Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikim me median i Kryeministrit Edi Rama para mbërritjes së dozave të para të vaksinës anticovid, nga kontrata me kompaninë Pfizer:

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

Sot, ju kemi ftuar për të bërë atë që kishit merak me të drejtë, siç e keni parë edhe në vendet e tjera, sepse sot, për pak fillon edhe lëvrimi i dozave, bazuar mbi kontratën me kompaninë Pfizer.

Siç e dini, ne  e kemi filluar vaksinimin me doza që kanë ardhur dhuratë nga një vend mik i BE-së, emrin e të cilit ende nuk mund t’ua komunikoj, ndërkohë që kemi kontratën e drejtëpërdrejtë me kompaninë Pfizer, ne Shqipëria dhe përveç nesh, edhe Serbia. Vendet e tjera, siç po e ndiqni, fatkeqësisht janë ende në një situatë pritshmërie në kushtet kur çështja e vaksinës po  komplikohet gjithnjë e më shumë dhe kur për çështjet e vaksinës Europa ka hyrë në një kaos me jo vetëm BE-në, por edhe vende të tjera të mëdha që kërcënojnë me ndjekje në rrugë lihjore, etj.

I them këto, për të mos harruar që, sidoqoftë, ne jemi në kushtet kur procesin e vaksinimit e kemi garantuar dhe do ta vazhdojmë falë faktit që nuk e lamë veten në dorë, s’po them të rastësisë, por të të tjerëve. Nuk pritëm COVAX-in. COVAX-i është ende në një proces që nuk duket akoma se ku e ka fillimin. Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me COVAX-in, por edhe ata nuk janë të qartë dhe nuk japin asnjë qartësi mbi atë që do të ndodhi.

Natyrisht, kjo është situatë dinamike dhe mund të ndryshojë nga dita në ditë, por ajo që ndodh – jua kam thënë që në fillim – me vaksinën, jashtë kamerave, jashtë syve të publikut, jashtë pasqyrave të komunikimeve të qeverive është sagë më vete. Është një luftë tregtare politike e jashtëzakonshme.

Mua më vjen shumë mirë që ne ia kemi dalë që të mos mbetemi në rrethin vicioz që për fat të keq janë shumë të tjerë. Unë po ashtu nuk e kam harruar që kemi marrë një zotim për të ndihmuar Kosovën, por dua të sqaroj që rregullat tejet strikte dhe kufizimet jashtëzakonisht të forta që kompania Pfizer ka vendosur, siç kanë bërë nga njëra anë që ne të mbetemi strikt mbi origjinën e vendit nga erdhën dozat me të cilat filluam fushatën e vaksinimit, e bëjnë të pamundur që ne të dhurojmë doza vaksinash. Ama nuk e bëjnë të pamundur që ne të mund të ofrojmë vaksinim për një numër mjekësh dhe inferemierësh nga Spitali COVID i Prishtinës, siç e kemi premtuar, gjë që duhet të bëhet këtu, në territorin e Republikës së Shqipërsë. Për këtë arsye i kam kërkuar Ministres së Shëndetsisë të komunikojë me homologun e Kosovës dhe në momentin kur miqtë tanë do të vendosin, ne jemi të gatshëm që të mirëpresim si fillim 50 bluza të bardha nga spitali i Prishtinës, kuptohet, për të dyja dozat.

Sot, Pfizer-i lëvron dozat e para, të cilat janë ekzaktësisht 1170 doza, që do të thotë se fusim në proces vaksinimi, përveç atyre që kanë marrë dozën e parë, ndër të cilët jam dhe unë dhe për të cilët kemi dozat e dyta gati, gjithashtu edhe për 1170 të tjerë. Ndërkohë, zotimi i marrë nga Pfizer-i është që brenda muajit, në javët në vijim, – nuk po jap data se këtu u bë histori ndryshimesh të vazhdueshme, jo për shkakun tonë, – ama brenda muajit shkurt do të vijnë edhe dozat e angazhuara, qoftë 10750, qoftë dhe 31 mijë. Pra, të 41 mijë dozat që ishin të parashikuara për periudhën e fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit janë të angazhuara nga Pfizer-i. Nëse do të ketë prapë ndryshime do t’ju informojmë.

