Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit për ndërtimin e maternitetit të ri të Tiranës, ku do të ruhet e restaurohet cilësisht godina historike dhe do të zgjerohen kapacitetet me një godinë të re, arkitektonikisht në harmoni me të vjetrën e me teknologji të standardeve europiane:
Ky maternitet, i cili nisi të ndërtohej në fund të vitit 1938 dhe përfundoi në vitin 1942, në një afat goxha mbresëlënës për kohën, ka vlera jo vetëm jetësore për shkak të shërbimit që kryen, por edhe një vlerë të rëndësishme historike. Mirëpo, njësoj si një sërë godinash të ndërtuara në atë kohë, edhe godina e këtij materniteti u sprovua nga dy tërmete, në shtator dhe në nëntor të 2019-ës, e faktikisht u bë në një pjesë të vetën e papërdorshme. Kjo bëri që projekti i ri i maternitetit, i cili ishte në proces, sepse këtu ka nevojë dramatike për më shumë hapësirë për shërbimin, të përshpejtohej. Ashtu siç u bë me të gjithë objektet apo në të gjithë territoret ku tërmeti prodhoi një krizë të jashtëzakonshme për familjet, për shërbimet e për komunitet, u shfrytëzua kjo krizë për të dalë shumë më të fortë prej saj. Faktikisht, sot, ne jemi në kantier për të dyfishuar kapacitetet e shtretërve, për të rritur numrin e sallave e për t’ju dhënë gjithë mjekëve, infermierëve, trupës së shërbimit, një hapësirë me standarde e kushte shumë më cilësore.
Materniteti do të ketë jo vetëm rritje të kapaciteteve në trefish, por do të ketë edhe një qendër prematuriteti për herë të parë në Shqipëri, si një risi në gamën e shërbimeve që ofrohen për të porsalindurit dhe në cilësinë e shërbimeve shëndetësore, po ashtu.
Të gjithë elementët e projektit të ri janë rezultat i analizës së hollësishme të nevojave dhe zgjerimi i godinës aktuale, por edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të teknologjisë në këtë maternitet, shkojnë së bashku me njëra-tjetrën. Ashtu sikundër, ky projekt e të gjithë projektet e tjera të rindërtimit në sektorin e shëndetësisë ecin paralelisht me domosdoshmërinë për të rindërtuar sistemin deri në transformimin e tij të plotë në aspektin e motivimit të trupës, e vlerësimit të mundit, e cilësisë së shërbimit për pacientët dhe efikasitetit të rritur të shërbimit, në sensin e një administrimi shumë më të arsyeshëm të burimeve financiare.
Sot, shëndetësia është në pararojë të të gjithë procesit të transformimit. Reforma në shëndetësi është në një kantier të madh që i përfshin të gjitha këto kantiere më të vogla në raport me të. Synimi për të realizuar autonominë spitalore, jo si qëllim në vetvete, por si instrument për të rritur kapacitetin në të gjitha aspektet, është tanimë në një proces të avancuar, ashtu sikundër është në një proces të avancuar edhe synimi për të krijuar një hapësirë të painfektuar komunikimi dhe ndërveprimi mes bluzave të bardha dhe pacientëve e familjeve të tyre.
Më bëri shumë përshtypje, të them të drejtën, përpara pak ditësh, një grumbullim mjekësh me një zëdhënës që kërkonte legalizimin e ryshfetit. Ishte vërtetë mbresëlënëse për nga niveli i kurajës dhe për nga paturpësia e propozimit. Patjetër që niveli i shpërblimit të mjekëve e të infermierëve duhet rritur e ne do ta rrisim, siç e kemi rritur dhe në vitet pararendëse. Nuk është një zotim elektoral, zgjedhjet kanë sapombaruar, por është një zotim i planifikuar që të mbahet, që pagat për bluzat e bardha të rriten deri në 40%. Ashtu sikundër edhe kjo në vetvete nuk është se i thotë të gjitha, sepse me autonominë spitalore, ne duam të kalojmë në një nivel tjetër të konceptimit të shpërblimit të mjekut, duke krijuar sigurisht një dysheme, por duke krijuar edhe mundësinë që mbi atë dysheme, mjekët të mos paguhen njësoj, por të paguhen sipas mundit dhe sipas volumit të shërbimit e natyrisht, edhe cilësisë së shërbimit që bëjnë individualisht.
