Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare:
Përshëndetje të gjithëve!
Mirëserdhët!
Për shumë kohë, 9 maji është përkujtuar tek ne si Dita e Fitores mbi Fashizmin, për faktin e thjeshtë se kur pak përpara mesnatës të datës 8 maj të vitit 1945 u nënshkrua në Berlin, një akt i dytë i kapitullimit të Gjermanisë naziste, pas atij që ishte nënshkruar një ditë më parë në Reims të Francës në 7 maj, në Moskë ndërkohë kishte kaluar mesnata dhe data shënonte 9 maj 1945.
Për shumë dekada tek ne, fitorja mbi fashizmin është përkujtuar më 9 maj, për arsye të orës së përbashkët me Moskën, ndonëse dhe në kuptimin astronomik, ora e Shqipërisë është tjetër.
Në një kohë kur 7 e 8 maji në Europë njihen si data me rëndësi historike që shënojnë kapitullimin pa kushte të Gjermanisë naziste, 9 maji përkujtohet si Dita e Europës; Dita e fjalës së famshme të Ministrit të Jashtëm të Francës Robert Schumann, në 9 maj të vitit 1950, në të cilin ai shpalli propozimin e jashtëzakonshëm për Europën e Bashkuar.
Dhe, për gjithë sa thashë, unë zgjodha këtë ditë dhe këtë simbol për t’u takuar me ju dhe për t’ju uruar mirëseardhjen këtu në këtë godinë, të nderuar veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke dashur që në këtë mënyrë të nderojmë mesazhet e mëdha të luftës e bashkë me luftën, edhe mesazhin e madh të Europës së Bashkuar. Për arsye se, në të vërtetë, shqiptarët përmes shumëkujt ndër ju dhe gjithë atyre që sot nuk janë më me ne luftuan sëbashku, krah për krah me kombet e tjera të Europës. Shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, popuj të tjerë të botës u angazhuan në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, në krah të koalicionit të madh antifashist. Por, ashtu si dhe në vende të tjera pati edhe njerëz ndër ne, shqiptarë, që u rreshtuan në fronte të tjera.
Edhe gjatë kësaj lufte, shqiptarët patën miq dhe armiq të ndryshëm. Për më tepër, lufta prodhoi edhe keqkuptime të mëdha. Sa për ilustrim dëshiroj t’ju sjell një pasazh të kujtimeve të komandantit të një batalioni gjerman, të angazhuar në Shqipëri gjatë luftës, Herman Frank, të botuara në Heidelberg të Gjermanisë në vitin 1957, ku përshkruhen raportet e komplikuara mes trupave të Mehmet Shehut dhe atyre të Muharrem Bajraktarit, edhe pse të dyja palët ishin në luftë kundër trupave gjermane. Sipas komandantit gjerman, citoj: “Grindja mes dy kryetarëve dhe të dy bandave kursen shumë gjak ushtari gjerman.”
Kjo është vetëm një grimcë, për të krijuar idenë e përmasave tragjike të keqkuptimeve shqiptare gjatë luftës. Për shkak të angazhimit në luftë, duke përfshirë dhe moskuptimet e tyre të mëdha, shqiptarët paguan një çmim të jashtëzakonshëm gjaku dhe sakrificash të panumërta njerëzore. Nderimi i këtyre sakrificave është nderi i çdo gjenerate shqiptarësh. Unë besoj se nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo qeverie shqiptare. Por vetëm nderimi nuk mjafton. Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim meriton më tepër. Meriton shumë më tepër sesa fjalët, edhe sesa përveç fjalëve është mundur të bëhet e tregohet gjithë këto vite.
Vijimi i përpjekjes për Shqipërinë e të ardhmes, Shqipërinë e sotme dhe atë të nesërme, shërbimi për lirinë e vendit dhe për liritë dhe të drejtat e çdo qytetari, për mirëqenien dhe dinjitetin e çdo shtrese dhe çdo individi, për zhvillimin e demokracisë dhe integrimin e vendit në Familjen Europiane, për lulëzimin në liri dhe në pluralizëm të plotë të kulturës, shkencash e me radhë është në të vërtetë, nderimi i mirëfilltë për sakrificën e atyre vajzave dhe atyre djemve, është në të vërtetë ajo që meritojnë në nderim të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, është në të vërtetë, rruga e vetme për të ngritur lart nderin e të rënëve në atë luftë.
