër i takon të gjithëve. Pra siç janë të gjithë bashkëpronarë të mjediseve të përbashkëta, shkallët, tarracat, janë bashkëpronarë dhe të mjedisit jashtë, por në këtë të fundit janë bashkëpronarë si komunitet, është hapësirë publike.

Kjo bën që të jenë shumë të qartë të gjithë ata që sot janë në pozicionin e zaptuesit të hapësirës publike por të jenë të qartë edhe ata gjykatës të cilët na rastin më të mirë nga injoranca dhe në rastin më të keq nga paraja, mbyllin sytë dhe japin masa sigurimi padije apo madje i japin dhe të drejtë zaptuesve. Nuk mundet dot askush të pretendojë që ka pronën e vet pasi më parë i ka marrë asaj prone të gjitha të ardhurat si pasojë e një zhvillimi. Ashtu sikundër në asnjë hapësirë midis pallateve, në asnjë hapësirë pranë pallateve, në asnjë hapësire që nuk është e ndërtuar asnjë pronar privat nuk ka të drejtë të bëjë asgjë pa leje. Nuk mund të vërë traun për të bërë një parkim për t’i marre lekë njerëzve nëse nuk ka leje për të bërë parkim dhe nuk mund të bëjë dot asnjë aktivitet tjetër dhe ajo pronë nuk tjetërsohet në aspektin që nuk shtetëzohet, flas këtu për raste kur brenda hapësirave të pallateve janë kthyer prona, brenda hapësirave të oborreve të shkollave janë kthyer prona. Ato prona që figurojnë në hipotekë nuk tjetërsohen, por për sa kohë aty nuk ka një leje ndërtimi, i takon bashkisë, i takon shtetit që në ato prona, në ato hapësira të garantojë pastërti, të garantojë siguri. Dhe natyrisht të mbjellë pemë, të bëjë lulishte, të bëjë çfarëdo qoftë në këto prona komunitare por pa qëllim fitimi.

Në momentin që ka një mundësi për të ndërtuar për qëllim fitimi, atë ndërtim i takon ta bëjë privati. Duhet të jetë shumë e qartë kjo për të gjithë sepse është e paimagjinueshme që ndërkohë që për pak vite bëhemi pjesë e BE të kemi akoma diskutime mbi disa principe themelore të funksionimit të një vendi demokratik europian. Karakteri social i pronës është i mishëruar në të gjitha kushtetutat europiane dhe është norme e bashkëjetesës europiane. Nuk mund dot të vesh në emër të pronës një gardhë rreth e rrotull dritares së katit të parë dhe të rrisësh bagëti.

Më tutje është krijimi i regjistrit kombëtar elektronik të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit që është një databazë digjitale kombëtare ku do të regjistrohen të gjitha lejet e zhvillimit dhe ndërtimit të lëshuara nga të gjitha Autoriteti e Zhvillimit të Territorit, çka do të jetë një pikë referimi për të gjithë. Për të gjithë! Kudo ku ka një zhvillim, gjithsekush mund të bëjë verifikimin në këtë databazë.

Një tjetër masë është krijimi i listës së zezë dhe ndalimi për të aplikuar për leje ndërtimi i shkelësve të lejeve të ndërtimit. Dhe jo thjeshtë i kompanive por i personave. Lista e zezë do të përfshijë zhvilluesit, do të përfshijë shoqëritë, do të përfshijë individët që kanë shkelur ligjin përfshirë administratorët, ortakët, pronarët përfitues që do të përjashtohen nga çdo mundësi për të marrë leje ndërtimi për një periudhe 5 vjeçare dhe kjo listë do të mbahet dhe do të përditësohet nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Ujit dhe do të jetë një regjistër publik i aksesueshem në faqen elektronike nga të gjithë.

Dhe gjithë ky proces ndalimi do të thotë që nëse një subjekt ka kryer punime në kundërshtim, në shkelje të lejes së miratuar nga organi kompetent, Këshilli Kombëtar apo Bashkia dhe ka shtuar ose ka ndryshuar edhe qoftë edhe fasadën, këto shkelje pasohen me gjoba, pasohen me të gjitha ndëshkimet e tjera por e bëjnë menjëherë subjektin një subjekt të listës së zezë. Dhe thashë nuk është thjeshtë një subjekt, një individ, por janë të gjithë ata që përfshihen në këtë proces, ku hyn edhe arkitekti të cilit i hiqet licenca për 5 vjet dhe nuk mund të ushtrojë më profesionin.

Një pikë tjetër është monitorimi i territorit nëpërmjet teknologjisë. Përdorimi i kamerave, i droneve, i sistemeve GPS për monitorimin e ndërtimit dhe kontrollin në kohë reale të zbatimit të lejeve të ndërtimit. Sot që flasim nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit kërkohet vendosja e kamerave në të gjitha kantieret e ndërtimit dhe ndiqet gjithë procesi në kohë reale.

Një tjetër masë është krijimi i fondit të gjelbër i cili përcakton detyrimin që subjektet ndërtuese duhet të garantojnë një sasi të caktuar pemësh në raport me sipërfaqen e ndërtimit dhe rregullat e posaçme për krijimin e këtij fondi, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për shembull, nëse një subjekt zhvillues është pajisur me një leje ndërtimit për një objekt, po themi me një sipërfaqe 5000 metra katrorë, me këtë masë të re në ligj, t’i lidhet menjëherë detyrimi për të garantuar një numër të caktuar pemësh, në raport me sipërfaqen që do të ndërtojë. Është një plan që e kemi përpunuar, do të krijojmë fidanishtet publike në pjesë të ndryshme të territorit dhe në ato pjesë të ndryshme të territorit, subjektet do të sjellin pemët. Nuk do të jetë një histori, që ‘’po, unë mbjell pemë dhe shihemi’’. Pemët do të kenë një katalog për pemët, do të kenë parametrat e caktuara dhe subjektet do të dorëzojnë pemët. Kështu që kush ndërton më shumë, do të mbjellë më shumë pemë.

Nga ana tjetër, kemi marrë një tjetër masë dhe këto janë të gjitha në fuqi, që të jemi të qartë. Janë të gjitha masa në fuqi, që është ndalimi i ndryshimit të aktivitetit, funksionit, destinacionit të një objekti apo të një njësie pa marrë lejen përkatëse. Çfarë do të thotë kjo? Ju, nuk e di, mbase si banorë të këtij qyteti mund të keni ndonjë shembull edhe vetë nga familja juaj, por janë të panumërt shembujt e familjeve që ankohen sepse blejnë apartament dhe për fqinj nuk kanë një familje tjetër, por kanë një furrë edhe dhoma e gjumit i bie mbi furrë në katin poshtë, ose kanë një zdrukthëtar që zdrugon ose sharron me sharrë, që mund të quhet Shaban ose jo, por që nuk është fare i presupozuar ta zhvillojë aktivitetin aty ku është praktikisht një komunitet familjesh dhe ku ka apartamente. Natyrisht që është e mundur, që të ketë aktivitete të caktuara, por pa dyshim që e para, këto aktivitetet duhen me leje dhe e dyta, duhet të jenë pjesë e një kategorie të caktuar që nuk tronditin dhe nuk shqetësojnë të gjithë të tjerët dhe këtë e kemi parë në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu, për ndryshimin e destinacionit ka edhe masë që është një masë monetare; ne rast se ndryshimi është bërë pa lejen përkatëse dhe natyrisht është edhe detyrimi për ta kthyer në gjendjen e mëparshme.