Ky është thelbi në raport me atë që autonomia spitalore sjell në burimet financiare të familjeve të mjekëve, por të thuhet se ka ardhur koha të legalizojmë ryshfetin, është vërtetë një mesazh kuptimplotë për domosdoshmërinë që gjithë lëvizja antikorrupsion në të gjithë sistemin tonë shtetëror, e cila ka filluar të ndihet, të shtrihet shumë më thellë. Nuk mund të ketë në asnjë mënyrë një barazim të të gjithë mjekëve, të të gjitha bluzave të bardha në perceptimin se të gjithë janë njësoj dhe të gjithë fusin duart në xhepat e familjarëve apo të pacientëve. E vërteta nuk është kështu e nuk ka se si të jetë kështu. Nuk janë njësoj as pemët, nuk janë njësoj as lulet, nuk janë njësoj as kafshët, nuk janë njësoj as njerëzit. Por ndarja mes asaj, sipas meje, shumice që e nderon sistemin tonë shëndetësor dhe është aty për të konfirmuar faktet që lidhen me sa shumë ndërveprime kryhen në funksion të pacientëve e sa shumë rezultate arrihen duke vënë në shërbim të tyre të gjitha dijet e të gjithë mundin, bën nga ana tjetër që të jetë absolutisht e domosdoshme që mjekë dhe infermiere, të cilat tronditin opinionin publik kur papritur shfaqen si gjakpirës, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të ndiqen dhe të përndiqen deri në fund nga forca e ligjit. Për këtë arsye, ne kemi në proces ndërtimin e një rrjeti të tërë antikorrupsion, nga ana jonë, jo nga ana e drejtësisë së re, për të vendosur nën një presion të dyfishtë të gjithë sistemin tonë publik, jo thjesht sistemin tonë shëndetësor, por të gjithë sistemin publik, sepse të gjitha këto që bëjmë, humbasin një pjesë të rëndësishme të vlerës së tyre, në rast se sistemi vazhdon të ushqejë parazitë dhe grabitqarë, të cilët janë aty për t’i shërbyer shtetit e njerëzve.
Kjo është arsyeja që edhe në spitale, ne kemi filluar të vendosim e do të shtrijmë deri në fund, si në të gjithë institucionet e shërbimit të drejtpërdrejtë për publikun, rrjetin e individëve që do të jenë aty vetëm për këtë punë, për të ndarë ose për të kontribuuar në ndarjen e të njomit nga i thati. Nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionit, nëse ajo luftë nuk zhvillohet brenda shtetit, domethënë, brenda të gjithë institucioneve e të gjitha sistemeve të organizimit të pushtetit ekzekutiv ku menaxhohen fondet publike, ku paguhen rroga me taksat e qytetarëve dhe ku njerëzit marrin shërbime. Nuk mund të ketë luftë kundër të keqes, nëse ajo është e ndarë mes pushtetit ekzekutiv, i cili qëndron në një barrikadë dhe atyre që janë jashtë këtij pushteti, në të gjitha nivelet, qoftë në radhët e krimit, qoftë në radhët e kujt deri dje ka abuzuar me pushtetin.
Lufta duhet të zhvillohet brenda, në radhë të parë dhe vetëm kështu do të rriten të ardhurat, do të rritet besimi, do të rritet solidariteti, do të rritet dinjiteti dhe respekti dhe do të vendosen në vendin që e meritojnë në sytë e të gjithë opinionit publik, ata, të cilët bëjnë detyrën. Vetëm kështu, Shqipëria do të ngjitet në atë majën ku prej shumë e shumë vitesh është penguar të ngjitet dhe vetëm kështu, shteti do bëhet aleati dhe bashkudhëtari i domosdoshëm dhe besnik i qytetarëve. Në të kundërt është e vështirë, shumë e vështirë.
