Programi për fshatin, i mbështetur nga Fondi Kombëtar i Garancisë, një paketë financimi e qeverisë dhe BERZH deri në 300 milionë euro, në bashkëpunim me bankat, synon zhvillimin e familjes fermere si sipërmarrje. Për të përfituar nga ky Fond, Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimin me fermerë të Elbasanit, i nxiti ata në një ndërveprim aktiv me bashkitë dhe qeverinë, për të pasur projekte të qarta investimi që mbështeten nga bankat.
“Ne kemi ndërtuar një Fond Kombëtar Garancie, që me paratë e shtetit shërben si mbështetje për fermerët që marrin në banka kredi, të cilat i garanton qeveria. Pra, lehtësojmë jashtëzakonisht raportin e fermerit me bankën dhe i japim mundësi fermerit të kreditohet me kushte shumë të favorshme. Duhet që banka të ketë një projekt, një aplikim serioz dhe bindës në mënyrë që të kreditojë fermerin apo grupin e fermerëve. Është një mundësi e jashtëzakonshme. Potencialisht mund të thithim deri në 300 milionë euro për ju nga bankat në tre vitet e ardhshme. Por nga ana tjetër kjo do të varet e gjitha nga puna që do të bëhet, sepse këto 300 milionë euro mund të thithen, por mund të mbetën aty, nëse ne nuk jemi aktivë me projekte dhe nëse ndërveprimi mes fermerëve, bashkisë dhe qeverisë nuk funksionon si duhet.”
Në një bashkëpunim efektiv me pushtetin vendor po i jepet zgjidhje edhe një prej problematikave më të mprehta, të trashëguara tashmë prej 25 vitesh, titujt e pronësi për tokën bujqësore. Kryeministri kërkoi po ashtu, një bashkëpunim të ngushtë të tyre me bashkitë, të cilat do të jenë ato që do të bëjnë për zotëruesin e tokës, regjistrimin e titullit të pronësisë, falas.
“Bashkitë tona po bëjnë regjistrimin e titujve të pronësisë. Dhe kemi lehtësuar maksimalisht regjistrimin, se më parë ishte duhej të merrje topografin, ta paguajë, pastaj shko në hipotekë, duhej ta paguajë edhe atë. Ne e kemi fare të thjeshtë, secili duhej të shkojë në njësinë administrative dhe vetëm të dorëzojë certifikatën familjare dhe aktin e marrjes në përdorim të tokës mbi bazë të ligjit 7501. Bashkia angazhon topografin, pra, paguajmë ne dhe jo ju, bëhen matjet, bëhet gati edhe harta e tokës, çohet në hipotekë dhe hipotekohet pa para dhe pa qenë nevoja për të qenë ju dhe bashkia ju dorëzon hipotekën në dorë në momentin e fundit kur duhet vënë firma.”
* * *
Bysheku është një pikë atraksioni turistik pranë qytetit të Elbasanit. Por për shkak të gjendjes së degraduar të rrugës, prej shumë vitesh është bërë gjithnjë e më pak i frekuentuar. Tashmë, me përfshirjen e tij në Bashkinë e re të Elbasanit ka nisur rikonstruksioni i rrugës, që përveçse rikthimit si pikë turistike, do t’i shërbejë fermerëve të 9 fshatrave. “Rruga i shërben rreth 9 fshatrave, 11 000 banorëve që merren me bujqësi. Plus që Byshek ka qenë dhe është një zonë turistike,” – tha drejtuesi i punimeve.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini tha se ky investim është një nga dy investimet e rëndësishme në infrastrukturë, me mbështetjen e qeverisë, për bashkinë e re. “Për herë të parë në Elbasan bëhen dy investime të fuqishme. Rruga e Byshekut dhe ura e Broshkës.”
Krijimit të bashkive të reja, nënvizoi Kryeministri, do t’i përgjigjet edhe një koncept i ri i periferisë rurale që i integrohet qytetit të vjetër si një vlerë e shtuar. “Në bashkitë e reja duhet integruar koncepti i zonës rurale si vlerë e shtuar e hapësirës së vjetër të qytetit. Koncepti i bujqësisë pranë qytetit është një koncept sot që promovohet gjithandej. Ne e kemi gati si pasojë e çfarë kemi trashëguar dhe nga një dobësi që ishte me njësitë e shpartalluara në 400 copa do e kthejmë tani në një burim force ekonomike e sociale. Plus që janë zona që kanë një vlerë të shtuar turizmi, nëse ne krijojmë kushtet që të kthehen në pika turistike të qytetit.”