Më tutje, një masë tjetër regjistrimi i lejeve të ndërtimit, pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe njoftimit të Dhomës Kombëtare të Noterisë. Kjo është një tjetër masë për të garantuar që kush blen apartament apo dyqan, është i sigurtë që po blen një pronë të regjistruar dhe të regjistrueshme. Nuk po blen një pronë që s’do ta regjistrojë dot kurrë, ose do të presë me vite se duhet pastaj të kalojë në proces legalizimi ndërkohë që ndërtuesi ka ikur në drejtim të paditur, siç ka ndodhur për fat të keq shpeshherë. Dhe noteri do të hyjë në mes, në mënyrë që ta garantojë ketë proces.

Ka një tjetër parashikim të rëndësishëm, detyrues për lejet e ndërtimit, për objektet rezidenciale që duhet patjetër të përfshijnë hapësirën për fëmijët dhe kur them duhet të përfshijnë hapësirën për fëmijët, nuk kam parasysh një bahçe 5 metra katrorë me 5 metra katrorë, me një kolovarëse. Kam parasysh hapësirën e brendshme për fëmijët. Po ashtu, kemi parashikuar rregulla shumë të qarta për konfiskim për interes publik apo për strehim social dhe çdo ndërtim që do të shkelë lejen në masën mbi 2%, 2% konsiderohet në praktikën ndërkombëtare si një masë e arsyeshme ndryshimesh gjatë procesit të ndërtimit, do të konfiskohet për interes publik apo për strehim social dhe nga ana tjetër, kemi bërë dhe një dallim, që deri në masën 10%, pra midis 2 dhe 10, konfiskohet vetëm ajo shtesë, edhe përdoret ajo sipërfaqe, qoftë për t’i dhënë të pastrehëve apo qoftë edhe për zyra për shtetin. Mbi masën 10% konfiskohet totalisht ndërtimi.

Ky ishte një tjetër bllok i risive dhe ky bllok pastaj vazhdon me disa problematika të tjera që janë punimet e filluara dhe të papërfunduara, për të cilat ka përfunduar afati i lejes së ndërtimit prej më shumë se 5 vjetësh, kemi parë nëpër qytete të ndryshme një godinë atje, rri atje në mes të qytetit dhe bëhet edhe si vend me probleme, kështu që të gjitha këto sipas këtij akti ligjor, do prishen, do konfiskohen apo do të vendosen procedura për t’i përfunduar në rast se do shfaqet dikushi që i ka lënë në atë gjendje dhe do të sjellë garanci që mund t’i përfundojë. Por kryesisht, do të përcaktohet, është përcaktuar me VKM e gjithë procedura se si zhvillohet ky proces.

Muret rrethuese janë një problematikë më vete në këtë republikë dhe akti që kemi kaluar, përcakton se muret rrethuese do të duhet t’i nënshtrohen rregullave tip, modeleve tip. Nuk mund të jetë dot Shqipëria evropiane, një vend ku muret rrethuese janë tërësisht pa asnjë lloj sensi të zhvillimi të përbashkët urban të një lagjeje, të një zone apo të një rrugice apo të një rruge. Dhe pa diskutim që siç merret leja për ndërtimin, merret leja dhe për murin rrethues. Muret rrethuese pa leje do të duhet t’i nënshtrohen korrigjimit, pra do të duhet të adaptohen sipas modeleve tip që do t’i vënë në dispozicion bashkitë për të mos krijuar as burokraci dhe patjetër që kudo ku janë ndërtuar në godina për qëllime fitimi, se ka mure rrethuese shtëpish për të cilat natyrisht procedura do të jetë mirëkuptuese dhe do t’i jepet kohë që të adaptojnë si duhet, kurse çdo mur rrethues i bërë nëpër resorte, i bërë nëpër pallate apo nëpër godina për qëllim fitimi do prishet, i bërë pa leje kuptohet, do prishet, do shembet. Dhe për mur duhet marrë leje sepse muret, e keni parë vet me siguri dhe kur keni shkuar me pushime sidomos në jugun e vendit, që ato muret kanë tendencë të gllabërojnë treçerekun e trotuarit dhe pastaj janë ato trotuaret minimaliste që jo nuk ecën dot një çift, por duhet të ecësh anash që mos biesh në rrugë.

Një tjetër masë e marrë është që ankimimi administrativ dhe gjyqësor nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Autoritetit përgjegjës të Zhvillimit të Territorit. Kjo është një masë shumë e rëndësishme sepse këtu ka pasur shumë spekulime dhe shumë abuzime siç ka pasur dhe shumë akte pranimi në heshtje, një sport shumë i shëmtuar i mos paraqitjes fare në gjyq i palës pushtet-lokal ose të palës një agjenci qendrore në territor. Kështu që, nuk do të ketë asnjë pezullim të ekzekutimit të vendimeve të Autoritetit përgjegjës të Zhvillimit të Territorit.

Një tjetër risi është rritja e rolit të Policisë së Shtetit si pjesë e bashkëpunimit institucional për kontrollin dhe monitorimin e territorit. Bashkëpunimi mes Policisë se Shtetit dhe autoriteteve të kontrollit të territorit forcohet me instrumente të rinj ligjorë dhe  jepet mundësia autoriteteve përgjegjëse, i jepet mundësia dhe pushtetit vendor më konkretisht që të ketë një ndërveprim të menjëhershëm ligjor me Policinë e Shtetit, lidhur me këtë problematikë.

Ndërkohë që ka parashikime të reja për mos zbatimin e fasadave sipas projekteve. Kjo është shumë e rëndësishme sepse siç mund ta dini në Shqipëri operon grupi më i madh i arkitektëve ndërkombëtar në të njëjtin vend dhe janë rreth 200 arkitektë ndërkombëtarë që studiojnë arkitekturën ndërkombëtare që janë të përfshirë në projekte në Shqipëri dhe një pjesë jo e vogël e tyre janë emrat më të mëdhenj në botë. Tani, të marrësh arkitektë të këtij kalibri dhe kjo nuk i heq asnjë gjë të drejtës së arkitekteve lokal dhe cilitdo arkitekti që kur bën këtë të realizohet kjo dhe jo bën këtë dhe në fund del një kub teneqeje sepse ndërtuesi bën çfarë të dojë me fasadën. Fasada është e drejta e çdokujt që nuk banon në atë godinë për të pasur një prezencë estetike aty ku jeton në radhe të parë, pastaj dhe komponentët e tjerë të fasadës që kanë të bëjnë me kursimin e energjisë, që kanë të bëjnë me të tjera aspekte, por në radhë të parë është e drejta e çdo kujt që jeton në këtë qytet ose në cilido qytet që të ketë rreth e rrotull gjëra të bukura jo shëmtira.

Kështu që, nuk është një shpikje e jona, por dhe për fasadën siç thonë dhe legjislacione të tjera mund të shkohet dhe në konfiskim total. Deri sot na i kanë bërë të vështira shumë gjëra sepse kanë përdorur njerëzit si puna e Hamasit për të mbrojtur veten. I kanë futur njerëzit pa certifikatë përdorimi nëpër shtëpi, pa mbaruar punimet, pa vënë dhe ashensorët ndonjëherë, se i dinë shumë mirë shqiptarët që më dëgjojnë tani dhe e kanë bërë të pamundur që të ndërmerren masat ekstreme, se çfarë do konfiskosh aty, si do ta konfiskosh kur njerëzit janë brenda, si do ta bllokosh? Ndërkohë që ndryshimi thelbësor që bëjmë me këto ndërhyrje, që nuk ka më ujë e nuk ka më drita pa marrë certifikatën e përdorimit dhe nuk ka më një qindarkë të paguar nga njerëzit për të blerë shtëpi që të mos përkthehet në pronë me hipotekë. Dhe nuk ka më që tjetër leje merr dhe tjetër leje zbaton. Kështu që deri për fasadën janë përcaktuara si dhe qysh, do shkohet deri në konfiskim.

