Fjala e kryeministrit Rama në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar:
Mirëdita të gjithëve!
Së pari dëshiroj t’i uroj punë të mbarë dhe sukses Kryetares së re të zgjedhur të Dhomës së Tregtisë dhe industrisë, që është këtu e pranishme dhe t’i uroj mirëseardhjen të gjithë anëtarëve të rinj të Këshillit Ekonomik Kombëtar, që në bazë të sistemit të rotacionit kanë ardhur dhe janë të pranishëm në këtë mbledhje të parë.
Kjo mbledhje e parë që çel edhe sesionin e ri politik i është kushtuar shtjellimit të planit operacional për luftën kundër informalitetit, që ne e kemi paralajmëruar përpara periudhës së verës dhe që hyjmë në një fazë tërësisht të re, duke filluar nga dita e nesërme.
Ne besojmë që sot për ekonominë shqiptare për çdo konsumator nga njëra anë dhe për çdo biznes që ushtron aktivitet të ligjshëm dhe paguan rregullisht detyrimet në Shqipëri, është një domosdoshmëri që qeveria dhe shteti të bëjnë një hap të rëndësishëm dhe shumë të vendosur përpara për të luftuar paligjshmërinë dhe çdo shfaqje të saj në çdo aktivitet ekonomik dhe tregtar në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe për ta vënë përfundimisht shtetin në krah të konsumatorit dhe në mbrojtje të biznesit të ndershëm.
Ne kemi besimin e palëkundur se tanimë kemi një plan të mirëstudiuar për t’iu përgjigjur me efektshmëri dhe për të siguruar qëndrueshmëri në afat të gjatë në fitoren e kësaj sfide.
Ky është një operacion i ngjashëm në thelb dhe në efekt, me atë të energjisë, me atë të marrjes në mbrojtje të territorit, me atë të ndarjes në sistemin e arsimit mes atyre që ushtrojnë një aktivitet të ligjshëm si subjekte private, dhe atyre që deri dje e kishin kthyer sistemin në një hapësirë abuzivizmi dhe tregtie me diplomat.
Lufta ndaj informalitetit do të jetë kryefjala e gjithë këtij 300-ditshi të tretë qeverisës dhe do të harmonizojë qysh në fillim veprimet mes Doganave, Tatimeve, Inspektoratit të Punës, Policisë së Shtetit. Të gjitha këto sëbashku nga njëra anë, padyshim në koordinim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë dhe intensivisht në komunikim dhe bashkëpunim me konsumatorët dhe me biznesin, për të realizuar me cilësi një proces që nuk është tentuar kurrë më parë, me përpjekjen për t’i dhënë gjithkujt atë që meriton dhe për të bërë që gjithsekush të kontribuojë në atë që i takon.
Kjo nuk është vetëm një përpjekje që ka të bëjë me të ardhurat, me kontributet, me ekonominë, por është njëkohësisht një përpjekje që ka të bëjë me shtetbërjen në një proces pakthim, që është procesi i kalimit të Shqipërisë nga një vend i rrënuar institucionalisht si ai që ne e trashëguam, në një vend anëtar të Bashkimit Europian.
Duke qenë se kjo fjalë ndiqet edhe përmes mediave, nuk besoj se është e nevojshme për asnjërin prej jush për të folur se cilat janë pasojat e tmerrshme të ekonomisë informale mbi biznesin, mbi konsumatorin, mbi bazën tatimore të vendit si një e tërë, mbi sistemin ligjor dhe demokratik të vendit, por është e nevojshme që të thuhen këto gjëra për të bërë të qartë qysh në fillim një fakt shumë të thjeshtë që;
Ne nuk e ndërmarrim këtë betejë thjesht dhe vetëm në funksion të domosdoshmërisë që shteti të ketë më shumë mundësi financiare për të investuar, për të ulur taksat, për të rritur rrogat dhe pensionet, por e ndërmarrim këtë betejë edhe sepse të paguash taksat dhe të bësh të mundur që secili të paguajë atë që i takon, është një çështje madhore e civilizimit demokratik.