Natyrisht, edhe kjo është tejet e vështirë, por jo e pamundur. Këto që po ndodhin, për fat të mirë, janë shenjat e para të një ndryshimi që do shkojë duke u thelluar dhe i një lëvizjeje që do shkojë duke u bërë gjithnjë e më shumë gjithëpërfshirëse në çdo nivel. Shteti nuk mund të jetë një “rifugium peccatorum” për mëkatarë e për grabitqarë në kurriz të qytetarëve që shtetin e mbajnë në këmbë me kontributet e tyre. Nuk mund të mëkatohet me gjakun e pacientëve, nuk mund të mëkatohet me lotët e familjarëve, nuk mund të mëkatohet me djersën e qytetarëve në asnjë sistem brendapërbrenda sistemit të përgjithshëm shtetëror. Këto janë mëkate që shkojnë shumë përtej personales dhe që përfshijnë në mënyrë shumë të rrezikshme, shpeshherë si kancer vdekjeprurës kolektive, të përbashkët.
Unë besoj që ne, jo vetëm jemi në rrugën e duhur, por në këtë rrugë ku po ecën gjithë përpjekja për ta çuar shëndetësinë në një nivel tjetër, kemi mundësinë që të synojmë që brenda kësaj dekade që kemi hyrë, shëndetësia në Shqipëri të bëhet një pikë referimi për gjithë rajonin. E kemi plotësisht të mundur sepse kemi mjekë të jashtëzakonshëm dhe kemi një trupë infermierësh që realisht meriton respekt. Të dy këta komponentë themelorë nuk mund t’i poshtërojë një segment brenda tyre, që shkon në drejtim të kundërt me drejtimin e historisë. Ne mund ta bëjmë këtë sepse kemi një vizion shumë të qartë dhe faktikisht, për hir të vërtetës, kemi një lidership që nuk e kemi pasur asnjëherë në krye të punës tonë në sistemin shëndetësor. Lidershipin e ministres, lidershipin drejtuesve shumë të apasionuar dhe ambiciozë e të vullnetshëm në shumë pika të sistemit. Kjo është fakt. Ashtu sikundër kemi një boshllëk në vazhdim për të plotësuar gjithë këto pika, sepse jo në çdo pikë kemi njerëzit e duhur.
Nga ana tjetër, kemi mundësinë të hyjmë në një fazë të re, duke e shfrytëzuar sinergji që deri dje ishin të pamundura apo jashtë vëmendjes, në rastin më të mirë. Sinergji me partnerë që janë të gatshëm të na mbështesin dhe të hyjnë me ne në partneritete, jo thjesht të na mbështesin për së jashtmi. Partnerë shtetërorë dhe privatë, që ta fuqizojmë maksimalisht kapacitetin e sistemit, duke mos u lënë trupave në sistem të gjithë barrën për t’u marrë me të gjitha, edhe shumë përtej misionit dhe shumë përtej kapaciteteve të tyre. Këtu e kam fjalën për gjithë logjistikën dhe mirëmbajtjen teknike të sistemeve, e kam fjalën për gjithë kapacitetet financiare dhe njerëzore që mund të rriten përmes këtyre sinergjive.
Po punojmë intensivisht me ministrem, për të siguruar që i gjithë zinxhiri, që nga furnizimi me barna, tek sigurimi i gjithë teknologjisë, motivimi dhe shpërblimi i mjekëve dhe administrimi tërësor i burimeve njerëzore në sistemin tonë shëndetësor, të kthehen në një zinxhir virtuoz nga A-ja tek ZH-ja, me përgjegjësi të ndara dhe në harmoni mes gjithë hallkave, duke përfshirë edhe hallkën e edukimit, për të cilën po punojmë shumë ngushtë me Rektorin dhe trupën drejtuese pedagogjike, në mënyre që edhe aty të bëjmë një hop të rëndësishëm cilësor mbi një bazë që është goxha e favorshme. Ndryshe nga një pjesë e universiteteve në vendin tonë që e kanë bazën shumë të dobët, Universiteti i Mjekësisë ka një bazë të favorshme për të synuar më lart.
