Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama në llogaridhënien publike të qeverisë përpara qytetarëve të Lezhës:

 

Kjo është një fushatë e mirëfilltë komunikimi me njerëzit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në të gjitha njësitë administrative, e të gjithë kabinetit qeveritar, sëbashkë me deputetët, për të thënë se çfarë kemi bërë në këto 6 muaj, se çfarë duam të bëjmë, por edhe për të dëgjuar drejtpërdrejtë nga njerëzit shqetësimit e tyre, problemet dhe natyrisht, edhe kritikat në të gjitha nivelet.

Është një proces që lidhet me atë çka ne kemi marrë si përgjegjësi për të qeverisur me njerëzit dhe për njerëzit, me bindjen që Partia Socialiste është e vetme, pasi kështu ka vendosur populli në qershorin e kaluar, por qeveris sëbashku me njerëzit e zakonshëm, në një aleancë që ka shumë potencial dhe që do të bëjmë çmos që ta formësojmë si një aleancë të mirëfilltë pushteti.

Për këtë, ne kemi ndërtuar edhe një instrument, që është një instrument i ri në dorën e çdo qytetari, në dorën e çdo njeriu të zakonshëm për të bashkëpunuar drejtpërdrejtë me qeverinë për zgjidhjen e një halli me administratën, për nisma në komunitet, për të thirrur në interpelancë, qoftë mua, qoftë ministrat, sipas procedurës parlamentare. Ky instrument është adresa që çon te platforma www.shqiperiqeduam.al, të cilën vazhdoj t’ju bëj thirrje të gjithëve që ta përdorin sa herë që ndeshen me një problem në dyert e zyrave të shtetit. Në vend që të sorollaten lart e poshtë për të gjetur mik, në vend që të fusin dorën në xhep për të paguar ryshfet për një shërbim që iu takon me ligj mjaftojnë vetëm 3 minuta për të hyrë në platformë, për ta prezantuar problemin dhe për të vënë menjëherë në lëvizje, drejtpërdrejtë, ministren apo ministrin e sektorit përkatës.

Kemi raste të panumërta që tregojnë se kjo funksionon. Kemi mesatarisht rreth 1 mijë çështje çdo muaj, që trajtohen nga platforma dhe kemi qindra e qindra zgjidhje për të gjitha ato raste që lidhen drejtpërdrejtë me administratën për marrjen e dokumenteve të hipotekës, për marrjen e dokumenteve të ALUIZNI-t, për marrjen e dokumenteve të pensionit dhe të dokumenteve të çfarëdoshëm që kanë të bëjnë me të drejta të mohuara, apo me shërbime që janë vonuar padrejtësisht ndaj qytetarëve.

Prandaj është shumë e rëndësishme për ne, që ta përforcojmë sa më shumë ndërveprimin përmes kësaj ure komunikimi, edhe për një arsye tjetër, sepse, përveçse zgjidhen problemet e njerëzve pa humbur kohë, çdokush që shkruan në platformë merr përgjigje brenda 10 ditëve. Në rast se brenda 10 ditëve nuk jepet dot zgjidhja për çfarëdolloj arsyeje, qytetari informohet se zgjidhja do të kërkojë edhe pak kohë dhe praktikisht, zgjidhja i jepet sa herë që i takon qytetarit kërkues përmes platformës.

Pasi jepet zgjidhja, për ne, puna nuk mbaron aty. Menjëherë drejtuesi i institucionit, ministri ose ministrja nis një hetim, pse u vonua dhe kush e vonoi zgjidhjen e problemit, kush e vonoi dhënien e të drejtës për qytetarin, kush e vonoi hipotekën apo lejen e legalizimit, kush e vonoi dhënien e një dokumenti çfarëdo. Personat përgjegjës për këto vonesa largohen nga puna. Pra, heqim nga zyrat ata punonjës, të cilët nuk i përgjigjen sipas ligjit dhe detyrës, kërkesave të qytetarëve. Në një pjesë të këtyre rasteve shkojnë edhe për ndjekje penale, kur konstatohet se vonesa ka qenë e qëllimshme, për arsye të dyshuara si korruptive. Pastaj e zgjidhin, apo nuk e zgjidhin këtë çështje me drejtësinë, por nuk janë më pjesë e zyrave. Kjo është rruga e duhur për të zgjedhur sa më shumë çështje që kanë njerëzit në kohë reale dhe njëkohësisht për të pastruar bashkërisht zyrat e shtetit nga punonjës, të cilët nuk e meritojnë të marrin rrogën me paratë e taksapaguesve, për shkak se nuk zbatojnë ligjin dhe nuk kryejnë siç duhet detyrën.

Ne nuk kemi qëllim që në këtë fushatë të bëjmë një paradë suksesesh. Në 6 muaj kemi arritur disa gjëra, por e kemi shumë të qartë që ky mandat ka një peshë shumë të rëndë dhe ka përgjegjësi shumë të mëdha, për të cilat na duhet një punë shumë e madhe që t’i përballojmë me sukses në të gjitha aspektet. Nga ana tjetër është shumë i rëndësishëm komunikimi i drejtpërdrejtë, për të trajtuar edhe disa tema që janë të rëndësishme për njerëzit, por për shkak të deformimeve, të spekulimeve, apo të manipulimeve që bëhen përmes kanaleve të informacionit krijojnë te njerëzit perceptime jo të drejta, duke filluar që nga tema e taksave.

Sot, shumë njerëz ankohen se janë rritur taksat, ndërkohë që e vërteta është ndryshe.

E vërteta është që taksat për 97% të njerëzve të këtij vendi janë ulur dhe qeveria jonë, shumica jonë më saktë, sepse po e marr që nga viti 2013, ka rritur vetëm 2 taksa; Kemi rritur taksën për kompanitë e mëdha. Ndryshe nga çfarë thuhet, se ne medemek jemi më pranë të mëdhenjve sesa të vegjëlve, ne kemi rritur taksën për kompanitë e mëdha. Kemi rritur dhe taksën e karburantit.

Këto dy taksa kemi rritur ne. Natyrisht dhe taksën për të gjithë ata që kanë një rrogë mbi 600 mijë lekë. Për të gjithë të tjerët, pa përjashtim, taksat janë ulur. Infermieret, mësueset, punonjësit në shtet apo në privat, që kanë një rrogë më të ulët sesa 600 mijë lekë, mund ta dëshmojnë që taksat janë ulur, nuk janë rritur. Paguanin 10% taksë mbi rrogën, sot paguajnë sipas shkallëve, por asnjëherë 10%.

Biznesit të vogël taksa i është bërë zero për xhiron nga 0 deri në 50 milionë lekë [të vjetra] në vit dhe i është bërë 5% për xhiron nga 50 milionë deri në 80 milionë lekë [të vjetra] në vit, ndërkohë që e kishin 10% taksën.