E rëndësishme është që procesi i vaksinimit do të vazhdojë me të tjerët, sipas listës.

Në momentin që ne do të kemi radhën e  ardhshme, për të marrë dozat e tjera që do të vijnë dhe do të priten në mënyrë transparente për të gjithë ata që do të kenë dëshirë t’i ndjekin, natyrisht, se nuk besoj se do të jetë i njëjti kuriozitet, por kush të dëshirojë t’i ndjekë, do të mund t’i ndjeki, – ne do të hyjmë në proces edhe për ata që janë moshat më të thyera, sipas planit që ka bërë Ministria e Shëndetësisë.

Në ndërkohë jemi shumë afër finalizimit të kontratës me kompaninë AstraZeneca për vaksinën e AstraZenecas.

Nuk mund të jap më shumë detaje, sepse çdo detaj që mund të jepet sot mund të ndryshoje nesër dhe jo për shkakun tonë, natyrisht, por jemi optimistë që do të kemi një sasi të konsiderueshme edhe nga AstraZeneca dhe do të mund pastaj të ecim gjithmonë me synimin për të realizuar skenarin e parë, që është ai i vaksinimit të të gjithë atyre që hyjnë në kategoritë që duhen vaksinuar dhe që do të kenë dëshirë të vaksinohen, – natyrisht nuk është me detyrim, – në 14 muaj. Akoma ky afat qëndron.

Me Pfizer-in kemi diskutuar përsëri për muajt mars, prill, qershor sepse skeduli kontratual është fleksibël, por ama nuk e kemi varur veten as vetëm në duart e Pfizer-it, as vetëm në duart e COVAX, as vetëm në duart e BE-së, as vetën në duart e një pale, apo  të një pale tjetër. Kemi ndërkohë një veprim intensiv, tani janë katër shtete brenda dhe jashtë BE-së, gjithmonë me synimin që të garantojmë vaksinat e nahijes perëndimore të planetit.

Besoj e dini se janë dhe disa vaksina të tjera rrugës që presin të dalin dhe të aprovohen. Me të gjithë kemi kontakte. Unë jam shumë i bindur që jemi në lartësinë e detyrës.

 

– Duke patur parasysh që do kemi nesër një konferencë, po mbetem brenda teme. Ju thatë se Pfizer-in po e kërcënojnë për nisje të proceseve gjyqësore për shkak se nuk i është përmbajtur kontratës. Duke patur parasysh se dhe me Shqipërinë nuk i është përmbajtur kësaj kontrate, i solli me vonesë, nuk solli 10 mijë doza, por solli vetëm 1 mijë, do të kemi edhe ne ankesa ndaj Pfizer-it, duke patur parasysh që ata vetë i duan t’i rrish ngushtë kontratës me ta, duke patur parasysh edhe atë që ju thatë, që nuk mund t’i jepni Kosovës për shkak të kushteve të kontratës. Apo do të jemi falënderues duke patur parasysh se çfarë bëri Bashkimi Europian me ne?

Kryeministri Edi Rama: Kjo e pamundësisë për të dhënë vaksina tek të tretë jashtë territorit nuk është një kusht vetëm për ne, është një kusht për të gjithë dhe kjo është arsyeja pse ai vendi tjetër, që ne nuk ua themi emrin, nuk dëshiron që të bëhet emri publik.

 

– Se ka shkelur kontratën?

