Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kavaja, në prag të vitit të ri 2022 ka lënë pas panoramën e rrënojave. Sot, 153 familje do të hyjnë në apartamentet e tyre të reja, falë Programit të Rindërtimit, i cili po rikthen shpresën e humbur dy vjet më parë, në çdo qytet të prekur rëndë nga tërmeti.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kavajë, në lagjen e re, ku gjurmët e rrënojave janë zhdukur për t’ja lenë vendin një kompleksi modern banimi me standarde optimale, me hapësira për fëmijë e të moshuar, që në nëntorin e dy viteve më parë dukej mision i pamundur.

“Objektivi ynë është që brenda vitit 2022 të gjitha gjurmët e tërmetit të jenë zhdukur – u shpreh në fjalën e tij, Kryeministri – e kudo ku tërmeti hapi një plagë, të ketë një shtëpi të re, të ketë një familje të gëzuar, të ketë fëmijë, gjyshër e gjyshe që kujtimin e tërmetit e ruajnë si momentin e kthimit të një të keqeje në një mirësi të madhe.”

* * *

Mirë se ju gjeta dhe më vjen shumë mirë që pas pak do mund t’iu them “Mirë se ju gjeta në shtëpi”, pas një periudhe jo të shkurtër.

Dy vjet pa shtëpi janë shumë për jetën e një familje, por unë besoj që 2 vjet për të rindërtuar shtëpitë e mijëra e mijëra familjeve, janë një kohë goxha e shpejtë, po të kemi parasysh se jo shumë larg, por matanë detit, në një vend që është fuqia e pestë ekonomike e botës, në Itali, dhe që ka pasur fatkeqësinë të goditet nga shumë tërmete, sot që flasim ka shumë familje që enden në kabina, në rulota, presin të kthehen në shtëpi pas tërmetit që i nxori jashtë 10, 12 dhe 15 vite më parë.

Duke bërë këtë krahasim dhe duke shtuar që mund të kishim qenë edhe më të shpejtë, nëse një fatkeqësi tjetër shumë e madhe nuk do na hynte në mes, duke na bllokuar përkohësisht, pandemia. Sidoqoftë, sot, duke parë kaq shumë familje që po kthehen në shtëpi për të gëzuar Vitin e Ri me fëmijët, në një strehë të re, është një burim energjie, një burim optimizmi, një burim kurajoje dhe është dhe burim krenarie, të them të drejtën.

Është një nga ato arsye që të jep politika për të vazhduar të merresh me të dhe për të mos u neveritur deri në pikën që t’i kthesh asaj kurrizin, duke i lënë njerëzit vetëm, për shkak të atyre që asnjëherë nuk mungojnë në asnjë komunitet, në asnjë shoqëri dhe fjalën e keqe e kanë si ajrin që nxjerrin.

Është një nga ato momente ku të gjithë duhet të shohin sa e rëndësishme është që politika të bjerë në duar që bëjnë punën e duhur. E sot, unë jam shumë i lumtur që shoh gjithë këta fëmijë e të moshuar, që pas një periudhe shumë të vështirë dhe mbi të gjitha pas asaj goditje të rëndë psikologjike të humbjes së shtëpisë, kthehen të buzëqeshur në shtëpi. Në shtëpi, që padiskutim, janë shumë më të mira, shumë më të forta dhe shumë më të bukura, por që mbi të gjitha, janë si këtu, në këtë rast, pjesë e një komuniteti, në një bllok banimi me standarde optimale, njësoj si të ishte një bllok banimi për ata që i kanë mundësitë të blejnë shtëpi të reja në Tiranë, një bllok banimi me hapësira për fëmijët dhe të moshuarit, me parking nëntokësor. Një bllok banimi me mundësinë që të gjithë të ndjehen pjesë e një komuniteti dhe mbi të gjitha, pronarë legjitimë, me një titull pronësie që trashëgohet brez pas brezi dhe që është falas.

Ky është një program Rindërtimi i pangjashëm me programet e Rindërtimit të bëra pas tërmeteve në vende të tjera sepse është i pari program Rindërtimi pa asnjë lek të vënë në dispozicion nga familjet e prekura.

Sigurisht është një kontribut i buxhetit të shtetit, kontribut i solidaritetit të partnerëve tanë, i atyre që na u gjendën në atë ditë të vështirë dhe atyre që na u bashkuan në Konferencën e Donatorëve.

Në fund të ditës, është një kontribut solidariteti, pa asnjë ngarkesë financiare për ata që u goditën drejtpërdrejtë nga tërmeti dhe pa asnjë barrë në kurriz të familjeve dhe fëmijëve të tyre për të shlyer çfarëdo qoftë kredie, sado të butë.

