Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, pas mbledhjes së posaçme të qeverisë mbi dokumentin e punës mbi Paktin për Universitetin, si dhe planin e punës në vijim: 

Uroj Gëzuar Vitin e ri! Shpresoj t’ia keni kaluar mirë gjatë Krishtlindjeve.

Arsyeja e kësaj konference lidhet me mbledhjen e sapo përfunduar të qeverisë, ku në fokus kemi patur studentët, jo vetëm kërkesat e tyre, por edhe aspekte të tjera që janë vendosur në vëmendjen tonë, si elemente përmbajtësorë të dokumentit të Paktit për Universitetin, të cilin do ta bëjmë publik, besoj në mesin e muajit të ardhshëm.

Sidoqoftë, në mbledhje, jo vetëm kemi diskutuar, por kemi marrë edhe disa vendime të rëndësishme që adresojnë kërkesat e studentëve dhe shkojnë përtej tyre, ashtu sikundër e kishim thënë dhe siç besojmë se është e domosdoshme për të maksimizuar potencialin e krijuar nga protesta dhe për ta futur universitetin në një fazë të dytë, të një forme transformuese, e cila jo vetëm që nuk duhet të zmbrapset, por duhet të thellohet.

Së pari, kemi miratuar 4 VKM lidhur me kërkesën e parë:

– Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të ciklit të dytë të studimeve në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, që përfitojnë ulje të tarifës vjetore të studimit;

– Për disa ndryshime në vendimin nr. 903, datë 21.12.2016 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave nga fondi i mbështetjes studentore për studentët e shkëlqyer, studentët që studiojnë në programe studimi në fushat prioritare dhe studentët në nevojë”, i ndryshuar;

– Për disa ndryshime në vendimin nr. 288, datë 21.5.2018 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kufirit maksimal të pagesës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në Institucionet publike të Arsimit të Lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë”, i ndryshuar;

– Për disa ndryshime në vendimin nr. 269, datë 29.3.2017 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e kategorive të individëve që plotësojnë kriteret e pranimit në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve, ose në një program të studimeve profesionale, që përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit”, i ndryshuar.

Këto katër vendime që lidhen me kërkesën e parë shpjegohen konkretisht në këto terma:

Studentët nga familje në ndihme ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit.

Po ashtu studentët nga familje me ndihmë ekonomike, të verbër, paraplegjikë e tetraplegjikë përfitojnë bursë 10.000 lekë të reja në muaj.

Dua të theksoj se një bazë për të subvencionuar 100% tarifën ka qenë, por për shkak të shumë devijimeve që janë konstatuar në këshillat bashkiakë është vendosur që kjo gjë të bëhet drejtpërdrejtë nga qeveria për çdo student që ka këto kritere.

Studentët me notë mesatare mbi 9-të në çdo program studimi përfitojnë financimin 100% të tarifës së regjistrimit, nga tarifë e plotë që paguanin përpara këtij vendimi.

E po ashtu, në çdo program studimi përfitojnë bursë 10.000 lekë në muaj. Ndërkohë që deri sot, kjo masë ishte në nivelin 8100 lekë dhe vetëm për studentët me mesatare 10.00. Kjo e zgjeron ndjeshëm gamën, por edhe mbështetjen e qeverisë, drejtpërdrejtë, për studentët më të mirë.

Do t’i japim një mundësi të barabartë të gjithë studentëve të tjerë, duke përfituar 50% të tarifës së regjistrimit, drejtpërdrejtë nga buxheti, për pranimin në universitet, të cilët deri përpara këtij vendimi paguanin tarifën e plotë të regjistrimit. Që do të thotë, të gjithë studentët aktualë për pjesën e mbetur të këtij viti akademik, edhe ata me 4-tër dhe me 5-së, nuk do të paguajnë, por do të paguajë buxheti i shtetit për ta.

Ndërkohë që me vitin e ardhshëm akademik, të gjithë ata që nuk do të jenë me mesatare 6-të e sipër do të humbasin këtë mbështetje nga buxheti  i shtetit.

Përsa i përket Nivelit të Dytë të Studimeve (Master), qeveria do të paguajë vetëm për studentët me notë mesatare mbi 9 në hyrje; studentët nga familje në ndihmë ekonomike; të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë; jetimë; fëmijët e policëve të vrarë dhe të gjithë grupeve të tjera vulnerabil të përcaktuara në këtë vendim, financimin deri në 50% të tarifës.

Ky është grupi i vendimeve të qeverisë përsa i takon tarifave.

Sigurisht, vendimi hyn në fuqi menjëherë, që do të thotë që në janar, të gjitha detyrimet financiare që burojnë nga këto vendime do t’i mbulojë qeveria.