Kryeministri Edi Rama: Jo, është pak më ndryshe, por, sidoqoftë, edhe në e pastë shkelur, ju qani hallin se e shkeli kontratën, apo jeni të gëzuar që ne ishim aq të zotë, sa t’i bënim miqtë tanë që të shkelnin dhe kontratën për ne? Kjo është si ta marrësh, por nuk është as njëra, as tjetra, në fakt. Është një klauzolë shumë e diskutueshme nga pikëpamja interpretative, megjithatë, ne nuk duam të ndërmarrim asnjë hap në këtë moment, në këtë drejtim, përsa i përket interpretimit të kësaj klauzole. Prandaj, ne jemi mëse të lumtur që vëllezërit e motrat tona në Kosovë, që nuk duam t’i lëmë të presin e të presin, por t’ju japim mundësi të fillojnë të vaksinohen, t’i mirëpresim menjëherë, në momentin e parë që do duan e do të mund të vijnë e të vaksinohen këtu, bashkë me bluzat tona të bardha.

Përsa i përket çështjes tjetër, jo, as nuk e mendojmë që t’i shkojmë Pfizer-it mbrapa nëpër gjykata, sepse, për hir të vërtetës, Pfizer-i me Shqipërinë është sjellë si s’ka më mirë. Inë nuk dua tani të hyj në këtë debat midis atyre që ankohen për Pfizer-in dhe Pfizer-it se nuk më takon, por mendoj që përsa na takon ne e nga mënyra si e lexojmë ne kontratën, Pfizer-i nuk ka shkelur kontratën me ne. Thashë që skedulet kanë një fleksibilitet brenda dhe kjo vlen edhe kur Pifzer-i mund të vonohet pak, edhe kur Pfizer-i mund të shpejtojë sepse disa qafira që faktikisht ishin pjesë e një turpi të madh me publikimin dhe komentimin e disa faqeve të shkëputura të kontratës, të marrë vjedhurazi nga një draft, me në krye një qafir dixhital të mirënjohur, vrapuan të flasin me terma ekstrem, në vazhdën e përpjekjes për ta helmuar sa më shumë këtë popull e për t’i thënë këtij populli që çdo gjë këtu është vetëm e zezë, duke keqinterpretuar atë pjesë të kontratës e duke thënë që vaksinat po vijnë për fushatë, për propagandë e për show, sepse, në fakt, pjesa e madhe e dozave nuk do vijë deri në vjeshtë dhe kështu janë përjashtuar nga vaksinimi 2 milionë shqiptarë që janë dënuar me vdekje. Deri këtu shkoi qafiri dixhital.

Ndërkohë jo, e vërteta është krejt ndryshe.

Së pari, vaksinat nuk mund të bëhen as për fushatë, as për show, as për propagandë dhe aq më pak mund të bëhen për t’i hedhur hi syve njerëzve në prag të zgjedhjeve. Shkurti erdhi, kalon, vjen marsi dhe njerëzit janë këtu, ju jeni këtu e do ta shikoni si do shkojë procesi e nuk mund dot të thuhet që vazhdon vaksinimi, nëse vaksinimi nuk vazhdon. Kjo nuk ka lidhje me fushatën, kjo nuk ka lidhje me propagandën, kjo nuk ka lidhje me zgjedhjet. Kjo ka lidhje me faktin që duan apo nuk duan ata që nuk duan, Shqipëria ka një qeveri që arrin të bëjë gjëra që të tjerët rreth nesh nuk arritën t’i bëjnë. Pfizer-i në këtë pikë meriton vetëm mirënjohje dhe respekt nga ne, sepse, faktikisht, në këndvështrimin tonë nuk ka shkelur asnjë klauzolë. Përkundrazi, siç ka kërkuar kohë për të sjellë dozat e para, po diskuton me ne për të sjellë doza më shumë në periudhën mes shkurtit dhe vjeshtës.

