Sipërmarrjet e vogla në fshat janë gjithnjë në rritje falë mbështetjes me grante nga qeveria dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural. Sipërmarrje të tilla janë modele shembullore të ekonomisë rurale, të cilat jo vetëm krijojnë punësim për familjen, por edhe për banorë të zonës. Një shembull i tillë në Poliçan është edhe ai i familjes Sejdini, ku kryefamiljari është kthyer nga emigracioni për të krijuar këtu një baxho, e cila vit pas viti ka njohur rritje.
Kryeministri Rama, sëbashku me kryebashkiakun e Poliçanit Adriatik Zotkaj ishin sot në këtë sipërmarrje, e cila falë mbështetjes nga AZHBR-ja është zgjeruar në ambiente dhe ka rinovuar pajisjet e përpunimit të qumështit.
“Unë kam qenë emigrant në Greqi dhe vendosa të kthehesha e investova këtu, pasi e ardhmja është këtu tek ne”, – u shpreh sipërmarrësi.
Investimet në fshat kanë rikthyer vëmendjen nga disa tradita dikur të harruara, siç është edhe ai i përpunimit të qumështit, të cilat përfshijnë në ciklin e prodhimit edhe një numër blegtorësh të zonës.