Kush këtu mendon se janë rritur taksat, do ishte shumë mirë që të merrte fjalën dhe të thoshte mua më janë rritur taksat. Të thotë ekzaktësisht çfarë takse i është rritur. E vetmja taksë ku as nuk duhet të çohet njeri të ankohet është ajo mbi duhanin, sepse ajo është shumë kollaj për ta shmangur. Lër duhanin dhe e ke zero. Ajo është e qëllimshme dhe s’ka lidhje me këto të tjerat.

Përsa i përket taksës së karburantit është e vërtetë që ne e kemi rritur, por e kemi rritur për një arsye shumë të thjeshtë. Kur filluam mandatin e parë, ishim në një situatë shumë, shumë të rrezikshme financiare si vend. Kur Saliu thonte ju pret skenari grek, e dinte që ishim të kërcënuar nga kjo mundësi, sepse kishte lënë pas një humnerë të madhe borxhesh dhe një rrëmujë të madhe në financat e shtetit.

Kur ne thirrëm Fondin Monetar Ndërkombëtar, për të shuar çdo vatër të mundshme zjarri, në kuptimin financiar, Fondi Monetar na tha ulni rrogat dhe pensionet. Ka qenë viti 2013. Nëse dikujt i kujtohet, ka qenë një fazë pas krizës financiare që shumë vende prekën rrogat dhe pensionet për shkak të pamundësisë për të financuar rrogat e pensionet. Sipas llogarive të bëra, ne rrezikonim që në fund të nëntorit dhe në dhjetor të 2013-ës të mos kishim mundësi t’i paguanim rrogat dhe pensionet në atë nivel që ishim.

Ne refuzuam të ulnim rrogat e pensionet. Nga ana tjetër ishim të vendosur, së pari, të ulnim taksat mbi rrogën të të gjithë atyre që kanë një rrogë më të ulët se 600 mijë lekë; E dyta, të ulnim taksën e biznesit të vogël.

Atëherë ku do t’i gjenim paratë për të financuar të gjithë operacionet e nevojshme?

Kishim disa mundësi për të vendosur taksa të ndryshme. Preferuam të rrisim taksën e karburantit për dy arsye themelore; E para, sepse çmimi i karburantit ishte në rënie në pikiatë. Që do të thotë se të gjithë ata që sot ankohen që e kemi karburantin më të shtrenjtë se në këtë apo atë vend duhet ta dinë se krahasuar me çfarë kanë paguar për shkak të çmimit për vite të tëra, pas vitit 2013 janë 100 milionë dollarë më pak çdo vit, që në vend se të paguanin karburant mbeten në xhepat e atyre që konsumojnë karburant, sepse çmimi është shumë i ulët.

Çmimin nuk e ulëm ne. Çmimi u ul për shkak të konjukturës ndërkombëtare. Por ne vendosëm që aty të taksojmë, për të mos vënë taksa të tjera, për të mos taksuar të gjithë njëherësh, duke konsideruar – dhe këtu vijmë tek arsyeja tjetër – se konsumatorët e karburantit janë dhe ndotësit më të mëdhenj. Brenda çmimit të karburantit paguajmë përveç taksës së rritur, – është e vërtetë që është rritur taksa – dhe taksën e qarkullimit. Gjë që në rajon, për shembull, paguhet e ndarë. Ky bashkim i këtyre të dyjave është bërë më përpara dhe është bërë shumë mirë që është bërë dhe ne nuk e kemi lëvizur.

Këto janë dy taksat që ne kemi rritur. Njëra për më të pasurit dhe tjetra për karburantin. Nëse dikush çohet dhe thotë se është rritur edhe kjo apo ajo taksë, le ta thotë dhe ta diskutojmë.

Duhet të mos ngatërrojmë faturat e dritave, faturat e ujit me taksat. Ato nuk janë taksa. Sigurisht që kush ishte mësuar të mos paguante drita i duket sikur sot paguan më shumë. Por nuk paguan taksa, paguan detyrime dhe paguan për mallin që konsumon.

Ashtu sikundër është e rëndësishme të kuptohet se të gjitha operacionet që bëhen, të gjitha investimet që bëhen, të gjitha ato që kërkohen akoma më shumë financohen nga kontributi i përbashkët. Nuk është dëshira e Kryeministrit, nuk është dëshira e qeverisë. Nuk ka kryeministër në botë, që ka dëshirë të rrisë taksat. Nuk është dëshira ime që rruga e Kukësit duhet paguar. Po të ishte për dëshirë dhe po të ishte për të bërë atë që kanë bërë të tjerët përpara, që kanë gënjyer për të qenë rehat në karrige, duke ua lënë të tjerëve mbrapa kusuret, edhe unë e kisha shumë kollaj.

Për çfarë arsye duhet të hyja unë dhe të hynim ne në të gjithë, telashet që kemi hyrë, për të bërë reforma që nuk u bënë 20 e kusur vite e për t’iu thënë njerëzve që ju duhet të paguani të gjithë dritat, duhet të paguani të gjithë ujin, duhet të paguani të gjithë taksat e kështu me radhë?

Për arsye të pushtetit?

Në asnjë mënyrë jo, sepse do të ishte më e lehtë. Shqipëria nuk do tretej, por gropa që ne do t’i trashëgonim fëmijëve tanë do ishte shumë më e thellë dhe pabesia ndaj fëmijëve tanë do ishte shumë më e madhe.

Parafytyroni sot, sikur këto reforma që ne i nisëm vetëm 4 vite më parë, të ishin nisur 24 vite më parë. Ku do ishte Shqipëria sot, sikur të mos ishte bërë me shtyje ta shtymë se shihemi nesër dhe me shkelje syri, këta le të mos paguajnë drita se janë tanët, edhe t’iu marrim votën, këta të tjerët, punë e madhe shumë, le të ndërtojnë pa leje mbi ujësjellës e le të ndërtojnë pa leje aty ku përmbyten se Zoti do bëjë derman.

Do ishim një vend krejt tjetër sot.

Por ajo që bëri politika për kaq shumë vite ishte t’i shmangte këto përballje të rënda me detyrimet e t’ia linte kush vjen mbrapa, le ta zgjidhi. Kjo është arsyeja, pse sot, këto reforma ndjehen më të rënda, sesa do ishin ndjerë sikur të ishin bëre me radhë, shumë e shumë vite përpara.

