Deklaratë për shtyp e ministrit të Shtetit për Çështjet vendore Bledi Çuçi:
Sot shoqëria shqiptare ka marrë një lajm shumë të mirë, lajm të cilin kemi kënaqësinë ta ndajmë me ju të gjithë.
Sot, Transparency International bëri publik Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015 dhe i dha Shqipërisë një arsye për t’u ndjerë më mirë me vetveten. Sipas këtij vlerësimi prestigjoz, Shqipëria ka fituar pikët më të larta në gjithë historinë që kur Transparency International ka filluar matjen e këtij perceptimi dhe është ngjitur 22 vende më lart për vetëm një vit – nga vendi 110 në vitin 2014, në vendin e 88–të, në 2015 – në përmirësimin e perceptimit publik për korrupsionin.
Ky rezultat nuk do të thotë se i kemi mbërritur të gjitha objektivat në luftën kundër korrupsionit, por ai dëshmon qartësisht se jemi në drejtimin e duhur për të mposhtur fuqinë e trashëguar të korrupsionit dhe për të fituar, së bashku me çdo shqiptar e shqiptare, luftën për të çliruar shoqërinë tonë nga ky makth që pengon zhvillimin dhe minon demokracinë.
Ky rezultat pozitiv në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit rikonfirmon vullnetin, vendosmërinë dhe seriozitetin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, vullnet i cili do të vazhdojë të përkthehet në thellimin e reformave të ndërmarra e në reforma të reja në luftën për të bërë shtetin që zmbraps dhe tkurr korrupsionin.
Dëshiroj ta theksoj edhe njëherë se ky përparim në Indeksin e Perceptimit për Korrupsionin është një nga rezultatet më të mira dhe më kuptimplotë të arritura ndër vite. Ky rezultat flet ndryshe nga akuzat dhe shpifjet e propagandës anti-shtet.
Ky rezultat është pasojë e përpjekjeve tona për të modernizuar shtetin dhe për të ndërtuar sisteme që e pengojnë korrupsionin të zërë vendin e shtetit në shërbimet ndaj qytetarëve.
Reformat kanë qenë dhe mbeten terapia e duhur kundër kancerit të korrupsionit që minoi shtetin, ekonominë, shërbimet në vitet e qeverisë së vjetër. Partneriteti publik-privat në të mirë të qytetarëve, është një nga çelësat për të hapur dyert e shërbimeve cilësore dhe pa korrupsion për ta.
Ky rezultat pozitiv në Indeksin e Perceptimit për Korrupsionin na motivon të ndihemi besimplotë për arritjet tona, por edhe të përgjegjshëm për sfidat që na presin në të ardhmen. Një nga sfidat më të mëdha që kemi ende përpara, është reformimi rrënjësor i sistemit të drejtësisë dhe materializimi i kësaj reforme historike.
Po sot, një tjetër indeks i publikuar, është edhe Indeksi i Demokracisë 2015, i publikuar nga “The Economist Intelligence Unit”.
Në këtë indeks, Shqipëria, ndonëse renditet ende ndër vendet me demokraci hibride përmendet si një nga vendet që kanë shënuar progres në vitin 2015, duke arritur dhe pikëzimin më të lartë që nga viti 2008.
Raporti thekson se “Shqipëria ka bërë disa përparime në vitin 2015 që lidhen kryesisht me luftën kundër korrupsionit, dhe luftën kundër krimit të organizuar. Dhe – citoj më tej raportin, – progresi është duke u mbajtur prapa nga grindjet politike mes qeverisë dhe partisë kryesore opozitare.”
Së fundi, dëshiroj t’i ftoj të gjithë t’i lemë paragjykimet dhe t’i lexojmë me kujdes këto raporte të cilat qartazi konfirmojnë për mungesë të progresit në reformimin e sistemit të drejtësisë, duke e lënë këtë fakt si një nga shqetësimet më të mëdha të Shqipërisë sot, por dhe duke e kthyer atë në sfidën më të madhe për vitin 2016.
Faleminderit!