11 muaj më parë, firma e prodhimit të këpucëve “Mito” në Berat përfitoi 1000 m2 me qira 1 euro dhe nisi investimin prej 1 milionë eurosh për ambientet e reja të prodhimit. Vetëm në 6 muajt e këtij viti investoi 300 mijë euro në makineri të reja, duke përfituar edhe nga TVSH Zero për makineritë dhe pajisjet, incentivë kjo e qeverisë në mbështetje të prodhimit.
“Këtë investim e kemi kryer për 11 muaj. Aktualisht, fabrika punon 70% fason, cikël të mbyllur dhe 30% kemi dalë në tregun botëror me produktet tona. Kemi investuar në shumë makineri të reja. Fakti i përjashtimit të TVSH-së është një faktor goxha i rëndësishëm që na ndihmon ekonomikisht. Vetëm në periudhën janar-fundi i qershorit, ne kemi investuar gati 300 mijë euro në makineri, në teknologji. Përveç investimit të rikonstruksionit të objektit që e ka kaluar shifrën e 1 milionë euro,” – tha pronari i saj Kriton Prendi.
Edhe drejtuesit e këtij biznesi shprehin një shqetësim që e ndajnë dhe shumë sipërmarrës të tjerë. “Këtu punojnë 488 punëtorë. Paga minimale është 22 mijë lekë në dorë, plus sigurimet shoqërore, paga maksimale 70-80 mijë lekë në dorë, plus sigurimet shoqërore. Nuk jemi me kapacitet të plotë prodhimi, pasi kemi bërë kërkesë, por fuqia punëtore mungon. Nuk e kemi problem kualifikimin, i kualifikojmë vetë.”
“Mito” prodhon për markat më të njohura ndërkombëtare, si dhe ka dalë në tregun botëror me markën e saj “Caterina Firenze”. Produktet e saj janë prezente në tregun europian, amerikan dhe aziatik. Kapaciteti i saj prodhues është në 2500 palë këpucë në ditë. “Pika jonë e fortë, – u shpreh sipërmarrësi – është fakti se dalin në tregun botëror sot, me një produkt shqiptar kompetitiv, sepse duke pasur mundësinë të jemi me një kosto më të ulët se partnerët europianë, kjo na favorizon.”
Synimi i firmës është edhe ngritja e një shkolle profesionale, në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për përgatitjen e teknikëve dhe modelistëve jo vetëm për prodhimin fason të këpucëve, por edhe atë të veshjeve.