Imagjinoni ku do ishim sot, me gjithë çështjet e të drejtave, duke filluar nga e drejta e pronës, sikur reforma në drejtësi që ne nisëm vetëm tre vite më parë, të ishte bërë 20 vite më parë. Sikur pastrimi i gjykatësve dhe i prokurorëve të ishte bërë 20 vite më parë, sikur procesi i rekrutimi të tyre të ishte transparent e të ishte pastër, siç do të jetë në vitet në vijim, do të kishim sot, kaq shumë probleme me pronat, kaq shumë konflikte e kaq shumë halle, që përveç të tjerave janë shkaktuar edhe nga gjykatës e prokurorë, që kanë qenë pjesëtarë? Këtu në Lezhë ka edhe një çështje të hapur për pronat, por në atë çështje të hapur, nuk janë vetëm ata, të cilët akuzohen. Në atë çështje të hapur janë dhe gjykatës dhe prokurorë, të cilët kanë marrë pjesë në ato krime. Gjithë ato prona, futu në gjykatë me letra false e dil pronar me qindra hektarë, janë bërë në bashkëpunim me gjykatësit, nuk janë bërë vetëm.

Sikur reforma në drejtësi që bëhet sot, të ishte bërë 20 e ca vite më parë, nuk do kishim ardhur në ditën që njerëzit të thoshin “të gjithë politikanët janë hajdutë”, “nuk po shkon njeri në burg”. Kush ta çojë në burg? Ta çojnë gjykatësit që janë vënë atje pikërisht për të mos çuar në burg ata që i kanë venë dhe pastaj me atë imunitet, që është shumë më i fortë se imuniteti i çdo deputeti, të bëjnë çfarë të duan nga ana tjetër? Domethënë, ne po të çojmë aty, rëndësi ka të mos na prekësh neve, por se iu qepesh njerëzve nga mbrapa dhe se i rrjep njerëzit nga mbrapa, është puna jote.

Procesi i vetting-ut nuk është një proces që është fundi. Është vetëm fillimi. Dëgjoj shumë njerëz që thonë, pse ky ishte vetting-u, që ca ikin vetë e ca të tjerë i largojnë e këta marrin lekët dhe jetojnë jetën? Jo, nuk është ashtu fare.

Procesi i vetting-ut është për të pastruar sistemin. Ai sistem i pastruar dhe me gjykatës e prokurorë me integritet do merret me të gjithë, nga më i gjati tek më i shkurtri. Nuk diskutohet.

Njerëzit me të drejtë thonë, kemi 25 vjet që presim, çfarë na tregon përralla tani, pse nuk bëhen këto. Sepse të ndërtosh shtet, nuk është si të bësh një ndërtim pa leje. Edhe një ndërtim pa leje i do ca kohë, nuk bëhet sa hap e mbyll sytë. Po një shtet i tërë, me institucione, me pushtete të ndara që funksionojnë, etj., si u bëka sa hap e mbyll sytë!

Ne morëm rekomandimin pozitiv për të çelur negociatat për anëtarësim.

Kush mund ta merrte tjetër?

Askush tjetër. Lëre çfarë thonë, e kishim gati ne, po na penguat ju. Këto janë të gjitha përralla.

Po reformën në drejtësi dhe vetting-un kush mund ta bënte tjetër?

Askush tjetër.

Unë besoj se këto janë dy shtylla shumë të rëndësishme, themelore, që ne kemi vendosur në këtë fazë të qeverisjes. Kemi marrë rekomandimin dhe kemi hapur rrugën për pastrimin e sistemit të drejtësisë. Kujt ia ka prerë mendja që ata prokurorë e ata gjykatës, që sot janë të përjashtuar, do vinte dita që jo të ngeleshin rrugëve, por të jenë rrugëve e duke u lutur o Zot, nuk po vijnë të më thërrasin për të dhënë llogari më pas.

Do vijë edhe dita kur do thirren të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, gjykatës apo politikanë. Por kjo ditë do vijë kur të jetë sistemi i pastruar.

Kujt ia priste mendja se do ndodhte kjo? Askujt!

E pra, kjo u bë realitet dhe patjetër do kërkojë kohën e vet, por ne nuk po bëjmë shaka, nuk po bëjmë asnjë lojë. Ne po përpiqemi të bëjmë shtet dhe të vendosim të gjithë gurët në vendin e tyre, në mënyrë që muri që ndërtojmë, të mos jetë si ato historitë e të shkuarës, ndërto ditën e prish natën, se një gropë këtu e një gropë atje, një tullë këtu e një gur atje.

Thonë se ne bëkemi koncesione e ia paskemi dhënë lekët e buxhetit në dorë një  grushti oligarkësh. Kjo nuk është e vërtetë, sepse ideja që krijohet është se kontrolli shëndetësor falas për të gjithë, – këtu besoj se ka njerëz që e kanë bërë e duhet ta bëjnë të gjithë, sepse është falas dhe i domosdoshëm,  – kushton i gjithi “X” milionë për 10 vjet. Kjo nuk do të thotë që ato “X” milionë ia kemi dhënë në dorë privatit. Kjo do të thotë që privati ka bërë investime, për të pasur në çdo qendër shëndetësore mundësinë e kontrollit mjekësor bazë falas. Kjo do të thotë se ne shteti paguajmë nga buxheti për të shlyer investimin e privatit, por dhe për të bërë kontrollin, sepse kontrolli kushton.

81 mijë lekë [të vjetra] ishte kontrolli shëndetësor për gjithsecilin përpara 4 vitesh. E  bënte njeri? Askush. Plus, ne nuk e kemi as në kulturën tonë. Unë nuk jam shofer, nuk kam makinë që të kujdesem vetë, por e thotë bukur një miku im, profesor sporti. Shqiptarët – thotë ai, – kujdesen dhe bëjnë remont të makinës dy herë në vit dhe kur vjen puna për remontin e trupit, vetëm kur i bie sëmundja, se përpara nuk shkojnë.

Kontrolli mjekësor bazë jep mundësinë që shumë sëmundje të parandalohen, jep mundësinë që shteti të ketë të dhëna e mbi të gjitha është falas. Kontrolli mjekësor për qindra mijëra njerëz, gjithë ato analiza kushton. Por ne nuk i themi shqiptarëve bëjeni dhe lekët tuaja do t’i marrë privati. Ne i themi bëjeni dhe e keni falas, është shteti që e paguan për ju, se dikush do e paguajë.

Këtu dua t’ju bëj një krahasim. Ka dy lloj koncesionesh. Ka koncesione ku thua, paguaje ti shërbimin që unë ta detyroj. Ka dhe koncesione ku thua, unë shërbimin do ta bëj më të mirë, ti nuk do paguash gjë, por do ta paguajë unë, shteti.

