Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me 31 maturantë të vlerësuar me medaljen e Artë:
Mirëserdhët të gjithë!
Para se të filloj, dua të di kush është Aurela këtu? Kjo vajza ka një meritë të veçantë, sepse nuk na është ndarë as mua, as ministres, duke na nxitur që ta ndjekim me shumë prioritet gjithë këtë proces. Gjëja më e bukur e kësaj marrëdhënieje, jo dhe aq të lehtë në fakt, se nuk është shumë e lehtë që t’i përgjigjesh të gjithë njerëzve me mesazhe dhe kur dikush të përsërit të njëjtën gjë, fillon e thua s’ më la rehat! Realisht nuk më la rehat.
Në fakt është një gjë fantastike, jo vetëm për babin e Aurelës këtu, por për të gjithë prindërit të pranishëm. Edhe më e bukur sesa medalja, është shenja kuptimplotë e kujdesit tuaj, që këtë ditë të shënuar të jetës suaj ta ndani me ata, të cilët kanë qenë mbështetja juaj e patjetërsueshme dhe e pazëvendësueshme.
Uroj shumë që edhe më pas, kur të rriteni, të mos harroni kurrë se në medaljen tuaj të Artë dhe në suksesin që padiskutim do të vijë në rrugën tuaj të jetës, themeli kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë, prindërit tuaj.
Më kujtohet që po këtu, në këtë sallë, ende pa u mbushur 100 ditët e para të qeverisë, kam pasur një takim me nxënës ekselentë. Një prej tyre më ka ngritur një pyetje: Çfarë mund të bëni për të ndryshuar Shqipërinë, që është kapur prej fyti nga sistemi i kalbur i drejtësisë?
Në atë kohë atij i ktheva një përgjigje që pak a shumë ishte se problemi i drejtësisë është një nga sëmundjet më të rënda, mbase burimi i shumë sëmundjeve të tjera dhe do ta trajtojmë si një sëmundje të rëndë, që kërkon konsultim të gjerë, për të vendosur jo vetëm diagnozën, por edhe për të gjetur recetën e duhur dhe për të bërë terapinë e duhur.
Sot kanë kaluar disa vite nga ajo ditë dhe jemi të gjithë dëshmitarë që reformat janë e vetmja rrugë për të adresuar problemin e sëmundjeve sistemike në organizmin e një shoqërie, të një shteti që ka ambicien për t’u zhvilluar dhe për të shkuar përpara.
Nëse atëherë e mendoja që drejtësia jonë vuan nga një kancer dhe organizmi i shtetit tonë ishte një organizëm i kapur në të gjithë pjesët vitale të tij nga kanceri, sot jam edhe më i bindur se dje, që e vetmja rrugë për ta trajtuar një sëmundje kaq të rëndë, është një operacion shumë i thellë.
E njëjta gjë vlen edhe për atë që ne bëmë me reformën në arsim. Reforma në arsim ishte një domosdoshmëri, në një situatë ku sistemi ynë arsimor ishte po ashtu i molepsur nga një kancer padrejtësie, pakonkurrueshmërie, korrupsioni dhe nga një energji shumë e ulët, për shkak se sistemi demotivonte nxënësit, mësuesit, prindërit.
Fakti që sot jemi këtu, përballë këtyre heronjve të ditëve tona, sepse të tillë janë ata që nuk kërkojnë justifikime për të mos ia dalë, por kapërcejnë çdo pengesë, tregon se përtej të gjitha vështirësive, asgjë nuk është e pamundur, nëse një njëri apo një shoqëri është vendosmërisht në rrugën për të realizuar ëndrrën e vet.
Edhe kjo ceremoni ka një histori padrejtësie në sfond, pasi qysh prej vitit 2012, asnjë nga maturantët që plotësonin kriteret për të marrë medaljen e Artë nuk mundi ta marrë atë. Në atë lëmsh, ku ne u munduam të gjenim fillin e arsyes, pse kjo nuk ndodhte, morëm përgjigje se institucioni i Presidentit të Republikës nuk mund të procedonte me argumentin se medalja e Artë e maturantëve nuk parashikohej në ligin për dekoratat, titujt e nderit dhe medaljet e tjera.