Ajo që jam munduar të theksoj qysh në fillim, sëbashku me të gjithë kolegët e tjerë, dhe dua ta nënvizoj dhe këtu si tepër të rëndësishme është që kjo nuk është, dhe ne do të bëjmë çmos që të mos marrë në asnjë rast formën e një lufte kundër biznesit, por është një betejë krah për krah me çdo konsumator familjar dhe me çdo biznes të ndershëm që paguan detyrimet në këtë vend dhe që cenohet përditë nga konkurrenca e pandershme.
Është një përpjekje jo për të shkuar pas më të dobtëve në sferën e aktivitetit ekonomik dhe tregtar, por për të bërë të mundur në radhë të parë që më të mëdhenjtë të veprojnë brenda kornizës së ligjit, për të bërë të mundur që gjithkush të fitojë atë që i takon. Por jo të përfitojë duke vjedhur çka i takon shoqërisë dhe çka i takon të gjithë individëve ta marrin mbrapsht nëpërmjet investimit dhe shërbimeve të shtetit.
Kjo është një përpjekje që ka nevojë për shumë komunikim dhe për shumë shpjegime. Duke filluar nga shpjegimi i thjeshtë se nëse ne jemi të vendosur që të mos lejojmë më në Shqipëri shitjen e asnjë malli dhe ofrimin e asnjë shërbimi pa kuponin tatimor, kjo nuk do të thotë se ne po bëjmë një betejë kundër atyre bizneseve tw vogla që shesin mall apo ofrojnë shërbime, por sepse bizneset e vogla janë hallka e fundit, pika fundore e një zinxhiri që fillesën e vet e ka tek kompanitë e mëdha, e ka tek tregtarwt e shumicës, e ka tek distributorwt e mallrave të vlerës, pra e ka aty ku është dhe burimi më i madh i përfitimit, sepse është dhe volumi më i madh i aktivitetit ekonomik dhe tregtar.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që sot jemi ende në një borxh jo të vogël me të gjithë ata që paguajnë rregullisht taksat, sepse njësoj siç ndodhte dhe siç nuk ka mbaruar së ndodhuri edhe pse kemi bërë një reduktim drastik të fenomenit, me pagesën e energjisë elektrike, – është e pamundur që ne të pranojmë që ata që paguajnë taksat, si biznesmenë, si sipërmarrje si kompani të konkurrohen në mënyrë të pandershme nga ata që nuk i paguajnë. E që duke mos paguar taksat arrijnë tw deformojnë tregun dhe të imponohen, duke marrë përfitime të paligjshme, në dëm të atyre që, sigurisht, përfitojnë për vete, por kontribuojnë edhe për shoqërinë.
Nga ana tjetër, kjo bazë që në kemi sot që është larg së qenit një bazë mjaftueshmërisht e zgjeruar të ardhurash, pra që ka në përbërjen e vet sot, këtë pabarazi dhe këtë ndarje, nuk na garanton që të mendojmë për ulje taksash apo për rritje rrogash dhe pensionesh, ashtu si njerëzit kërkojnë me plot të drejtë.
Për të këtë arsye, çdo konsumator duhet ta ketë shumë të qartë, që kur kërkon kuponin tatimor, nuk bën asgjë tjetër veçse i shërben vetvetes dhe familjes së tij në radhë të parë sepse jep një kontribut të drejtpërdrejtë, për të krijuar kushte që nesër të ketë një rritje të rrogës apo taksa më të ulëta.
Kjo vlen për ata që janë në sektorin publik, por edhe për ata që janë në sektorin privat. Sepse vërtet nuk është shteti ai që i rrit rrogat në sektorin privat, por në rast se kompanitë janë në përpjekje të përditshme me konkurrencën e pandershme, e kanë të pamundur që të fuqizohen aq sa e meritojnë dhe mbi bazën e asaj fuqie të krijuar të mund të punësojnë më shumë njerëz dhe t’i paguajnë ata më mirë.