Shteti ka detyrë të kontrolloje të gjithë automjetet që hyjnë e dalin në port, apo nëpër pikat kufitare dhe për këtë, ata bënë koncesionin e llojit tjetër. Morën një privat, i cili vuri skanerat dhe faturën ia lanë prapë qytetarëve. Çdo kamion që kalon nëpër ato skanera, edhe kur nuk kalon në skaner fare, se ka pika që nuk kanë skanera, u detyra të paguante 36 euro për faturë. Ka kamionë që kanë brenda 10-15 fatura. Bëjeni pak llogarinë! Kjo sepse do t’i marri privati.

Ky është ndryshimi.

Ne kemi bërë koncesion për dializën, për të gjithë ata shqiptarë që vuajnë nga një sëmundje, e cila kërkon këtë shërbim tre herë në javë. Ky shërbim më përpara bëhej tek privati, por tek një privat i vetëm në Tiranë dhe të gjithë shkonin në Tiranë. Të sëmurët me dializë nuk lëvizin dot vetëm, duhet të shoqërohen nga një familjar. Tre herë në javë. Imagjinoni të nisesh nga Mirdita në Tiranë tre herë në javë, të mbash edhe radhën, të presësh edhe me tre turne!

Ne morëm iniciativën, një kompani private, e cila bëri investimin. Dializa është falas e ndërkohë në vite, ne shlyejmë investimin. Nëse shteti do kishte mundësinë t’i bënte vetë të gjithë këto investime, do i kishte bërë, por nuk i bën dot vetë, se janë shumë para dhe kjo është ajo shuma që hidhet çdo ditë në veshët e njerëzve. U morën 300 milionë thotë njëri, 500 milionë thotë tjetri dhe ia dhanë privatëve. Por nuk është e vërtetë. Bëhet fjalë për shpenzime në 10 vite, për të shlyer investimet e për të garantuar që këto shërbime të jenë falas.

Kjo është e vërteta dhe është krejt ndryshe nga ajo që thuhet.

Ndërsa po të jetë puna për më të pasurit, sot, më të pasurit paguajnë më shumë në këtë shtet. Sot më të pasurit paguajnë një taksë që është shumë herë më e lartë për ndërtime në Tiranë, por sigurisht ka edhe kjo kufirin e vet, sepse nuk duhet të harrojmë që janë kompanitë e mëdha që krijojnë vende pune, janë kompanitë e mëdha që bëjnë investime, që janë motori i zhvillimit ekonomik dhe për këtë arsye duhet mbajtur gjithmonë një ekuilibër midis të dyjave.

Është përsëritur shumë shpesh, nuk keni bërë një metër rrugë. E vërteta është ndryshe. E vërteta është që Saliu ka tenderuar shumë metra rrugë. Ja ju e keni rrugën këtu. Këto janë tenderat e Saliut, ku kaloni ju e që nuk mbaron kurrë. I bëri tenderat pa pasur paratë dhe zhyti në borxh gjithë dynjanë dhe i la rrugët rrugëve. Po të llogarisim kilometrat e shtruara dhe të paguara, bashkë me borxhet gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë, janë shumë më tepër sesa kilometrat e shtruara nga Saliu. Kilometra të shtruara, që do të thotë jo kur bëhet tenderi, por kur mbaron dhe shtrohet.

Këtë vit do fillojmë brenda gushtit apo shtatorit, rrugën Milot – Balldren. Por kur them rrugën Milot – Balldren, them rrugë, nuk them shteg, si këto shtigjet e Saliut që ngelën duke u përplasur njerëzit me njëri-tjetrin, kur shkojnë për Tiranë e kur vijnë për Lezhë. Rruga Milot – Balldren do të jetë një rrugë e standardeve ndërkombëtare.

Do fillojmë rrugë Thumanë – Kashar, që do të bëjë që gjithë lëvizja nga këtu deri në Tiranë të shkurtohet në mënyrë drastike si kohë dhe të jetë lëvizje e drejtë, e shpejtë dhe pa interferenca me gjithë çfarë ka anash në dy anët e rrugës. Sado e pamundur të duket kjo, brenda këtij mandati do të vijë dita kur të gjithë ata që lëvizin në këtë aks, nuk do kenë më u fut njëri te pishina, doli tjetri nga trampolina, hyri njëri në restorant, tjetri u fut në karburant, tjetri të erdhi përballë dhe të mori me vete edhe shpatullën. Kjo histori do mbyllet. Po ashtu do mbyllet përfundimisht historia e xhepit fallco këtu, sikur fshihesh prapa shkëmbit për të ikur në Shkodër. Do të bëjmë edhe tunelin dhe lidhja do jetë komplet e standardeve të tjera.

Për pak javë, unë shpresoj brenda majit, më në fund do fillojë kantieri i Rrugës së Arbrit dhe nuk do ndalojë më, deri kur të përfundojë.

Do vazhdojmë edhe poshtë në Jug me disa zhvillime të reja.

Në totalin e tyre bëhet fjalë për volumin më të madh të investimeve publike që është bërë ndonjëherë brenda një mandati, por, ama, pa borxhe, pa gropa financiare dhe çdo rrugë do fillojë e do mbarojë, nuk do rrijë rrugëve, duke pritur që të vijë dikush tjetër dhe ta vazhdojë.

Sigurisht që kjo do të ketë një impakt të rëndësishëm edhe në punësim, edhe në ekonomi.

Ndërkohë do fillojmë aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, i të gjitha standardeve, duke përfshirë edhe tranzitin. Do të vëmë në funksionim edhe aeroportin e Kukësit, që do të jetë një aeroport për fluturime me çmime shumë të ulëta e kështu do të bëjmë të mundur që edhe tarifat e larta të Rinasit, që janë një problem shumë i madh, i trashëguar nga kontrata koncesionare, të ulen për shkak të konkurrencës që do krijohet. Nga një vend me një aeroport me tarifat më të larta, që sjellin edhe çmime biletash që ju i dini shumë mirë se i keni provuar që janë absolutisht të larta, brenda këtij mandati do jemi një vend që do të kemi tre aeroporte.

Keni parë shumë fushata ku kanë ardhur dhe ju kanë premtuar aeroport. Edhe këtu në Lezhë më duket se kanë premtuar dikur të bëjnë aeroport, por vetëm aeroporte nuk kanë bërë. Edhe një që ishte gati, e kthyen në aeroportin më të shtrenjtë të Europës. Ato janë nga koncesionet që janë problem, ndërsa nga koncesionet tona, asnjëherë nuk krijohen probleme të kësaj natyre.

Përsa i përket historisë të tarifës të Rrugës së Kombit, ne do ta mbajmë atë fjalë që thashë, që brenda 60 ditëve nga momenti kur kam folur, do të propozojmë një ndryshim të rëndësishëm të tarifës për të gjithë banorët e Kukësit. Sepse e vërteta është që tarifa ashtu siç ishte, ishte e papërballueshme dhe do të lëmë pastaj një periudhë kohe, deri në muajin shtator, për të informuar, informuar, informuar.