U detyruam të ndërmarrim një nismë ligjore, e ndërmarrë nga ministrja e Arsimit, që u kthye më në fund në ligj. Ky ligj bën të mundur rilindjen e kësaj tradite, shpresoj në nivelin më të lartë, jo vetëm sot, por gjithmonë, ku Kryeministri i vendit iu dorëzon maturantëve me të gjitha dhjeta gjatë gjithë kohës, këtë vlerësim simbolik për punën e tyre të jashtëzakonshme.
Nëse do të kisha bërë paraprakisht një kërkim me njerëzit e ministrisë për t’u njohur me jetën, punën, statusin social të prindërve të të gjithë këtyre fëmijëve fantastikë, me siguri do të gjeja mes tyre edhe prindër të papunë, prindër që kanë vështirësi për të arritur fundin e muajit, apo që kanë emrin e tyre të panjohur, pa lidhje politike a të natyrave të tjera. Jam i bindur që shumica dërrmuese e prindërve këtu të pranishëm janë njësoj si shumica dërrmuese e prindërve në shoqërinë shqiptare, njerëz të zakonshëm, që jetojnë me punën e tyre të ndershme, që bëjnë gjithçka që fëmijëve të mos iu mungojë asgjë dhe që rrezatojnë tek fëmijët vullnet, shpirt sakrifice, edukatë dhe motivim për të mos u tërhequr përpara asnjë pengese.
Në këtë sfond të mrekullueshëm prindërish, mesazhi i gjithë veprës së jashtëzakonshme të këtyre vajzave dhe djemve është një mesazh për të gjithë shoqërinë, për mua, për ministren dhe për këdo që do ta dëgjojë këtë mesazh.
Ai mesazh është që varfëria nuk është një arsye për të mos pasur një ëndërr; Të qenit pjesë e një familjeje të zakonshme, nuk është një arsye për të mos pasur një ambicie të madhe; Mangësitë në jetën e përditshme, jo vetëm në shtëpi, por edhe në rrugën drejt shkollës, në oborrin e shkollës, por edhe në klasë, në komunitetin ku jeton, nuk janë një arsye për të mos guxuar të besosh se t’i mund t’ia dalësh.
Siç janë të gjithë këta fëmijë, këtu përpara nesh, me një histori të mrekullueshme suksesi, edhe Shqipëria është një qenie që patjetër mund të bëjë një histori të mrekullueshme suksesi, nëse ne udhëhiqemi nga guximi për të besuar tek Shqipëria, nga guximi për të besuar tek ëndrrat dhe ambiciet tona, nga guximi për të besuar tek forca jonë e madhe shpirtërore dhe krijuese, tek zemra dhe mendja e njerëzve të këtij vendi. Në këtë kuptim, kjo ceremoni, sot e gjithmonë do jetë një motiv i madh frymëzimi për të gjithë ata që duan të shikojnë, që duan të dëgjojnë, që duan të besojnë. Nëse nuk do të besosh, nuk beson dot.
Besimi është për ata që duan të besojnë. Kush beson, fiton, siç kanë besuar të gjithë nxënësit këtu të pranishëm. Siç beson edhe ministrja e Arsimit tek fuqia që mund të gjenerohet në gjithë sistemin tonë të shkollës, në rast se sistemi i shkollës ngrihet mbi themelet e duhura dhe funksionon mbi mekanizmat e duhur. Janë të njëjtët mësues e mësuese. Infrastruktura ka ndryshuar, por jo aq sa për të thënë se çka unë sapo do të them, është rezultat i infrastrukturës, ndërkohë që rezultatet në arsim, sipas vlerësimeve të kryera nga barometri i Konkurrencës Globale për vitin 2015, publikuar në vitin 2016, janë fantastike në raport me ku ishim. Unë nuk e kam besuar që ne do të arrinim të kapërcenim zonën e përçmimit në këtë raport të Konkurrencës Globale, ku faktikisht ishim për faqe të zezë.
Kur Lindita më thoshte të kem besim, se do t’ia dalim që në raportin e ardhshëm të shohim ndryshimin, unë isha skeptik. Por sigurisht që Lindita e dinte më mirë se unë, sepse unë kam qenë në shkollë të mesme dhe kam vazhduar më tutje, pa kthyer kokën pas. Ndërsa Lindita është një ministre që vjen nga një eksperiencë e gjatë në sistemin tonë arsimor si mësuese, pastaj si drejtore e një shkolle.