Tani vijmë tek një element tjetër që me shumë të drejtë, me të drejtën e Zotit dhe të popullit shumë qytetarë e kanë ngritur gjatë kësaj periudhe, që jemi dakord këta që shkelin e që bëjnë, por çfarë ndodh me ata që duhet të kontrollojnë. Se tani përtej faktit që kjo është më e vështirë të bëhet sesa të thuhet por në fund të ditës diçka, dikush duhet ta paguajë dhe nga ana tjetër. Dhe ka një sërë masash të reja, se këtu sporti i ndërtimit pa leje është zhvilluar si sport kombëtar për shumë e shumë vite. Ne e kemi ulur çdo vit kurbën, por nuk e kemi sheshuar dhe në këtë sport kombëtar që ju nuk e di sa e mbani  mend por është nxitur dhe nga lart, ka qenë dikush këtu para meje që e quante Bathoren mrekullinë e 8 të botës, sepse është i pari qytet thoshte që është ndërtuar i gjithi pa leje. Edhe ishte gati një aplikim që të mos thoni ju globi ka 7 mrekulli se janë 8. Pra është incentivuar ndërtimi pa leje në mënyrë të fuqishme dhe edhe punonjës të shtetit janë marrë me ndërtime pa leje.

Tani këtu ka një pikë, që në rast se konstatohet që punonjësi i shtetit, mjafton që të marrë 1 euro nga taksat, me kohë të plotë a me kohë të pjesshme ka kryer punime pa leje, qoftë të përkohshëm apo të përhershme, qoftë dhe një pergolatë lart atje do të ndalohet të punojë në shtet për 7 vjet nga momenti që do të konstatohet dhe do t’i njoftohet masa, përveç pasoja të tjera si çdokush tjetër që janë pasoja të natyrës administrative, gjoba por dhe të natyrës penale sepse ndërkohë kemi dhe ndryshime në Kodin Penal të cilat do të hyjnë në konsultim publik, nuk kanë hyrë akoma në fuqi.

Më tutje ka parashikime të reja për detyrimin që subjektet që kapen në shkelje të mbulojnë shpenzimet për prishjen dhe për pastrimin se dhe kjo histori që ca ndërto pa leje, shkon shteti harxhon para, kohë energji të kapitalit njerëzor për të prishur dhe për të pastruar nuk mund të vazhdojë kështu. Kështu që dhe shpenzimet e prishjes dhe shpenzimet e pastrimit do t’i ngarkohen fajtorit.

Ka një masë tjetër që është mosveprimi i autoriteteve në rastet të miratimit në heshtje, që janë rastet kur dokumenti i lejes duhet t’i dorëzohet kërkuesit 15 ditë nga dita e pagesës së taksës për ndikimin në infrastrukturë nga autoriteti vendor dhe 30 ditë nga autoriteti qendror dhe pastaj leja gjenerohet automatikisht, në të gjitha këto raste do të ketë sanksione. Sanksionet do të jenë direkt për kryetarin e Bashkisë apo për sekretariatin e KKTU-së në varësi se kush e ka dhënë. Ka historira të habitshme me pamundësi objektive nga ana e subjekteve për të paguar për taksën nga njëra anë, që t’i të presësh dhe të të mos thonë ‘hajde paguaje taksën’ ose që t’i shmangesh kësaj duke luajtur me sy me autoritetin përkatës është e pa tolerueshme.

Më tutje, janë ashpërsuar masat administrative që përveç kësaj që përmenda, kanë të bëjnë me mos deklarimin e punimeve që kryhen me deklaratë paraprake, kanë të bëjnë me kryerjen e punimeve pa leje brenda brezit bregdetar apo në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, etj. Ky ishte blloku i dytë.

Blloku i tretë i ndryshimeve janë në ligjin për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme ku hyjnë monitorimi i lejeve në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit që do të sjellë një ndryshim të qenësishëm të gjithë strukturës së monitorimit në tërësi dhe trupës së inspektimit të krijuar nga inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit do ti shtohen edhe dy persona të tjerë mbështetës me rol përgjegjës nga Drejtoria e Monitorimit pranë Agjencisë.

Kjo do të bëjë që surprizat që i kemi parë në forma nga më të ndryshmet të minimizohen maksimalisht. Unë mendoj që duhet të asgjësohen, por le të themi që duhet të minimizohen maksimalisht sepse çdo godinë dhe leje ndërtimi për një godinë duhet të lidhet me personat përkatës dhe nuk do të jetë më faji anonim. U ndërtuan katër kate apo pesë kate në mes të Tiranës dhe faji është anonim. Nuk do të jetë më kështu. Çdo godinë, çdo leje ndërtimi do të jetë e lidhur me persona dhe personat do të përgjigjen për çdo certifikim të rremë apo të pasaktë të punimeve në çdo fazë. Ajo që njerëzit thonë me të drejtë ‘po mirë, sytë ku i kishin këta të tjerët?”

Janë një sërë masash që e bëjnë mbylljen e syve fatale për atë që mbyll sytë. Ka një sërë gjobash nga sekretariati teknik pranë autoriteteve të inspektimit në rast të konstatimit të shkeljeve të lejeve të ndërtimit. Pastaj është përcaktimi i të paktën një inspektori si person përgjegjës që ka për detyrë  të monitorojë dhe të kontrollojë zbatimin e projektit gjatë gjithë procesit. Njëri do të jetë nga fillimi deri në fund të procesit.

Më tutje është largimi i menjëhershëm nga detyra dhe kallëzimi penal për të gjithë inspektorët në rastet kur konstatohet mosvënie në dukje e shkeljeve. Po ju jap një shembull konkretet. Nga kontrollet e bëra, jo një e dy, më shumë se një e dy fatkeqësisht, si rezultat i denoncimeve të bëra nga qytetarët te portali “Hapësira Ime Publike” ka rezultuar që ndërkohë që në territor leja është shkelur rëndë, në bashki aktet e konstatimit të inspektorëve bashkiakë figurojnë çdo gjë në rregull. Për këtë lloji fenomeni në çdo rast që provohet mosveprim apo aq më keq akoma mbyllje e syve masa është largimi i menjëhershëm nga detyra dhe ndjekje penale dhe ndalim për tu kthyer në punë shteti për një periudhë të caktuar kohe. Të gjitha denoncimet e bëra nga qytetarët në portalin Hapësira Ime Publike apo në forma të tjera të provueshme do të jenë të lidhura drejtpërdrejtë me personat përkatës. Asnjë denoncim nuk do të mund të lihet sikur nuk ndodhi. Në rast se një denoncim është lënë sikur nuk ndodhi direkt shkohet te përgjegjësia.

Një tjetër ashpërsim i masave lidhet me mosushtrimet e kontrolleve dhe me një sërë elementësh të tjerë që kanë të bëjnë jo vetëm me shtrembërimin e rezultatit të kontrollit, por dhe me mosrespketimin e afateve për të marrë vendimet e parashikuara në kohë, me mosrespektimin e afateve të zbatimit të vendimeve të parashikuara në ligj, me moszbatimin e vendimit të pezullimit të punimeve, me mosrespektimin e afatit për dhënin e informacionit dhe pengimin për përmbushjen e detyrës dhe mosparaqitjen e menjëhershme të kërkesës për heqjen e licencës të mbikëqyrësit të punimeve në rast se konstatohen shkelet. Këto janë të gjitha masat e reja të cilat janë në fuqi sot që flasim. Ndërkohë që hyjnë në konsultim ndryshimet në Kodin Penal. Ndryshimet në Kodin Penal ku fillon nga zënia e tokës. Çfarëdolloj zënie toke publike apo private pa patur një titull ligjor që do të thotë leje për çfarëdolloj qëllimi, banim, shfrytëzim të çfarëdoshëm do dënohet me burg. Edhe për parkim, e zë tokën e bën një parking të paligjshëm do të shkosh në burg. Pastaj janë nenet e tjera për përsëritjen apo bashkëpunimin, apo kur kjo sjell pasojë që rritet masa e dënimit. Masat e dënimit do të jenë përfundimtare kur të shpallet drafti kështu që nuk po i citoj.