Sigurisht, në atë rast, ne gabuam. Ama nuk e di nëse kujtesa ju sjell ndërmend ndonjë qeveri tjetër, apo ndonjë kryeministër tjetër që të ketë thënë “gabuam, ndjesë”. Por di vetëm që, e para, kurrë nuk kam menduar e kurrë nuk mendojmë që jemi të pagabueshëm. E dyta, është themelore sidomos për një drejtues dhe lëre më pastaj për një drejtues të lartë, lëre pastaj për një udhëheqës të një vendi, që kur ka një gabim, ta pranojë gabimin publikisht dhe të kërkojë ndjesë, sepse vetëm në këtë mënyrë, gjërat mund të bëhen sëbashku. Jo duke ia lënë fajin atij që nuk e ka, kur nuk e ka. Ndërsa kur e ka, siç e ka pasur dhe vazhdon ta ketë Saliu për një pjesë dërrmuese të gjërave, duhet ta mbajë me shëndet, sepse nuk e marrim dot ne përsipër. Aty ku e kemi ne problemin, e kemi ne problemin. Aty ku e kemi ne gabimin, e kemi ne gabimin. Nuk jemi të pagabueshëm, nuk jemi më të mirët, por më të mire nuk ka se ne.

Duke qenë se ishim tek tema e rrugëve, desha t’ju pyes se kur do përfundojë aksi Shëngjin- Velipojë dhe kur do realizohet by-pass-i i Lezhës?

Kryeministri Rama: Për aksin Shëngjin – Velipojë, ne kemi bërë një projekt dhe jemi duke diskutuar me financuesit e mundshëm, në këtë rast, konkretisht me Bankën Botërore dhe me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por çështja është që të marrim një aprovim përsa i përket aspektit mjedisor, sepse ai aks është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. Ajo zonë nga pikëpamja mjedisore dhe natyrore është jashtëzakonisht e virgjër dhe delikate, kështu që me të arritur në një konkluzion të përbashkët lidhur me projektin, sepse ka disa variante të mundshme, ne sigurisht e kemi në prioritetet tona bërjen e asaj rruge, që është shumë strategjike për zhvillimin e turizmit në gjithë këtë hapësirë dhe shkurton në mënyrë drastike kohën e lidhjes midis Velipojës dhe Shëngjinit, që është një shkurtimin i domosdoshëm, pasi gjithmonë e më shumë, edhe nga operatorët turistikë na kërkohet kjo gjë. Madje edhe në Malin e Zi e kam hasur këtë çështje, sepse ata kanë shumë kërkesa të turistëve të tyre për të kaluar në anën tjetër dhe për të shfrytëzuar gjithë zonën nga Velipoja deri në Shëngjin. Tani është vetëm çështje që të kemi projektin e duhur, pra, të marrim një aprovim nga të gjitha anët për projektin, në mënyrë që të mos bëjmë gabime që mund të kushtojnë në aspektin e mjedisit dhe në aspektin e peizazhit natyror, sidomos në gjysmën andej nga këtu ku jemi, është i jashtëzakonshëm si peizazh.

Përsa i përket by-pass-it, do ta prezantojmë besoj shpejt edhe këtu edhe në Kurbin, projektin e rrugës Balldren – Milot, që është një projekt që bashkë me Thumanë – Kasharin do të bëjë të mundur të gjithë mbylljen e trafikut të një intensiteti të lartë dhe do garantojë një lëvizshmëri dhe një siguri të plotë.

Zoti kryeministërnuk dëgjova të diskutoje për fshatin, për bujqësinë, për pastrimet e kanaleve, për qumështin që nuk dimë ku e japim dhe nuk marrim lekë fare. Edhe për shëndetësinë e di që shëndetësia nuk është falas. Nëse është falas për ju, por për popullin e për njeriun, për fshatarin nuk është falas. Është me lekë e me lekë shumë madje, ose vdes ai  që nuk ka lekë. Edhe për arsimin, shkollat e mesme, gjimnazet që janë nëpër fshatra, nuk duhet të jenë gjimnaze. Jo të gjithë gjimnazistët shkojnë në shkollë të lartë e vetëm me gjimnaz, me shkolle të mesme nuk je as çoban lopësh. Pse mos bëhen shkollat e fshatrave, shkolla profesionale? Njeriu ka nevojë për shtetin, shteti ka nevojë për njeriun një herë në 4 vjet. Kurse populli ka nevojë për 4 vite për shtetin, por nuk dimë ku të gjejmë mbështetje. Në radhë të parë, fshatari nuk ka rrugë. Ne vendalitë kemi tokë sa për të mbijetuar dhe këto prona që jemi pronarë nuk na i njeh kush, se e kanë marrë ata që kanë ardhur.

Kryeministri Rama: Po e filloj nga fundi, se kjo është një lloj mode që ka arsyet e veta, por që unë për veten time nuk e shoh dhe nuk e pranoj që të më fusë njeri në këtë modë. Nëse unë nuk do mendoja për vendin dhe për popullin, nuk do merresha me këtë punë. Shumë njerëz mendojnë se kjo punë është qejf i madh. Shumë njerëz mendojnë që kush bën këtë punë, nuk ka si ai. Në fakt, kjo është një punë që unë e bëj pikërisht sepse mendoj për njerëzit dhe për vendin dhe besoj shumë që ky vend mund të bëhet dhe besoj shumë që, nëse bëhen gjërat e duhura, fëmijët e këtij vendi, nesër nuk do kenë hallet dhe problemet që kanë pasur prindërit e tyre. Dhe për të bërë këtë punë e për ta bërë si duhet, ka një kosto që ty nuk ta rrok mendja. Ka një kosto familjare, ka një kosto të madhe shpirtërore, ka një kosto të madhe fizike dhe është një punë që ka një peshë mbi kokë dhe mbi supe, që po nuk e provove, nuk e kupton. Kështu që është e drejta jote dhe e drejta e shumëkujt që të mendojë se këtu jemi të gjithë njësoj. Por përsa më takon mua, unë e kam pasur të qartë që kur kam qenë shumë më i ri e nuk kam qenë në këtë punë, që në fund, dy metra dhé mbeten.

Tani po vazhdoj me radhë me ato që the. E para, më the që nuk fola për punën e bujqësisë. Unë nuk fola për shumë gjëra, se po t’i kisha marrë të gjitha me radhë, do isha akoma duke folur e nuk do t’ju vinte radha. Unë thashë disa gjëra, sipas meje të rëndësishme dhe pastaj, të gjithë të tjerat mund të fliten duke bashkëbiseduar.

