Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen zyrtare me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, ministra dhe ish ministra të Jashtëm:

Zgjedhja për herë të parë e Shqipërisë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është padyshim jo thjesht një sukses i madh, më i madhi për nga përmasat e impaktit në historinë e diplomacisë shqiptare, por dhe një arsye e dobishme për të kuptuar se pavarësisht përmasave modeste të vendit tonë në çdo aspekt, Shqipëria mund e duhet të bëjë më shumë për veten e për të tjerët, sidomos për rajonin tonë.

Në vendimin e 11 qershorit të Asamblesë së Përgjithshme, domethënia më e madhe ishte marrja e besimit nga 175 vende prej 129 të nevojshmeve, por dhe mbështetja unanime për Shqiëprinë e të gjitha vendeve të grupit të Europës Lindore.

Kjo e Shqipërisë është një arritje domethënëse dhe për Ballkanin Perëndimor, i cili është ulur në tryezën më përfaqësuese të vendimmarrjes në botë, vetëm një herë më parë në historinë e asaj tryeze.

Pas kryesimit të OSBE-së, ku për hir të së vërtetës u vlerësuam pozitivisht dhe lamë një përshtypje shumë të mirë, që e dëgjon edhe sot e gjithë ditën, për Presidencën Shqiptare, them se ulja jonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së rikonfimron një standard të ri besueshmërie, maturie, por dhe respekti ndërkombëtar për Shqipërinë.

Do doja të falënderoja këtu, me mirënjohje dhe respekt, të gjitha vendet që e mbështetën vendin tonë në këtë stacion ku asgjë nuk ishte e sigurtë dhe për ku punuan, besuan dhe arritën ta paraqesin bukur kandidaturën e Shqipërisë përpara botës së mbledhur nën ombrellën e madhe të Kombeve të Bashkuara, diplomatë dhe politikbërës tanët, të cilët po ashtu i falënderoj me respekt. Ky është një mësim inkurajues për të guxuar më shumë, për të besuar më shumë, për të punuar më shumë që Shqipëria të bëhet më shpejt ajo që me siguri do bëhet një ditë, me ose pa ne të gjithë. Pikërisht, afrimi i asaj dite në kohën tonë është sfida dhe angazhimi ynë dhe unë, së bashku me shumicën e rizgjedhur qeverisëse, në radhë të parë do ta jetojmë këtë sfidë si arsyen kryesore për t’u zgjuar më herët e për të fjetur më vonë; Për t’u angazhuar më shumë e për të ecur më shpejt; Për të gëzuar, besuar dhe punuar me të gjitha fuqitë tona që kjo dekadë ku sapo kemi hyrë të bëhet dekada e ngjitjes në majë, ku dielli të shkëlqejë jo vetëm për një pjesë, por për të gjithë shqiptarët.

E thënë butë, jetojmë në kohëra jo të lehta, të cilat për ne shqiptarët këtu në Shqipëri u rënduan posaçërisht nga tërmeti katastrofik që i parapriu pandemisë globale ku dhe Shqipëria u desh të përballej me agresionin frontal të virusit vdekjeprurës. Edhe mënyra se si ia dolëm të dyja këtyre ngjarjeve tragjike, krejt të paparashikueshme, them se është një tjetër mësim inkurajues për çka ne mund të bëjmë duke guxuar më shumë, duke punuar më shumë, duke besuar më shumë, për të nxjerrë nga vetja më të mirën tonë.
Tërmeti do të jetë jo vetëm një kujtim i të kaluarës, sëshpjeti, për çdo familje që humbi shtëpinë, por dhe një shtysë e madhe në përballimin e sfidave që kemi përpara.
Po ashtu, pandemia që na sprovoi deri në fund, por na provoi se Shqipëria mund të ngjitet lart e të rreshtohet mes atyre që mund të dallohen për mirë.

Nuk është tërmet, nuk është as pandemi, por nuk është as një det i qetë politika europiane, sot. E për pasojë nuk është koha më e mirë për rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Europian. Më bëri një vërejtje të bukur dhe kuptimplotë një mendje e kthjellët, që kishte dëgjuar një fjalimin tim në ato tryeza europiane.
Vlerat që ti i quan europiane, – tha, – kur flet për BE-në, nuk janë vlera ekskluzive të Bashkimit Europian, por janë vlera universale, të cilat edhe vetë BE-ja përpiqet t’i mishërojë njësoj, siç përpiqen dhe demokracitë e tjera, përfshirë dhe Shqipërinë. Por nuk është vetëm Shqipëria apo Ballkani që jo gjithnjë ia dalin dot të jetojnë me ato vlera, por dhe vetë BE-ja.

Shumë e vërtetë në fakt, se po të ishte se vlerat universale nuk do të ishin një sfidë e vazhdueshme edhe për vetë Bashkimin Euorpian, sot, fjala vjen, Kosova nuk do të ishte e penguar në lëvizjen e lirë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do ishin akoma duke pritur datën e një konference në Zoom.
Vetë Ballkani nuk do të ishte i ndarë deri dhe për vaksinat kundër vdekjes nga Bashkimi Europian, megjithëse jeton fizikisht i rrethuar nga kufijtë e BE-së. Megjithatë, kjo në asnjë mënyrë për të mohuar se është shumë më mirë të jesh i rrethuar nga kufijtë e BE-së, sesa të jesh i rrethuar nga telat me gjemba brenda të cilave ishte izoluar ky vend kur u anëtarësua në Kombet e Bashkuara në 1955-ën dhe u deshën thuajse 3 dekada pas daljes nga izolimi, për të parë tanimë tek vetja aftësinë e të qenit pjesë e barabartë e bisedave, e debateve dhe e tryezave të rëndësishme ndërkombëtare.

