Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë për shtyp e kryeministrit Edi Rama, pas mbërritjes në atdhe të 14 fëmijëve dhe 5 grave shqiptare nga kampi Al Hawl në Siri:

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për mundimin që keni ardhur në këtë orë të pazakonshme! Në fakt kjo është ora që përmbyll një operacion të jazhtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkëatdhetarë të tjerë nga kampet e ferrit në Siri. Këtë here, 5 gra dhe 14 fëmijë, të cilët mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekje të gjatë, një operacioni të ndërlikuar me shumë vështirësi dhe jo pak rreziqe dhe nuk diskutohet falë ndihmës së posaçme nga Konsulli ynë i nderit në Liban, zoti Marc Ghorayeb dhe gjenerali Abass, të cilin e kam falenderuar drejtëpërdrejtë dhe më parë në një konferencë për shtyp përpara se të niseshim, në prani të një numri të konsiderueshëm mediash të vendeve në atë anë të botës.
Është vërtetë një ngjarje pozitive mendoj dhe sigurisht që ne nuk mund të ndalemi këtu.
Ka edhe një operacion tjetër potenclialisht për të zhvilluar me një numër që ende nuk e dimë saktësisht sepse është një pune terreni për të gjetur personat në ato vrima të zeza ku gjenden, por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, në mos pak më i vogël, duke menduar që me shumë sesa gjysma tanimë është marrë dhe është në vendin tonë.
Një rol të rëndësishëm në këtë operacion ka luajtur edhe struktura e antiterrorit e Ministrisë së Brendshme dhe e Policisë së Shtetit.
Ministrin e falenderoj sepse prej muajsh ka ndjekur operacionin ka bërë dhe një vizitë të posaçme në Bejrut, ku ka folur nga afër me gjeneralin Abass dhe me të tjerët.

Ky është një zotim që është i gjallë qysh se është shfaqur ky problem dhe është një zotim që ne po e mbajmë me këmbëngulje dhe padiskutim që do ta mbajmë deri në fund.

-Në kushtet që këta persona kthehen nga kampi i ferrit, cilat janë projektet e qeverisë për rintegrimin e tyre në shoqërinë shqiptare?

Kryeministri Edi Rama: Tani ata janë marrë nga strukturat tona të posacme të kombinuara të Policisë së Shtetit dhe të Mirëqënies Sociale. Do t’i drejtohen një stukture enkas të përgatitur për ta në Durrës, ku do të bëhën të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore dhe ato psikologjike, ku do të kenë një periudhë të shkurtër karantinimi dhe pastaj sipas rasteve sepse një pjesë e tyre kanë familjarët, kanë adresa këtu, do të çohen ose në shtëpi ose do të qëndrojnë në struktura të posaçme. Por keni parasysh që bëhet fjalë për gra dhe për fëmijë. Kjo e bën më të lehtë këtë punë nga pikëpamja e sigurisë ndërsa nga pikëpamja psikologjike dhe nga pikëpamja shoqërore patjetër që kjo kërkon kujdesin e vetë dhe ne jemi përgatitur siç kemi bërë edhe më të tjerët më parë.

-Thatë se ishte një nga operacionet më të vështira të shpëtimit, pse? A ka fëmijë të tjerë të mbetur atje pavarësisht se nuk e keni numrin e saktë të personave që ndodhen në kampe?

Kryeministri Edi Rama: Operacionet e kësaj natyre janë shumë të vështira sepse nuk zhvillohen në një terren miqësor, zhvillohen në një terren forcash që janë edhe në luftë me njëra-tjetrëtn përveç të tjerash dhe kampet në luftë nuk janë kampe pushimi jo e jo, por as kampe shtetërore e të sistemuara sipas një rregulli të caktuar. Janë kampe lufte, janë kampe të sistemuara në mënyrë gjysëm të improvizuar dhe me autoritete që variojnë. Kështu që në këtë drejtim puna që bëhet është një punë e dyfishtë, është një punë me ata që administrojnë kampet, është dhe një punë inteligjente me personat e infiltruar për të mbledhur informacion.
Pastaj brenda kampit ka dinamika nga më të ndryshmet, ka njerëz që nuk shfaqen fare, ka njerëz që janë pengje të të tjerëve aty brenda. Pra është vertetë një situatë ferri. Kështu që të gjitha këto e bëjnë operacionin shumë kompleks dhe siç e tha sot Gjenerali në mëngjes në të gdhirë , ka patur vërtet rrezik edhe për jetën e personave të përfshirë në operacion. Ky është kompleksiteti i operacionit.

Përsa i përket numrit, e thashë që kjo është një punë e përditshme, e përmuajshme e vazhdueshme sepse është një punë edhe kërkimore. Ne kemi çuar një numër të caktuar profilesh prej fillimit kur kemi vënë kontaktet edhe me ndihmën e paçmuar të konsullit tonë në Liban, mirëpo ato janë profile që ne i disponojmë nga koha e mëparshme, kur këta individë që janë, kanë rezultuar të larguar drejt atij fronti aq famëkeq, ku nje pjesë kanë gjetur vdekjen për fat të keq dhe një pjesë tjetër janë përgjithësisht fëmijë, gra dhe ish luftëtarë, por ata gjenden nëpër burgje, kështu që është e paqartë numri që mbetet për t’u tërhequr.

-A janë  identifikuar nga autoritetet grupe shqiptarësh që kanë refuzuar të kthehen në Shqipëri dhe a po punohet për sensibilizimin e tyre për t’u kthyr më pas ne vendin tonë.

Kryeministri Edi Rama: Deri tani janë shfaqur raste sporadike, do të thosha, dy raste që ne i njohim dhe nuk mund të them emra apo të jap identitete personash që kanë refuzuar, por nga informacionet e marra në rrugë inteligjente janë persona që janë pengje brenda kampeve, janë persona që nuk shkëputen dot, që kanë frikë dhe frikën e kanë të bazuar në faktin që gjatë momentit të shkëputjes mund t’u marrin jetën. Kështu që, në dijeninë tonë janë dy persona që kanë refuzuar, pra që janë identifikuar, por nuk kanë bërë hapin për t’u paraqitur sepse kampet janë me masa popullsie, nuk është një kamp me numra të vegjël.

-Lidhur me gratë që u riatdhesuan sot, a kishin shprehur këto dëshirën për t’u riatdhesuar dhe a jeni në dijeni të personave të tjerë që ndodhen në ato kampe ferri, të cilët duan të riatdhesohen, por që riatdhesimi i tyre është i pamundur aktualisht për shkak të situatës të vështirë që ju përmendët?

Kryeministri Edi Rama: Sapo i dhashë këto përgjigje për pjesën e dytë të pyetjes. Për pjesën e parë sigurisht që riatdhesimi ka një bazë vullnetare, nuk është tërheqje me forcë e personave sepse e para nuk është ky qëllimi ynë dhe e dyta sepse tërheqja me forcë është e pamundur edhe sikur ky të ishte qëllimi.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.