Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në shpërndarjen e certifikatave të legalizimit në Vlorë: 

 

Më vjen mirë që sot, këtu në Vlorë mundësohen 500 leje të tjera legalizimi, pas një periudhe jashtëzakonisht të vështirë, që i la njerëzit për vite të tëra në pritje. Vlora në gjithë renditjen e qyteteve të Shqipërisë përsa i përket legalizimeve në të shkuarën renditet e para për abuzimin me ligjin, ku nuk është bërë asnjë legalizim banese dhe legalizimet e bëra janë bërë në zona arkeologjike dhe zona të mbrojtura natyrore, janë bërë mbi rërë apo gurët e plazhit dhe vetëm për biznese. Kjo është historia.

Sot jemi në kushte tërësisht të tjera, ku 93% legalizimeve të bëra janë për banesa në këtë zonë dhe kur procesi tanimë ka hyrë në një ritëm të lartë, rezultati i të cilit janë dhe legalizimet e sotme. Ne do vazhdojmë me intensitet që të bëjmë të mundur që ky proces të mos ndalet dhe hap pas hapi, pjesë – pjesë ta përfundojmë atë.

Në 8 vjet të qeverisjes së atij që këtu në Vlorë është mirë të mos i përmendet emri se krijon një dallgë, u bënë gjithsej 21 mijë legalizime, mbi 80% e të cilave ishin për biznes. Ne kemi kaluar në 2 vite e pak, qëkur filloi procesi i legalizimeve falas, mbi 100 000 legalizime dhe nga këto, askush nuk ka qenë i detyruar të paguajë asgjë për gjithë procedurën. Kush e ka ndërtuar shtëpinë në tokën e tij nuk ka asnjë detyrim, kush e ka ndërtuar në tokën e tjetrit apo të shtetit ka detyrim vetëm pagesën për tokën, që shkon në fondin e kompensimeve.

Ndryshimi është i qartë dhe rrënjësor. Dje, për të bërë legalizime duhej paguar mbi dorë e nën dorë, ndërsa sot, procedura bëhet me asistencën e drejtpërdrejtë të të gjithë punonjësve të ALUIZNI-t, të cilët ju kanë ardhur në shtëpi, ju kanë ndihmuar për të mbushur formularin dhe ju kanë mundësuar këtë proces.

Jam i vetëdijshëm që ende kemi probleme me hipotekat që shpesh herë  vonojnë pa arsye dhënien e titujve të pronësisë. Këto janë edhe arsyet pse ne kemi ende shumë për të bërë dhe pse ne jemi kokulur para njerëzve. Të gjitha ato që kemi arritur, nuk janë arsye për të rrahur gjoksin përpara popullit, por janë vetëm arsye për t’u thënë njerëzve që duam të vazhdojmë këtë rrugë, pasi qartësisht drejtimi ynë jo është drejtimi i duhur, por është i vetmi drejtim për të ndryshuar një herë e mirë Shqipërinë dhe për të bërë shtet. Nëse kemi kaluar gjithë këto  vite me gjithë këto kusure, kjo ka ardhur si rezultat i faktit që nuk kemi pasur shtet që të punojë për njerëzit dhe të garantojë ligjshmëri në raportet me njerëzit.

Keni vite që prisni për ta marrë këtë leje, por rëndësi ka që këto leje legalizimi nuk janë si ato “shaban tapitë” e fushatave të Saliut.

***

Legalizimet falas janë një histori suksesi edhe në Vlorë, aty ku edhe abuzimet me legalizimet në të shkuarën kanë qenë edhe më të mëdha.

Vasil Bombaj e kishte ndërtuar shtëpinë në vitin 1992 dhe priste legalizimin e saj prej 25 vitesh. Historia e tij është e ngjashme me të gjithë ata që sot më në fund kanë dorë certifikatën e legalizimit. “Na kanë ardhur në shtëpi, na kanë bërë të gjithë punën falas,” – thotë ai. Prej shumë e shumë vitesh prisnin me shpresën e përmbushjes së premtimeve që iu bëhej gjatë çdo fushate elektorale, të bëheshin pronarë të shtëpisë edhe Dasho Zenelaj, Koma Lapa, Nesho Kocani e shumë të tjerë, të cilët vetëm tani morën atë çka e prisnin me vite.