Ana tjetër e kërkesës lidhet me konviktet. Aktualisht funksionojnë 8 shoqëri për akomodimin e studentëve (shoqëritë e trajtimit të studentëve), 3 prej të cilave janë në Tiranë dhe 5 të tjera në Vlorë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër dhe Korçë.
Marrin një mbështetje buxhetore nga shteti dhe në të njëjtën kohë janë shoqëri, të cilat kanë nevojë për një reformim të thellë, gjë për të cilën ne po punojmë. Ajo që është e rëndësishme, është që me Aktin Normativ të Buxhetit, janë tre milion dollarë shtesë për investime në infrastrukturën e konvikteve. Po ashtu është duke u negociuar dhe praktikisht kemi marrë miratimin në parim, një projekt i dytë me vlerë 27 milionë euro, nga të cilat 20 milionë janë kredi me interesa të arsyeshme dhe 7 milionë euro janë grant nga qeveria gjermane, që i shtohet edhe fazës së parë të projektit që tanimë ka filluar të zbatohet.

Ndërkohë Agjencia turke e Zhvillimit ka ardhur dhe ka filluar edhe ajo  punën në Qytetin Studenti dhe do të jetë pjesë e programit. Ka filluar procesi i bisedimeve me agjenci të tjera ndërkombëtare dhe çka është pak, por e sigurt, të gjitha konviktet e Republikës së Shqipërisë do të jenë të rindërtuara.

Lidhur me kërkesën e dytë, transparencën me buxhetin nga Ministria e Arsimit dhe IAL-ve dhe publikimin e të gjitha shpenzimeve online.

Situata aktuale  është që Institucionet e Arsimit të Lartë publike gëzojnë të drejtën:

– Për të caktuar rregullat e brendshme të financimit, të shpërndarjes dhe përdorimit të të ardhurave, sipas veprimtarisë dhe nevojave të institucionit;

-Për të përcaktuar tarifat e studimit në përputhje me këtë ligj;

-Për të hartuar vetë buxhetet e tyre, duke filluar nga niveli i çdo departamenti, në nivel fakulteti e më pas buxhetet konsolidohen në nivel IAL-je.

Buxheti miratohet paraprakisht nga Senati Akademik dhe me pas i kalohet për aprovim final Bordit të Administrimit.

Fatkeqësisht, studentët, por edhe një pjesë e madhe e stafeve pedagogjike nuk kanë, ose kanë informacion të kufizuar mbi buxhetin, si në nivelin e hartimit dhe aprovimit të tij, ashtu dhe për shpenzimet. Çka do të thotë që Ligji i Arsimit të Lartë ua ka dhënë dhe “Maliqi” nuk ua ka miratuar. “Maliqi” në këtë rast është institucioni që ka autonominë dhe detyrimin  për ta bërë këtë.

Çfarë vendosëm ne sot është që për garantimin e transparencës financiare në Institucionet publike të Arsimit të Lartë”, të krijohet portali i transparencës dhe i trajtimit të ankesave me qëllim garantimin e transparencës në Institucionet publike të Arsimit të Lartë.

Portali të jetë i aksesueshëm nga të gjithë dhe në të të publikohen online:

  1. Të dhëna të detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare të çdo Institucioni të Arsimit të Lartë;
  2. Duke filluar nga viti buxhetor 2019, Bordi i Administrimit të Institucionit të Arsimit të Lartë, nëpërmjet administratorit, të përcjellë çdo tre muaj, për publikim, të dhënat e detajuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet financiare, sipas përcaktimit të kësaj germe;
  3. Të dhëna për buxhetin afatmesëm (PBA), buxhetin vjetor, grantin nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat e tjera, të gjitha shpenzimet operative, shpenzimet për kërkim shkencor dhe shpenzimet kapitale të çdo Institucioni publik të Arsimit të Lartë;
  4. Informacion për procedurat e prokurimit publik (parashikim/realizim) apo procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat të çfarëdo të natyre që universitetet kanë të drejtë të ndërmarrin;
  5. Vendimet e Bordit, të Senatit dhe organeve të tjera drejtuese/ vendimmarrëse;
  6. Kuotat e parashikuara për çdo vit akademik;
  7. Instrumentet dhe programet e shkëmbimit studentor dhe procedurat përkatëse;
  8. Instrumentet e financimit të studimeve dhe procedurat përkatëse (bursat publike dhe ato specifike për çdo universitet);
  9. Marrëveshjet dy-apo shumëpalëshe në nivel universitetesh;
  10. Të dhënat për bursat dhe stimujt financiarë të ofruara nga shteti për studentët;
  11. CV-të e pedagogëve;
  12. Rezultatet e kontrollit dhe të verifikimit të titujve shkencorë;
  13. Mekanizmat dhe procedurat për bërjen e kërkesave dhe paraqitjen e ankesave në lidhje me veprimet ose mosveprimet e drejtuesve/organeve drejtuese të Institucioneve të Arsimit të Lartë, procedurën, nëpërmjet së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre, apo të ndikojnë në çfarëdo mënyre tjetër në hartimin e politikave publike, apo ushtrimin e funksioneve të Institucionit të Arsimit të Lartë, të jenë pjesë e kësaj platforme.

