Edhe një kantier tjetër i është shtuar qytetit të Laçit, pikërisht, kantieri i spitalit të ri bashkiak që sapo ka nisur dhe që do të hapë dyert brenda 4 muajsh. Një investim i shumëpritur për banorët e qytetit, të cilët përveçse shtëpitë, humbën nga tërmeti edhe institucionin ku merrnin shërbimet shëndetësore të domosdoshme.
Spitali i ri, me një projekt të mirëkonceptuar synon të përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme, nevojën për shërbimet shëndetësore bazë, të ofruara përmes një infrastrukture moderne me kushte optimale. “Që në momentin që filluam punën për spitalin e ri morëm dhe një model se si duhet të jetë një spital bashkiak, duke parë edhe prirjet demografike, por edhe nevojën për një shërbim bazë. Spitali do të ketë 40 shtretër dhe ndërkohë do të ketë modelin e një spitali 24 orësh. Do të ofrojë shërbimet e emergjencës, shërbimet patologji, shërbimet pediatri, dhe shërbime të maternitetit. Ndërkohë që do të ketë edhe poliklinikën, d.m.th, konsultat brenda një godine. Spitali që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit ka qenë spitali që ofronte shërbime për pjesën më të madhe të popullatës, por sigurisht me prurjet demografike ishte kufizuar në një ambient. Ndërkohë që spitali i ri do të ketë të gjithë parametrat bashkëkohorë dhe është planifikuar që të ofrojë të gjithë shërbimet të integruara dhe të mundësojë pikërisht shërbim më cilësor për qytetarët.” – u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit që Kryeministri Rama zhvilloi sot në kantier.
I shtrirë në një sipërfaqe prej 2500 metër katrorë, spitali do të ketë të organizuar brenda një godine, shërbimin e urgjencës, poliklinikën, fizioterapinë, imazherinë, si dhe repartin e pediatrisë dhe maternitetin.
Kryeministri Rama kërkoi nga stafi i zbatuesve të projektit që të punohet intensivisht me tre turne, për të përfunduar një vepër kaq të rëndësishme për qytetarët, para afatit të parashikuar. “Duhet të punoni 24 orë me tre turne, që ta mbarojmë përpara afatit dhe është e mundur sepse është një volum relativisht i vogël dhe me këtë teknologji kryhet me sukses. Është ekologjike, antisizmike, plus, nga pikëpamja e shërbimit është perfekt”, – u shpreh ai.
Modeli mbi të cilin po ndërtohet spitali do të jetë model edhe për qytete të tjera. “Do të jetë modeli i ardhshëm i spitaleve bashkiake, – pohoi Ministrja Manastirliu, – sepse aktualisht ka një mungesë eficence dhe racionalizimi në spitalet bashkiake. Ky model do të na shërbejë për të shtrirë modelin edhe në qytete e tjera, aty ku ne kemi fokus që të përmirësojmë shërbimin.”
Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, teksa falënderoi në emër të qytetarëve për spitalin e ri, u shpreh se ndërkohë kanë filluar punën të gjitha kantieret e rindërtimit të objekteve shkollore, si dhe do të hapen sheshet për ndërtimin e dy pallateve të para. “Ndërkohë kemi filluar lidhjen e kontratave me banorët që brenda 10 ditësh të lëvrojmë fondin për banorët që do të ndërtojnë vetë shtëpitë e tyre, – tha kryebashkiakja – Janë 218 familje që do të lidhin kontratat. Gjithashtu kanë filluar të gjitha kantieret e sistemit arsimor. Në këtë moment kanë filluar edhe katër shkollat nga BE-ja. Po hapim dy sheshe për fillimin e 2 pallateve të para dhe po bëhet gati firma për të hapur dhe sheshet e tjera. Brenda javës fillon edhe shkolla.”