***
Banorët e Elbasanit do të përfitojnë një shërbim më të shpejtë dhe më efikas të urgjencës mjekësore, pas riorganizimit të këtij shërbimi esencial në territor. Banorët e këtij qarku, të cilët në të shumtën e rasteve përdornin mjetet e tyre për të mbërritur në spital, duke filluar nga java e ardhshme, do të shërbehen njëherësh me 12 autoambulanca (nga 7 deri më tani), të cilat janë të monitoruara nëpërmjet një sistemi elektronik gjurmimi satelitor (GPS) në çdo moment.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte sot në Elbasan, ku u njoh nga afër me riorganizimin e këtij shërbimi. Sistemi i urgjencës deri më sot i decentralizuar, ku vendqëndrimi i autoambulancave ishin përgjithësisht në spitale, ofron tashmë një organizim të ri, ku për herë të parë, autoambulancat do të jenë të stacionuara edhe në qendra të tjera të qarkut, përveç qytetit të Elbasanit, në mënyrë që të sigurohet një mbulim sa më i gjerë i territorit.
“Kemi ngritur Qendrën e Urgjencës Mjekësore dhe ndërkohë për të vënë në funksionim këtë kemi investuar dhe po investojmë rreth 1.15 miliardë lekë. 20 autoambulanca të reja të pajisura që janë shpërndarë në gjithë vendin, 20 ambulancat e tjera u vunë pajisje të rëndësishme jetë shpëtuese. Po punojmë për të kontraktuar sistemin e komandës dhe kontrollit,” – informoi ministri Beqaj.
“Është një Urgjencë tërësisht e decentralizuar në kuptimin e territorit, pra, ka një shtrirje shumë më kapilare në territor dhe garanton një shërbim shumë më ët shpejtë dhe një lehtësim të konsiderueshëm për personelin e spitaleve. Jam i bindur që brenda 5 muajve të ardhshëm do të jemi në një situatë tërësisht tjetër në Shërbimin Kombëtar të Urgjencës,” – u shpreh Kryeministri.
Synimi i riorganizimit të shërbimit të urgjencës është ndryshimi cilësor i këtij shërbimi. “Pa ndryshuar numrin e automjeteve është plotësisht e mundur që të ndryshojë cilësia e shërbimit. Faktikisht, të kalojmë këtu në këtë qark, nga një automjet për 43 000 banor në një automjet për 25 000 banorë. Thuajse një përgjysmim të numrit që mbulohen nga një autoambulancë. Ne sot jemi në një fazë të re lidhur me emergjencat në tërësi, pasi siç ndoshta ju jeni në dijeni, sot mjafton t’i biesh një numri, 112, për të pasur imediatisht një përgjigje nga ana tjetër e telefonit, që të adresosh qoftë çështje që lidhen me rendin, me sigurinë, zjarrin apo shëndetin,” – nënvizoi Kryeministri.
Drejtori i Qendrës së Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj shpjegoi se me organizimin e ri shkurtohet koha e përgjigjes ndaj thirrjeve të urgjencës dhe shërbimi do të jetë i koordinuar nga Qendra. “Sistemi kombëtar i urgjencës mjekësore është dera e parë. Qytetari kur vjen në spital troket në Urgjencë. Riorganizimi i ri i autoambulancave parashikon koha e mbërritjes është 10-15 minuta në zonat rurale,” – tha Brataj.
Gjithashtu, në funksion të këtij riorganizimi të shërbimit do të ketë edhe një staf të përforcuar të personelit të këtij shërbimi. “Personeli mjekësor shtohet, duke bërë të mundur që në gjithë territorin, 25 000 banorët të ndarë sipas zonave, të kenë shërbimin e tyre të urgjencës aty pranë,” – u shpreh Kryeministri.
* * *
Parku në qendër të qytetit të Elbasanit është sot një hapësirë tërësisht e transformuar në një hapësirë publike rekreative, ku gjejnë veten qytetarët e të gjitha moshave për orët e tyre të lira. Ai është kthyer në vendin e preferuar të qytetarëve, veçanërisht pasditeve dhe orëve të mbrëmjes. Me investim nga programi i Rilindjes Urbane, bashkia kreu rehabilitimin total të të gjithë hapësirës, shtimin e sipërfaqes së gjelbër, kënde për fëmijë, një sistem të ri ndriçimi dhe dekori.