Nga momenti që ju hyni në shtëpi, jeni pronarë të këtyre shtëpive dhe duke qenë se këtu jemi në një zonë me përmbajtje demokratike, në aspektin politik, maksimumi që mund t’iu ndodhë në të ardhmen është që t’iu ndërrojnë bravën, por ngjyrën e bravës, se çelësin nuk jua marrin dot.

Askush më pas nuk mund të vijë nesër dhe të thotë “Shiko, se për këto shtëpi që ka paguar shteti, se të gjitha këto janë kontribut i drejtpërdrejtë i qeverisë nga buxheti i shteti, ju duhet të paguani diçka”.  Këtë nuk jua bëjnë dot.

Këto shtëpi janë tuajat dhe askush nuk vjen dot të pretendojë asgjë.

Janë tuajat për t’i trashëguar, janë tuajat për t’i dhënë me qera, janë tuajat për t’i shitur, nëse doni t’i shisni një ditë, si të gjithë pronarët e ligjshëm në Republikën e Shqipërisë.

Sigurisht që kjo është një arsye tjetër për të qenë krenar.

Dua të them po ashtu diçka, se përsëritet në mënyrë të vazhdueshme nga ata që tani nuk kanë vërtetë se çfarë të thonë sepse i thanë të gjitha.

Thanë në fillim që do mbeteni rrugëve.

Në fakt, ky program rindërtimi nuk është një program rindërtimi thjesht tek pjesa e ndërtimeve, por është program rindërtimi qysh ditën e parë, ndërkohë që filluam punën për të identifikuar hapësirat ku do ndërtonim blloqet e reja të banimit, për të zgjidhur çështjet e pronësisë, për të zgjidhur çështjet e financimit, për projektet etj etj, duke i dhënë të gjithëve mundësin që 24 orë pas rënies të tërmetit, të jenë në një strehë të ngrohtë, me ushqim të ngrohtë, pa ndërtuar kampe, me kabina, me rulota, me çadra.

 

Çadrat u vendosën vetëm në zonën e fshatit dhe vetëm aty ku shtëpitë ishin larg qendrave të banuara, për t’u ardhur në ndihmë direkt atyre, që për shkak të tokës, fermës dhe gjësë së gjallë, donin të rrinin aty.

Sepse, menjëherë, të gjithë familjeve, me mijëra e mijëra, iu dha bonusi i qerasë dhe të gjithë ju dhe gjithë të tjerët që hyjnë tanimë në shtëpinë e re apo presin të hyjnë në shtëpinë e re, sot vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi me qera të paguara nga qeveria, për të vazhduar jetën normalisht. Rreth 100 familje që janë akoma në çadër, janë sepse duan të rrijnë tek toka dhe tek gjëja e gjallë, që është në pika shumë të largëta dhe nuk iu del llogaria të shkojnë e të vijnë çdo ditë, por ama dhe ata marrin bonusin e qerasë çdo muaj nga qeveria.

Tjetra që është e rëndësishme të thuhet është që këto nuk janë lekët e botës, siç përsëritet e përsëritet.  Këto nuk janë lekët e botës.

Në gjithë programin e Rindërtimit, kontributin kryesor e ka qeveria shqiptare. Ne jemi shumë krenar për këtë, që arritëm me gjithë vështirësitë, me gjithë pandeminë që hyrë të mes, të mos lëmë mangët asgjë për ta çuar Rindërtimin deri në fund me fondet e qeverisë shqiptare.

Partnerët tanë kanë kontribuar dhe kontribuojnë për një pjesë të shkollave, BE, për lagjen e re në Laç Republika e Turqisë dhe për lagjen e re në Spitallë portofoli i Princit të Kurorës së Emirateve të Bashkuara. Gjithçka tjetër është kontribut i taksapaguesve shqiptarë dhe shtoj këtu, përsëri për të qenë të qartë të gjithë, që për sa i përket lekëve të botës, se janë ata që akuzojnë “ku i çuat e si i morët, me këto do kishit ndërtuar Shqipërinë dy herë”. Bota që na ka ndihmuar, lekët nuk na i jep ne, i bën vetë projektet, i cakton vetë kompanitë, i paguan vetë për çdo punë që bëjnë dhe i përmbyll vetë ndërtimet. Ajo që bën qeveria në këto procese është vetëm monitorimi i procesit dhe vendimmarrja për projektet, për standardet, për të gjitha. Gjithçka tjetër e bëjnë vetë partnerët. Të gjitha shkollat që ndërton Bashkimi Europian, i ndërton Bashkim Europian, pra projektet, kompanitë, supervizionin, të gjitha i paguan vetë Bashkimi Europian, nuk është një thes apo një valixhe që u mbush me para në Bruksel apo u mbush me para në Stamboll apo u mbush me para në Abu Dhabi dhe erdhi këtu, jo. Ata kontribuojnë sipas asaj pjese të programit të rindërtimit që ne i ju kemi dhënë për të kontribuuar.