Kjo besoj është një qasje shteruese për transparencën. E në ndërkohë, me vendim krijohet struktura përgjegjëse për kontrollin e transparencës së Arsimit të Lartë, për trajtimin e ankesave në platformën e transparencës, kontrollin e transparencës.

Afati i realizimit: Prill 2019

Kërkesa e tretë e studentëve ka të bëjë me peshën e votës.

Një informacion për aktualitetin. Ligji për Arsimin e Lartë e organizon pjesëmarrjen e Studentëve nëpërmjet katër elementëve:

Pjesëmarrja në Senat;

Pjesëmarrja në Zgjedhje;

Pjesëmarrja në Komisionet e Përhershme;

Këshillat studentorë.

Ligji u njeh të drejtën studentëve të përfaqësohen në të gjitha komisionet e përhershme.  Komisionet e përhershme janë organe kolegjiale, që organizohen në nivel Universiteti dhe në nivel Fakulteti. Ato kryejnë funksione në fushat e përcaktuara në statut, që lidhen me gjithë gamën e aktivitetit të universitetit.

Problematika është e qartë. Në masë të madhe, këshillat studentore dhe komisionet e përhershme nuk ekzistojnë. Ligji u jep të drejtën dhe detyrën Institucioneve të Arsimit të Lartë. Është autonomia që fatkeqësisht është kuptuar si liri pa përgjegjësi. Ndërkohë që autonomia është përgjegjësi, me lirinë  e nevojshme për ta ushtruar atë.

Këto institucione që janë konceptuar si ura dhe pika e takimit më e shpeshtë për problematikat e studentëve, në një masë të madhe mungojnë dhe krijojnë ndjenjën e përjashtimit dhe nënpërfaqësimit  të studentëve.

Çfarë vendosëm sot:

Për këtë pikë, sot kam firmosur Urdhrin e Kryeministrit – Për ngritjen e grupit ndërinstitucional të punës për hartimin e modelit të statutit për Institucionet publike të Arsimit të Lartë. Statuti Tip do të lehtësojë punën e IAL-ve për miratimin e statuteve të tyre, nga ku do të nisi procesi i mbylljes së boshllëqeve të krijuara.

Mbyllja e procesit të statuteve te çdo IAL publik.

Asistence Ligjore për ta nëse paraqitet e nevojshme, si dhe procesi i plotësimit të strukturave përfaqësuese të studentëve, me monitorim të Komisioneve të Përhershme përfaqësimi të studentëve në përputhje me Statutin, besoj se plotëson më së miri nevojën nga e cila ka buruar një kërkesë që nuk e gjejmë të adresuar në formën që është shtruar, në asnjë universitet të globit.

Kërkesa e katërt është rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve arsimore.

Gjatë verifikimit të kritereve të ligjshmërisë janë parë çudira; shkelje e plotë e standardit të udhëheqjes, – një profesor jo më shumë se 5 doktorantë, që është çuar në 1 profesor me 15 dhe kemi gjetur edhe rekordmenë me 41 doktorantë; mosrespektimi i afateve kohore për marrjen e titullit, – është arritur në rekorde si ato të Akademisë së Albanologjisë ku janë dhënë doktoratura për 3 muaj; nuk ka raporte verifikimi të plagjiaturave, që janë detyrë e universitetit.

Çfarë u vendos?

Për këtë çështje, sot u miratua Vendimi i Këshillit të Ministrave për kontrollin antiplagjaturë të disertacioneve për fitimin e gradës shkencore, si dhe kaloi projektligji që do të çelë menjëherë konsultimin publik për Kodin e Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë. Është një projektligj që besojmë se adreson në mënyrë precize një problematikë komplekse dhe u jep mundësi të gjithëve të përfshihen në konsultimet publike, për t’i dhënë atij sa më parë formën përfundimtare dhe për ta vendosur si bazë të një procesi  ku në bazë të  vendimmarrjes së sotme do të krijohet një arkiv digjital i doktoraturave në Republikën e Shqipërisë, pranë Ministrisë Përgjegjëse për Arsimin.

Institucionet e Arsimit të Lartë, si dhe çdo institucion tjetër shtetëror që disponon kopje origjinale të disertacioneve kanë detyrimin që brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të depozitojnë pranë Ministrisë përgjegjëse për Arsimin kopje të njehsuar me origjinalin, si dhe materialin në formë elektronike.