Ndërsa kur këto sulme bëhen në zona të mbrojtura, bëhen në parqe natyrore, cënojnë objekte të trashëgimisë kulturore, objekte kulti, monumente të kulturës apo infrastrukturën kritike, atëherë burgimi është goxha më i gjatë dhe kur një vepër e kësaj natyre kryhet nga persona që paguhen nga shteti, në çfarëdolloj pozicioni qofshin dhe sidomos kur konstatohet symbyllje dhe bashkëpunim nga ata që duhet t’i ruajnë këto territore, atëherë dënimi është edhe më i gjatë dhe ka një sërë nenesh që lidhen pikërisht me personat që punojnë për shtetin dhe në fund fare do të propozojmë dhe disa ndryshime për administrimin e objekteve të konfiskuara dhe ndërtimet pa leje për interes publik dhe strehim social ku shfuqizohet e drejta e parablerjes në një procedurë konfiskimi dhe e drejta për të lidhur kontratë me premtim shitjeje. Ky është thelbi i këtij ndryshimi.

Këto janë të gjitha ndryshimet, përveç atyre të Kodit Penal, të gjithë të tjerat janë në fuqi dhe ministrja e Brendshme, ministri i Drejtësisë kanë nisur punën për një proces informimit, do t’i çojmë të gjitha ndryshimet në një paketë informimi për të gjithë autoritetet dhe për të gjithë punonjësit që lidhen me këtë problematikë do t’ua çojmë të gjithëve me emër dhe mbiemër në zarf dhe do tua japim në dorë, që të mos thonë nesër ‘’nuk e kisha lexuar, nuk e dija’’, etj. Do tua çojmë të gjithë gjykatësve të Gjykatës Administrative se dhe ata janë shumë të zënë dhe kanë shumë ngarkesë edhe nuk kanë kohë mbase që t’i lexojnë. Madje atyre do tua bëjmë edhe me shpjegime sepse është një fushë specifike që shpeshherë dhe nuk e kuptojnë dhe nuk kanë faj dhe i mirëkuptojmë në moskuptimin e tyre dhe do tua çojmë emër për emër, çdo gjykatësi të Gjykatës Administrative të gjitha ndryshimet, me të gjitha shpjegimet teknike dhe do t’i vëmë në dispozicion edhe ekspertë në rast se kanë nevojë për sqarime të mëtejshme. Dhe uroj  shumë që marrjet e masave të sigurisë në dhoma të ashtuquajtura këshillimi, ku nuk lajmërohet asnjë njeri dhe ku nuk kanë idenë fare se ça mase po marrin se vjen një ankesë me letër dhe nuk e shohin fare se për ça bëhet fjalë; dhe marrin masa sigurimi që i bien ndesh një komuniteti të tërë atje dhe komuniteti me të drejtë thotë ‘’Ja, e sheh? Korrupsion’’, vetëm se ia ‘’vë gishtin” e korrupsionit, institucioneve që duhet ta heqin atë çiban ndërkohë që korrupsionin e bën dikush tjetër. Të marrin fund dhe patjetër që do t’i publikojmë të gjitha këto edhe për dijeninë e publikut dhe kush do të jetë i interesuar t’i shikojë, do tua çojmë të gjithë arkitektëve të licencuar të Republikës së Shqipërisë me zarf dhe me emër. Të gjitha studiove të arkitekturës do tua çojmë të gjitha, të gjithë noterëve, të gjithë inxhinierëve, të gjithë ndërtuesve patjetër do tua çojmë, atyre që nuk dinë shkrim e këndim do t’u vëmë në dispozicion edhe një lexues në rast se e duan me licencë, që askush të mos thotë nesër ‘’nuk e dija’’. Dhe e drejta e komunitetit duhet të triumfojë një herë e mirë dhe asnjë lloj force e verbër e çfarëdolloj përmase, nuk mund dot të marrë peng asnjë familje të vetme, duke i ndezur furrën poshtë krevatit dhe jo më pastaj të marrë peng një lagje të tërë duke vënë traun atje, apo duke vënë vazot lart e poshtë, apo duke ngritur ato pergolatat prej hekuri nga të 4 anët.

Sigurisht që e kam thënë dhe më parë, kjo është Tiranë dhe nuk është Teheran dhe patjetër që rregullorja e re e shfrytëzimit të hapësira publike për aktivitete tregtare do të hapë rrugën që edhe ata që kanë aktivitete tregtare, të bëjnë aktivitetin e tyre dhe qytetet të marrin atë lezetin që ka një qytet kur ka mesdhetarë, kur ka edhe mundësinë që të ulesh edhe jashtë mureve, sidomos në periudhat më të ngrohta e më të nxehta, por çdo gjë me rregull dhe në mënyrë strikte. Kjo është pak a shumë e gjithë panorama dhe prandaj menduam që ta bëjmë në këtë formë që të na ndjekin njerëzit dhe që të kemi mundësi që t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja, të cilat duhet të jenë vetëm për këtë temë dhe për asgjë tjetër. Kjo nuk është konferenca e Vitit të Ri, nuk është as konferenca e zgjedhjeve të reja, është konferenca e komunikimit me publikun për një hall shumë të madh të përbashkët të qeverisë edhe të publikut, që është hapësira publike, që është prona dhe pacenueshmëria e trupit plot hire të Shqipërisë nga lloj-lloj aventurierësh dhe nga lloj-lloj karagjozësh që duhet të tërhiqen në pozicionet e tyre dhe të bëhen njerëz normalë. Kjo është konferenca, kështu qe për këtë pyetjet dhe nuk do të mund të marrim pyetje nga të gjithë kështu që fillojmë edhe me pyetje vetëm për këtë. Asnjë pyetje tjetër nuk merr përgjigje, kështu që as mos e tentoni fare dhe kur nuk e tenton Elia, ju të tjerët e kuptoni vetë që s’keni shans.

***

– A do të ketë një parashikim për oraret se kur punohet nëpër kantiere sepse Tirana zgjohet edhe fle me zhurmën e betonierëve, makinerive, aq sa mund të flihet në këtë zhurmë. Do të këtë orare të përcaktuara  sepse e kuptojmë që këto kostot e zhvillimit të qytetit por është e pamundur të vazhdohet të jetohet më ketë.

Kryeministri Edi Rama: Tani oraret e kantiereve nuk janë çështje ligjesh dhe kodesh. Oraret e kantiereve janë rregulla që vendosen nga autoritetet vendore, por është provuar kjo punë edhe natën, është provuar edhe ditën. Ditën jo se na bllokohen rrugët, natën jo se kemi zhurmë, tani ndonjë mundësi të tretë që s’është as ditë, s’është as natë nuk ka, por kjo është një çështje e autoriteteve vendore dhe sa më shumë hapësirë t’u jepet të mund të ndërtojnë, aq më shpejt do të ndërtojnë. Sa më shumë të zgjatet, duke u ngushtuar hapësirën, aq më problem është, kështu që nuk është çështje e qeverisë kjo.

