Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklaratë e Kryeministrit Edi Rama:

Mirëmbrëma!

Kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet e publikut lidhur me përpjekjet e mia për një dialog konstruktiv në funksion të përfshirjes së Partisë Demokratike në zgjedhje.

Ndihem krejt i qetë në ndërgjegjen time, sepse kam bërë dhe po vazhdoj të bëj gjithçka është e mundur në këtë drejtim. E kam bërë dhe e bëj jo për ata që janë në çadër, por për demokratët e zakonshëm, njerëz të arsyeshëm që meritojnë vetëm respekt si bashkëqytetarë të këtij vendi.

Mekanizmi i ri institucional që kemi propozuar për kontrollin e brendshëm të qeverisë gjatë zgjedhjeve në kohë reale garanton barazi dhe transparencë për të gjithë në garën zgjedhore. Kështu që dua t’u them në radhë të parë, shumë faleminderit për mbështetjen e pakursyer që më jepni dhe na jepni në këtë përpjekje aspak të lehtë, për të lidhur fillin e këputur të logjikës demokratike të PD-së dhe për të mos lënë asnjë gjë të mundshme pa bërë në funksion të gjithëpërfshirjes në procesin zgjedhor të 18 qershorit.

Shumëkush më përsërit pa pushim në rrjetet sociale, përmes mesazhesh, apo bisedash direkte, fjalinë: “Mos e lësho 18 Qershorin!”

Mos kini asnjë shqetësim në këtë pikë, sepse edhe po të doja të negocioja 18 qershorin nuk e kam të mundur, pasi nuk është në dorën time. 18 qershori nuk është një datë e zgjedhur nga unë, as nga partitë. Është data e përcaktuar në bazë të Kushtetutës për gjykimin e partive nga populli. Pra, 18 qershori, për sa më takon, nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet t’i garantojnë dhe jo t’i negociojnë të drejtat e popullit sovran.

Të tjerë më thonë vazhdimisht “Mos ia zgjat shumë atyre!” “Pse ua zgjat atyre?” “Varja atyre!” “Boll me ata!” “Prapë me ata!” Ata si gjithmonë, në 27 vjet” e me radhë e me radhë…

Ju lutem të gjithë këtyre miqve, dashamirësve, qytetarëve, bëni durim dhe mos e harroni për asnjë çast, se unë nuk jam vetëm kryetar i partisë më të madhe shqiptare, por jam dhe Kryeministër i Shqipërisë. Ju siguroj se, nëse si kryetar partie s’kam as më të voglin shqetësim në qoftë se Partia Demokratike vendos t’i shkojë deri në fund një strategjie politike vetëvrasëse, si Kryeministër nuk dua të lë asnjë gur pa luajtur që qytetarët që duan ende të votojnë PD-në, të kenë mundësinë ta bëjnë këtë në 18 qershor.

Unë hyj tek ata që qeshin me alarmet infantile të llafazanëve profesionistë në klubet e katundit tonë mediatik për rrezikun që Shqipëria të mbetet pa opozitë, sepse historia e demokracisë mëson se për sa kohë ka zgjedhje dhe liri për të hyrë në zgjedhje, s’ka asnjë mundësi që të mos ketë opozitë në çdo vend ku bëhen zgjedhje.

Paria Demokratike, natyrisht është një parti historike, por nuk do të ishte as e para dhe as e fundit parti historike në historinë e demokracisë që do të dilte nga skena e historisë. E dhimbshme për ata që e duan akoma PD-në, por normale për jetën e gjallë, demokratike, që është një jetë në proces.

Ama një gjë është shumë e rëndësishme të mbahet mirë parasysh sot, kjo shumicë qeverisëse, jo vetëm nuk ka bërë asgjë për ta shtyrë Partinë Demokratike në rrugën e vetëshkatërrimit, ku të çon pa kthim dalja nga shinat e sistemit demokratik, por ka bërë gjithçka për të kundërtën. Kemi bërë gjithçka dhe do të bëjmë gjithçka deri në sekondën e fundit, gjithçka na takon për ta garantuar pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhje dhe për të mos i lënë votuesit e saj besnikë pa zgjedhje. Por, kur koha për mirëkuptim të ketë mbaruar, e nëse s’do ketë rezultat, ne do ta pranojmë me keqardhje të thellë çdo vendim të lidershipit të PD-së për të ikur në drejtim të paditur, si një e drejtë, por dhe si një përgjegjësi ekskluzive e atij lidershipi.

Kështu që këmbëngulja për dialog me kundërshtarin nuk është dobësi, është kthjelltësi. Durimi nuk është tipar i më të dobëtit, por virtyt i më të fortit. Mos e harroni, politika është shah. Shahu, – thonë, – është një lojë ku durimi strategjik çmonton çdo hile taktike.

Por ka dhe jo pak nga ju, ditët e fundit, që e kanë mendjen te e diela e ardhshme në Kavajë dhe janë të shqetësuar. Me të drejtë të shqetësuar. Një pjesë e shohin 7 majin si ditën kur shteti duhet të tregojë të gjithë forcën e ligjit, me çdo çmim. Të tjerë i druhen një përplasjeje që mund të pasoja fizike për qytetarët e pafajshëm, në shkelje të së drejtës së tyre themelore për të votuar. Të tjerë akoma i friken pasojave më të gjëra të një konflikti që synohet të provokohet në Kavajë, për të nxitur destabilizim në Shqipëri.

Dua të jem shumë i sinqertë me të gjithë. Që ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë këtë plan, që pas atyre që janë ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë, ka të tjerë që e duan destabilizmin për të dëmtuar Shqipërinë, këto nuk janë më hamendje. Janë fakt!