Në këtë raport, ne përmirësuam në harkun e dy viteve, 12 vende. Cilësia në edukimin fillor u përmirësua me 33 vende. Cilësia në matematikë dhe shkenca, – duke parë se si erdhën gjërat këtu në Shqipëri, gjithmonë thosha me vete “do vijë dita që të numërojmë gjithë me gishta,” – u përmirësua me 27 vende. Arsimi i lartë dhe trajnimi u përmirësuan me 5 vende, që do të thotë se në raportin e ardhshëm do të kemi përmirësim të ndjeshëm në arsimin e lartë edhe në trajnim, falë reformës që bëmë për Arsimin e Lartë.
Është mbresëlënëse dhe shumë inkurajuese që, krahasuar me raportin e mëparshëm, niveli i kompetencave për të kuptuar atë që lexon është rritur me 10 pikë mesatarja. Niveli i kompetencave shkencore është rritur me 18 pikë mesatarja.
Shqipëria u rendit në këtë fushë e katërta nga të gjitha vendet pjesëmarrëse për progresin e bërë, pra, në raport me vetveten, jo në raport me më të mirët. Ashtu sikundër niveli i kompetencave matematikore u rrit me 18 pikë. Shqipëria në këtë fushë ishte e treta për progresin e bërë.
Të gjitha këto lidhen me ndërhyrjen në sistem, sepse qysh prej shtatorit të vitit 2013, në ditët e para të punës, ministrja kërkoi që Ministria e Arsimit të krijonte standardin për të matur perceptimin e mësuesve, të nxënësve dhe të prindërve për të gjitha nismat që janë pjesë e reformës sonë rrënjësore në arsim. Në bazë të këtij standardi u ndërtua e gjithë skema e transformimit të sistemit dhe u projektua një reformë, e cila u zhvillua hap pas hapi, jo duke marrë një copë këtu dhe një copë atje, por duke konceptuar një panoramë të tërë dhe duke e ndërtuar hap pas hapi, tamam si një pazëll. Gjë që ka sjellë një transformim shumë të ndjeshëm, pozitiv, të ngarkesës mësimore, të ndërveprimit në sistem, të cilësisë së perceptimit të nxënësve dhe e të gjithë nivelit të kuptueshmërisë, që, siç vërteton edhe raporti, ka një përmirësim të konsiderueshëm.
Ka pasur disa arsye gjatë këtyre viteve për t’u ndjerë krenar për rezultate, por ju siguroj që momenti më emocionues ka qenë kur kemi marrë këto rezultate, kur kemi parë që kjo reformë ka filluar të lëvizë në drejtimin e duhur një mekanizëm që ngjante i ndryshkur njëherë e përgjithmonë dhe kur kemi marrë mesazhe me shumë shprehje habitore nga miqtë tanë të huaj, që ishin realisht të befasuar nga rezultatet e Shqipërisë.
Ju jeni dëshmitarë sesi gjithë ky proces është shoqëruar me shumë debate, ka pasur diskutime të zjarrta dhe përplasje të ekzagjeruara pikëpamjesh, siç është normale të ndodhë kur bëhet një reformë reale. Sepse një reformë reale është një operacion real, nuk është një makijazh, as një masash dhe as një proces sipërfaqësor. Është një proces që shkund një organizëm të tërë dhe prish një status-quo, të krijuar nga organizmi, qoftë edhe dhe një gjendje limontie apo agonie dhe krijon shqetësim, turbullirë, dhimbje, por është një operacion i domosdoshëm, pa të cilin nuk ka shërim dhe nuk ka shpëtim.
Për ne, garancia ka qenë gjithmonë standardi i matjes së perceptimit të mësuesve, të nxënësve dhe të prindërve. Me shumë kënaqësi kemi vënë re që vazhdimisht ky standard na ka dhënë të drejtë, jo se ne kemi bërë ndonjë shpikje, apo se jemi më të zotë se të tjerët, – kjo e dyta nuk diskutohet, – por sepse kemi pasur gjithmonë parasysh që çdo hap ta hedhim duke u konsultuar gjerësisht me njerëzit e sistemit.
Në matjen e fundit të perceptimit, ku janë pyetur 27 561 mësues dhe 18 996 prindër na rezulton shkalla e pohimit që reforma në arsim ka sjellë lehtësi të ngarkesës mësimore, shkalla e pohimit se tekstet e reja mësimore kanë përmirësuar cilësinë e të nxënit dhe mësimdhënien, shkalla e pohimit se ndryshimet në Maturën Shtetërore kanë rritur transparencën e procesit dhe kanë siguruar prurje shumë më cilësore në universitete është mbi 70 për qind.