 

– Një çështje që ishte parashikuar tek ndryshimet, ishte në mos gaboj, ligji 107 për planifikimin e territorit ku ju thoni që nuk do të prisni, nuk do të ketë asnjë masë pezullimi që do të pengojë punën e autoriteteve në rastet e shkeljeve. Si mund të mos merret parasysh një vendim pezullimi nga gjykatat?

Kryeministri Edi Rama: Duhet ta lexoni me vëmendje dispozitën të detajuar ashtu siç është dhe është plotësisht ligjore. Domethënë, të jap një shembull, në rast se Policia është duke ndjekur një hajdut, mos të them një vrasës që po e po, është duke ndjekur një hajdut, nuk shkon në gjykatë dhe pastaj e kap, por e kap pastaj e çon në gjykatë. Kështu që, këtu flasim për flagranca.

 

– Kryeministër, gjatë këtyre dy muajve ne kemi parë dhe raportuar aksionin për lirimin e hapësirave publike, kemi parë heqjen e tendave me duralumin, heqjen e çadrave ndërkohë karriget vijojnë të jenë prezentë, ju sapo e përmendët rregulloren, e keni gati. Kur do publikoni rregulloren për vijimin?

Kryeministri Edi Rama: E dëgjoj vazhdimisht këtë të karrigeve. Tani kjo është një luftë e përditshme, por disiplinimi i karrigeve siç e thashë do të behet me rregulloren. Ne kemi punuar me një grup të madh pune për një rregullore të përgjithshme. Pastaj çdo bashki do ketë diskrecionin e vet natyrisht dhe pastaj do të hyhet edhe në këtë pikë, por kini parasysh një gjë, që edhe për karriget çështje interpretimi është se pasi të vendosen vijat e kuqe që deri këtu mund t’i shtrish karriget, në momentin që t’i shtyhesh më tutje dhe vë në rrezik të tjerët që kalojnë aty, të kapin shumë nga këta të tjerët se dhe ajo zënie arbitrare e hapësirës publike është megjithatë ky është proces. Rendësi ka që ‘i shkojmë një herë deri në fund çmontimeve që paskan qenë të pafundme. Tu japim mundësi të gjithë atyre që kanë aktivitete që të mund të ushtrojnë aktivitet dhe jashtë derës por në një hapësirë të përcaktuar siç e kanë qytetet europiane, sa % e trotuarit të takon ty, sa % i takon publikut. Tu japim mundësinë që me projekte të mire menduara dhe të miratuara të mund të krijojnë edhe kështu hije, jo nga ato hekurat dhe ato çadrat, të bëjnë diçka që të jetë tamam në lartësinë e Rilindjes Urbane 2.0

 

– Zoti kryeministër, ju më herët sa i përket aksionit për lirimin e hapësirave publike, keni thënë që do ketë një spostim për varrezat e makinave, pasi i keni cilësuar si një gangrenë mjedisore. Ku do të shkojnë këto automjete të vjetra që kanë qëndruar aty prej vitesh? Do të ketë një hapësirë të posaçme për to?

Kryeministri Edi Rama: Pse duhet të mbajmë patjetër makina në kurriz. Ato do të shkojnë për skrap. Patjetër ato që janë akoma të mundura të funksionojnë po i merr shteti për t’i vënë në funksion, ato që nuk janë më funksionale do shkojnë për skrap. Patjetër! Dhe ka filluar agjencia e konfiskimeve dhe do krijojmë disa të ardhura me ato.

 

– Zoti kryeministër, kam dy pyetje. E para lidhet me listën e zezë që ju përmendet dhe për ata të cilët do të përfshihen, thjesht për ta sqaruar nëse do të ketë ndonjë hetim apo do përfshihen dhe ata për të cilët keni dhënë leje deri tani apo do të nisë procesi që në momentin që është krijuar kjo listë e zezë.

Padyshim këto masa janë shumë të rëndësishme për sa i përket çështjes së pronës dhe mbrojtjes së saj, por një tjetër shqetësim për qytetarët është dhe çështja e çmimit të këtyre pronave. A ka një formë qeveria që mund të ndërhyjë si rregullator pavarësisht të gjitha masave që keni prezantuar dhe më herët për një sërë kategorish për lehtësira për sa i përket kredi marrjes?

Kryeministri Edi Rama: Tani lista e zezë është në fuqi, tani që flasim, si normë. Kështu që, kushdo që është duke ndërtuar tani që flasim, tani çfarë janë ndërtime që janë mbaruar dhe njerëzit janë brenda dhe e kanë kryer ciklin e tyre, natyrisht që s’ka lidhje, por çdo kantier që është sot i hapur është subjekt i listës së zezë, patjetër.

Nuk fillon lista e zezë nga lejet që do jepen nga nesër sepse askush nuk thotë që kush ka marrë leje, mund të vazhdojë të bëjë shkelje, përkundrazi, kështu që të gjitha këto vlejnë për ata që janë në kantier tani dhe duhet të jenë shumë të kujdesshëm sepse në këtë pikë toleranca do jetë nën zero për këdo qoftë dhe ata që kanë influenca dinë sesi t’i shmangen edhe daljes nëpër media. Po ju them që janë bërë goditje kudo dhe për këdo. Pavarësisht kur goditet ndonjë emër i njohur nuk del nëpër media sepse është ai muhabeti juaj. Por ne goditjet i kemi bërë dhe do vazhdojmë t’i bëjmë. S’ka asnjë që është mbi 83 mandatet që na ka dhënë populli shqiptar dhe ne nuk do ndalemi në këtë pikë.

Për sa i përket çmimit, ne jemi përgatitur krijimin e një agjencie të re që do të jetë agjencia kombëtare e planifikimit urban dhe e strehimit dhe do t’i qasemi në një mënyrë të re çështjes së strehimit, qoftë për sa i përket strehimit social qoftë për sa i përket incentivave për të krijuar mundësi për kategori të ndryshme shoqërore që të mund të aksesojnë apartamentet me çmime më të arsyeshme.

 

-Të gjitha këto propozime për ndryshim kanë një kosto për ndërtuesin dhe duke marrë parasysh çmimet e apartamenteve në Shqipëri dhe raportet ndërkombëtare që e cilësojnë Tiranën dhe Shqipërinë si lavatriçe të pastrimit të parave të pista, teksa po përflitet një fluks ndërtimi në Shqipëri, gjithë këto ndryshime duke shtuar koston e ndërtuesve, mos po tentojnë të mbajnë të njëjtat çmime duke bërë të pamundur blerjen e një shtëpie në Tiranë, le të themi një tjetër “Ok” për vijimin e pastrimit të parave të pista dhe pyetja e dytë, në lidhje me operacionin për hapësirat publike. Sipas jush cila është bashkia e cila ka dështuar totalisht në menaxhimin e hapësirave publike. Të paktën Tirana është kryesisht qyteti që ka më shumë problematika, por ndoshta një vlerësim i juaji duke qenë se ju jeni dhe iniciatori i gjithë këtij aksioni. Kush është bashkia që ka dështuar në menaxhimin e hapësirave publike dhe në zënien e tyre kundrejt cenimit të lirisë së qytetareve?

