Mbështetja që qeveria ka ofruar përmes skemave të AZHBR-së për fermerët në sektorin e bukqësisë ka rezultuar e suksesshme për shumë fermerë, sipërmarrjet e të cilëve, sot janë me emër në tregun vendas dhe të huaj.
Në përgjigje të interesimit të një prej drejtuesve të suksesshëm të kompleksit për tregtimin e mishit në vend, pjesëmarrës në bashkëbisedim, Kryeministri Rama garantoi se qeveria shqiptare do të jetë në krah të prodhuesve për t’i nxitur dhe ofruar atyre lehtësi të reja në të ardhmen. “Shumë faleminderit dhe respekt për punën tuaj, sepse kam patur mundësi ta vizitoj kompleksin dhe po i referohem kompleksit për të dhënë përgjigje. Kur kemi qenë tek kompleksi kemi parë një pjesë që ishte e fillimit dhe pastaj, një pjesë tjetër që ishte ndërtuar më pas dhe dallimi ishte i madh. Çfarë ishte ndërtuar në fillim ishte fryt i pasionit dhe i mundësive të kufizuara që ju keni patur. Çfarë ishte ndërtuar më pas ishte fryt i bashkëpunimit dhe i mbështetjes së dhënë nga ana e AZHBR-së. Në ndërkohë procesi brenda dukej qartësisht gjatë gjithë rrugëtimit historik dhe procesi i gjithë zinxhirit që ne kemi nisur të ndërtojmë dhe hallkave që kemi lidhur në këto 7 vite e pak, që janë hallka që duhet të pasohen nga të tjera që të mbyllet i gjithë zinxhiri. E nëse sot, ne jemi në gjendje, që tani nafta për bujqësinë do të jepet pa asnjë nga taksat që ajo ka kur shitet në treg, që do të thotë që një pjesë e naftës për fermerët të jepet falas, kjo do të thotë që vjen si rezultat i mundësisë që na jepet për ta bërë këtë. Të njëjtën gjë nuk mund ta bënim dot para tre apo katër vitesh.
E nga ana tjetër, nëse ka plot gjëra të tjera që mungojnë në këtë zinxhir, sot mund të themi që ato janë të bëshme për shkak se një pjesë e konsiderueshme e zinxhirit është ndërtuar, për ta mbyllur me atë që është pika e ndjeshmërisë suaj të drejtëpërdrejtë, që është prodhimi, përpunimi dhe tregtimi i mishit me standard, jo vetëm brenda, edhe jashtë vendit. Sot, ne jemi në kushtet kur nuk e bëjmë dot akoma tregtimin e mishit në BE, por jemi shumë më afër sesa ishim jo përpara 70 viteve, por përpara pak viteve, kur i kishim thertoret rrugëve dhe pa asnjë standard. E kemi diskutuar këtë kur kam qënë në kompleksin tuaj pak vite më parë dhe sot jeni në kushte krejt të tjera, jo absolutisht akoma të mjaftueshme. Niko në këtë pikë mund të japë me siguri dhe shifra, sespe e ka udhëhequr procesin e mbylljes së theroreve ilegale dhe po ashtu ka nxitur investimin, si ministër Bujqësie, në thertore me standarde, që do të thotë që deri dje ishte e paimagjinueshme që mishi mund të dilte në tregun europian, sepse ai treg ka kushte marramëndëse sigurie dhe kushti fillestar është si theret mishi në atë vend. Më kujtohet që nga një pikat e fundit që e mbante Bullgarinë jashtë BE-së, kur duhet të merrte përfundimisht dokumentin e anëtarësimit, ishte që bëhej hataja në kohën kur therej dynjaja e deleve dhe qingjave pa kritere. E përsëris, është kudo proces.
Unë e kuptoj shumë mirë edhe padurimin, sepse as padurim nuk mund të quhet. Mund të quhet një zbrazje e kupës së durimit pas shumë shumë vitesh. E kuptoj shumë mirë edhe shqetësimin, mërzinë dhe dëshmërimin e njerëzve, por nuk ka një formulë magjike. Nëse të gjithë zhvillimin që kemi në të gjithë sektorët e shikojmë më sytë e Gjermanisë, të gjitha janë të justifikuara, edhe dëshpërimi, edhe mërzia, edhe sharjet, edhe pakënaqësia, edhe dëshira për të ikur fare. Por, nëse duam që gjenerata tjetër, gjenerata e atyre që sot janë në moshën e djalit tim të vogël, të jetojë nesër kur të jetë 20-25 e 30-vjeç në një Shqipëri ku nuk është e nevojshme të ikësh për të patur standard njësoj si kudo në Europë, duhet të kemi një durim të madh sot, për të ndërtuar katet e ngrehinës së të gjithë sistemit të vendit në mënyrë sa më solide. Kemi humbur një gjeneratë faktikisht, sepse nuk kemi bërë gjërat e duhura në vite dhe shumë nga gjërat që ne kemi bërë në këto 7 vjet, janë gjëra që duhet dhe mund të ishin bërë 17 vjet më parë dhe nuk do të ishim në këtë fazë. Do të ishim në një fazë më të avancuar. Por, nga ana tjetër, nuk ka një rrugë për t’i rënë shkurt. Madje, sa herë është tentuar, ka dalë më e gjatë. Kështu që, në këtë sens, unë them se na duhet një durim i madh për të kuptuar se proceset e shtetbërjes në të gjitha hallkat dhe e ngritjes së zinxhirit të institucioneve, çka garantojnë pastaj, çka ende sot nuk garantohet, janë procese që organikisht kërkojnë kohën e tyre,” – u shpreh Kryeministri.