Ende pas 70 vitesh nga përfundimi i luftës, në Shqipëri, diskutimi për luftën vazhdon të jetë i nxehtë dhe guximi për ta parë luftën realisht, ashtu siç ajo ishte dhe për të lexuar në faqet e asaj lufte jo të shkuarën, por të ardhmen e shoqërisë sonë dhe të shoqërisë së përbashkët europiane, nuk është ai i dëshiruari për një shoqëri të lirë.
Gjatë dekadave që pasuan fundin e luftës, shumë gjëra, ne e dimë morën një drejtim tjetër nga ai që kishin ndjekur ata që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, gjatë luftës. Jo shumë nga pjesëmarrësit e luftës arritën t’i gëzohen fitores, pasi çmimi i saj ishte shumë i lartë. Një pjesë e paguan çmimin me jetën e tyre. Të mbijetuarit patën fate të ndryshme. Jo pak prej tyre u harruan. Të tjerë u burgosën, u internuan, u pushkatuan me apo pa gjyq. Disa të tjerë u ngjitën lart në qeverisjen e vendit, ndanë mes tyre merita dhe përgjegjësi, por lanë pas edhe akte të pashembullta mizorie mes vedi.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve plot kundërshti, një gjë është përditë dhe përvit e më kthjellësisht e qartë, se qëndrimi për luftën dhe për të rënët e saj nuk është aspak tek rituali apo detajet koreografike të propagandës. U përkujtuan rregullisht pas luftës, të gjitha datat. Data shumë të rëndësishme, apo data që morën rëndësi edhe për arsye të propagandës. U përkujtua rregullisht Dita e Clirimit, Dita e Dëshmorëve, ditë të tjera, me një protokoll të paqortueshëm. Por, në të njëjtën kohë, devijimi nga mesazhe të mëdha, idealiste dhe njerëzore të luftës, izolimi i vendit që gjatë luftës ishte pjesë e një koalicioni të madh antifashist botëror, humbja pak e nga pak e lirive dhe të drejtave të qytetarëve, varfëria dhe dhuna u jepnin përkujtimeve, formalisht të përsosura, më shumë trajtën e një propagande, për hir të një pushteti që gjithmonë e më shumë e përdori Luftën Antifashiste si mburojë për krimet e veta.
Ashtu si dhe për vendet e tjera të Europës Lindore, edhe për Shqipërinë, lëvizjet demokratike të viteve ’90-të do duhej të shënonin rikthimin tek idealet e asaj lirie që çoi në luftë kundër fashizmit, si formë e papranueshme e shtypjes së lirive dhe të drejtave të njerëzve dhe rikthimin tek idealet e lirisë së vërtetë. Tek idealet që e frymëzuan çdo hero, çdo dëshmor, çdo luftëtar, përballë një armiku aq të tmerrshëm dhe në dukje aq të pathyeshëm, sa ç’ishte fashizmi. Por, për fat të keq, diskutimi destruktiv që buroi nga këto lëvizje ende vazhdon. Vazhdon në format nga më destruktivet, ende sot, këtu në Shqipëri, nga protagonistë të cilët me luftën e shkuar jo vetëm nuk i lidh asgjë, por më keq se kaq, i lidh një nevojë e pashpirt për të përfituar nga lufta, qoftë duke u përpjekur që të pronësojnë mesazhin e luftës përmes shfaqjes, që nuk kanë asgjë të përbashkët me luftën dhe me mesazhet e saj, qoftë edhe më zi, duke u përpjekur që duke goditur luftën të godasin kundërshtarin e sotëm dhe, në fakt, duke harruar atë që është në themelin e bashkëjetesës në një sistem demokratik, se në demokraci nuk ka armiq. Në demokraci ka vetëm kundërshtarë.