Kryeministri Edi Rama: E para Tirana është si kurrë më parë në median ndërkombëtare si një kryeqytet në zhvillim, si një kryeqytet për tu vizituar, si një kryeqytet me një arkitekturë të admirueshme për shkak të disa veprave arkitektonike natyrisht jo për të gjitha, etj. Dhe natyrisht që siç ka 95% të artikujve në mediat ndërkombëtare që flasin për këtë Tiranë, ka dhe një 5% që flet për këto lloj historish të lavatriçeve. Po unë nuk merrem as me lavatriçe as me frigorifer. Unë merrem me Tiranë dhe me Shqipërinë që po transformohet dita ditës dhe që është në sytë e të gjithëve ky transformim. Edhe në Danimarkë kur ishim dje po ju them që akoma ma përsërisnin ‘Sa bukur Tirana, sa bukur kaluam në Tiranë’. Imagjino, Tirana, një qytet, një kryeqytet ku kur unë kam pritur gazetaren e parë të huaj që kam takuar kur isha ministër Kulture që ishte një gazetare italiane revistës “Panorama”, më ka mbetur gozhdë ajo që më tha se s’më kishte shkuar mendja, që më tha ‘ky është i pari qytet që shikoj në jetën time ku unë nuk bëj dot një fotografi”.  Kurse unë besoj që të thuash “Sy” nuk do të thotë që të kesh ekskluzivitetin që të punosh me gojën sa herë që të shkon mendja, ndërkohë që këtu merret mikrofoni bëhet pyetja, jepet përgjigja dhe pastaj vazhdohet. Kjo është përgjigja ime për çështjen e frigoriferit. Përsa i përket pyetjes tjetër të kostove çfarë domethënë kjo pyetje se nuk e kuptova. Kjo është si puna e një debati që kam dëgjuar në Komisionin  e Ligjeve para shumë vitesh që donin gjoba sociale. Pra gjobat që ne kishim propozuar për shkeljet e rregullave të qarkullimit ishin shumë të larta dhe disa deputetët të frigoriferit i kërkonin gjobat sociale. Ka një gjë shumë të thjeshtë në këtë punën e kostos. Mos bëj shkelje dhe nuk ke asnjë arsye të kesh kosto; mos ndërto pa leje dhe nuk ke asnjë arsye të paguash për prishjen dhe për pastrimin e pocaqisë dhe të krimit që ke bërë; mos shto jashtë lejes sipërfaqe dhe nuk ke kosto kur të vijnë dhe ta konfiskojnë dhe mbi të gjitha kostot e ndërtuesve nuk më interesojnë fare!Ajo që më intereson mua janë kostot e qytetarëve që paguajnë me kursimet e jetës së tyre dhe marrin kredi për të marrë një apartament, për të marrë një shtëpi dhe e ëndërrojnë atë shtëpinë e re dhe kur shkojnë të paguajnë ndërtuesi, se kisha një rast konkret para dy ditësh me një karagjoz, ndërtuesi i tregon projektin dhe te projekti shikon njeriu, mblidhet gjithë familja shikon projektin gjithë gëzim, aty projekti shkëlqen me pemë, me ndriçim dhe paguan. Kur shkon atje, ajo godina nuk ngjan fare me atë që ka parë në fotografi, është e shëmtuar, e para, e dyta futet brenda dhe nuk merr dot hipotekën sepse ai ndërtuesi ka shkelur të gjitha kushtet e lejes se do t’i marrë me vete në varr ato metra katrorë tepër që ka bërë. Kjo është kostoja që më intereson mua, nuk është kostoja që do ti rritet X apo Y se patjetër do që të bëjë shtesa se nuk i dalin 100 vila, do të bëjë 120, do dhe 20 pa leje.

Para dy ditësh fola me njërin, e mora vetë se i kishte bërë dhe të fortin inspektorëve, ia kishte shitur apartamentin një zonje me ballkon, atje s’kishte ballkon, i kishte marrë ballkonin. Ajo kishte bërë denoncimin, ma çoi dhe mua dhe thoshte ‘ja ku është çfarë kam blerë, një godinë me tre kate dhe në katin e parë me ballkonet, dhe ja çfarë kam marrë”, një godinë me bubuzhela si puna e atyre kondicionerëve  që venë nëpër fasada se nuk i kanë në lejet e ndërtimit dhe do tua heqim të tërë kondicionerët nga fasadat atyre që janë akoma në  proces se të tjerëve s’kemi çfarë tu bëjmë dhe ia kishte nxjerrë apartamentin në rrugë. Derën e ballkonit ja kishte bërë për të dalë nga shtëpia në rrugë dhe kush vinte në rrugë ti futej në shtëpi. Këto janë kostot që kam merak unë, nuk janë kostot e atij tipit që o do bëjë ballkonin, o do hyjë në listën e zezë.

Kjo pyetja cila bashki ka dështuar është pyetje frigoriferi. Këtu nuk bëhet fjalë se ka dështuar një bashki, kanë dështuar të gjitha bashkitë apo kanë dështuar disa bashki. Çështja është që ky është një kancer, një kancer i futur në trupin e Shqipërisë nga Partia Demokratike e Shqipërisë që të jemi shumë të qartë dhe nga udhëheqësi legjendar i asaj partie që thoshte, ‘Bathorja është mrekullia e tetë e botës se është qyteti i parë në historinë botës i ndërtuar i gjithi pa leje’. Është fjalim historik elektoral që thoshte “në Lanë po ndërtojmë Zvicrën shqiptare”. Te ato, kur u zu Lana, se ke qenë i vogël ti dhe ky kancer është luftuar në vijimësi dhe është fiksimi im ky kancer që kam filluar ta luftoj që ditën e parë që më është dhënë mundësia ta luftojë.

Çfarë ka ndodhur me këtë kancer? Është tkurrur, tkurrur, tkurrur, por nuk është shëruar. Nuk jemi sot në kushtet, që të jemi të qartë se shumëkush do të thotë “po mirë mo akoma kjo histori”. Jo nuk është akoma, kjo është pjesë e një procesi. Nuk jemi në kushtet kur vetëm nga Lana kemi hequr 132 mijë ton mbetje inerte, vetëm nga dy rrypat e Lanës atëherë. Sot nuk jemi në këto kushte. Sot janë struktura të çmontueshme, është një ndryshim shumë i madh. Përsa i përket kateve pa leje, po e vërtetë janë bërë kate pa leje, por janë të gjitha të konfiskuara, të gjitha janë marrë, janë sekuestruar dhe në bazë të ligjit janë detyruar aty ku ka kanë dashur ta bëjnë këtë gjë, ti blejnë me çmimin e tregut. Janë detyruar ti blejnë me çmimin e tregut vetëm për një arsye, dhe këtë parablerjen e hoqëm tani, se s’ka nevojë më. Tani kush bën të re nuk do të jetë më në gjendje të marrë njerëzit dhe ti përdorë si Hamasi. Ua kemi dhënë mundësinë e parablerjes sepse ua kishin shitur njerëzve dhe çfarë të konfiskosh. Janë miliona e miliona euro që vazhdojnë mblidhen sa për të qenë të qartë. Katet pa leje janë ndërtuar historikisht, nuk janë ndërtuar tani. Por ama nuk janë kurrë konfiskuar. Tani konfiskohen. 4 mijë e kusur metra atje te ‘’Syri i Tiranës’’, është bërë kontrata, do t’i marrë shteti. Aq sa janë, metër për metër do t’i marrë shteti. Është nënshkruar. Ndërkohë që kur në atë kohë unë propozoja që të vendoseshin gjoba, e di sa u vu gjoba? U vu 4% e kostos. 4% e kostos gjobë për metrin katror pa leje, është incentivi më i jashtëzakonshëm që t’i thuash njerëzve ‘’vazhdoni, se ku ta gjesh’’. Më mirë paguaj 4% të kostos sesa të presësh të marrësh leje e të paguash taksën.