Në bisedë me ta, Kryeministri Rama u shpreh:

“Nuk duhet të falënderoni mua apo qeverinë, por të gjithë ata që me votën e tyre i dhanë mundësi kësaj qeverie që të bëjë punën që po bën. Se shumë shpesh njerëzit bëjnë gabim të madh e thonë “pse të votoj! Votova, nuk votova, njësoj është.” Por nuk është njësoj të votosh që të të legalizojnë shtëpinë e të të lënë me gisht në gojë për vite të tëra dhe të votosh që të të legalizojnë shtëpinë e të bëhesh pronar i shtëpisë. Janë dy gjëra të ndryshme e këtë e përcakton vota.

Patjetër ka akoma shumë njerëz që e presin legalizimin prej shumë vitesh dhe nuk e kanë marrë, por të gjithë duhet ta kenë parasysh që në një periudhë kaq të shkurtër, në raport me 20 vjet mal me kërkesa, zor se mund të bëhej më shumë. Ne nuk do ndalemi në këtë proces deri kur  të kemi dhënë lejen e fundit të legalizimit falas dhe kur të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpinë me mundin e sakrificat, kursimet e tyre, të jenë pronarë të ligjshëm të shtëpisë së tyre.

Ky është një proces i drejtë. Kjo qeveri është e para në 25 vjet që merr një vendim të qartë për ta zgjidhur dhe çështjen e pronës dhe për kompensimin e plotë të pronarëve në një hark kohor 10 vjeçar, duke vënë në dispozicion të kompensimit gjysmë miliardë dollarë. Askush nuk mund të thotë që këta që po marrin lejet e legalizimit janë duke shkelur të drejtën e atyre që ishin ish pronarë, sepse po respektohen edhe të drejtat e tyre, brenda mundësive natyrisht. Nëse ne do kishim pasur mundësi ta fillonim këtë punë para 20 vjetësh, sot nuk  do ishim duke diskutuar as legalizime, as çështje prone.

Tani na duhet që jo vetëm të ndërtojmë, por njësoj siç ndodh kur ndërtojmë një rrugë që më parë duhen prishur gjithë ato gjëra të ndërtuara mbrapsht në të shkuarën, ashtu është për çdo sektor. Nuk mund të ndërtojmë për shembull, një drejtësi të re pa e shembur sistemin e vjetër. Shembja e sistemit të vjetër nuk është një fjalë goje, nuk është njësoj si të shembësh një pallat mbi det, por kërkon punë të madhe, sepse është një reformë e thellë dhe ka rezistencë të madhe.

Nëse legalizimi do ishte bërë në një vend me një sistem të drejtë drejtësie, shumë padrejtësi nuk do kishin ndodhur, shumë dëme nuk do ishin bërë dhe procesi i legalizimit nuk do ishte përdorur për të legalizuar ndërtime kriminale mbi zona arkeologjike, mbi zona të mbrojtura, mbi oborre shkollash, mbi oborre spitalesh. Do ishte përdorur për të legalizuar mundin, djersën dhe sakrificën e familjeve të varfra që lëvizën nga zonat e thella për një jetë më të mirë. Kjo ndodhi, sepse në një sistem ku gjykatat nuk japin drejtësi, por shesin drejtësi dhe në një sistem ku e drejta është një mall që e blen në gjykatë, siç shkon e blen domatet e kastravecët në Pazar, nuk ka të ardhme. Kjo është baza e shtetit, prandaj lufta që po bëhet për të mos e lejuar rrugën për të bërë shtet është kaq e egër. Një rezistencë kaq e madhe e të gjithë atyre që në 25 vjet, ku kanë gjetur shesh, kanë bërë një përshesh.

Reforma jonë për një sistem drejtësie të ri, ku gjykatësit dhe prokurorët e ndershëm dhe të aftë të kenë mundësi të bëjnë punën e tyre dhe nga ku gjykatësit  e korruptuar dhe prokurorët e korruptuar duhet të largohen një orë e më parë, është e vetmja rrugë për të garantuar edhe këto leje. Për të garantuar që nesër, me një vendim gjykate, dikush të mos i bjeri derës së shtëpisë dhe të të thotë se  ky legalizimi dhe kjo hipoteka që ke marrë ti më takon mua. Të tilla gjëra kanë ndodhur dhe janë të panumërta rastet. Prandaj nuk ka më asnjë sekondë për të humbur.