Në jo pak raste, njerëz apo grupime të caktuara në vend që të bëjnë luftën e tyre me armët e paqes, për Shqipërinë sotme dhe të nesërme, bëjnë gjithçka munden që të mbajnë gjallë duke ushqyer në forma nga më të papranueshmet, konfliktet e lindura mes shqiptarëve në luftë dhe të ushqyera për vite të tëra mbas luftës, në funksion thjesht dhe vetëm të pushtetit. Denigrimi i papërgjegjshëm i luftës dhe përdhosja e gjithë atyre vlerave të larta, që populli shqiptar i nxori në pah pikërisht përmes asaj lufte që ka qenë dhe do të mbetet në jetë të jetëve, një nga faqet më të shkëlqyera që ky popull ka shkruar. Është vërtet një akt i ulët publik, që gjen hapësirë për t’u shfaqur e rishfaqur në veprim, thjesht dhe vetëm në funksion interesash që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesin real, për ta parë, për ta shkruar, për ta lexuar e për ta kuptuar historinë si një instrument në funksion të së ardhmes.
Qeveria jonë është qeveria e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, është qeveria e dalë pas zgjedhjesh që na kanë dhënë një mandat shumë të qartë dhe unë kam krenarinë ta them sot, këtu përpara jush, që është ndër të tjera, qeveria që ka detyrimin dhe bën përpjekjen të përfaqësojë me dinjitetin më të madh, edhe luftën, si mesazh, si shpalosje vlerash dhe si pozicionim i qartë i shqiptarëve në anën e duhur të historisë. Është qeveria që ka detyrimin, por edhe nderin të përfaqësojë edhe ata që sot nuk jetojnë më, që nga ata që dhanë jetën për Shqipërinë që të gjithë duam, deri tek ata që për arsye të ligjeve të natyrës, veteranë të luftës ndahen ditë pas dite prej nesh. E unë do të përfitoja nga prania juaj, për t’i nderuar sot, në këtë 9 maj, në këtë ditë të shënuar për të gjithë Europën, por në këtë ditë të shënuar për gjithë veteranët e Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare, në këtë 9 maj të 70 vjetorit të çlirimit, me një minutë heshtje, të gjithë veteranët e luftës që nuk janë më mes nesh dhe që ne kemi pasur fatin e nderin t’i njohim.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Më lejoni t’ju them se, nga ana tjetër, ne jemi të bindur. Unë jam plotësisht i bindur se asnjë pasardhësi të dëshmorëve të luftës nuk i përket automatikisht asgjë nga lavdia e dëshmorëve dhe nga ana tjetër, asnjë pasardhësi të kolaboracionistëve të luftë nuk i përket automatikisht asgjë nga turpi i kolaboracionizmit, për arsye të prejardhjes.
Qeveria jonë do të bëjë të gjitha përpjekjet që duke e çmuar pa asnjë ekuivok rëndësinë madhore të luftës, jo si një faqe e lavdishme e të shkuarës, por si burim idealizmi dhe ëndrrash për të ardhmen. Të refuzojmë me vendosmëri çdo përpjekje për keqpërdorim dhe abuzim me Luftën Antifashiste, nga çfarëdo anë që ajo vjen. Mesazhet e Luftës Antifashiste janë mesazhe që ne duhet t’i përcjellim me ngulm dhe pas asnjë lëkundje, tek të gjithë përfaqësuesit e gjeneratës tjetër dhe tek çdo vajzë e djalë që lind e rritet në këtë vend, që nuk do të ishte kurrë ky që është sot pa Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Mesazhi më autentik, në të gjithë kuptimet, i kësaj lufte që ka qenë dhe mbetet mesazhi ku çdokush prej nesh dhe kushdo Qeveri që dëshiron me të vërtetë të punojë për atdheun tonë të përbashkët mund të gjejë qendrën e vetë të gravitetit, është; bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje, në çdo moment që interesat e atdheut tonë, interesat e shoqërisë sonë, interesat e fëmijëve tanë dhe atyre që do të vijnë pas tyre, e kërkojnë. Pikërisht, ky mesazh ishte mesazhi që i dha Luftës Antifashiste shtysën e vetë të madhe, sepse është një mesazh që e përshkon historinë tonë kombëtare si kod qëndrese dhe shprese. Si frymë e një mbijetese që tek lufta gjeti mundësinë për t’u shprehur në formën e vetë më sakrifikuese dhe që mbetet një lajtmotiv i vlefshëm për këdo që synon të punojë për Shqipërinë dhe për këdo që nuk pyet se ç’po bën Shqipëria për të, por se ç’po bën ai apo ajo për Shqipërinë.