Në efektin e vet fundor ky është një operacion që synon patjetër uljen e taksave, që synon patjetër rritjen e rrogave, por ama mbi një bazë shumë solide të ardhurash dhe pa cenuar asnjë fije atë stabilitet makroekonomik dhe atë proces konsolidimi financiar që ne tanimë e kemi ndërmarrë me vendosmëri në bashkëpunim me FMN, në bashkëpunim me institucionet e tjera financiare, jo sepse na e kërkon FMN apo na e kërkon BE, por sepse është detyrimi i parë dhe themelor ndaj fëmijëve tan; Të mos jetojmë sot, duke marrë borxh të ardhmen e tyre.
Sigurisht që, janë bërë përpjekje. Kjo nuk është një betejë që fillon nga zeroja. Ne nuk jemi të parët që po flasim për të këtë përpjekje, por ne jemi të parët që këtë përpjekje do ta bëjmë ashtu siç nuk është bërë kurrë dhe ashtu siç duhej bërë që në krye të herës. Paralelisht me planin operacional që do të prezantohet nga ministri i Financave, ne kemi përgatitur edhe një paketë masash ligjore që janë në Kuvendin e Shqipërisë dhe që do të miratohen së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë, për të rënduar ndëshkimet për të gjithë ata që përfitojnë edhe nga një kuadër ligjor shumë i brishtë për të bërë evazion, për të vazhduar të mbajnë në këmbë sistemin e skllavërisë të punës në të zezë dhe aq më keq për ata që nga brenda sistemit të taksave dhe tatimeve bashkëpunojnë për fshehjen e të ardhurave të bizneseve apo për të manipuluar bilancet e tyre.
Të gjitha këto fenomene kërkojnë një adresim shumë më të prerë dhe shumë më të qartë edhe ligjor. Ne jemi të bindur që paketa e re ligjore që është në Kuvend do të na vijë plotësisht në ndihmë siç e kërkon ky moment i rëndësishëm. Informaliteti nuk është me origjinë shqiptare, nuk është një fenomen shqiptar dhe Shqipëria nuk është vendi i vetëm.
Informalitet ka dhe ne BE, por nëse mesatarja e informalitetit në vendet e BE-së është 9 % dhe BE është e përfshirë edhe aktualisht në një operacion të madh kundër informalitetit, të një natyre krejt tjetër dhe të një kompleksiteti krejt tjetër, merreni me mend Shqipërinë ku teorikisht mendohet dhe flitet për 30% informalitet, por faktikisht niveli i infomalitetit është edhe më i lartë se kaq.
Mjafton t’u kujtoj se po të nisemi nga kriteret me të cilat BE vlerëson fenomenin e informalitetit në projektin që qeveria vuri në jetë gjatë periudhës parapregatitore me një zonë pilot ku u bë skanimi i plotë i situatës, do të rezultonin sipas standardit të BE-së, 50% e aktiviteteve në kushtet e informalitetit dhe të shkeljes së ligjit.
Ky është një fakt sa shqetësues dhe aq inkurajues. Shqetësues sepse gjendja është e papranueshme nga kjo pikëpamje dhe dwmi i përditshëm; Por inkurajues, sepse potenciali është shumë i madh dhe mundësitë që ne kemi brenda ekonomisë sonë për t’i dhënë një hov të ri edhe investimeve, edhe vetë konkurrencës në ekonomi, është i jashtëzakonshëm.
Ne besojmë shumë po ashtu, që në këtë përpjekje, një rol të posaçëm duhet të ketë sjellja dhe qasja e të gjitha forcave që do të angazhohen në terren. Janë 600 grupe që tanimë janë përcaktuar dhe janë plotësuar me përfaqësues të agjencive të ndryshme që do të bëjnë punën në terren me orar të zgjatur. Ne do të bëjmë çmos, për këtë kemi ndërtuar dhe një plan të posaçëm, që këto grupe të sigurojnë, jo vetëm kryerjen e detyrave të kontrollit dhe evidentimit të rasteve të informalitetit dhe ndjekjen apo ndëshkimin rast pas rasti të këtij fenomeni, por dhe një sjellje dhe një qasje joarmiqësore ndaj biznesit. Do të ishte fatale nëse operacioni do të merrte thjeshtë dhe vetëm një profil represiv.
