Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Materniteti i Lezhës, i shumëpremtuar në 30 vjet është një tjetër investim në shëndetësi, i cili i shtohet gamës së investimeve në këtë fushë që përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimit për qytetarët, si dhe krijojnë ambiente të denja pune për bluzat e bardha. Për parë ecurinë e këtij investimi që parashihet që në pranverën e vitit të ardhshëm të jetë gati, ishte sot, Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Materniteti është një investimi qeverisë shqiptare, me 55 shtretër, 2 salla operacioni, 2 salla lindjeje. Ne jemi përpjekur të ecim me ritme të shpejta të punimeve dhe brenda muajit mars-prill ta kemi përfunduar të gjithë këtë projekt”, – tha ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu.

Materniteti i ri do të ketë mbi 3000 m2 sipërfaqe ndërtimi, teksa godina do të jetë 5 kate. “Dhomat janë të mirëpajisura me hidrosantiaret e nevojshme, me sisteme sinjalisitke për monitorim të lidhur me dhomën e kontrollit”, – tha drejtori i maternitet, standarde që Kryeministri Rama i vlerësoi “europiane, nga A-ja tek Zh-ja”.

Në fokus të investimit është jo vetëm përmirësimi i cilësisë së shërbimit ndaj nënës e fëmijës, por edhe rritja e kapaciteteve duke qenë se materniteti i Lezhës i shërben edhe Laçit, Mirditës, Nën Shkodrës e Burrelit. Në këto dy vite është investuar për ndërtimin e 3 materniteteve të reja në spitalet rajonale Lezhë, Kukës dhe Berat. Ndërkohë që nga data 1 janari, të gjithë mjekët në vend do të përfitojnë nga rritja e pagës me 40%.

“Në 1 janar, pagën do e keni 40% plus, ju dhe të gjithë ata që kanë bluzë të bardhë. Besoj se është rritje e konsiderueshme që e çon në një mesatare të rajonit. Kuptohet, është me kategori dhe kategoritë që sot e kanë më të lartë, do ta kenë më të lartë, plus, bonusi për ata që vijnë, lëvizin nga vendbanimi, do qëndrojë në fuqi. Ju jeni në vijën e parë të marrjes së baltës, nga lloj-lloj gojësh, por e kam vënë re që kush i shan mjekët, ose kush thotë që nuk të kapin me dorë po nuk i dhe lekë, nuk ka shkuar ndonjëherë në spital. Kjo është fakt dhe ose mbajnë mend si kanë qenë përpara spitalet, ose nuk kanë shkuar ndonjëherë dhe merren me llafe e baltë gjithë ditën, se fjala e keqe del shpejt, pa u menduar. Ndërkohë që në këtë kohë kaq të vështirë, po të mos ishin mjekët, ata që janë të zotë, me thënë të drejtën e që i ka bërë të zotë fakti që janë detyruar të punojnë në kushte jo dhe aq të lehta, që ju kanë bërë më të fortë nga çdo aspekt. Natyrisht, duke pasur tani edhe mjetet, edhe niveli i shërbimit rritet patjetër”, – tha Kryeministri Rama.

Forcimi i spitaleve rajonale, në funksion të të cilit është edhe ndërtimi i godinës së re të maternitetit, synon krijimin e kushteve për trajtimin e plotë të pacientëve, sipas standardeve të praktikës më të mirë mjekësore.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.