Ne kemi të drejta të krenohemi me kontributin e paraardhësve tanë në luftë, por ne as mund dhe as do t’i lejojmë vetes që sakrificën e tyre ta shndërrojmë, apo ta parandalojmë të shndërrohet, në një hipotekë apo pension për vete. Me këtë dua të them që heronjve dhe dëshmorëve, veteranëve që luftuan me pushkë në front, ne u detyrohemi të gjithë nderimin tonë. Por, ne u detyrohemi edhe qëndrimin tonë të prerë për të mos lejuar që sakrificat e tyre, idealizmi i tyre, dashuria e tyre pa interesa për atdheun të shndërrohet në mburojë apo në kapital për këdo qoftë që vjen apo që fshihet pas tyre, për askënd. Ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Ne duhet të bëjmë luftën tonë, në paqe dhe për paqen, kudër varfërisë dhe krimit, kundër korrupsionit dhe padrejtësisë, kundër rrënimit të mjedisit dhe papunësisë, kundër prapambetjes dhe kundër përçarjes.
Në 9 Maj 1950, vetëm 5 vjet pas grirjes, në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale, në një luftë ku u derdhën lumenj të patregueshëm gjaku mes francezëve dhe gjermanëve, Robert Schumann gjeti largpamësinë t’u thotë të gjithëve se “një Evropë e bashkuar nuk u arrit dot dhe ne patëm luftë. Europa nuk do të bëhet menjëherë, ose sipas një plani të vetëm, ajo do të arrihet nëpërmjet hapave konkretë, prej të cilëve i pari hap është ai që krijon solidaritetin “de facto”. Bashkimi i kombeve të Europës kërkon, në radhë të parë, eliminim e kundërshtive të lashta mes Francës dhe Gjermanisë”.
Fjalë të thëna 5 vjet pas luftës së tmerrshme, nga një protagonist i gjallë i kohës së asaj lufte. Fjalë të thëna, që sot janë një mësim për këdo që kërkon me të vërtetë të mësojë sesi çelet rruga e demokracisë funksionale dhe e prosperitetit, duke gjetur kurajën për t’i dhënë fund çdo kundërshtie të lashtë. Kurajë që, fatkeqësisht, sot, e kemi vetëm ne, njëra palë. Pala që me krenari dhe me dinjitet refuzon të qëndrojë e heshtur kur cenohet lufta dhe nga ana tjetër, mban të shtirë dorën për këdo që është gati t’i japë fund kundërshtive të lashta, ndërkohë që e ardhmja kërkon që ne të gjithë të jemi të bashkuar dhe të sillemi me njëri – tjetrin si kundërshtarë të denjë, jo si armiq të papajtueshëm.
Parafytyrojeni se çfarë absurditeti janë kundërshtitë e sotme, 70 – vjet pas luftës, nga protagonistë që me luftën nuk kanë asnjë lidhje dhe që në rastin më të keq, duhet të gjenin kurajën të heshtnin me nderim përpara kujtimit të çdo heroi dhe dëshmori të luftës dhe të përkuleshin me nderim përpara mesazhit të madh të luftës, duke mos guxuar të ngatërrojnë kurrë luftën, si shprehje madhështore për liri dhe dinjitet, krahë për krahë dhe në anën e duhur me të gjithë Fuqitë e Mëdha të planetit, me atë pjesë të pasluftës, të cilën të gjithë së bashku e konsiderojmë një faqe kundërshtish të lashta për t’u lënë pas. Imagjinoni se çfarë absurditeti dhe se çfarë pengese për të parë sëbashku të ardhmen, janë këto qëndrime që nuk kanë asnjë lidhje me vetë luftën e djeshme, por kanë lidhje vetëm me përpjekjen për të mbajtur në luftë sot, me instrumente të keqpërdorur të paqes, palët përballë vizionit të Robert Schumann i cili kishte provuar vetë në kurriz, në lëkurë, në trup, në shpirt tmerret e burgjeve të Gestapos dhe pasi kishte qëndruar vetë në barrikadat e luftës së rezistencës franceze kundër gjermanëve, gjente forcën brenda vetes për t’u ngritur mbi lumenjtë e gjakut, ku rridhte gjak edhe nga trupi i tij për shkak të torturave, dhe për të