Dhe nuk e kujtoj ekzakt shifrën sesa metra katrorë u ndërtua pa leje në Tiranë dhe ishte koha kur edhe të gjithë inspektimin e kishte pushteti qendror, një të ashtuquajtur polici ndërtimore. Mund të ketë polici ndërtimore për të prishur? Kështu qe duhet pak kujtesë historike se kur ‘’e ke arkivin në frigorifer’’, nuk të punon syri. Ka ndonjë pyetje tjetër?

 

– Zoti Kryeministër, aksioni i lirimit të hapësirave publike, do të jetë një nga pikat kryesore të fushatës suaj për të kërkuar votën e kryeqytetasve më 9 nëntor.

Kryeministri Edi Rama: O Zot, nuk është aksion, aksionet fillojnë e mbarojnë. Kjo nuk mbaron, nuk është aksion. Është një operacion final i metastazave të fundit të kancerit 30 e kusur vjeçar. Nuk është aksion. nuk ndalon ky. Do vazhdojmë, do vazhdojmë. Prapë në Theth, prapë atje në Theth, prapë, por ndryshe nga hera tjetër u kap në kohë dhe tani do shikoni që do bjerë në tokë. Kështu që kjo vazhdon, vetëm se tani nuk vazhdon më si macja me miun, tani me këtë paketë të re ligjore, pasojat janë aq të mëdha për ata që i marrin këto iniciativa, saqë nuk besoj që do jetë si më parë. Kështu që gjithë kjo kurbë rënëse do shkojë e do bjerë në fund. Nuk diskutohet. Kjo nuk ka lidhje fare, fare, zero me pjesën tjetër të pyetjes.

 

– Doja t’ju pyesja në fakt lidhur me disa reagime të ashpra tuajat publike lidhur me disa gjyqtarë, pikërisht për vendimet që kanë marrë me ndërtimet pa leje apo zënien e hapësirave publike. Pra nuk jeni marrë veçse me ndërtuesit, por jeni marrë edhe me gjyqtarët. Ka patur një reagim për këtë nga Unioni i Gjyqtarëve, edhe nga KLGJ duke e cilësuar si cënim të pavarësisë së gjyqësorit. A e cënon, zoti Kryeministër, pavarësinë e gjyqësorit retorika juaj e ashpër ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj njerëzve të drejtësisë? Dhe a është në kompetencën tuaj t’i gjykoni vendimet e gjykatave?

Kryeministri Edi Rama: E kuptoj. Tani, faleminderit shumë për pyetjen se është me rëndësi. E para, unë jam marrë me ta dhe do merrem prapë me ta për një çështje të interesit publik, jo për ndonjë çështje lidhur me ndonjë individ, po është një çështje e interesit publik dhe është një çështje edhe personale, sepse ata të Unionit janë ata që shkojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe kërkojnë rritje pagash në mënyrë të vazhdueshme, në mos gabohem. Prapë kanë kërkuar rritje pagash sepse u bë një rritje pagash dhe u tejkalua skema natyrale e çdo shteti e piramidës së pagave, vetëm për një arsye, për t’i dhënë fuqi gjykatësve dhe prokurorëve në funksion të reformës në drejtësi, që të ndiheshin të mbështetur dhe të pavarur dhe të mirë paguar dhe janë më të mirëpaguarit në rajon, por kjo nuk do të thotë që në gjithë historinë e këtij vendi, ata duhet të vazhdojnë të jenë mbi Presidentin e Republikës dhe kjo nuk do të thotë që sa herë të rriten pagat e mësuesve, punonjësve të policisë, të mjekëve, të infermierëve, pagat e tyre duhet të rriten se duhet të jenë gjithmonë më lart. Jo!

Pra, këta janë ata të Unionit që të jemi më të qartë. Dhe u shqetësuan ata, po unë si t’ia bëj tani, se në momentin kur qytetarët me shumë të drejtë denoncojnë dhe thonë ‘’kemi këtë këtu, na ka zënë rrugën’’, një nga këto masat e sigurisë ishte marrë për një godinë ku jo metaforikisht, literalisht, familjet kalonin përmes lokalit që të çonin fëmijët në shkollë. Nuk kishe nga të kaloje, ishte zënë rruga komplet midis 2 pallateve dhe për të dalë në rrugën kryesore, ata duhet të futeshin nëpër lokale dhe tani çfarë t’i them unë atyre familjeve? T’i kap tek e tek  e ‘’shiko se nuk e keni nga unë dhe nuk e keni nga qeveria këtë gjë’’? Se ata me të drejtë thonë ‘’e shikoni? Ja, u korruptuat? Ja, ju dha lekët; ju bëri këtë, ju bëri atë; si s’u hoq”? Dhe kanë të drejtë, si do kalojnë? Ata thonë ‘’shyqyr erdhi kjo ditë që të na hapet më në fund rruga’’. Tani si të bëj unë? Të pushoj, mos të flas fare dhe ata le të vazhdojnë të rrinë me idenë që ma dhanë mua votën, 83 mandate që të vazhdojnë të rrinë me atë zaptuesin atje që shkon kap një gjykatës dhe gjykatësi komplet pa lidhje i merr masë sigurie në orën 8 të mëngjesit, as nuk e di fare se për ça merr masë sigurie se jam i bindur që ai nuk e ka parë fotografinë, nuk e di se për ça bëhet fjalë. Se po të kishte parë atë fotografi, do ta mendonte si për veten e vet dhe do thoshte ‘’më fal, këtu ti nuk merr masë sigurie’’. Masë sigurie për ndërtim pa leje. Si merret masë sigurie për ndërtim pa leje? Mund të ma thuash? Ça mase sigurie mund të marrësh për ndërtim pa leje? Ça do gjykojë gjykata për ndërtim pa leje? Dhe arsyeja e vetme në ketë rast, është që jo vetëm është interes publik, por është edhe personale në kuptimin e raportit me qytetarët dhe në kuptimin e dinjitetit të gjithë qeverisë, e të këtij operacioni se ndryshe nëse njerëzit thonë ‘’këtij ia lanë, këtij ia hoqën; atje e lanë, atje e hoqën’’, s’ka më asnjë lloj dinjiteti kjo punë dhe të gjithë duhet ta dinë; aty ku nuk hiqet, nuk është qeveria, nuk është bashkia, nuk është inspektorati, nuk është policia. Është ky, me emër dhe me mbiemër dhe me portret atje. Anatemim publik? Po ky që po them unë, nuk është anatemim publik? Më fal, lëre strukturat, ky që po them unë, nuk është anatemim publik? Kjo është shkelje haptazi e ligjit, këtu nuk kemi ça diskutojmë fare, hiç dhe është e vetmja mënyrë që unë kam gjetur, e di shumë mirë unë atë që thua, jam dakord, nuk është normale, nuk është fare normale, por çfarë të bëj unë tani, ma thuaj? Si t’ia bëj unë, çfarë të pres unë? Të pres inspektorin e lartë të drejtësisë? Atë të pres, që amniston në tavolinë gjelin e Thethit?! Dhe gjënë më flagrante që shpall mos fillimin e çështjes pa i hyrë fare fakteve, çfarë të pres? Dhe nuk kam folur, por ama në momentin kur do shkelin popullin atje, jo politikanët, jo këta. Unë kam rezerva sa të duash për plot gjëra që bëjnë këta, s’flas. Kam plot, s’flas, por kur shkelin me këmbë këta popullin që në pikë të sabahut dalin atje, pa pikë përgjegjësie, i paguan ky popull ata si frëngu pulën. I kemi dhënë pavarësinë që se kanë pasur që nga 1912-ta, por deri tek marrja e fytyrës në publik ndërkohë që ata si njeh njeri fare, si njeh njeri as kush janë as çfarë bëjnë edhe i japin vetes super pushtetin që t’i thonë një lagje të tërë ikni se s’ju llogaris fare se do i jap masë sigurie këtij, kjo nuk ndodh.