Këtu nuk është çështja se po nuk u bë vetting-u sot, do bllokohet integrimi. Sigurisht edhe ajo do ndodhi, por integrimi në Bashkimin Europian i Shqipërisë nuk është që ne nga këtu të ikim atje, është që këtu të ndërtojmë shtet si atje. Sa më shumë të vonohet vetting-u, aq më shumë trashet zullumi. Ne jemi këtu duke folur, duke shpërndarë leje legalizimi, por askush nga ne këtu nuk mund ta thotë me siguri që në të njëjtin moment, në një gjykatë të vendit nuk është duke u bërë një “krim” kundër një familjeje, apo kundër një interesi publik. Qindra e qindra janë rastet e krimeve të rënda, vrasje, përdhunime, grabitje me dhunë, për shkak se gjykatat kanë refuzuar provat e policisë dhe i kanë liruar në sallë këta kriminelë. Ata kanë dalë dhe e kanë ribërë krimin. Në vend që të ishin prapa hekurave se vranë, përdhunuan apo grabitën dikë me armë, janë dyfish vrasës, dyfish përdhunues, dyfish grabitës, sepse gjykatësit i lirojnë në sallë dhe ata e ribëjnë krimin e tyre.

Si mundet të ndërtojmë të ardhme, po nuk i pastruam nga rruga jonë, këto mbetje të tmerrshme të 25 viteve rrumpallë!

Do na duhet një sistem drejtësie i drejtë, edhe që të rrisim më shumë ekonominë, edhe që të kemi më shumë punësim. Prandaj na duhet vetting-u. Nëse për t’u rritur ekonomia më shumë, nëse për të pasur më shumë vende pune duhet më shumë investime, kush është pengesa kryesore e investimeve të huaja në Shqipëri? Mjafton të shikojmë bregdetin. Është lesheli-ja që kanë bërë gjykatat me pronat. Vjen investitori, fillon një investim dhe  gjykata i jep një letër dikujt tjetër, me të cilën ky i del përpara investitorit dhe i thotë ik që këtu, se kjo është e imja. Kështu frenojmë zhvillimin, frenojmë rritjen e punësimit, frenojmë Shqipërinë që duam dhe mbetemi peng i Shqipërisë që na lanë.

Po ju jap edhe një shembull. Me të drejtë vlonjatët thonë “nuk mbaroi kjo Lungomare”. Kush më thotë që ishte më bukur, ashtu siç ishte, flet kot. Edhe kështu siç është, është 100 mijë herë më mirë sesa ishte. Një nga arsyet e vonesës është prapë ajo që fola pak më parë. Unë notin e kam mësuar 300 metra nga këtu dhe kur unë kam mësuar notin, atje kishte det, nuk kishte prona. Bëjmë Lungomaren dhe na dalin pronarët në det. Na vonojnë me javë të tëra, me letrën përpara dhe thonë “kam pronën tek Bova.” Edhe në nëndetëse të kishte jetuar stërgjyshi i tij, pronë tek Bova nuk ka pasur. Por gjykata ia ka dhënë pronën tek Bova.

30 metra më andej del një karburant. Ne e shpronësojmë për interes publik, për të bërë Lungomaren. Gjykata thotë se shpronësimi është i padrejtë, a thua se karburanti atje është ndonjë statujë antike! Gjykata mund të thotë  “nuk mund të shpronësosh statujën e Butrintit”. E dini që edhe Butrintit i ka dalë pronari?! I ka dalë pasardhësi, plakut që kishte pronën para se të ndërtohej teatri i Butrintit.

Karburanti atje, me vendim gjykate është “monument kulture” që mbrohet nga shteti. Nuk po bëj asfare shaka, po ju them të vërtetën. Vërtetojini të gjitha këtu.

Shkon më tutje, prapë del prona e dikujt. Vjen gjykata bllokon punimet.