Në Shqipëri, jo në hënë, as në ëndërr, ka qindra e mijëra histori suksesi në fshat dhe historia e suksesit në fshat është e lidhur me mendjen dhe me vullnetin për të bërë gjënë e duhur, duke u nisur nga mendja. Që do të thotë që, nëse në fshat kemi trashëguar një problem që tokat janë shumë të vogla, duhen bashkuar. E nëse deri dje, bashkimi bëhej bazuar mbi ideologjinë, sot, bashkimi duhet bërë bazuar mbi interesin. Këtu nuk bëhet fjalë që të bashkojmë tokat si kooperativë e dikurshme, por këtu bëhet fjalë që të bashkojmë mendjen. Që do të thotë jo unë të mbjellë qepë, ti të mbjellësh fasule, ai tjetri të mbjellë patate e pastaj të tre me çantë në krah të dalim ta shesim tek autostrada. Kjo nuk funksionon. Por do të thotë që të tre të vendosim se çfarë do të mbjellim, të tre të mbjellim të njëjtën gjë dhe të tre të vendosim sa do e shesim. Kështu është bërë suksesi që unë e kam parë në shumë zona të Shqipërisë. Ajo që bën qeveria për këtë është që bashkimet e fermerëve nuk do të kenë TVSH, pra, fermerët që kanë një prodhim që sjell një xhiro më të lartë se 50 milionëshi nuk do të jenë të detyruar që të hyjnë në TVSH.

Përsa i përket qumështit, ne kemi një problem shumë të madh, sepse kemi fabrika qumështi, të cilat rrezikojnë të falimentojnë si rezultat i ndotjes së qumështit. Ajo që ne kemi bërë dhe që kemi kërkuar edhe me Fondin e ri të mbështetjes financiare të fermerëve është që kush do të futet në këtë sistem, të marri mbështetje financiare nga shteti. Por shteti nuk mund të vijë e të ta sjellë mbështetjen financiare tek shtëpia. Për të marrë mbështetjen financiare nga shteti duhet bërë një projekt dhe duhet bërë një aplikim. E prapë, këto gjëra në Shqipëri ka plot njerëz që i bëjnë.

Tjetra, shëndetësia nuk është falas, kjo është e vërtetë, por, nëse thua që në spital të gjithë vdesin, e ke shumë gabim. Sot, shëndetësia është një sistem që ka shumë probleme, por, nëse kthejmë kokën pas dhe e shohim sesi ishte vetëm 4 vjet përpara, – edhe spitalin e Lezhës para katër viteve dhe si është sot, – nuk ka krahasim fare.  Nëse flasim për sesi duhet të jetë, ka ende shumë për të bërë, por para katër vitesh nuk e njihje kush ishte infermierja, kush ishte doktori, kush ishte pacienti, kush ishte familjari e kush ishte kalimtari. Të gjithë njësoj. Sot është ndryshe. Për mjekun e familjes, ju paguanit 10 mijë lekë për një vizitë. Sot është falas. 600 mijë njerëz që nuk ishin të siguruar duhet të paguanin çdo ilaç. Sot marrin rimbursimin njësoj si ata që janë të siguruar dhe këto i paguan shteti. Sot, ata që janë të pasiguruar marrin ilaçe nga lista e barnave të rimbursueshme, njësoj si ata që janë të siguruar. Deri dje të operonin me instrumente mjekësore të para 30 vjetëve. Sot, ne kemi një sistem të ri të sterilizimit dhe shërbim komplet tjetër të instrumenteve mjekësorë. Mund të them edhe shumë gjëra të tjera për shëndetësinë e sado të them, përsëri nuk mjaftojnë dhe duket sikur unë tani po them që mjekësia ka arritur aty ku duhet. Nuk është aty ku duhet, nuk diskutohet, por krahasim nuk bën dot. Ose duhet të më thuash një krahasim të vetëm, sot me dje. Ku të duash, në Tiranë apo në Lezhë. Kemi problem me qendrat shëndetësore. 300 qendra shëndetësore do të ndërtojmë e rindërtojmë brenda këtij mandati, me standarde.

Për çështjen e rrugëve, the fshatari nuk ka rrugë. Jo, duhet thënë ndryshe. Shumë fshatra kanë akoma probleme me rrugët dhe kjo është e vërtetë. Por nga ana tjetër është po kaq e vërtetë që po të ishin bërë rrugët, njësoj si reformat, të ishin bërë me radhë, sot nuk do kishte ngelur rrugë pa u shtruar. Por nuk u bënë as me radhë, as me cilësi e prandaj bëj rrugë e prish rrugë dhe kurrë nuk i dolëm në fund, 20 e kusur vite. Tani, nëse e kërkon nga unë gjithë çfarë nuk u bënë për 20 e kusur vite, unë të falënderoj se tregon që ke shumë besim tek unë, por ne do bëjmë maksimumin e mundshëm. Përtej maksimumit të mundshëm nuk shkojmë dot. E në fund të ditës do krahasohemi patjetër me ku e nisëm, ku jemi e ku do shkojmë.

Për sa i përket shkollave profesionale, ne gjetëm një sistem arsimi profesional të falimentuar totalisht. Të gjithë ishin për universitet. E nisëm me 3000 nxënës dhe sot kemi 19000 nxënës në arsimin profesional dhe kemi dhe 7000 të tjerë që marrin kurse dhe trajnime profesionale. Patjetër duhen më shumë, por hap pas hapi, sepse tjetër është ta thuash duke e menduar kur më sheh mua përballë e tjetër është ta projektosh, ta financosh e ta ndërtosh. Janë dy gjëra të ndryshme.

Kështu që ajo që na bashkon mua dhe ty është që duam të bëjmë shumë më tepër. Sesa shumë më tepër do të bëjmë, kjo varet nga të dy bashkë. Jo vetëm nga unë, por edhe nga ti, në kuptimin jo personalisht, por nga secili. Ama një gjë është e sigurtë, që transformimi që ka nisur është transformim rrënjësor e çka ne do të vazhdojmë të bëjmë me programin që kemi, do të jetë shumë më tepër sesa kemi bërë. Sigurisht përsëri do të ketë probleme, përsëri do të ketë situata të vështira, përsëri do ketë fshatra që s’do kenë rrugë diku, se po t’i bënim të gjitha përnjëherë, sa hap e mbyll sytë, do ishim magjistarë dhe jo njerëz të zakonshëm, që përpiqemi në mënyrë të jashtëzakonshme të bëjmë gjërat e duhura. Por atë të parën të lutëm mos ma harro, nuk jemi të gjithë njësoj. Ka një fjalë të mençur që thotë, po të shkoi mendja pa prova se tjetri ka bërë diçka, apo bën diçka që nuk e është mirë, ose e kë bërë vetë, ose të shkon mendja se mund ta bësh vetë.