Por ne nuk e kemi lënë veten vetëm në dorën e Pfizer-it. Ndërkohë që ne negociojmë me Pfizer-in, për të afruar skedulin dhe kemi raporte fantastike me kompaninë, që të jem shumë i hapur me ju, që janë patjetër vlerë humane e tyre, por janë meritë e jona këto marrëdhënie fantastike me kompaninë, ne po negociojmë me vaksinat e tjera. E këtu dua të kthehem edhe tek çështja e çmimit, tek çështja e pagesave. Teoria që nuk i paguan të gjitha, nuk i morën të gjitha. Ne mund të merrnim dhe më shumë nga Pfizer-i, që të jemi të qartë bashkë. Mund të merrnim dhe më shumë, por ju kam thënë që ndryshimi themelor dhe i thjeshtë mes nesh dhe atyre që janë përballë nesh është që ata luajnë ose dam, d.m.th, ha këtë, të të haj atë, ose luajnë kumar. Ne luajmë shah.

Ne luajmë shah në negociata të çfarëdo lloj niveli me këdo qoftë dhe ne luajmë shah në mënyrën se si planifikojmë dhe se si realizojmë planet tona në të gjitha drejtimet. Prandaj ne fitojmë.  Dhe fitojmë për vendin, jo për veten tonë. Kurse ata thonë të fitojë vendi që të kapim dhe ne ndonjë gjë, se vetë nuk fitojmë dot.

 

– Zoti Kryeministër, qeveria shqiptare po negocion drejtpërdrejtë, sikurse bëri me Pfizer, edhe me kompaninë tjetër AstraZeneca. Sa vaksina priten nga kjo marrëveshje që ju paralajmëruat se do nënshkruhet sëshpejti dhe a është e hapur Shqipëria të negociojë me kompanitë e tjera? Duke patur parasysh kompani që kanë prodhuar vaksinën në lindje, siç është Kina apo Rusia?

Kryeministri Edi Rama: Nuk mund të flasim për numra. Sepse nuk ka kuptim të flasim për numra, ndërkohë që ne jemi duke bërë një negociatë, ose më saktë, ndërkohë që ministri i Rindërtimit dhe ministrja e Shëndetësisë bëjnë negociatat, sepse unë vetëm ndihmoj në mënyrë modeste. Është e sigurt që ne kemi të gjitha arsyet të besojmë që kemi garantuar procesin tonë. Kur flasim për negociatat me AstraZeneca, ne nuk po bëjmë një negociatë me AstraZeneca, nuk po negociojmë me kompaninë drejtpërdrejtë. Ne po negociojmë dhe me disa shtete të tjera. Është një luftë, si një luftë tregtare, por jepen e merren vaksina, jo para dhe kuptohet, ka brenda shumë politikë.

Përsa i përket vaksinave në anën lindore, pra, vaksinën kineze dhe vaksinën ruse se nuk di a ka tjetër, asnjë paragjykim të natyrës shkencore, respekt për shkencëtarët që i kanë dhënë jetë këtyre dy vaksinave, por zgjedhja jonë është që do të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Është një zgjedhje e bërë prej nesh, sepse këtu janë shumë komponentë bashkë, nuk është vetëm një. Nëse BE-ja do të hapet ndaj vaksinave kineze dhe ndaj vaksinave ruse, ne menjëherë do të rishikojë këtë qasje. Për sa kohë Bashkimi Europian është i mbyllur ndaj këtyre opsioneve, ne jemi në të njëjtin pozicion me Bashkimin Europian. Asnjë paragjykim të natyrës shkencore apo të ndonjë natyre tjetër.