Tjetra që është shumë e rëndësishme, sepse disa thonë që “këto u bënë me borxhe e tani borxhet do t’i paguajmë ne”.

Edhe kjo është e pavërtetë.

Ky është kontribut i buxhetit të shtetit, për ata që janë më në nevojë, e kjo është filozofia jonë.

Ne jemi këtu në radhë të parë për ata që kanë më shumë nevojë.

Ne jemi këtu në radhë të parë për të lehtësuar ata që gjenden më shumë në vështirësi dhe natyrisht që punën çdo qeveri e bën me taksat, se thonë disa që “pse krenoheni sikur e keni bërë me lekët tuaja”. Qeveritë, që ku kanë lindur e deri më sot, në historinë e njerëzimit, këtë punë kanë bërë të administrojnë taksat dhe dallimin mes qeverive nuk e bën fakti se kush i bën me lekët e këtij apo me lekët e atij, por e bën fakti se kush bën punën më të mirë, duke administruar kontributet e qytetarëve e natyrisht që ne bëjmë detyrën se të gjitha qeveritë për detyrën zgjidhen, nuk zgjidhen për të bërë vezë të kuqe ama dhe këtu dallimin e bën se kush e bën më mirë detyrën dhe unë besoj që pavarësisht të gjitha dobësive, të metave, gabimeve, ne detyrën dimë ta bëjmë më mirë se kushdo tjetër në këtë vend.

E fundit që kam është për ata që sot shohin këtu këto familje që do të hyjnë në shtëpi dhe ende presin.

Ky është një bllok më i madh se kaq sepse shtrihet dhe në anën tjetër dhe puna vazhdon intensivisht që brenda janarit, edhe ana tjetër e bllokut të dorëzohet dhe edhe ato familje në krahun tjetër të futen në shtëpi.

Kështu, këto 153 familje që janë gati të hyjnë sëbashku me ato familje që janë në anën tjetër, do të bëhen një komunitet i madh dhe do të trashëgojnë një kompleks, i cili është një kompleks me standarde si të çdo kompleksi nga ato që blejnë njerëzit që kanë mundësi të blejnë shtëpi në mes të Tiranës.

Ndërkohë që, dy janë pikat ende në proces sepse janë edhe pikat me intensitetin më të madh të punës që na është dashur të kemi shumë më tepër punë përgatitore e të tjera e të tjera, që janë lagjet e mëdha të 5 Majit e të Kombinatit në Tiranë, lagja e re në Spitallë të Durrësit.

Edhe ato janë në punë dhe objektivi ynë është që brenda vitit 2022 të gjitha gjurmët e tërmetit të jenë zhdukur e kudo ku tërmeti hapi një plagë, të ketë një shtëpi të re, të ketë një familje të gëzuar, të ketë fëmijë, gjyshër e gjyshe që kujtimin e tërmetit e ruajnë si momentin e kthimit të një të keqeje në një mirësi të madhe, sepse 99% e njerëzve që humbën shtëpitë nga tërmeti, falë punës së bërë sëbashku do të gëzojnë shtëpi më të mira, më të bukura e më të forta se ato që kishin para se të binte tërmeti dhe pjesa më e madhe e këtyre familjeve kurrë nuk do kishin mundësi të arrinin të blinin të paktën për dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet shtëpi si këto.

Kështu që me shumë kënaqësi ju them t’i gëzoni! Është vërtetë e jashtëzakonshme që të marrësh rrugën për të ardhur në këto takime të fund vitit sepse është njësoj si të shkosh diku e të furnizohesh me energji pozitive, që është energjia e zemrave plot të të gjithë juve dhe të të gjithë atyre njerëzve që u gjendën papritur e pa kujtuar vetëm nën qiellin e hapur e pastaj falë këtij solidariteti, filluan pak nga pak të besojnë e tani po prekin realitetin e një zotimi të madh, solemn, të mbajtur, që ne nuk do lëmë askënd vetëm sepse në atë moment kur ra tërmeti, edhe ju dhe unë dhe të gjithë menduam se kjo ishte një goditje nga e cila nuk do ta merrnim dot veten, se ne nuk jemi një vend i pasur dhe as një shtet i super fuqishëm, por ja që ne ia dilkemi dhe po ju them, kur ia kemi dalë kësaj vështirësie siç ia kemi dalë jo keq deri më tani dhe vështirësisë me pandeminë, nuk ka asgjë që na ndalon t’ia dalim dhe të gjitha vështirësive të tjera.

Siç ishte ky proces rindërtimi është dhe i gjithë procesi i rindërtimit të shtetit tonë. Ka vështirësitë e veta, ka momentet e veta të vështira, ka pengesat e veta, ka gabimet e veta, ka edhe rëniet momentale, por ne do të vazhdojmë të ngjitemi dhe ja sa mirë erdhi dhe ezani, në kohën e duhur. T’i gëzoni shtëpitë tuaja!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.