E kuptoj që nuk është normale por tani jam normalizuar jashtëzakonisht shumë nga ç‘kam qenë. Nuk është çështje reforme e re në drejtësi se këtu janë bërë prishjet e dynjasë dhe masat e sigurisë nuk janë po aq sa prishjet, janë një numër i vogël, por as nuk duhet të ketë asnjë masë sigurie për ndërtim pa leje. Çfarë do me thënë mase sigurie për ndërtim pa leje? Ma thoni ju çfarë do me thënë mase sigurie për ndërtim pa leje? Si merret masë sigurie për ndërtim pa leje? Nuk ka asgjë që justifikon ndërtimin pa leje se nuk është një gjë që ti e bëre në një moment të caktuar, dhe e bërë dhe ok. Ajo është veprimtari e planifikuar me muaj. Si do ta justifikosh ti këtë? Kështu që të jap të drejtë, po s’kam se si ia bëj ndryshe sepse është komplet e pa tolerueshme për mua që të shkelen me këmbë një komunitet i tërë familjesh dhe të mendojnë ata që halli i tyre vazhdon sepse nuk zbatohet ajo që unë kam thënë. Kjo nuk ndodh. Ta dinë ata që po, e keni peshqesh nga ky tipi që e di veten super pushtet. Se Kushtetuta thotë janë tre pushtete të pavarura, nuk thotë është njeri. Janë tre!

Cila është pavarësia ime dhe pavarësia jonë këtu? Çfarë pavarësie kemi ne? Pavarësinë për të marrë vendime dhe për të zbatuar vendime. S’kemi pavarësi tjetër. Ata kanë pavarësi për të gjykuar ligjshmërinë e vendimeve tona, por jo për të gjykuar a duhet ta marrim a s’duhet ta marrim një vendim. Këtë s’mund ta negociojmë ne. Këtë se negociojmë dot me ta ne. Ata të bëjnë punën e tyre, ne kemi punën tonë. Parlamenti ka punën e vet dhe të treja pushtetet pastaj kanë pikat e tyre të ndërveprimit. Por që kjo nuk është normale, nuk është normale por nëse kjo nuk është normale ajo tjetra është kriminale që bëjnë ata. Masë sigurie për zaptues është kriminale. Është bashkëpunim në krim, kjo imja s’është normale. E pranoj, s’është normale. Shpresoj që të mos marrin më masa sigurie që të më vënë në këtë pozitë

 

-Po me problemet dhe me masat e sigurimit, ka diçka kontradiktore në atë që thoni dhe në atë që propozuat. Ju e pranoni, e thatë vet gjatë fjalës suaj që institucionet shtetërore, ato që janë kontrolluese kanë dështuar në 1,2,3,4,5 probleme me ndërtime pa leje dhe nga ana tjetër ju i thoni qytetarëve që vendimet e këtyre institucioneve kontrolluese do ekzekutohet pa pritur vendimin e gjykatës. Si do ti besojmë ne verbërisht që këto institucione kontrolluese që nuk e kanë bërë detyrën siç thatë ju, do ta bëjnë këtë në mënyrë korrekte?

Kryeministri Edi Rama: Të lutem se e kam shumë problem tani që të bëhemi të gjithë juristë, aman të keqen se unë nuk jam jurist, ti nuk je jurist.

-Nuk është për juridik kjo, është diçka shumë e thjeshtë, elementare.

Kryeministri Edi Rama: Ashtu të duket, edhe ty edhe mua ashtu na duken, por mua kjo puna këtu më ka mësuar që nuk janë kaq elementare saç na duken ne, edhe sqarojini njerëzit për atë barazinë gjinore se i keni bërë çorap. Disa duan të bëhen vetë çorap, disa duan të bëjnë çorap, por të paktën ju sqarojini për shembull se ajo është shumë e thjeshtë. Ligji për barazinë gjinore nuk ka absolutisht asgjë që lidhet me gjithë këto shqetësimet e mëdha që janë krijuar. S’ka. Zero fare! Është ligj për barazinë gjinore. E kupton sa e thjesht është? E keni bërë çorap, të gjithë bashkë, kështu që në rastin konkret, edhe një herë që të jemi shumë të qartë, është ekzaktësisht kështu si po them. Ankimimi administrativ ndaj vendimit të trupës, nuk pezullon ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të trupave inspektuese. Dhe kjo nuk ka lidhje fare me atë që folëm. Ndërtimi pa leje është kostoja e ndërtuesit pa leje.

 

– Tashmë jeni në një mandat të katërt, me 83 mandate dhe duket që jeni të gatshëm për t’i çuar të gjitha aksionet apo vendimet që ju ndërmerrni pavarësisht faktorëve të tjerë. Edhe me propozimet që keni bërë për ndryshimet ligjore që ende nuk kanë hyrë në fuqi, pasi duhet të kalojnë në parlament fillimisht, kërkoni që pezullimi apo vendimi i gjykatës administrative…

Kryeministri Edi Rama: Edhe një herë të lutem shumë, lexojeni siç është sepse nuk është kështu siç e thua. Nuk është kështu. Nuk është kundërshtim i vendimeve të gjykatës, nuk ka lidhje fare.

 

-Duke u nisur për shkak të një vendimi që ju keni marrë mjaft të diskutueshëm në opinionin publik, për zgjedhjet në Tiranë ka pasur një pezullim nga ana e Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Këshillit të Ministrave dhe ju nuk e respektuat duke nxituar të paktën për të shpallur vakancën dhe duke ia drejtuar Presidentit të Republikës për të shpallur një dekret.

Kam dhe një pyetje tjetër. Çfarë po ndodh me sigurinë në shkolla, pasi ditën e djeshme sërish ka pasur një konflikt me thika në mes të 5 adoleshentëve, ku 2 janë plagosur, pavarësish që tashmë oficerët e policisë janë vendosur ndërkohë situata janë përsëri mjaft të rënda.

Kryeministri Edi Rama: Çfarë është kjo, se nuk e kuptoj. Të dhashë fjalën, çfarë na çon në 17 tema të tjera, se të thashë çfarë teme kemi sot. Këto kanë hyrë në fuqi, të gjitha. Sepse janë akt normativ që hyn në fuqi menjëherë. Ka forcën e ligjit sepse është emergjencë dhe këto kanë hyrë në fuqi, që ta dish. Kurse për pyetjet e tjera, flasim në ditët në vijim.

 

– Ju e përmendët rastin e një zonje apo abuzimeve të tjera për sa i përket banesës apo diçka tjetër. Çfarë do të bëhet me këta qytetarë që sytë i kanë nga ju dhe nga shteti për të zgjidhur këtë problematikë që kanë?

Kryeministri Edi Rama: Kemi zgjedhur në vitin 1990 marrëdhëniet kapitaliste, dhe marrëdhëniet kontraktuale midis palëve janë marrëdhënie që janë përgjegjësi e palëve, ajo që shteti bën, është që në mënyrë të vazhdueshme adreson problematikat që dalin, dhe bën ligje, krijon korniza të reja në mënyrë që këto problematika që shfaqen si rezultat i boshllëqeve që mund të jenë në legjislacion dhe boshllëqeve në zbatim, të tkurren dhe mundësisht të eliminohen. Ky është një proces i vazhdueshëm, se sikur të zgjidheshin gjërat të gjitha nga një qeveri, nuk do kishte bota nevojë të zgjidhte qeveri çdo 4 vjet, dhe të rinovonte çdo 4 vjet mandatin e një qeverie se është proces i pambarim.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.