Të gjitha këto duhet sidoqoftë të futen në një kornizë dhe korniza është krijimi i një hapësire komunikimi dhe transparence mes shërbimit dhe qytetarëve. Edhe për këtë po punojmë me ministren, për të krijuar një sistem dhe për ta bërë këtë shpejt. Nuk duhet të shpikim rrotën, sepse ky është një sistem që tanimë, vende të tjera të avancuara e kanë futur dhe po ia shikojnë hairin, që garanton në kohë reale ndërveprimin mes qytetarëve në nevojë për shërbim dhe autoriteteve të sistemit. Këtu kam parasysh autoritete që administrojnë sistemin, nuk kam parasysh as mjekët, as drejtoritë spitalore, por një autoritet më lart. Në mënyrë që të gjithë ndërveprimet e infektuara të mund të ekspozohen, në mënyrë që të gjithë procedurat e reja që vazhdojnë e shtohen të mund të zbatohen, në mënyrë që qysh nga mjeku i familjes e deri tek dera e sallës së operacionit të ketë qartësi dhe të ketë drejtësi, jo disa të nënës e disa të njerkës, por të gjithë të barabartë përpara nevojës së tyre për të marrë shërbim.
Unë jam optimist që kemi përpara 4 vjet shumë produktive për sistemin shëndetësor. Nuk po i numëroj të gjitha ato që janë bërë. Ato që janë bërë, janë bërë, ministrja ka detyrën dhe të drejtën t’i numërojë që të mos harrohen, por po them vetëm që baza është e favorshme. Ndryshimet që kanë ndodhur janë të atilla që u kanë dhënë atyre që janë realisht investuar për të kryer me të gjithë pasionin dhe gjithë dinjitetin e merituar këtë mision të mjekut, kushte të paimagjinueshme deri pak vite më parë. Sigurisht flas për aty ku këto kushte janë krijuar sepse ka akoma pika në sistem ku kushtet janë të njëjtat. Por ama që nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, – këtu pas pak kohe, i thashë ministres, 3 vjet është një afat i papranueshëm, ne duhet që brenda 24 muajsh këtë strukturë ta vëmë në shërbim të maternitetit dhe me siguri që do ta bëjmë – e më tutje tek plot spitale dhe qendra shëndetësore në territor, ne mund të shohim që kemi një bazë të re shumë të favorshme.
Dua t’iu siguroj që jemi shumë të vetëdijshëm dhe shumë të shqetësuar, nuk i kemi mbyllur sytë dhe nuk e kemi fjetur mendjen, për nevojën që të rrisim shpërblimin e mjekëve dhe infermierëve. Do bëjmë një rritje graduale, për të arritur brenda 4 viteve, 40% e premtuar. Se kur do bëhen 40, në 3 apo 4 vite, kjo varet nga dinamika e të ardhurave, por është e sigurt që ne do ta realizojmë këtë objektiv. Ashtu sikundër do bëjmë të pamundurën që sa më shpejt të krijojmë kushtet që mbi dyshemenë, sepse kur flasim për shpërblim sipas performancës, nuk flasim për shpërblim nën dysheme, nëse një kategori brenda trupës ka këtë pagë, kjo pagë nuk lëviz, këtu flasim për rritje mbi të në bazë të performancës. Edhe këtë do mundohemi ta sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kini besim dhe le të punojmë së bashku e të biem dakord së bashku, pa ekuivokë, që e gjitha kjo nuk mund të shkojë në destinacion, pa goditur pa asnjë mëshirë këdo brenda sistemit që kërkon ta legalizojë ryshfetin. Për këtë duhet të biem dakord të gjithë bashkë, sepse kjo nuk negociohet.