Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama ishte në mbrëmjen gala me përfaqësuesit e biznesit, ku u ndanë çmimet “Sipërmarrësi më i mirë 2013”.

I ftuar të japë çmimin “Punëdhënësi më i mirë 2013”, Kryeministri u shpreh se ndjehej mirë që ky çmim i dorëzohej një grupi të rinjsh që kanë ndërtuar kompaninë “Intercom Data Service Group” dhe shprehu bindjen se është koha për të krijuar veçanërisht për të rinjtë, modelin e munguar të suksesit përmes sipërmarrjes.

 

Fjala përshëndetëse në këtë mbrëmje gala e Kryeministrit Edi Rama:

Mirëmbrëma të gjithëve!

Nuk do flas për buxhetin, as për taksat. Do flas për motivin që na shtyu të organizojmë këtë mbrëmje dhe që ka të bëjë me bindjen tonë, se është koha për t’i vendosur sipërmarrësit nën dritën e respektit të shoqërisë. Është koha për të ndërtuar një piedestal për figurën e sipërmarrësit, njësoj siç shoqëria e sotme ka piedestale për këngëtarët, për sportistët, për artistët, për njerëzit e televizionit, sepse unë besoj që të njëjtën vlerë dhe të njëjtën peshë, në mos më shumë kanë, pa dyshim, sipërmarrësit.

Pas një epoke të gjatë qëndrimi në errësirë, të strukur dhe të tkurrur nga presionet, nga frika, nga pamundësia për të festuar lirisht suksesin e tyre, besoj i ka ardhur koha që sipërmarrësve t’u jepet mundësia që t’i gëzohen edhe asaj pjese të suksesit që ka të bëjë, pa dyshim, me  popullaritetin dhe me publicitetin.

Por, kjo nuk bëhet vetëm për sipërmarrësit. Kjo bëhet për t’ju dhënë vajzave dhe djemve të rinj në këtë vend një model të munguar, modelin e suksesit përmes sipërmarrjes. Për ta ndryshuar perceptimin e gabuar që sipërmarrja është diçka problematike, është diçka e dyshimtë, është diçka e pistë që të bësh biznes, patjetër do të thotë se ha në kurriz të të tjerëve, pi gjakun e popullit dhe… ku e di unë, të gjitha me radhë. Ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. E vërteta është që të bësh biznes do të thotë që të krijosh kushte që të tjerët të jetojnë më mirë, jo vetëm përmes shërbimeve apo përmes asaj që biznesi yt prodhon, por edhe përmes mundësisë që u jep të tjerëve që përmes punës së ndershme në biznesin tënd të mund të mbajnë familjet e tyre. E pra, nxitja e duhur në rrugën e sipërmarrjes e më të rinjve, bëhet më e lehtë në rast se shoqëria i sheh, i njeh dhe i respekton dhe admiron njerëzit e suksesit përmes sipërmarrjes.

Kështu që, ne kemi shumë nga këto kënga magjike, këngët e pranverës, festivali i dimrit, por s’kemi asgjë të tillë që vlerëson sipërmarrësit dhe sipërmarrjen. Dhe, besoj që si një hap i parë dhe si një fillim modest kjo mbrëmje i ka plotësuar dëshirat tona. Por, me siguri, vitin e ardhshëm ne i kemi të gjitha kushtet dhe mundësitë që bashkë me ju ta organizojmë ende më mirë dhe ta kthejmë në një aktivitet të traditës. Se kur i rezistoi ai Festivali i Këngës dy regjimeve, unë besoj që sipërmarrja mund të rezistojë tash e mbrapa më shumë sesa 40 qeveri.

Jam i kënaqur që më kanë lënë mua të nxjerr nga zarfi fituesin për çmimin “Punëdhënësi i vitit 2013”. T’ju them të drejtën, me gjithë respektin dhe pa dyshim admirimin për të gjithë ata që pashë në ekran, emri që sapo lexova ishte dhe emri që unë, kur po shihja ekranin, më bëri më shumë përshtypje dhe mendova “ishallah fitojnë këta! Të jeni të sigurt që nuk kam ndikuar te çmimet, por ka të bëjë me atë grupin e djemve të rinj dhe vajzave të reja që kanë ndërtuar kompaninë “Intercom Data Service”.

Me bindjen që në 4 vitet e ardhshme sipërmarrja do të zgjatet dhe do të bëjë gjithmonë e më shumë sukses.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.