Ministria përgjegjëse të kryejë me përgjegjësi nëpërmjet “rush”-it kontrollin digjital antiplagjiaturë, me softuerin e konsoliduar për kontroll automatik, si dhe programe apo pajisje të tjera dhe në momentin kur kontrolli automatik jep rezultatet e veta, Ministria ia përcjell institucioneve të arsimit të lartë rezultatet mbi kontrollin antiplagjiaturë, mbi bazën e të cilave iu takon institucioneve të arsimit të lartë të bëjnë rivlerësimin mbi gradën shkencore të dyshuar, si plagjiaturë.

Pra, faktikisht, çka do të bëjë qeveria dhe Ministria e Arsimit nëpërmjet mekanizmave të vet është vetëm procesi mekanik, ndërsa gjykimi akademik i takon si në çdo vend normal dhe sipas ligjit tonë universitetit.

Institucioni i Arsimit të Lartë, universiteti, brenda 90 ditëve nga vënia në dispozicion të gjetjeve të kontrollit antiplagjiaturë i njofton Ministrisë përgjegjëse për Arsimin vendimin e vet përfundimtar për çdo gradë shkencore të shqyrtuar.

Kodi i Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë, Kodi i Etikës, përmban parimet dhe normat themelore të sjelljes së institucioneve të arsimit të lartë dhe atyre të personelit të tyre akademik a kërkues shkencor, është konform Kodit Europian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor dhe faktikisht e kthen në normë ligjore Kodin Europian të Sjelljes për Integritet në Kërkimin Shkencor dhe shërben si një kornizë vetërregulluese për ushtrimin dhe mbajtjen e përgjegjësive ligjore, institucionale, profesionale, morale e shoqërore të institucioneve dhe të pjesëtarëve të komuniteteve akademike e shkencore.

Kërkesa e pestë lidhet me Bordin e Administrimit:

Situata aktuale është që Bordi i Administrimit përbëhet nga shtatë anëtarë, të punësuar me kohë të pjesshme. Anëtarët janë përfaqësues të institucionit, përzgjidhen nga Senati Akademik dhe përfaqësues të qeverisë që zgjidhen nga Ministria përgjegjëse për Arsimin.

Problematika është që bordet kanë pasur një profil të ulët publik. Roli i tyre nuk është kuptuar si duhet nga universiteti, por aq më pak nga studentët dhe fare nga publiku.

Bordet e kanë përmirësuar, – kjo është e vërteta e shkruar, – menaxhimin financiar të IAL-ve, por nuk kanë shkuar përtej një pike të caktuar dhe studentët me të drejtë shprehin shqetësim, sepse bordet në njëfarë mënyrë duhet të jenë garant të të gjithë proceseve dhe mbi të gjitha të transparencës së shpenzimeve.

Çfarë kemi vendosur ne sot?

Ne kemi vendosur që të miratojmë një vendim të Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Administrimit, përsa i përket përfaqësimit që duhet të garantojë Ministria përgjegjëse e Arsimit.

Të gjithë anëtarët ekzistues të Bordeve janë “de facto” të shkarkuar, “de juro” do qëndrojnë në atë pozicion deri në zëvendësim, sepse mund të ketë emergjenca vendimmarrëse dhe nuk bën sens që Bordet të mbeten bosh.

Emërimet e reja do të bëhen me një proces të hapur në sytë e publikut, në sytë e studentëve, në sytë e të gjithë të interesuarve dhe një prej anëtarëve përfaqësues të qeverisë do të vijë si propozim nga studentët. Jo student, nga studentët. Figura publike të njohura të fushës, ekspertë, profesionistë, etj.,  Studentët përmes mekanizmave të tyre kanë të drejtë të propozojnë jo më pak se 3 kandidatura dhe një prej tyre, qeveria do ta çojë në Bord si mishërim i vullnetit dhe i bashkëpunimit me studentët.

Ndërkohë që senatet, – ta dinë mirë studentët këtë, – janë të lira, që në vendet që ata kanë në borde të propozojnë një prej studentëve që janë anëtarë senati, por kjo i takon senateve, i takon studentëve ta zgjidhin këtë me drejtuesit e tyre.

Nëse kjo vendoset në Statutin e Universitetit, prezenca e tyre normohet definitivisht.

Afati i realizimit: Prill – Maj 2019.

Kërkesa e gjashtë, pajisja e studentëve me kartën e studentit:

Situata dihet. Shqipëria nuk ka traditë në ofrimin e favorizuar të shërbimeve për studentët. Ka qenë një ambicie dhe një premtim legjendar. Të gjithë e kanë bërë.

Nga Shkurti 2018 e në vazhdim, ne kemi nisur një proces për këtë qëllim me Komisionin Europian, sepse mendojmë që përfshirja e studentëve shqiptarë në rrjetin e Kartës Europiane të Studentit, është ajo që i jep përmbajtje serioze kartës.

Të jemi realistë, nuk është karta që i ka penguar studentët të shkojnë në teatër, apo të shkojnë në bibliotekë, apo të shkojnë në muze, që të jemi seriozë.