Tanimë, Shqipëria po angazhohet jo vetëm me gjithmonë e më shumë vetësiguri në arenën ndërkombëtare, por mbi të gjitha po shihet si e tillë, një vend i vogël, një vend jo i pasur, një vend me problemet e me sfidat e veta, por një vend që di çfarë thotë e di çfarë bën në politikën e vet të jashtme.

Në Këshillin e Sigurimit, vendi ynë nuk do të shkojë për t’u ulur dhe për të mbushur një karrige, por do të shkojë me një axhendë prioritetesh që pasqyrojnë disa vlera, por dhe disa sfida të Shqipërisë moderne.

Së pari, Shqipëria do të fokusohet në çështjet e barazisë gjinore si një vend që ka të drejtën, jo vetëm ta thotë fjalën, sepse çdokush ka të drejtë ta thotë fjalën, por sepse është një vend i renditur në 10 vendet e para në botë në klasifikimin e Kombeve të Bashkuara përsa i përket barazisë gjinore në qeveri. Por jo vetëm në qeveri, edhe në nivelet e mëposhtme, Shqipëria ka treguar me forcën e shembullit se besimin tek gratë e vajzat dhe guximin për të përfshirë gratë dhe vajzat në vendimmarrje i ka bashkë. Ndërkohë që ne jemi të bindur dhe në këtë bindje nuk jemi vetëm, as në tryezën e Këshillit të Sigurimit, as në këtë botë ku jetojmë, përkundrazi, jemi me të tjerë që kanë udhëhequr me forcën e shembullit se gratë dhe vajzat janë thelbësore për paqen e sigurinë dhe investimi tek gratë dhe vajzat është një nga investimet më të sigurta afatgjata për një paqe të qëndrueshme në shoqëritë tona.

Natyrisht, në Këshillin e Sigurimit ka një axhendë, një axhendë të Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë. Ne do të mbështesim në çdo rast e me gjithë forcën pjesëmarrjen e plotë, të barabartë dhe domethënëse të grave në të gjitha përpjekjet paqendërtuese e paqeruajtëse.

Më tutje, ne kemi detyrimin të kemi një angazhim në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, sepse jemi vend që kemi një histori dhe shkojmë në Këshillin e Sigurimit nga një rajon, historia e të cilit ka dhënë më shumë se njëherë mësimin se të drejtat e njeriut dhe të drejtat ndërkombëtare janë shtyllat e pashmangshme të platformës që ndërton shoqëri më të mira dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, pa asnjë lloj diskriminimi, promovon patjetër dhe bashkëpunimin më të fortë mes vendeve. E për pasojë, paqe më të qëndrueshme dhe zhvillim më të garantuar.

Nga ana tjetër, sigurisht Shqipëria ka jo thjeshtë të drejtë si gjithë të tjerët, se kushdo ka të drejtë, por ka të drejtën që të dëgjohet kur vjen puna për tolerancën e plotë fetare dhe për harmoninë mes besimeve të ndryshme, çka për ne është dhe themel i promovimit të paqes, por është dhe themel i mbështetjes tonë të pakushtëzuar në luftën kundër terrorizmit e kundër çdo lloj fondamentalizmi. Patjetër që ne jemi në pozicionin e duhur për të mbrojtur me forcë idenë se çdo formë dhe për më keq akoma, çdo formë e re dhe e sofistikuar e relativizimit të antisemitizmit apo çdo formë tjetër e diskriminimit të myslimanëve janë krejt të papranueshme dhe e kërcënojnë stabilitetin e demokracive tona, por dhe të botës ku ne kemi zgjedhur të jetojmë përtej fjalëve dhe rrezikojnë të çojnë në eksperienca, të cilat njerëzimi assesi nuk duhet t’i përsërisë.

Patjetër që ne i bashkohemi, nuk jemi ne që kemi diçka më shumë se të tjerët apo kemi një eksperiencë të veçantë, si në prioritetet që thashë më lart, për ta ndarë me të tjerët, por i bashkohemi plotësisht të gjitha përpjekjeve për sigurinë e mjedisit dhe kundër ndryshimeve të klimës. Shqipëria e ka bërë prezente në forumet e Kombeve të Bashkuara se do të angazhohet së bashku me të tjerët për të siguruar një lidhje të pandashme mes klimës dhe sigurisë si një koncept më i gjerë. Një qasje e integruar ndaj shëndetit, që përfshin njerëzit, që përfshin mjedisin, përfshin të gjitha gjallesat e tjera dhe parandalon shkatërrimin e mëtejshëm të ekosistemeve, është një angazhim i madh, solemn, global dhe në këtë, ne nuk kemi asnjë rol tjetër për të luajtur përveçse të jemi në mbështetje të çdo nisme të kësaj natyre.

Unë jam shumë krenar që vendi ynë shkon në Këshillin e Sigurimit si një vend që ka një fizionomi shumë të qartë në arenën ndërkombëtare, si një vend aleat strategjik, i palëkundur, me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Europian dhe si një vend që pa diskutim ka mundësinë që në të gjithë këtë kohë, kur do të mund të jetojmë nderin e jashtëzakonshëm të të qënit në atë tryezë aq të posaçme, të mund të dalim prej saj me edhe më shumë respekt, me edhe më shumë besueshmëri dhe me edhe më shumë miqësi të forcuara.

Shumë faleminderit të gjithëve për praninë tuaj! Sot është më mirë sesa një event i një kohe më parë, nesër do jetë më mirë sesa sot, përsa i përket këtyre distancave kaq masive mes folësit e dëgjuesve. Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.