 

– Zoti Kryeministër, padyshim që vazhdimësia e procesit të vaksinimit është një lajm i mirë për të gjithë, por duket se Shqipëria po kalon ditë delikate përsa i përket pandemisë së korona virusit, referuar gjithmonë të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë. Java e fundit e janarit u mbyll me 65 viktima dhe mbi 5 mijë raste infektimesh. Pyetja ime është, nëse situata vijon e tillë, do të ketë masa të tjera shtrënguese? A rrezikojmë një karantinë të dytë, nëse sigurisht situata vijon e tillë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk janë numra që nuk i prisnim për hir të vërtetës, sepse kjo është një fizarmonikë. Hapesh dhe sigurisht ekspozohesh më shumë, mbyllesh, ekspozohesh më pak, por përkohësisht. Duke u mbyllur, virusi nuk ikën, por thjesht ekspozimi është më i vogël. Ama nuk mund të rrimë mbyllur deri kur të iki virusi, sepse kjo është e pamundur. Kështu që strategjia është të ecim me kujdes, duke u përpjekur vazhdimisht që t’u themi njerëzve që të bëjnë atë dreq detyre të zbatimit të atyre masave të thjeshta. Dikush thoshte, pse e mban akoma maskën, nuk beson tek vaksina që bëre, apo ishte ujë fiziologjik, siç thoshte një analist. Ujin fiziologjik në fakt kemi nevojë ta shkarkojmë nga kokat e disa analistëve, sepse kanë një përmbajtje uji mbi normën. Ndërkohë që unë sigurisht kam bërë vaksinën dhe siç e kam premtuar, do t’ju jap evidencën e antitrupave. Me këtë rast të shohim çfarë efekti ka bërë vaksina tek unë dhe pastaj duhet të besoni që ose unë kam një përbërie prej kreshniku që kam antitrupa përtej normës, ose vaksina ka funksionuar. Unë ju ftoj të besoni të dytën.

Ndërkohë që fatkeqësisht ka në mënyrë të përsëritur shkelje të masave dhe të gjitha këto kanë koston e tyre. Duket si pakuptim, por kanë koston e tyre. Unë sot do kisha dëshirë që të ishit që të gjithë, por kemi një numër të kufizuar prej jush këtu për shkak se ne i qëndrojmë strikt numrit të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë, nga Komiteti Teknik. Kam shumë respekt për Ermal Mamaqin, e kam mik, por Ermal Mamaqi nuk mundet t’u japë këtë shembull që dha, shqiptarëve. Nuk mundet për çfarëdo lloj arsyeje. E po përmend Ermalin se e kam mik. Mori gjobën siç e meritonte. Nuk po përmend të tjerë që të mos duket sikur po bëj seleksionim këtu, por nuk mundet, është e pamundur. Pa llogaritur partitë politike, përfshirë edhe njerëz të Partisë Socialiste nëpër qarqe të ndryshme apo nëpër takime të ndryshme, që harrojnë këtë fakt. Kjo është edhe indiferencë, është edhe shkujdese, është edhe harresë, por janë të pafalshme. Nëse do kemim shtrëngim masash, do kemi në radhë të parë, shtrëngim të zbatimit të këtyre masave. Nuk na duhet të bëjmë ndonjë shpikje. I kuptoj shumë mirë studentët që duan të kthehen nëpër auditorë, por nuk janë kthyer në vendet e tjera. Komiteti po shikon me kërkesë të ministres së Arsimit mundësinë për të pasur pak më shumë fleksibilitet. Prandaj u është kërkuar universiteteve që të bëjnë një arsyetim për ato provime që nuk mund të bëhen online – meqë interesi është për t’u kthyer të paktën për provimet. Por nga ana tjetër i mirëkuptoj ata studentë që thonë, po mirë, për ne është kjo, kur në kafe e në restorante nuk respektohen masat, në kafe mblidhen njerëzit dhe rrinë ngjitur me njëri tjetrin. Jo, janë këta që shkelin masat. Nuk janë masat që e kanë fajin dhe meqë këta i shkelin, nuk do të thotë që t’i shkelin të gjithë. Kështu që nëse do flasim për shtrëngim masash, kjo është diçka që e bën Komiteti Teknik. Unë mendoj që për sa kohë Komiteti Teknik nuk na ka sugjeruar masa të tjera, ne duhet të shtrëngojmë këto masa. Të zbatojmë këto masa, në mënyrë që të jemi jo përhapës të të keqes, por kontributorë në luftën me të keqen. Shpresoj të mos vijë fare momenti për të diskutuar mbyllje, por të jemi realistë, kjo është një luftë nervash që duhet ta zhvillojmë secili dhe nëse secili bën detyrën e vetë, gjërat kalojnë më lehtë. Çfarë ndodhi në fund të vitit ishte diçka e parashikuar që do të sillte rritjen e këtyre numrave, ishte evidente. Shpresojmë që do të qëndrojmë në këtë lloj trendi, me këtë lloj ndryshimi po themi, që  të stabilizohet sepse do të ishte e papërballueshme sikur numrat të kërcejnë më tutje. Nuk ka ikur virusi dhe duhet të bëjmë kujdes.

