Qeveria do të aplikojë dy instrumente të reja financiare për të mbështetur biznesin fason në krijimin e ciklit të mbyllur të prodhimit dhe daljen në treg si brand “Made in Albania”. Këtë program të ri mbështetjeje, Kryeministri Rama e diskutoi sot me sipërmarrës të kësaj industrie, gjatë vizitës në ambientet e fasonerisë së familjes Shtjefni në Shkodër, e cila vepron prej 25 vitesh në treg.
Kryeministri garantoi punonjëset se pas vaksinimit të moshave 70 vjeç, do të nisë vaksinimi i punonjëseve të këtyre bizneseve.
Gjovalin Shtjefni, themeluesi i kësaj sipërmarrjeje, pohoi se pandemia u solli vështirësi, por shumë shpejt e morën veten dhe puna rifilloi normalisht, ndërsa ngriti shqetësimin e mungesës së fuqisë punëtore. “Para ca ditësh, ne kthyem dhe një përfaqësues të Zara-s, se nuk kemi fuqinë punëtore”.
Kryeministri Rama theksoi se me ligjin e ri për të huajt mundësohet marrja e fuqisë punëtore nga jashtë.
Deputeti i zonës Ilir Beqja shpjegoi se janë dy instrumentet e mbështetjes në arritjen e realizimit të ciklit të mbyllur; fondi prej 10 milionë euro në vit që i mundëson marrjen e kredive me garanci sovrane për të ndërruar teknologjinë, me amortizim 40% dhe një fond tjetër për të mbështetur koston e dizajnerave.
Synimi i kësaj mbështetjeje, u shpreh Kryeministri Rama, është përmbyllja me sukses e sfidës për të kaluar në cikël të mbyllur “Made in Albania”. “Me një grup dizajnër të mirë del në treg dhe shkon me çmime më të ulëta. Ky është plani i veprimit që kemi për 2021 – 2025. Ajo që na duhet ne dhe ju është që ne t’ju japim një financim dhe ju të krijoni dizajnerit tuaj dhe të dilni në treg me “Made in Albania””.