Zona e Fushë-Kuqes dhe shumë zona të tjera të Bashkisë Kurbin kanë probleme të mëdha me ujin e pijshëm. A do ketë zhvillime apo investime të tjera në rrjetin e ujësjellësit?

Kryeministri Rama: Së pari, ujësjellësit janë të bashkive, nuk janë të qeverisë. Patjetër që qeveria ka detyrën që t’i mbështesë me financime bashkitë dhe ka një zë të veçantë për ujësjellësit. Por parimi që ne kemi vendosur është se do të financohen vetëm ata ujësjellës ku ka përmirësim të të dhënave të mbledhjes së faturave. Financim në ujësjellës që nuk mbledhin fatura nuk ka më. Unë nuk e di se si është situata me ujësjellësin në raport me faturat për Bashkinë Kurbin, nuk e kam idenë më këtë moment, pro ky është parimi. Ne do të financojmë ato ndërmarrje ujësjellësi që performojnë dhe që çfarë shpërndajnë në formë uji e mbledhin ë formë kontributesh.

Është si puna e energjisë. Po t’i kishim bërë këto reforma që kemi bërë në energji 25 vjet më parë, po të mos kishim kaluar 25 vjet duke vjedhur njëri-tjetrin, nuk do kishim ardhur në këtë ditë, ku duhet ta fillojmë çdo gjë nga “A”-ja, sepse në shumë zona është akoma rrjeti elektrik i kohës së elektrifikimit, nuk është bërë investim për 40 vjet. Si mund të bëhen më shumë investime, nëse nuk kontribuojnë të gjithë? E nëse në energji sot, ne kemi shumë më tepër investime seç kemi pasur, kjo vjen si rezultat që ka shumë më tepër kontribute seç kemi pasur.

Në ujësjellës situata është beter, sepse në ujësjellës janë bërë çudira. Tani është një proces ku bashkitë kanë filluar t’i mbledhin pak fijet, sepse ujësjellësi ka qenë një histori e tmerrshme, e ndarë me komuna etj.. Kështu që përgjigja është po, në rast se ndërmarrja e ujësjellësit të Kurbinit do të tregojë me rezultate se atë që investon e merr mbrapsht.

Zoti Kryeministër, në dijeninë tuaj, a ka ndonjë vend anëtar të NATO-s që nuk i trajton ushtarakët me status të veçantë? Unë jam ish ushtarak. 35 vjet pune, 134 mijë lekë marr.

Ju keni thënë na jepni timonin se do ta çojmë tepsinë e pushtetit në skrap. U bënë 6 muaj, a mund të na thoni në çfarë pjese është kjo tepsi që është çuar për skrap? Jemi dhe të painformuar dhe të pakënaqur në këtë drejtim.  

Ju bëtë mirë që kërkuat falje për Rrugën e Kukësit, i mençuri fal. Pyeta ime është, pse këtë punë që u bë atje, që u la të shkatërrohej edhe prona, të konfrontoheshin me biznesin, pse duhet të dilni vetëm ju në takime, a keni administratë, a punon kjo administratë? Këtë punë, qoftë për t’i paraprirë asaj, qoftë për biznesin, duhet ta bëjë administrata, se po s’e zuri vendin puna sqaruese e qeverisë, do ta zërë vendin opozita, do t’i nxjerrë atje, do t’i gënjejë.

Kryeministri Rama: Nëse dal unë, nuk do të thotë që nuk dalin edhe të tjerët, por varet se çfarë jep televizori. Të jesh i sigurt që të gjithë përpiqen të bëjnë punë e tyre, por jo të gjithë i nxjerr televizori.

Së dyti, në atë rast, përgjegjësia nuk ishte thjesht administrative, por ishte një përgjegjësi e lidhur me mënyrën sesi u administrua i gjithë ai proces. Në fund të ditës, unë nuk jam nga ata që i iki përgjegjësisë, apo që ua lë të tjerëve e të them e ka ky, se ashtu është kollaj. Më vjen shumë më natyrshëm që ta marr përgjegjësinë që kam, sesa t’ua lë të tjerëve, kur gjërat nuk shkojnë si duhet. Edhe kjo fushatë që po bëjmë, të jesh i sigurt që, nëse do shkosh në një takim tjetër ku nuk do jem unë, mund të jetë një ministër, ministre a dikush tjetër, mos prit që të jetë domosdoshmërisht në televizor. Pra, nuk ka për tu marrë vesh.

Një nga arsyet që ne po e bëjmë, është që ne të flasim drejtpërdrejtë me njerëzit dhe jo nëpërmjet atyre kukuvajkave, apo agjentëve të mjerimit dhe të “zi, zi, zi”, “sterrë, sterrë, sterrë”. Nga ky komunikimi drejtpërdrejtë shumë gjëra mund të sqarohen shumë më mirë sesa duke pritur të sqarohen, tjetër e thua, tjetër ta transmeton, tjetër ta komenton. Kështu që kemi ndërmarrë këtë fushatë që është fushatë pa votime në fund, sepse njerëzit edhe janë mësuar që qeveria,  politikanë, apo deputetët të shkojnë vetëm kur ka votime. Jo, nuk ka votime në fund, por ne do ta bëjmë me të gjithë seriozitetin e duhur të një fushate, jo për të bërë premtime, por për të thënë çfarë kemi bërë, për të dëgjuar, për të debatuar, siç debatove pak më përpara dhe për të nxjerrë secili mësimet e veta. Dikush ka një mendim  në kokë, fillon e reflekton. Unë po ashtu. Kështu që në këtë aspekt është e pashmangshme ajo që, nëse ka një përgjegjësi, duhet që i pari i punës ta marrë përgjegjësinë. E jo vetëm kaq, por në rastin konkret, ajo kontratë është negociuar dhe është firmosur nga një ministër që në kohën që unë merrja përgjegjësinë publike, ai digjte goma në protestë “solidariteti”. Por çfarë rëndësie ka! Ajo është një kontratë e qeverisë shqiptare. Nëse do ktheheshim mbrapa, sigurisht që ajo kontratë do ishte ndërtuar ndryshe, në aspektin e tarifës dhe detyrimit. Pra, ka momente kur nuk arrin dot të ndjesh dhe të kuptosh se kush është gjëja e duhur dhe pa dashje bën gjënë e gabuar. Por në momentin që pa dashje ke bërë një gjë të e gabuar, standardi i ndershmërisë dhe i të drejtës në raport me popullin është të thuash gabova, jo t’i ikësh dhe t’ua lësh të tjerëve.