Ashtu sikundër është mbi 75 për qind shkalla e besimit të të gjithë komunitetit të mësuesve tek portali Mësues për Shqipërinë, si një mundësi për t’u punësuar në sistemin tonë arsimor përmes konkurrencës dhe meritës, apo mbi 80 për qind faktin se si pasojë e reformës, shkolla është bërë më miqësore dhe më gjithëpërfshirëse. Me shumë kënaqësi, shohim se është 85.9 për qind perceptimi i mësuesve për rolin e ri që ka marrë sporti në shkollë.
Për të mos e vazhduar më tutje me programet e reja, me reformën e gjimnazit që mundëson zgjedhje në një moshë më të pjekur, për informimin e prindërve dhe të nxënësve me reformën dhe me hapat që duhen ndërmarrë, unë thjesht e vetëm dua të them se, nëse sot jemi përpara 31 nxënësve të shkëlqyer dhe janë gjysmë përfitues të reformës, pasi një pjesë të parë të aktivitetit dhe të historisë së tyre të suksesit e kanë bërë në kushte të një sistemi krejtësisht të papërshtatshëm, fëmijët që do të vijnë më pas do të jenë përfitues të plotë të reformës.
Kjo nuk do të thotë se do kemi më shumë fëmijë me medalje ari, mund të kemi dhe mund të mos kemi, por do të kemi në tërësi fëmijë që do të kenë një përgatitje mesatare shumë më të lartë, sesa kjo që kemi sot dhe shumë më shumë më të lartë sesa ajo që kishim deri dje. Jam katërcipërisht i bindur se raporti i ardhshëm i Barometrit të Konkurrencës Globale në Arsim, do të jetë përsëri shumë pozitiv për Shqipërinë dhe për nxënësit e nxënëset tona.
Më vjen shumë mirë që mund t’u themi me plot gojën të gjithë maturantëve të sotëm, jo vetëm ish-maturantëve të këtushëm, sepse tanimë janë në rrugën e universitetit, që do të kenë një universitet më të mirë.
Rruga për të hyrë në universitet tanimë vendoset vetëm prej tyre. Askush nuk mund të vendosë për ta, ose kundër vullnetit të tyre; as paraja, as miku, as partia dhe as faktorët e tjerë që ne shqiptarët i gjejmë kur na duhen, për të kaluar nga korsia e emergjencës, edhe kur s’kemi emergjencë. Vendos vetëm merita.
Mjafton të shikosh renditjen në universitete të të gjithë atyre që kanë hyrë pas procesit, i cili u shoqërua me shumë zhurmë, për të parë si ka ndryshuar cilësisht çdo fakultet dhe ajo është që më kryesorja, në asnjë fakultet sot nuk është dikush që ka zënë vendin e dikujt tjetër. Nuk ka sot asnjë që mund të pretendojë se i takonte ai vend, por për fat të keq dikush tjetër shkoi në vend të tij apo të saj. Besoj kam dakordësinë e të gjithë prindërve këtu, pavarësisht për kë votojnë, që kjo nuk mund të mendohej tre vjet më parë.
Ju jeni prindër me fat, se nuk keni menduar kurrë të gjeni mik. Fëmijët tuaj nuk kanë pasur nevojë për mik dhe fëmijëve tuaj nuk ka pas forcë që t’u ndalojë hyrjen në universitet. Me medaljen e Artë kjo ishte e pamundur. Por shumë të tjerë, paralelisht me mbështetjen maksimale që njësoj si ju ia kanë dhënë fëmijëve, kanë menduar “ku do t’i gjejmë lekët”, “ku do t’i gjejnë miqtë apo partinë” që nuk do jua lërë fëmijën jashtë dyerve të fakultetit që meriton, apo jashtë auditorëve ku ka dëshirë dhe të drejtë të hyjë.
Kjo është një gjë shumë e madhe, por nuk do të thotë se kaq shumë sa kemi bërë mjafton. Duhet të bëjmë shumë më tepër, që do të thotë se kemi shumë për të humbur, në rast se nuk vazhdojmë këtë rrugë, sepse është një proces ende në një fazë zhvillimi të një embrioni të ri, që mund të kthehet mbrapsht lehtësisht.
Nuk është një proces i konsoliduar mjaftueshmërisht, aq sa kushdo që të jetë s’ka çfarë i bën, nuk e kthen më mbrapsht.