Por që Shqipëria nuk do destabilizohet nga ky plan, të cilin me durim dhe vendosmëri do e çojmë deri në dështimin e plotë, këtë ia siguroj të gjithëve, pa përjashtim dhe pa fijen e dyshimit. Por sfida jonë, e kam thënë dhe më parë, nuk është 7 maji i Kavajës ku ne qeverisim në nivel vendor e do vazhdojmë të qeverisim edhe në 8 maj e unë besoj edhe për shumë gjatë, akoma për çfarë kemi bërë, për sa shumë ka për të bërë dhe për besimin që kemi fituar në Kavajë.

Sfida jonë është të shkojmë deri në 18 qershor, duke bërë çmos që Shqipërisë të mos i hyjë asnjë gjemb në këmbë dhe asnjë shqiptari të mos i cenohet një fije floku nga konvulsionet e marrëzisë që ka pjellë frika nga zbatimi i reformës në drejtësi.

Sfida jonë është që mandatin tjetër, për të vazhduar të qeverisim Shqipërinë, ta marrim në 18 qershor, duke i provuar çdo qytetari të zakonshëm, edhe atyre që nuk na votojnë, se për ne, Shqipëria që Duam nuk është vetëm e socialistëve, por dhe e demokratëve. Nuk është vetëm e atyre që janë dakord me ne, por dhe e atyre që nuk janë dakord me ne. Nuk është shesh për përsheshet e kujtdo partie, në emër të njerëzve të zakonshëm, por është atdheu i përbashkët i njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, me shtet, me punë dhe me mirëqenie.

Prandaj, provokimit antikushtetues, antiligjor dhe antidemokratik të të tmerruarve nga drejtësia, nga drejtësia që po vjen dhe nga zgjedhjet politike që janë në prag, ne nuk duhet e nuk do t’i përgjigjemi flakë për flakë. Kavaja nuk do të bëhet sheshi për një përshesh të neveritshëm që Partia Demokratike po e gatuan verbërisht për turpin e saj më të madh. Turpi le t’i mbetet PD-së!

I kam sugjeruar kandidatit tonë të tërhiqet nga gara e të dielës e t’i kërkojë të tërhiqet edhe kandidatit tjetër, të cilit ia bëj dhe unë këtë apel, shumë miqësisht. Vjen gjithnjë një moment për të thënë fjalën e fundit dhe luajtur gurin  e fundit, po ky moment nuk është 7 maji.

Deri në 7 maj, unë do të përqendrohem i gjithi tek përpjekja për ta bindur Partinë Demokratike të bëhet pjesë e zgjidhjes së arsyeshme që kemi propozuar. Sepse 7 maji koinçidon dhe me fundin e kohës fizike për të garantuar procesin zgjedhor, pa cenuar punën e KQZ për përgatitjen e materialit të votimit në 18 qershor.

Ia kam komunikuar sot, këtë qëllim, edhe miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilët gjithashtu kanë bërë e do të bëjnë deri në fund, përpjekjen për të mos e lënë Partinë Demokratike të kthehet nga fuqia që lindi për liritë e të drejtat e njeriut, në një shkelëse të dhunshme të lirisë e të drejtës së çdo njeriu të këtij vendi për të zgjedhur me votë, i pa penguar nga askush dhe asgjë.

E të jeni shumë të qartë, të pengosh njerëzit të votojnë, është krim i rëndë! Dhe ky krim që nuk ka ndodhur as në vendet më të humbura, me demokraci shumë më të dobët se Shqipëria, në këtë vend nuk mund, nuk duhet e nuk do ta lejojmë të kryhet. Nuk do e lejojmë ne e nuk do e lejojë askush nga familja e vendeve të lira ku bëjmë pjesë.

Po as kemi arsye dhe as nuk është nevoja që ta bëjmë Kavajën pasnesër, vendin ku ky krim të tentohet e të ndëshkohet me çdo çmim. Sepse, nëse të ngujuarit në çadër, në dëshpërimin e tyre kërkojnë shesh për të bërë një stërvitje me përmbajtje kriminale në Kavajë, për të nxirë Shqipërinë sa të munden e për të cenuar e dëshpëruar kë të munden përpara 18 qershorit, as ne, as Shqipëria, as miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm nuk kemi pse bëhemi pjesë e kësaj stërvitjeje të shëmtuar, por kemi nevojë të zhvillojmë, pasi t’i kemi dalë çdo borxhi PD-së, ndeshjen e 18 qershorit.

Në përfundim, i përsëris Lulzim Bashës, lëre tani Kavajën, hiqe nga mendja se mund ta shtysh me provokime, jo datën, por as afatin fundor të mundësisë për të hyrë në zgjedhje, që është 8 maji dhe fokusohu tek zgjidhja që të është ofruar deri në 7 maj.

Unë jam gati të ulem përsëri me Lulzimin, por këtë herë për të detajuar ofertën që ai ka në tavolinë e jo për të filluar nga e para avazin e qeverisë teknike dhe të shtyrjes së zgjedhjeve në kalendat greke, me sebepin qesharak të përgatitjes së votimit elektronik.

Zgjedhjet do të bëhen në 18 qershor dhe të hënën më 8 maj, unë nuk jam më në dispozicion për Lulzim Bashën dhe PD-në, nëse deri të dielën, ata nuk bien dot dakord për ofertën, për ndryshimin e menjëhershëm të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të ODIHR-it dhe zhbllokimin e Vetting-ut, natyrisht.

Kështu që edhe fare pak durim u kërkoj të gjithëve. Jemi në prag të një zhvillimi me rëndësi të madhe në vendin tonë. Dhe me PD, pa PD, më 18 qershor populli do vendosë jo thjesht se kë do ngarkojë për të qeverisur Shqipërinë për katër vitet që vijnë, por si do jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.