Nedrete Arapi, fermerja e suksesshme nga Zgjana e Lushnjës, është sot një ndër eksportueset e mëdhenj të produkteve shqiptare të fruta-perimeve në Europë. E ka nisur gjithcka nga një magazinë e thjeshtë grumbullimi dhe falë përkushtimit dhe mbështetjes financiare tē qeverisë dhe fondeve nga programi i BE-së IPARD II, ka arritur të ketë sot një strukturë moderne, në një mjedis të standardeve të larta.
Kryeministri Edi Rama, sëbashku me Ambasadorin e Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca dhe Drejtoren e Përgjithshme të AZHBR-së, Frida Krifca ishin në pikën e re të grumbullimit, “Elian Export”, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 1540 m2, me volum prej 9200 m3 ku bëhet grumbullimi, seleksionimi, kalibrimi, ambalazhimi dhe tregtimi i fruta – perimeve të freskëta për eksport.
Nedretja thotë se ky ishte sezoni më i mbarë, pavarësisht situatës me pandeminë. “Në fillim u trembëm, që thanë ka rënë kastraveci etj.. Unë kam qenë nismëtare që thosha mos e shkulni prodhimin se do vijë ora do shitet prape. Ata që me dëgjuan fituan dhe nga 100 lekë shkoi 800 lekë. Viti më i mbarë i prodhimit ka qenë ky sezon. Unë flas me fakte, me letra, jo me fjalë.”
Drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca bëri të ditur se janë edhe 123 aplikantë të kontratuar me rreth 40 milionë euro dhe në thirrjen e dytë ka patur një kërkesë për rreth 160 milionë euro investime. “Jemi tek Elian Eksport. Është investim i financuar me projektin IPARD. Si Neta, ne kemi kontraktuar 123 aplikantë që janë rreth 40 milionë euro investime në agropërpunim dhe në zhvillimin e fermës. Po ecim me ritme shumë të mëdha. Në thirrjen e dytë, ne kemi patur një kërkesë prej 160 milionë euro investime”, – u shpreh ajo.
Nedreti, e cila punon së bashku me të birin, tregon se me investimin e ri jeta e saj i është rikthyer normalitetit, pasi nuk i duhet të punojë 24 orë si më parë për të bërë volumin prej 8-9 kamionësh që mbushen me fruta dhe perime, ndërkohë që ketë volum pune mund ta kryejë brenda 10-12 orëve në ditë, si dhe me një cilësi shumë më të lartë për tregun. “Në ndërtesën e vjetër prodhimet prisheshin, kurse këtu marrim frymë lirisht edhe ne, edhe produktet. Ko na ka dhënë një suport për rehatinë e prodhimeve që vijnë nga fshati. Vijnë këtu të freskëta dhe ambienti këtu është i freskët. Kemi 3 dhoma frigoriferike, ku malli sa vjen përpunohet. Bëjmë dhe një paketim më të bukur dhe më cilësor për tregun e huaj.”
Ambasadori i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca u shpreh se programi IPARD është mirëpritur gjerësisht nga fermerët shqiptarë dhe interesimi për të qenë pjesë e tij ka qenë shumë i madh. “Ne kemi bërë një fushatë për IPARD-in muajve të fundit dhe në rrjetet sociale, reagimi i të gjithë qytetarëve shqiptarë ka qenë fantastik. Kanë qenë gjithë ato komente më shumë se për gjithçka tjetër. Interesi ka qenë shumë i lartë. Fushatën e kanë ndjekur me mijëra dhe mijëra vetë që kanë kërkuar të bëhen pjesë e këtij investimi dhe të përfitojnë prej tij,” – u shpreh ai.
Duke vlerësuar punën e bërë nga AZHBR-ja, Kryeministri tha se një volum investimi i tillë direkt për infrastrukturën në bujqësi nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ai kërkoi nga fermerët që për të patur sukses të garantuar duhet të organizohen sëbashku në tregtimin e prodhimeve të tyre. “Është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi patur një problem shumë të madh vitet e para që ishte kapaciteti për t’i bërë projektet e duhura, për t’i patur në standardet e kërkuara nga programi. Puna e AZHBR-së ka qenë fantastike, sëbashku me ju dhe kemi arritur tani që të jemi të parët në rajon për kapacitete absorbuese të fondeve dhe është një volum investimi direkt për infrastrukturën në bujqësi që nuk ka ndodhur kurrë më përpara. Është shumë gjë e madhe ky program, se njerëzit e shikojnë fshatin nga larg dhe të vetmet gjëra që shohin janë ato kronikat kur dalin disa atje dhe thonë “s’po na shitet, të na e blejë shteti” dhe nuk e dinë çfarë ndodh në fshat, sepse nuk merret media me lajmet e mira, por natyrisht, lajmi i keq shpërndahet më shpejt. Por më e rëndësishme është që ta ndajnë mendjen të gjithë ata që janë në punë me tokën, që duhet të organizohen me njeri-tjetrin dhe këto pika bëjnë organizmin dhe nuk është puno në një ngastër dhe dil shit tek rruga, se nuk ja del dot,” – u shpreh Kryeministri.