Në nëntor 2018, ne kemi lidhur marrëveshjen dypalëshe me institucionin ekuivalent të Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Francë dhe po punojmë për përfshirjen e Shqipërisë në rrjetin e vendeve që marrin Kartë Studentore Europiane.

Sidoqoftë, procesi ka kërkuar kohë për t’u realizuar, pasi kërkohet një përfshirje institucionesh dhe një koordinim me të gjithë institucionet në nivel vendor dhe me biznesin, por zgjidhja është që Ministria e Arsimit të bëjë publike marrëveshjet e lidhura dhe listën e shërbimeve që do të përfitohen nga studentët me entet shtetërore, me bashkitë, me subjekte private.

Po shkruhet një draft udhëzues teknik për mënyrën e aplikimit dhe çështje të tjera teknike dhe brenda janarit 2019 janë dy vendime të tjera qeverie që do të miratohen.

Fundi i 2019-ës është afati i realizimit.

Kërkesa e shtatë, lidhur me bibliotekat me standarde europiane:

Kanë kërkuar edhe libra online shqip.

Ne, sot kemi miratuar Vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritjen e komisionit të përcaktimit të literaturës akademike ndërkombëtare në Institucionet e Arsimit të Lartë, që do të përkthehen në gjuhen shqipe.

E dimë se ku fle lepuri i këtij shqetësimi të madh dhe real i studentëve lidhur me librat dhe ambicia është të fillojmë një proces përmirësimi të titujve akademikë në institucionet e arsimit të lartë dhe të shtrijmë atë që kemi nisur dhe po çojmë drejt përfundimit me arsimin parauniversitar, libra të Oxford-it,  Cambridge, Pilson-it, me origjinë të padyshimtë, me autorë të padyshimtë, si praktikë do shtrihet edhe në institucionet e arsimit të lartë, duke hedhur një hap të madh në përmirësimin e titujve akademikë.

Por përsa i përket bibliotekës kemi vendosur marsin si afatin e fundit të vendosjes në funksionim të bibliotekës globale digjitale.

Ndërkohë, dua ta them sot që të mos thoni se nuk e thashë, jo tani, por studentëve u them që në afat të mesëm duhet të prisni një vendim shumë të qartë lidhur me anglishten. Anglishtja do të jetë një nga kushtet që do përcaktojë shumë gjëra në marrëdhëniet tuaja me shtetin, me universitetin, me diplomën, sepse nuk mundet dot që ne të përjashtojmë gjuhët e huaja nga formimi universitar dhe të bëjmë protesta për të kërkuar online biblioteka shqip shkencore.

Sidoqoftë kjo do të vijë më vonë, sepse ndërkohë, – e kemi thënë më parë – po punojmë që t’iu ofrojmë të gjithëve kurse anglishteje falas. Në çdo universitet do ofrojmë kushte anglishteje falas, pa pagesë.

Anglishtja, më herët se vonë do të hyjë te kushtet për të marrë mbështetje nga shteti. Nuk jemi duke shkuar drejt vitit 1945. Jemi duke shkuar drejt vitit 2045.

Kërkesa e tetë që lidhet me vlerësimin e performancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikimin online, regjistrimin, etj.:

E vërteta është që në arsimin e lartë shqiptar është vendosur një standard i ri. Të gjitha universitetet janë akredituar ndërkombëtarisht nga Quality Assurance Agency, që është një nga agjencitë më të njohura të botës, nga Britania e Madhe. Por, sikundër u cilësua dhe në raportin e akreditimit, disa institucione publike të arsimit të lartë nuk kanë treguar seriozitetin e duhur në zhvillimin e procesit të akreditimit, si pasojë e konflikteve të brendshme mes strukturave, mungesës së kulturës institucionale, autoriteteve drejtuese.

Ajo që ne vendosëm është që të ngrihen menjëherë Grupet e Punës për ndryshimin e VKM-së për Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë, në mënyrë që të adresojmë në këtë Kod, shqetësimet e ngritura nga studentët, që do të thotë që e gjithë vija e sjelljes dhe e qasjes ndaj studentëve të jetë një vijë sjelljeje dhe qasjeje e njohur dhe e mbështetur nga studentët. Pastaj kush shkel vijën është si ai që shkel ligjin.

Ndërkohë që po sot është miratuar dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave për vlerësimin e performancës në mësimdhënie të personelit akademik në institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet praktikës së mirënjohur ndërkombëtare të Sondazhit Kombëtar të Studentëve.

Aplikimi i instrumentit të kontrollit dhe vlerësimit studentor dhe kërkimit shkencor të personelit akademik përmes Sondazhit Kombëtar do të nisë së shpejti.

Këto janë pikat e studentëve, por këtu nuk mbaron qasja jonë ndaj problematikës së universitetit dhe falë edhe dialogut të nisur me shumë vështirësi, të tjera gjëra janë shtuar.