Për këtë arsye, ne do të inkurajojmë vijimësisht biznesin dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të sjelljes, të qasjes ndaj dokumentacionit apo të veprimeve dhe vendimeve të gabuara, arbitrare të këtyre grupeve të punës, dhe do të marrim masa drastike ndaj kujtdo që do të cenojë natyrën dhe thelbin e këtij operacioni, si dhe marrëdhëniet tona me sipërmarrjen.
Jemi shumë krenarë që në këtë periudhë të parë të qeverisjes kemi ndërtuar një raport të ri me sipërmarrjen. Kemi një vijë të re sjelljeje dhe një qasje tërësisht të ndryshme ndaj sipërmarrjes, krahasuar me çfarë ndodhte më parë, por jemi shumë të vetëdijshëm që nuk janë të pakta rastet kur ata që duhet të përfaqësojnë shtetin dhe që duhet të jenë njerëzit e ligjzbatimit në territor, turpërojnë shtetin, turpërojnë shoqërinë, dhe na turpërojnë ne të gjithëve që paguhemi nga taksat e qytetarëve.
Shenjat e para janë shumë inkurajuese, pa filluar ende operacioni. Shifrat na japin shumë optimizëm se hap pas hapi, javë pas jave, ky proces do të sjellw një ulje të ndjeshme fenomenit, sepse vetëm në periudhën korrik-gusht kemi një rritje krejtësisht të pazakonshme të numrit të bizneseve të regjistruara dhe po ashtu një rritje shumë të pazakonshme të numrit të kasave fiskale të blera për t’u formalizuar.
Sigurisht që nuk është sot, që informaliteti është shqetësimi ynë. Nëse shohim se çfarë kemi bërë në këtë periudhë të parë, shifrat flasin vetë. Kemi një rritje shumë të ndjeshme në mbledhjen e TVSH-së. Ashtu sikundër dhe në regjistrimin e bizneseve apo dhe në nxjerrjen nga skllavëria të shumë njerëzve, deri dje të paguar në të zezë.
Gjatë vitit 2014 janë regjistruar 40% më shumë biznese sesa në 2013. Po ashtu gjatë vitit 2014 është shënuar 29% rritje e pranisë së kompanive të huaja krahasuar me 2013. Për periudhën janar-gusht, janë regjistruar 12.800 biznese të reja, çka bashkë me 16.731 biznese të regjistruar gjatë 2014, e çon numrin e bizneseve të reja në Shqipëri në mbi 30.000. Janë biznese të reja të krijuara rishtas, por janë dhe biznese të formalizuara.
Por mjafton të shikoni shifrën e korrik-gushtit, deri para një jave, ku janë 3.982 biznese ose dy herë më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, të regjistruara. Kjo vazhdon të jetë larg së qenit ajo që duam, por është shumë inkurajuese për potencialin që ka ky proces.
Për ta mbyllur, dua ta mbyll me mbishkrimin që gjendet në Drejtorinë e Brendshme Tatimore në qytetin e Uashingtonit, ku shkruhet një shprehje shumë e njohur: “Taksat janë çmimi që duhet të paguajmë për të blerë qytetërimin tonë”.
Sigurisht, sfida jonë është, jo që të rrisim më tutje taksat për ata që paguajnë, dhe me paratë e marra prej tyre, të investojmë e t’u shërbejmë dhe atyre që nuk paguajnë, por të bëjmë të mundur që të gjithë të paguajnë, në mënyrë që të ulim taksat dhe të investojmë më shumë për të gjithë. Me taksat blejmë qytetërimin europian që ne duam.
Faleminderit.