evokuar Europën e Bashkuar, në momentin kur dy shtetet po lëngonin në krahët e armiqësisë së tyre të vjetër. Është kjo arsyeja që 9 Maji i Schumann më duket dita më e bukur për t’u takuar me ju, të dashur veteranë të Luftës dhe pasardhës. Sepse, unë nuk do t’ua harroj kurrë atyre veteranëve që pata rastin të njoh drejtpërdrejtë, gjatë kohës kur fillova të ushtroj detyrën e kryetarit të Bashkisë, mësimin konkret, mësimin e thjeshtë dhe kuptimplotë të jetës që më dhanë. Vinin në Bashkinë e Tiranës herë pas here dhe e gjenin derën hapur, por nuk e shfrytëzonin derën e hapur për të kërkuar ndere për veten e tyre dhe për shtëpinë e tyre, por sa herë kishin mundësinë të takoheshin kërkonin që unë t’i dëgjoja për probleme të komunitetit të tyre, për pastrimin, për ndriçimin, për rrugën e shkollës së fëmijëve, të nipërve e mbesave, për transportin e me radhë. Më besoni, do të kisha qenë i lumtur t’u shërbeja edhe për t’u rregulluar njeri në punë, do të kisha qenë i lumtur t’u shërbeja edhe për një kërkesë personale. Ju betohem se nuk ma kanë bërë kurrë kërkesë një të tillë. Kjo është lufta, këta janë njerëzit e luftës dhe ky është mesazhi i atyre që nuk janë më dhe atyre që sot e gjithë ditën, si shumëkush ndër ju dhe të tjerë që nuk janë këtu, e mbartin me mundim të madh në këto kushte, si shprehjen e një idealizmi që për shumëkënd sot duket një budallallëk me brirë, por që në fakt është e vetmja forcë e brendshme e njeriut, që bën që njeriu të bëjë gjëra që duken të pamundura për njerëzit. Është ajo forcë e brendshme që bëri që një bashkim njerëzish të zmbrapsin makinerinë më të madhe të luftës, që njerëzimi kishte krijuar deri atëherë, makinerinë nazifashiste. Është ajo forcë që bën që kombet të shkojnë përpara, që shoqëritë të nderojnë shtete serioze dhe që përmes shteteve serioze të ndërtohet demokracia reale dhe mirëqenia për njerëzit. Ndaj, sot unë besoj se ju keni të gjithë të drejtën të jeni njerëzit më krenarë të kësaj toke, si bashkëluftëtarë të Robert Schumannit që në një farë mënyrë ishte bashkëluftëtari juaj antifashist dhe që i hapi rrugë, mbi lumenjtë e gjakut dhe të armiqësive që sollën gjak, atij bashkimi të madh, historik, mes Francës dhe Gjermanisë, që solli vënien në jetë të projektit më të madh që mendja e njeriut ka pjellë ndonjëherë, Europën e Bashkuar.
Le të shërbejë ky shembull, shembulli modest i secilit prej jush dhe i secilit prej atyre që kokulur vazhduan të mbajnë brenda vetes të gjalla idealet, për të cilat pati gjithmonë e më pak vend e respekt në këtë vend dhe shembulli madhështor i Europës së Bashkuar, që është edhe dëshmia më kuptimplotë e faktit se çdo produkt i njeriut, sado i madh në përmasa, nis nga diku thellë, në formën më të thjeshtë dhe në përmasën më të vogël brenda zemrës së njeriut si individ. Të njeriut që mund të jetë shqiptar, francez, gjerman e çfarëdo qoftë, por që ka kurajën të jetojë me ushqimin e idealeve të veta.
Lavdi Luftës Nacional Çlirimtare!
***
Kryeministria pati sot vizitorë të veçantë, veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me ftesë të Kryeministrit Edi Rama, ata u mblodhën në sallën e Hartave, në një takim për të përkujtuar fitoren mbi fashizmin dhe njëherësh për të kremtuar Ditës së Europës.
Kryeministri u shpreh se zgjodhi pikërisht 9 majin, në nderim të sakrificës së atyre që e rreshtoi Shqipërinë krah koalicionit antifashist në Luftën e Dytë Botërore dhe në nderim të mesazhit të madh të Europës së Bashkuar.