Faktikisht, Paketa jonë për Universitetin do të jetë një Paketë 8 +

Unë uroj, jam i bindur që dialogu do të vazhdojë dhe ndërkohë dokumenti i strategjik i Paktit për Universitetin do t’iu ofrohet të gjithë studentëve për ta parë, për ta vlerësuar dhe për të kontribuar që në fund të kemi një dokument, një marrëveshje të madhe mirëkuptimi dhe angazhimesh mes qeverisë dhe studentëve.

Kemi vendosur sot, që, të gjitha vendet e disponueshme në Administratën Publike të jenë në dispozicion të studentëve më të mirë.

Është një Vendim i Këshillit të Ministrave për punësimin e studentëve më të mirë në institucionet e administratës shtetërore, pjesë e Shërbimit Civil.

Sot për sot, studentët më të mirë kanë një pengesë, sepse kur shkojnë për të konkurruar ju thuhet që s’ke eksperiencë.

Dhe pyetja është: Si e krijoj unë eksperiencën?

Sigurisht që ligji është një ligj europian, i punuar bashkë me Bashkimin Europian. Është ligj i standardeve europiane.

Por, për të kapërcyer këtë ngërç dhe për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë të gjithëve dhe njëkohësisht për të zmbrapsur me një lëvizje që është në kufijtë e ligjshmërisë, për hir të të vërtetës, të gjithë ato duhmat e tepsisë, ne do të bëjmë publike në vijim vendet e lira në administratën publike, ku pa konkurs, por me kreditet e arritjeve personale në universitet. Studentët më të mirë, ata që janë në xhiro dhe s’gjejnë punë, ata që janë jashtë dhe që thonë, ika se nuk mu dha mundësia të punoj në administratë, ata që do mbarojnë, të mund ta zgjedhin vetë vendin dhe sistemi i zgjedhjes do të fillojë nga lart poshtë.

Shembull: 20 vende të lira në Ministrinë e Financave janë në dispozicion të më të mirëve në financa. Më i miri nga lart-poshtë ka zgjedhjen e parë. Mund të thotë “dua” ose “nuk dua”. Në momentin kur thotë “dua”, ai vend është i zënë, vjen i dyti. Mund të thotë “nuk dua”, ai vend është në dispozicion e kështu me radhë.

Do pak punë sistemi, por besoj që brenda 6-mujorit të parë të vitit do ta kemi gati të gjithë sistemin, me këtë rend prioritar: ekselentët që kanë mbaruar jashtë kanë zgjedhjen e parë; ekselentët që kanë përfunduar universitetin publik kanë zgjedhjen e dytë; ekselentët që kanë studiuar në universitetin privat kanë zgjedhjen e tretë.

Njëkohësisht po punohet për një tjetër vendim të Këshillit të Ministrave, për vendet e lira në shtet, jo në administratën publike; hipoteka, ALUIZNI. Të gjitha vendet e lira të punës në administratën jopublike do të jenë në dispozicion të më të mirëve. Do të shpallen publikisht. Do të jenë të monitorueushme, siç janë të monitorueshme vendet e punës në sistemin e Mësuesisë, apo në sistemin e Infermierisë së fundmi dhe do të jenë zgjedhje individuale me çfarë ke në bankën e dijes, kreditë që ke nga studimet dhe askush, as ministra, as drejtorë, as profesorë, as kushërinj, as parelinj nuk kanë mundësi të ndërhyjnë në këtë sistem, sepse do të jetë i hapur, transparent dhe publik.

E di që është diçka që nuk e ka bërë asnjë vend tjetër. E di që është në kufijtë e ligjshmërisë, por do ta bëjmë këtë me shumë vendosmëri, sepse një nga gjërat më të mira të kësaj proteste është që mund të thyejmë disa korniza, mund të kapërcejmë pak disa vija dhe mbi të gjitha, me studentët më të mirë mund të bëjmë histori, duke goditur përfundimisht “dinozaurin” e administratës që ka lindur, është rritur, është ushqyer në bakllavanë e partive politike, meqë po vjen dhe Viti i Ri.

Pika tjetër, është Kampusi Universitar i Tiranës:

Është firmosur urdhri për ngritjen e (grupit të) punës për të çuar më tutje një proces të ngecur për shkak të problemeve të pronës, në radhë të parë, por edhe të financimit.

Problemet e pronës besoj që i dini, i keni parë. Ata që u refuzuan nga studentët për të mbështetur protestën, me zë dhe me figurë, kanë menca, kanë klube, kanë konvikte, kanë deri dhe dorë në organizimin e lotove në sallat e leximit të konvikteve të vajzave.

