Fjala e Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së shpërndarjes së lejeve të legalizimit në Lezhë:
Përshëndetje të gjithëve!
Është kënaqësi e veçantë që bëjmë takimin këtu, në këtë vepër të madhe publike të ndërtuar, pas kaq shumë vitesh që qendra e këtij qyteti historik ishte kthyer në një parkim të rrëmujshëm. Jam i bindur se nëse në vetëm 1 vit ne arritëm të bëjmë një ndryshim kaq të dukshëm të “zemrës” së qytetit, në 4 vitet e ardhshme, me përfaqësuesin tonë, që ju do të zgjidhni në 21 qershor, ne do të bëjmë për qytetin e Lezhës, pa diskutim, më shumë se ç’është bërë në 25 vjet të marra së bashku.
Ne do të bëjmë për këtë bashki atë çka për shumë vite, jo vetëm nuk është bërë, por përkundrazi, është kthyer në një gropë dëshpërimi edhe mungese të shpresës. Me shpresën e rilindur këtu, në këtë shesh historik, ne do të vijojmë më tutje, të gjithë së bashku, për të krijuar kushte më të mira për qytetarët e bashkisë së re të Lezhës. Sepse, tani nuk është më thjeshtë qyteti i vjetër, por është qyteti i ri, ku përfshihen edhe të gjithë ata që jetojnë në zonat e komunave dhe që nuk do jenë më qytetarë të “dorës së dytë”, por do të jenë qytetarë të barabartë, të një bashkie me një rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin turistik dhe pa asnjë dyshim, edhe për tregtinë. Sepse këtu, në këtë zonë, ne kemi një sërë kompanish dhe një sërë fabrikash që janë në zhvillim. Sapo u kthyem, së bashku me Monikën, me kryetarin e Bashkisë dhe me disa të tjerë, nga një vizitë në një kompani të përpunon peshkun, e cila falë Fondit të Nxitjes së Punësimit, të përfituar nga skema e re e Qeverisë sonë për hapjen e vendeve të reja të punës, kishte disafishuar numrin e punonjësve dhe ishte e gatshme për të vijuar rritjen e punëmarrësve, ndërkohë që, kishte edhe projekte shumë inkurajuese eksporti, përmes përpunimit të lëndëve të para këtu.
Pra, janë disa shenja inkurajuese dhe sigurisht, ky është vetëm fillimi, nuk është mbërritja. Por, janë shenja inkurajuese që mjaftojnë për çdo njeri të arsyeshëm dhe për çdokënd që e ka jetuar vështirësinë dhe boshllëkun e gjithë këtyre viteve të mëparshme për të kuptuar se ky është drejtimi i duhur dhe se në këtë drejtim të duhur, së bashku, mund dhe do të bëjmë shumë më tepër.
Shenjë inkurajuese është edhe kjo e legalizimeve. Ashtu siç tha Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, këtu nuk kishte as zyrë dhe jo më legalizime. Me legalizimet e përfunduara deri më sot, në pak muaj punë konkrete, ne në këtë zonë kemi kapërcyer numrin e legalizimeve të bëra në 8 vjet të bëra së bashku. Por me një ndryshim, legalizimet e bëra në 8 vjet, shumica dërrmuese nuk kanë qenë legalizime për shtëpitë e familjeve që me kursimet e tyre kanë ndërtuar një strehë të re. Kanë qenë legalizime për biznese, për motele, për njësi tregtare që rëndom janë ndërtuar aty ku s’duhet dhe si legalizime janë abuzive. Arsyeja kuptohet, pse? Sepse aty ka qenë edhe interesi i përfitimit të parave jo vetëm mbi dorë, por edhe nën dorë. Ndërkohë që, jeni të gjithë dëshmitarë që tani është hapur një kapitull krejt i ri, i legalizimeve falas dhe jo legalizimeve për bizneset, por legalizimeve për familjet, për shtëpitë. Sot, ne, me shumë krenari për këtë hap të parë, që do të pasohet me hapa të tjerë, sepse zotimi ynë është i qartë që ne do të legalizojmë falas të gjitha shtëpitë që janë në zonat informale dhe pa asnjë dyshim do të bëjmë që ekonomia familjare e të gjithë atyre që nga një strehë që nuk figuron asgjëkund, përmes lejes dhe hipotekimit, përfitojnë një pasur të patundshme të përmirësohet. Në momentin kur shtëpia kthehet në shtëpi të patundshme dhe është regjistruar në hipotekë, ajo shërben edhe si një garanci për bankat ku gjithkush mund të shkojë dhe të kërkojë një kredi për të hapur një biznes të vogël, për të zgjeruar fermën e vetë, për t’u bashkuar me të tjerë dhe për të ndërmarrë një aktivitet në bujqësi apo blegtori, ose dhe për të mbështetur studimet e fëmijëve të vetë.
Nga kjo do të përftojë edhe ekonomia kombëtare, sepse futja e gjithë këtyre kapitaleve që ju keni shpenzuar për të ndërtuar atë shtëpi në regjistër dhe kthimi i këtyre kapitaleve nga kapitale të vdekura, siç janë sot, në kapitale aktive do të rrisë, pa asnjë diskutim, edhe forcën tonë të përbashkët ekonomike, ekonominë tonë kombëtare.
Arsyeja themelore pse procesi i legalizimit ka një rëndësi të veçantë, nuk është thjesht që me lejen e legalizimit dhe me hipotekimin shtëpia kthehet në pronë dhe pastaj nuk ta prish dot njeri, ose në qoftë se prishen këto projekte duhen shpronësuar brenda të gjitha rregullave si për çdo pronar. Nuk është kjo. Është arsyeja themelore që duke i regjistruar këto prona, ne i kthejmë ato në kapitale dhe çdo familje ato para që i ka thyer në tulla, në llaç dhe në çati, tanimë i ka të regjistruara si kapital.
Me shumë kënaqësi do t’i shpërndajmë këto leje, ndërkohë që të gjithë lejet e bëra gati do të vazhdojnë të jepen sot.
***
Procesi i legalizimit po shtrihet me shpejtësi në të gjitha qytetet. Lezha ishte pikëndalesa e sotme, janë bërë 1800 leje legalizimi për banorët e zonave informale të saj, të realizuara në një vit e gjysmë, kundrejt 1300 lejeve të dhëna nga qeverisja e mëparshme në 8 vite të marra së bashku.
Kryeministri Rama dorëzoi personalisht certifikatat e legalizimit, të cilat u mirëpritën me shumë emocion prej banorëve, sot e tutje, pronarë të vërtetë të shtëpive të tyre.
Certifikata e parë ishte ajo për Gjon Lluckun nga bashkia Rubik, kërkesa për të cilën ishte bërë 15 vjet më parë. Me një falënderim nga zemra ai u shpreh i lumtur që premtimi për legalizimin falas ishte bërë realitet për të. “Ka 15 vjet që kam bërë kërkesën për legalizim. Ju falenderoj nga zemra për mbajtjen e premtimit për legalizimin falas. Paçi jetën e gjatë dhe mbarësi! Falenderoj shumë edhe stafin e ALUIZNIT këtu. Na kanë pritur e përcjellë, në mënyrë shumë të kulturuar.”
Ndërsa qytetari Mark Përleshi falenderoi stafin e ALUIZNI-t për punën e përkushtuar dhe në ndihmë të banorëve “Së pari ju falenderojmë për punën e mirë të administratës për legalizimet. Ju falenderojmë dhe ju si Kryeministër dhe qeverinë për mbajtjen e fjalës”, u shpreh ai.