Ju kam thënë që ato shtyllat tek “Tre rracat” nuk do qëndrojnë aty. Ju thoni bravo!, po hajde thuaju bravo vlonjatëve që më nxijnë jetën në “Facebook”, “harrove ë, haram e paç”.

Unë nuk harrova, por lëmshin atje e kanë bërë gjykatat. Si ka mundësi të ndërtohet pallat, pa marrë lejen e zbardhur! Shkohet në gjykatë, pasi është bërë fakt dhe i thuhet gjykatës “thuaja ti bashkisë të më zbardhë lejen”. Pa zbardhur lejen, pse e fillove ndërtimin? Njësoj si ke kërkesë për patentë për makinë, merr makinën, i bie dikujt, të kap polici pa patentë, e çon policin në gjyq dhe thua “ai do ma japë patentën tani”. Edhe nëse ta jep tani, çfarë ndryshon kjo me atë që bëre ti përpara? Asgjë!

Ai shesh atje do t’iu kthehet vlonjatëve i pastër.

Mallkimet që kam marrë unë për rrugën e Lumit të Vlorës, mund t’i ketë marrë vetëm Saliu në ’97-n. Nuk është një fjalë goje. Dritan Leli ishte i vogël kur e merrte babai e çonte te festa e Kuçit. Vinin nga Tirana udhëheqësit dhe u thoshin “do ju bëjmë rrugën e Lumit”. Kur e thashë unë, normal që të gjithë thoshin “edhe ky si gjithë të tjerët”. E para, duheshin gjetur paratë. Nuk është se ne morëm qeverinë dhe e gjetëm arkën e shtetit plot nga Saliu, i cili e kishte kruajtur arkën e shtetit, siç e ka zakon ai, po ia le shtetin në dorë. Ndërkohë ne duhet të shlyenim gjithë ato borxhe për rrugët që Saliu i la rrugëve. Se Saliu, çdo gjë që kap e lë rrugës. Edhe PD-në rrugës e la. E shikoni PD-në, ku e keni? Rrugëve. I la rrugët rrugëve. Shirit këtu, shirit atje.

Pasi gjetëm financimin, duhej bërë projekti. Saliu i fillonte rrugët pa projekt. Imagjinoni një urë në Qukës, të nisur nga Saliu, që duhet të lidhte dy shpate mali, si mund të gabohet në projekt me 14 metra disnivel! E kishin filluar urën në dy krahët ishin 14 metra disnivel. Të bëhej ura sikur po ngjisje Kus Babain.

Financimin për rrugën e Lumit e gjetëm nga Fondi i Kuvajtit dhe Fondi saudit. Pas projektit u bë gara dhe gara monitorohej nga ata, pra, është një proces.

Për ta filluar Lungomaren na u deshën gati 2 vjet vetëm për financimin, për garën etj.. Gjërat që të bëhen, duhet durim. Por t’u thuash vlonjatëve “duroni”, është si t’u thuash “më jep shpirtin”. Megjithatë, në fund të ditës, hallall të gjitha të sharat dhe mallkimet, rëndësi ka që doli fjala ime dhe jo e atyre që më shanin mua për rrugën në Lumin e Vlorës. Ata janë të gëzuar tani. I takova sot, jo sikur ishin ata që më kishin sharë, por sikur kishin tërë jetën që mezi prisnin të më shikonin.

Investimet që po bëjmë në Vlorë janë nga të katër anët. 20 e ca vite, edhe qeveritë e majta nuk i dhanë Vlorës asnjë lek. Më kujtohet koha që atëherë kur premtonin se do bëjmë rrugën Trans-ballkanike dhe dukej me gjithë mend sikur do lidhnin Vlorën me gjithë Ballkanin. Nuk e bënë 25 vjet. Zero investime i kanë dhënë Bashkisë për punë në Vlorë! Ndërkohë që në këto 2 vjet e gjysmë, volumi i investimeve për Vlorën as krahasohet me 25 vjet, të marra bashkë.

E rëndësishme është që punët në fund të bëhen mirë. Edhe Lungomare, po të ishte për ta mbaruar shkel e shko, mund të mbarohej, por i jemi kthyer dhe  rikthyer që në fund fare, çdo gjë të jetë ashtu si duhet. Do të jetë një nga zonat më të bukura të bregdetit në Shqipëri.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.