Po ashtu po punojmë një vendimmarrje që besoj është shumë e rëndësishme dhe do të jetë shumë pozitive; Marrëveshjet kuadër të ministrive të linjës me fushat përkatëse në funksion të kërkimit shkencor. Çdo ministri do të ketë marrëveshje kuadër me universitetet dhe nga fondet e ministrisë do të financohen universitetet për kërkim shkencor. Marrëveshjet kuadër për të pajtuar universitetet për konsulencë, për t’i ndihmuar të dalin në treg, sepse universitetet tona sot thonë kaq na jep buxheti, kaq na japin nga xhepat e tyre prindërit e studentëve dhe s’kemi lekë të tjera, se akoma nuk kanë hyrë në botën ku jetojmë. Janë universitete që funksionojnë me një lloj mendësie mikse, komunisto-etatiste, buxheti i shtetit dhe lekët e prindërve dhe tregu që është baza e të ardhurave të universiteteve reale nuk ekziston. Ne do të ndërhymë për të mbështetur daljen në treg të universiteteve dhe për të krijuar mekanizma financimi.

Po ashtu ministritë do të marrin përsipër rritjen e ditëve të praktikave mësimore, – gjë që e kam dëgjuar në të gjitha takimet me studentët, – stazheve dhe punësimin e studentëve në fushat e interesit të tyre.

Pika 12

Jemi në diskutim për krijimin e një fondi solidariteti, që do të jetë një fond përgjegjësie sociale për të gjithë ata që kanë, apo do të lidhin kontrata me shtetin.

Shembull: Një kontratë për shfrytëzimin e një miniere do të përmbajë edhe një pikë, ku atij që do të marri shfrytëzimin do t’i thuhet që të shkojë në Fakultetin e Gjeologji-Minierës dhe jep kontributin tënd. Dhe kështu do të bëhen të gjitha kontratat.

Një përqindje që historikisht mund të ketë shkuar tek korrupsioni do të shkojë tek universiteti.

Këto ishin pak a shumë të gjitha ato që doja të thosha, nëse ka ndonjë pyetje lidhur me temën, unë jam në dispozicion.

Gazetar: A keni një përllogaritje sa është fatura e të gjithë kësaj pakete me 12 pika dhe a parashikohet një ndryshim në Buxhetin 2019 për realizimin e kësaj pakete?

Gjatë takimeve që keni bërë me studentët në fakultetet e ndryshme deklaruat se nuk do të merreshin këto vendime. nëse nuk do të niste procesi i dialogut, pse i morët pikërisht tani?

Kryeministri Rama: Sepse procesi i dialogut ka nisur, pikat kanë nisur të diskutohen jo vetëm në takimet e mia, por edhe në platformën Shqipëria që duam, ku kemi kontribute, për hir të vërtete, shumë më tepër konfidenciale sesa publike, por që janë marrë në konsideratë. Por edhe sepse, mbi të gjitha, gjërat që na takon të bëjmë, ne i kemi të qarta dhe hap pas hapi do t’i sqarojmë edhe ato të tjerat që ende kërkojnë pak kohë për t’u materializuar.

Përsa i përket buxhetit nuk ka nevojë për ndryshim buxheti. VKM-të janë bërë dhe financimi është i garantuar brenda financimit përkatës për tarifat dhe brenda fondit të arsimit dhe në vijim është parashikuar gjithçka. Nuk ka nevojë. Ata që kërkojnë ndryshim buxheti janë ata që nuk dinë se çfarë kërkojnë, ose më saktë duan që studentët mos të dinë se çfarë kërkojnë. Ndërkohë, unë e di shumë mirë se çfarë kërkojnë studentet dhe çfarë kërkoj në këtë proces. Patjetër që gjithçka është e përllogaritur deri në qindarkën e fundit. Nëse ju intereson ta dini deri në qindarkën e fundit, me siguri që do jua japim me shkrim.

Duke vijuar pyetjen e kolegut, do të jetë një fond, i cili do të subvencionojë tarifat e studentëve, i marrë nga ministri të tjera, nga fonde të tjera, apo është brenda Ministrisë së Arsimit?

Nëse studentët do të vazhdojnë protestën e tyre, a keni një plan “B”?

Kryeministri Rama: Nuk ka nevojë për ndryshime në buxhet. VKM del në bazë të ligjit të Buxhetit dhe fondi është i garantuar. Studentët, sipas të gjitha atyre që thashë, në janar nuk do të shkojnë të paguajnë pjesën që i takon qeverisë të paguajë. Qeveria do të paguajë drejtpërdrejt të gjitha universitetet dhe kjo çështje është e mbyllur.

Përsa i përket plani, plani im është shumë i qartë, unë do të udhëheq protestën e studentëve. Ju mund të qeshni, por shumë shpejt do të shikoni që do të “kap” edhe protestën, siç kam “kapur” të gjitha të tjerat dhe studentët kanë kërkuar disa gjëra të arsyeshme, por operacioni duhet të shkojë shumë më thellë dhe reforma duhet të shkojë shumë më thellë. Kemi një bazë absolutisht të padiskutueshme që është Ligji i Arsimit të Lartë, por kemi nevojë të bashkëpunojmë ngushtësisht për ta zbatuar atë dhe për t’i dhënë hapësirë ambicieve dhe shpresave të të gjithë vajzave dhe djemve që shkojnë në rrugën e universitetit për të studiuar, sepse jo të gjithë shkojnë për të studiuar, por për të kaluar disa vite përpara sesa të gjenden në rrugën e jetës, pa ditur se çfarë do të bëjnë.