Përsa i përket çështjes së tepsisë, ka dy anë; Njëra është që të lehtësojmë maksimalisht ngarkesën burokratike, që do të thotë të ulim sa më shumë ndërveprimet mes qytetarëve dhe shtetit. Më pak dokumente që kërkohen, më pak licenca e vërtetime që kërkohen, sepse sa herë duhet një dokument, sa herë duhet një licencë, një vërtetim mund të lindë një problem. Ne kemi bërë një reformë që është në proces, ku kemi ulur shumë numrin e dokumenteve që kërkohen, po rrisim sa më shumë mundësinë për të marrë shërbime nëpërmjet internetit, nëpërmjet celularit në xhep dhe ne kemi gjithmonë e më shumë shërbime që merren pa pasur nevojë të shkosh në zyrën e shtetit. Nëse deri dje, për të marrë një certifikatë, duhet të rrije në radhë, sot, certifikatën mund ta marrësh në shtëpi. Nëse nuk ke kompjuter në shtëpi, shko tek njësia administrative apo posta, shtyp të gjithë të dhënat, merr certifikatën. Kemi aprovuar edhe nënshkrimin elektronik. Sa më shumë nga këto të heqim ose t’i bëjmë online, aq më pak kontakte të drejtpërdrejta me zyrat.

Vullneti ynë, vullneti im për ta çuar tepsinë për skrap është i plotë, por varet edhe nga ju. Varet sa njerëzit duan të marrin pjesë në këtë proces. Kjo do të thotë që, nëse shkon në një zyrë dhe nuk pajtohesh me vonesën, nuk pajtohesh me sjelljen e keqe, nuk pajtohesh me kërkesën për ryshfet, mundësinë ne jua kemi dhënë, www.shqiperiaqeduam.al, shkruaj ankesën konkrete dhe nëse brenda 10 ditësh nuk merr përgjigje dhe në rast se të kanë rënë në qafë, kush të ka rënë në qafë nuk ikën nga puna, atëherë unë të kam borxh. Kjo do të thotë që po ngrihet një sistem. Patjetër që ka sa të duash probleme, se po të mos kishte, do ishte magji. Këtë bilanc do ta bëjmë në vijim, sepse ndryshimi i administratës është sfida më e vështirë, por, nëse duam ta ndryshojmë, duhet ta bëjmë këtë bashkërisht dhe po e bëmë bashkërisht, e bëjmë shumë më shpejt. Kjo është e sigurt.

Përsa i përket pyetjes së parë, a ka ndonjë vend të NATO-s që ushtarakët s’kanë status të veçantë, përgjigja që unë kam është, a ka ndonjë vend të NATO-s që ka hallet që ka Shqipëria? Kjo nuk është çështje dëshire, kjo është çështje mundësish. Mundësitë tona për kohën që flasim, janë këto që janë. Nuk kemi mundësi të tjera. Po të kishim mundësi të tjera, nuk do i linim pa i shfrytëzuar, sepse, e përsëris, nuk ka kryeministër në botë që t’i ketë mundësitë dhe të mos i shfrytëzojë, apo të thotë, hajde t’i hapim vetes një telash tjetër e t’iu vëmë njerëzve në kurriz gjëra që e kanë të vështirë t’i mbajnë.

Pyetja e parë është për titujt e pronësisë mbi tokën, sepse ka mbivendosje. Dikush e ka, tjetri e gëzon. E dyta, a do ta mbajmë fjalën për rrugën e Torovicës?

Kryeministri Rama: Për rrugën e Torovicës do ta mbajmë fjalën, nuk diskutohet. Besoj që brenda mandatit do ta mbajmë fjalën, se ndryshe nuk quhet më fjalë e mbajtur, sepse njëherë do bëhet, por puna është të bëhet brenda këtij mandati.

Përsa i përket titujve të pronësisë, ky është një tjetër problem shumë i madh dhe në këtë aspekt janë dy gjëra; E para, ne po bëjmë një reformë të institucioneve që lidhen me pronën dhe shumë shpejt do çojmë ligjin për të bashkuar disa institucione. Në radhë të parë, për të bashkuar hipotekën me ALUZNI-n. Ndoshta këtu mund të ketë njerëz që e kanë kaluar këtë eksperiencë negative, që shkon te ALUIZNI merr lejen e legalizimit, shkon te hipoteka nuk e merr dot, sepse tjetër hartë ka hipoteka, tjetër hartë ka ALUIZNI. Ne me këtë po punojmë. Do kalojmë ligjin përpara verës dhe në shtator do kemi një institucion të vetëm dhe qytetarët do kenë të bëjnë me një institucion.

Ana tjetër e medaljes është pushteti vendor. Titujt e pronësisë në tokën bujqësore janë të lidhura shumë me funksionimin e pushtetit vendor. Në këtë aspekt kemi rezultate shumë të ndryshe në bashki të ndryshme. Ka bashki si Bashkia e Fierit që kanë bërë shumë progres me titujt e pronësisë, kanë përgatitur shumë dosje që do shpërndahen. Ka bashki të tjera që kanë ecur më ngadalë. Ka bashki ku kemi një problem tjetër që në një komunitet, p.sh., familjet janë dakord me kufijtë e vjetër dhe kanë refuzuar historikisht të marrin 7501-shin, por s’kanë konflikt me njëri-tjetrin. Ky është një problem tjetër, sepse nga pikëpamja ligjore është i vështirë. Domethënë janë disa problematika, por unë kam shumë besim që aty ku bashkitë janë funksionale dhe ku kryetarët e bashkive janë shumë të vendosur në këtë drejtim, ne do t’iu japim të gjithë mbështetjen dhe do kemi progres shumë të rëndësishëm në dhënien përfundimtare të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Këtu në Lezhë është bërë dhe një hata e madhe me AMTP-të nëpër rërë e nëpër det. Në të gjithë bregdetin në fakt, jo vetëm në Lezhë, kudo janë bërë çudira. Ndërkohë që aty ku realisht është toka bujqësore, aty nuk është nxituar njeri, sepse i kanë lënë si të njerkës, pasi e kanë pasur mendjen të gjithë që ta përvetësojnë në zonën turistike.

Kam një kërkesë personale. Më ka sjellë djali një makinë nga Italia. E kam zhdoganuar tash 4 vjet, afro 1 milionë lekë të vjetra. Me Laçin nuk po gjej dot zgjidhje, nuk ma regjistrojnë. Argumenti është ky, ai është ciklomotorr, ecën deri në 45 km/orë, ka dy vende. Këta duan ta bëjnë veturë, në fakt veturë nuk e lë rregulli ndërkombëtar me dalë në autostradë.

Kryeministri Edi Rama: Për këtë rast dhe për të gjitha rastet që janë probleme të kësaj natyre duhet të përdorsh platformën. Është shumë e thjeshtë, 3 minuta tek www.shqiperiaqeduam.al dhe 10 ditë kohë për të marrë përgjigjen përfundimtare. Boll të shkruash aty dhe do marrësh përgjigjen përfundimtare, bëhet, s’bëhet dhe si bëhet.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.