 

– Sindikata e punonjësve të universiteteve ka  kërkuar që të përfshihet në planin kombëtar të vaksinimit në mënyrë që të rikthehen sa më shpejt në auditore. Cili është plani juaj, i qeverisë, duke qenë se sikundër edhe e thatë, po afron semestri i provimeve?

Kryeministri Rama: Po ku hyn sindikata në këtë mes, që flet për diçka që është pa lidhje, për faktin se kush vaksinohet, është shumë e qartë, – të gjithë, ata që duan, – por edhe cila është radha, është po kaq e qartë në raport me sasitë e vaksinave që kemi në dispozicion. Këtë po bëjnë të gjitha vendet, këtë po bëjmë edhe ne. Unë e kuptoj shumë mirë që ata janë të rrezikuar, edhe ju jeni të rrezikuar, se edhe ju keni një punë në terren e keni kontakte, por edhe sindikata, edhe ju duhet për momentin të ruheni sepse nuk ju ka ardhur radha, jo sepse nuk duam ne, por sepse më të rrezikuarit janë bluzat e bardha. Më të rrezikuarit janë moshat e thyera. Sindikata e punonjësve të universitetit duhet të shfrytëzojë këtë moment që nuk është e detyruar trupa e profesorëve që të hyjë në auditor me 50 – 60 vetë. Prandaj është kjo masë, që të mbrohen ata që janë realisht drejtpërdrejt të rrezikuar nëse hapen auditoret e nëse kthehet jeta normale në universitet. Sepse sjell vetvetiu vatra që pastaj e bëjnë virusin të përhapet me shpejtësi. Kështu që jam shumë dakord me sindikatën për shqetësimin, por njëkohësisht është pa lidhje aktualizimi i këtij shqetësimi, sepse, nga njëra anë, universitetet janë të mbyllura, janë online dhe nga ana tjetër, vaksinat po vijnë me doza që nuk na e lejojnë të shkojmë deri tek sindikata në këtë moment.

 

– Për cilat kategori do të përdoret doza e këtyre vaksinave që kanë mbërritur nga kompania Pfizer dhe a është e mundur që të na jepeni një shifër ose kosto se sa kanë kushtuar?

Kryeministri Edi Rama: Nuk mund të japim dot kosto, sepse, siç e keni parë në të gjithë botën, kontrata e Pfizer është e mbuluar nga sekreti tregtar që gjithsesi, me ndihmën e ca qafirave u thye duke bërë një turp, në fakt, por nuk ka rëndësi. Nuk mund t’ju japim asnjë të dhënë. Ajo që keni parë është një draft, nuk është kontrata, janë copa të një drafti. Kjo është e ndalur për të gjithë, jo vetëm për ne. Jua kam thënë, nëse do të gjeni një vend ku çmimi bëhet publik, ne do jemi vendi i dytë.

Për sa i përket kush do vaksinohet, do vazhdojmë me mjekët dhe me infermierët. Në momentin që do vijnë dozat e tjera të shkurtit, do fillojmë me moshat më të thyera.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.