Fjala e kryeministrit Edi Rama në inaugurimin e veprës “La Radura” e Stefano Boerit e vendosur në mjediset e Kryeministrisë, ku me këtë rast u zhvillua një diskutim i hapur i arkitektëve shqiptarë dhe të huaj mbi projektimin e lagjeve të reja, për strehimin e të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit:
Shumë faleminderit për këtë mundësi Stefano sepse u bashkuan disa gjëra bashkë.
U bashkua momenti kur i prezantojmë publikut këtë vepër arti, por që njëkohësisht është dhe një hapësirë e re tërheqëse për këdo që do dojë ta shijojë, bashkë me një gjë shumë komplekse dhe shumë më të rëndë se sa pesha e hijeshisë apo e bisedës për këtë mjedis, që është tema e post tërmetit. E duke qenë se në këtë pjesë unë jam shumë i përfshirë dhe plus kësaj, me Stefanon kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm, dëshiroja të isha me ndjesën që nuk do qëndroj dot deri në fund, për të thënë që, së pari, i jam Stefaonos mirënjohës sepse ai ka një histori tanimë me Tiranën, një histori personale, një histori artistike, një histori profesionale që e lidh si një nga arkitektët dhe urbanistët italianë që në historinë e këtij qyteti, bashkudhëtuan me qytetin në një fazë të caktuar për të projektuar zhvillimin dhe faktikisht, që në momentin e parë pas rënies së tërmetit, më ka shkruar duke më shprehur gjithë gatishmërinë për të qenë i pranishëm e për të kontribuuar me dijen dhe me mundësitë e tij në funksion të rindërtimit.
I jam mirënjohës për këtë, ashtu sikundër besoj që është fat që ne kemi mundësi dhe falë kapitujve që kemi shkruar sëbashku në procesin e udhëheqjes dhe zhvillimit të Tiranës, të kemi pranë dhe njerëz si Stefano apo disa të tjerë që janë përfshirë në këtë përpjekjen për rindërtimin, si dhe një pjesë të madhe të atyre që janë këtu të pranishëm që kanë pasur një lidhje të drejtpërdrejtë profesionale me zhvillimet në kryeqytet.
Por nuk është vetëm kryeqyteti, janë dhe pjesë të tjera të vendit, në perimetrin e emergjencës, që janë prekur në mënyrë serioze. Megjithatë ne jemi këtu për të folur pikërisht për çfarë do të bëjmë me kryeqytetin e çfarë do të bëjmë me ata, të cilët në kryeqytet kanë nevojë për t’u sistemuar në një strehë të re.
Janë dy kategori të mëdha, një kategori janë ata, të cilët jetojnë në zonat urbane dhe një kategori janë ato që janë në zonat rurale që do të thotë që janë dy natyra të ndryshme zhvillimi, njëra që kërkon një vizion dhe përbën një sfidë të madhe për të ndërtuar lagje të reja, për të ndërtuar infrastrukturë të re, për të ndërtuar shembuj të rinj të të jetuarit në zona urbane dhe pjesa tjetër që kanë nevojë për të pasur një strehë, por ku kemi sfidën që me këtë rast, jo vetëm t’i japim një strehë më të mirë se ajo që kishin më përpara, por dhe të arrijmë ndoshta që t’i afrojmë me njëri-tjetrin, që të luftojmë pak fragmentimin e tmerrshëm të mënyrës së të jetuarit për shkak të ndërtimeve të hapërdarë lart e poshtë, duke krijuar kushtet për disa komunitete të integruar, të vogla, në qendrat e njësive administrative apo fshatra.
E fundit që do thosha është që shembujt e ndryshëm, të cilët mund t’i referohem, në situata pas tërmeteve, janë shumë të ndryshëm, ka raste kur tërmetet kanë shërbyer si katalizator të një ndryshimi të madh e kanë sjellë një cilësi të re përmes rindërtimit e përmes ri konceptimit të shumë aspekteve të zhvillimit dhe ka raste kur kanë prodhuar situata realisht të rënda, zvarritje dhe gangrenizimi të plagëve të hapura.
Stefano ka një njohuri të posaçme në këtë aspekt për faktin që vjen nga Italia dhe Italia ka shumë eksperienca e ka shembuj të shkëlqyer, ka dhe shembuj dramatik të situatës post tërmetit. E faktikisht, sot ka akoma jo pak njerëz që jetojnë në tranzicion, nëpër kabina, në pritje që të kenë një shtëpi, pas tërmetesh që kanë rënë dhe 20 vjet përpara. Besoj që në këtë pikë, është e qartë që sfida jonë është t’i përkasim shembujve pozitivë dhe besoj që me sistemimin, reagimin e parë ndaj emergjencës, hyjmë tek shembujt pozitiv sepse nuk janë të panumërta rastet kur sistemimi ka ndodhur në një kohë kaq të shkurtër, atë po thoshte dhe Stefano kur po diskutonim më përpara dhe kur mijëra njerëz brenda shumë pak kohe, në harkun e maksimumi 10 ditëve të gjithë bashkë janë gjendur të sistemuar ose nëpër hotele ose nëpër shtëpi me qera. Ndërkohë që pak më të vështira ka qenë në ato në zona rurale për shkak të nevojës së tyre për të qëndruar aty, ku janë e të cilët po vazhdojmë t’i pajisim me çadra dimërore si e vetmja mundësi tranzicioni. Por ndërkohë besoj që me zgjedhjen që kemi bërë, në zonat rurale do jemi në gjendje të bëjmë një rindërtim të shpejtë, do jemi në gjendje që absolutisht brenda vitit të ardhshëm, po e them si afat fundor, por më përpara se sa fundit të vitit të ardhshëm, ne të jemi në gjendje që të gjithëve t’u kemi ofruar mundësinë për një shtëpi më të mirë se ajo që kishin më parë
Faleminderit dhe një herë të gjithëve dhe duke ia kalbur Stefanos mikrofonin, dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ata ndër ju që njësoj si Stefano, apo si disa nga miqtë tanë të huaj, kanë qenë të gatshëm për t’u përfshirë, e tani me sistemimin e planit, e kalendarit, e hapave dhe hartës së veprimeve për ndërtimin që po koordinon Elva do ketë nevojë, jo vetëm për gjithë ju që jeni këtu, por dhe për shumë më tepër forca sepse nëse duam të kapim afatet ambicioze që i kemi vënë vetes, na duhen shumë njerëz të përfshirë në zbërthimin e projekteve, në realizmin e projekteve ekzekutive që janë edhe komplekse sepse nuk është thjesht çështja për të ndërtuar godina banimi, por për të ndërtuar realisht hapësira të reja komunitare. Kështu që paraprakisht faleminderit dhe për atë që do bëni më pas.