Paralelisht, shumë shpejtë, ne do të nxjerrim edhe planin për rritjen e ndjeshme në çdo vit të Kolegjeve Profesionale dhe uljen e numrit të atyre që shkojnë në universitet për arsimin e lartë. Është një numër jashtë çdo lloj logjikë dhe jashtë çdo lloj arsyeje. Ne nuk kemi nevojë, besoj, për 300 gazetarë në vit, për shembull. Ju kemi ju dhe na duket sikur jeni 3000, llogariteni tani 300 në vit. Ku do shkojnë, ku do punësohen? Katër vite studime ku do shkojnë?

Mund të marr edhe shembuj të tjerë. E dini që nga viti i shqyerjes së universiteteve kemi prodhuar 10 000 juristë?! Ku do shkojnë 10 000?!

Ndërkohë që shumë prej tyre fare mirë mund të bëhen profesionistë të lartë. Pra nuk po flasim për shkolla profesionale të mesme, por flasim për Kolegje Profesionale 2-vjeçare, siç i ka e gjithë bota. Kjo është rruga.

Por në fazën e parë na duhet të ecim me këto “8 pikat +”.

Me sa thatë, buxheti nuk do të rritet. Pra, kërkesa e studentëve për 5% të GDP nuk do të realizohet? Gjithashtu edhe ligji i Arsimit të Lartë nuk do të preket?

Kryeministri Rama: Nuk ka ndonjë arsye që ligji i Arsimit të Lartë të preket. Nga të gjitha bisedat që kam bërë, qofshin ato publike, apo ato jopublike, deri tani nuk kam dëgjuar asnjë që të më japë një fakt se këtë zhvillim pozitiv të kërkuar e ka penguar ligji i Arsimit të Lartë. Përkundrazi, kam parë në vijimësi që shumë gjëra që kërkohen, ligji i kërkon gjithashtu.

Kemi një boshllëk për të mbushur, që është nga ligji tek ligjshmëria. Është njëlloj si të thuash që, përderisa asnjë shqiptar trim nuk e vendoste rripin e sigurimit, ligji nuk funksiononte dhe duhet të bënim një ligj tjetër, që të kalonim në ndonjë sistem tjetër sigurie. Nuk është ligji, por është ligjshmëria. Kështu që ligji i Arsimit të Lartë nuk preket.

Edhe një fjalë kam për pedagogët që mbledhin firma për të prekur ligjin e Arsimit të Lartë. Është shumë e rëndësishme të ndajmë pedagogët.

Ka shumë pedagogë në universitet që janë heronj, pa asnjë ekzagjerim. Por ka edhe të tjerë që janë si ajo shprehja e atij filmit “Sa gjëra bëhen në emrin tënd, o popull”. Përpara sesa pedagogët të shkojnë tek ligji, është mirë që secili të provojë përputhjen e vet me ligjin përsa i përket atyre që pretendojnë doktora, profesora të asociuar, apo të gjitha këto, është mirë të bëhen njëherë të tillë. Ligji nuk na pengon as për këtë. Kështu që ligji i Arsimit të Lartë nuk preket. Kush kërkon prekjen e ligjit ka të drejtën e vet, por ligji është rezultat i vullnet të një shumice që ka marrë mandatin e popullit dhe asnjë pakicë e pakicës së pakicës, për më tepër, nuk mund dot të imponojë asgjë.

Përsa i përket 5% të GDP-së nuk u zgjata për këtë, por në Paktin për Universitetin. Edhe kjo çështje do të jetë e shpjeguar më së miri, me të gjithë argumentet dhe kontributet e shqiptarëve përmes buxhetit në arsim do të shkojnë duke u rritur dhe do të shpjegohen më së miri si “kur dhe “pse” nuk është e mundur kjo sot, apo ajo nesër. Por nuk e thashë këtu, meqenëse s’kemi ndonjë përgjigje për këtë.

Shumë faleminderit të gjithëve! Besoj se do e kemi edhe një takim tjetër përpara fundvitit si zakonisht dhe uroj shumë që gjithë këto vendime të çojnë mesazhin e vërtetë dhe të duhur tek të gjithë ata që në protestë dolën me zemër dhe me mendje tek vetja dhe tek universiteti. Atyre të tjerëve do t’ua themi gjërat kur t’iu vijë radha, sepse jam i bindur se ata nuk do të tërhiqen nga protesta.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.