Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Premtimi që çdo fermer shqiptar të marrë ujë në tokën ku punon, shumë shpejt do të jetë një realitet i prekshëm edhe për fermerët e Korçës. Për të vënë në jetë këtë zotim qeveria ka vendosur në dispozicion një buxhet prej 5 miliardë lekësh që ka tejkaluar çdo dhënie fondesh të bëra deri më tani në ujitje dhe kullim nga qeveritë e mëparshme.

Aktualisht, në të gjithë zonën e Korçës po punohet në vijimësi për hapjen dhe mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjes dhe të kullimit. Kryeministri Edi Rama ishte Lumanas, Korçë, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo dhe përfaqësues lokalë të zonës për të inspektuar ecurinë e këtij procesi tejet të rëndësishëm për bujqësinë.

Kështu, vetëm në qarkun Korçë përfundojnë këtë vit 180 km pastrim kanalesh me fonde nga qeveria qendrore. Kjo mbështetje do te vijojë edhe ne vitet në vijim, duke u bazuar tek rezultatet konkrete të bashkisë në funksion të fermerit.

Kryetari i bashkisë së Korçës Sotiraq Filo informoi se deri tani janë pastruar rreth 140 kilometra kanale të dyta dhe të treta në pjesën e vaditjes, mes tyre edhe shumë kanale që kishin vite pa u pastruar. “Kemi sistemuar pjesën e emergjencës së dimrit përrenj edhe kanale kulluese, ndërkohë që këto muajt e parë të pranverës jemi përqendruar në pjesën e kanaleve vaditëse. Kemi filluar që nga burimi, që nga kanali i Gjançit, duke pastruar të dy degët e tij. Deri tani kemi pastruar rreth 140 kilometër kanale të dyta dhe të trata në pjesën  vaditjes. Kishte kanale që kishin vite pa u pastruar, edhe 10 vjet pa u pastruar.”

Kryeministri Edi Rama tha se synimi është që deri në fund të vitit të ardhshëm të dyfishohet sipërfaqja e tokës së ujitshme në vend. “5 mijë hektarë në këtë zonë ku njerëzit janë punëtorë, janë fjalëpak, ku kërkojnë vetëm ujë, i shtohen vetëm nga paketa financiare e mbështetjes dhe mbështetjes logjistike që ka dhënë qeveria. Jam i bindur që deri në fund të vitit të ardhshëm ta çojmë deri në 200 mijë ha, pra pothuajse ta dyfishojmë tokën e ujitshme në Shqipëri nga 2013 dhe të krijojmë një bazë komplet tjetër për të gjithë njerëzit që duan të jetojnë me punë të ndershme në fshat. Sepse, fatkeqësisht ka shumë të papunë me dhunë për shkak të mungesës se ujit.”

 

* * *

Një pikë e re moderne grumbullimi, magazinimi dhe tregtimi të mollëve në Korçë. Për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të tregut dhe të agrobiznesit, kompania “Kosta” aplikoi në skemat e qeverisë për mbështetjen e bujqësisë dhe me mbështetjen e përfituar zgjeroi aktivitetin e saj me ndërtimin e kësaj pike. Në këtë pikë ishte sot, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti.

Me ndërtimin e kësaj pike, investim prej 20 milionë lekë, investitori thotë se synon të mbulojë të gjithë pjesën e zinxhirit të vlerës, duke krijuar një cikël të mbyllur prodhimi. Ai ka investuar edhe në përmirësimin e cilësisë së prodhimit, duke bërë të mundur që një pjesë të mirë të prodhimit ta eksportojë në rajon. Me ngritjen e kësaj pike zgjatet periudha e grumbullimit dhe ruajtjes së prodhimit dhe me rreth 2 mijë të punësuar sot, ai thotë se ambicia e tij është të rrisë më tej kapacitetet dhe numrin e punonjësve.

Kryeministri e konsideroi një model suksesi që duhet të shtrihet edhe në rajone të tjera bujqësore. “Këtë model që ne po e krijojmë në shumë vende ta shpërndajmë sa më shumë në mënyrë që të krijohet zinxhiri i vlerës me cikël të mbyllur, që kushdo që punon në atë copë tokë që ka të madhe apo të vogël të ketë pikën ku dorëzon prodhimin dhe në kohë të ketë të garantuar shitjen përmes pikës. Në qoftë se realizohet kjo historia ka ndryshuar përfundimisht në bujqësi dhe në këtë rrugë jemi,” – u shpreh Kryeministri. ​

* * *

Mbështetja e qeverisë ndaj industrisë së agrobiznesit, po inkurajon gjithnjë e më tepër sipërmarrjet shqiptare për të nxjerrë në treg produkte me cilësi të lartë, që konkurrojnë me dinjitet në tregun ndërkombëtar. Përmes mbështetjes financiare të ofruar, nga fonde të AZHBR, fermerët kanë përmirësuar kushtet në hapësirat e magazinimit dhe grumbullimit të prodhimeve të tyre, duke i sjellë ato në standardet europiane.

Kompania Ekoprod sh.p.k. në Korçë, e themeluar para 2 vitesh dhe përfituese e ndihmës financiare të qeverisë, përmes fondit të AZHBR zhvillon aktivitetin e saj në grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e bimëve mjekësore, aromatike dhe kërmijve për eksport. E gjithë gama e bimëve të grumbulluara dhe trajtuara janë si lëndë bazë në industrinë e farmaceutikës, kozmetikës etj, të cilat kanë destinacion përfundimtar eksportin, kryesisht në Greqi për kërmillin dhe në Gjermani, bimët mjekësore.

Si rezultat i mbështetjes së përfituar, kompania bëri të mundur rikonstruksionin e godinës ekzistuese dhe blerjen e linjës për standardizimin e bimëve mjekësore, duke përmirësuar ndjeshëm një sërë procesesh prodhuese dhe duke shtuar cilësinë e produktit final.

Kompania grumbullon produkte nga 2500 fermerë (vjelës në natyrë), dhe si e tillë krijon mundësi të mira për punësim indirekt për ato familje që nuk kanë mundësi të tjera jetese. Për sa i përket burimeve njerëzore, kompania pas investimit synon të rrisë numrin e të punësuarve me kohë të plote.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në këtë pikë grumbullimi ku u takua me drejtues dhe punonjës të saj. Kryeministri u shpreh se tashmë qeveria ka hyrë në një fazë tjetër të financimit të bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit me fondin e garancisë shtetërore dhe me garancinë e BERZH-it, i cili do të jetë një mbështetje e madhe për fermerët. “Ne tani hymë në fazën tjetër të financimit të bujqësisë, blegtorisë, agropërpunimit me fondin e garancisë shtetërore dhe me garancinë e BERZH-it nëpërmjet bankave të nivelit të dytë, që do të thotë që juve, dhe të gjitha ata që janë të industrisë së agropërpunimit të mund të aplikojnë përmes AZHBR për kredi nga bankat, por me interesa shumë më të ulëta se sa janë interesat e drejtpërdrejta komerciale. E për disa raste specifike edhe pa asnjë interes për ju, sepse interesat i garanton shteti dhe ka raste që i paguan drejtpërdrejtë shteti.” – u shpreh kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.