Këtu kemi ardhur për vajzat dhe djemtë, të cilëve realisht u jam shumë mirënjohës, në emër të të gjithë qytetarëve të arsyeshëm, për shembullin e jashtëzakonshëm qytetar që ju i jepni sot vendit tuaj, i jepni bashkëmoshatarëve dhe bashkëmoshatareve tuaja, të cilët, pavarësisht se janë në Tiranë, në Shkodër, në Kukës, në Sarandë, në qytet apo në fshat, në një familje të varfër, apo në një familje me të ardhura mesatare, nuk ka asgjë që i ndal në rrugën e ëndrrës dhe të ambicies së tyre, nëse në këtë rrugë vendosin të gjithë zemrën dhe të gjithë mendjen e tyre.
Kjo është shumë frymëzuese për mua dhe për të gjithë ne.
Më besoni, të gjithë kemi nevojë të gjejmë arsye dhe motive frymëzimi, aq më tepër kur kemi detyra të larta dhe të vështira. Të rrethuar nga lloj-lloj prurjesh dhe zhurmash, në një mjedis ku amplifikohen jashtëzakonisht shumë ankesat, kërkesat, justifikimet, alibitë, dëshpërimet, ju jeni një rreze drite në një forcë shumë të madhe. Ju tregoni që gjithkush mund t’ia dalë.
Patjetër mund t’ia dalë!
Por tjetër është ta thuash, tjetër është ta mendosh dhe tjetër është që, kur e mendon, të kesh edhe heronjtë e tu në kokë. Ju jeni heronjtë e mi. Jua them me sinqeritetin më të madh, duke menduar gjithmonë për mjedisin ku keni arritur të bëni këtë kryevepër.
Uroj shumë që kjo të mos jetë kryevepra juaj e fundit, por të tjera të vijnë dhe do vijnë patjetër. Keni bërë një pjesë shumë të vështirë, kur askush nuk ju njihte dhe nuk ju dinte. Tani me medaljen e Artë do të shikoni që shumëkush do t’ju njohë dhe do t’ju përfillë shumë seriozisht, jo vetëm këtu në Shqipëri, por kudo ku të shkoni. Medalja e Artë është një kartëvizitë për ju, që të mund të hapni dyer që të tjerët nuk i hapin dot. Kjo histori suksesi do të jetë gjithë jetën për ju, edhe në majë të Amerikës, edhe në mes të Gjermanisë, edem në Shqipëri po të jeni, një mbështetje shumë e madhe me vepra, jo me fjalë, që t’ju hapet dera e suksesit.
Megjithatë, në çdo hap duhet të vazhdoni të jeni këta që keni qenë deri tani. Duhet të vazhdoni të besoni fort, të punoni fort dhe të jeni të bindur që një ëndërr që njeriu e shikon me sy hapur, është në gjendje ta realizojë. Ato me sy mbyllur, shpeshherë nuk realizohen. Por një ëndërr me sy hapur, përderisa njeriu arrin ta shohë, mund ta realizojë.
Mund të thoni se të gjithë shohin ëndrra me sy hapur. Po, të gjithë shohin ëndrra me sy hapur, por nuk bëhen dot të gjithë. Lionel Messi është një. Të gjithë duan të bëhen si Lionel Messi. Por, nëse u bë Lionel Messi, u bë sepse donte dhe besonte se do bëhej Lionel Messi. Kur ishte fëmijë në një lagje të varfër të Buenos Aires-it, ai thoshte “do të luaj me Barcelonën”. Dhe ai luan me Barcelonën. Po të shikoni historinë e kampionëve, është e njëjta histori që përsëritet.
E kam sjellë disa herë shembullin e Ermonela Jahos, si një shembull shqiptar. Ermonela Jaho në Liceun Artistik ishte më e vogël se ju dhe thoshte “unë do këndoj në “La Scala””. Natyrisht, pjesa më e madhe thoshin se ishte e çmendur dhe pjesës tjetër i vinte keq për të. Por ajo vajzë këndon në “La Scala”. Të gjithë ata që thoshin është e çmendur, apo na vjen keq, vdesin për të gjetur një biletë.
Keep going!
Ju sugjeroj për këdo që se ka lexuar, që sonte të lexoni fjalimin e Steve Jobs përpara studentëve në Universitetin e Stanford-it, në vitin 2004. Është një fjalim shumë frymëzues, që do t’ju japë një dozë shumë të fortë “droge” natyrale.
Shumë faleminderit!