Biseda e Kryeministrit Edi Rama me banorë e fermerë në Zharrëz:
Kryetarja e Bashkisë Patos:
Zoti Kryeministër faleminderit që keni pranuar të jeni sëbashku me ne, sot këtu. Unë do të dëshiroja që në emrin tuaj që të falenderoj Kryeministrin që zgjodhi Patosin dhe njësinë administrative të Zharrës, për t’ju takuar juve dhe për të njohur nga afër të gjithë problematikën me të cilën ndeshemi në jetën e përditshme dhe të gjithë për një qëllim, për të zhvilluar atë që është burimi i të ardhurave në këtë zonë, bujqësia.
Zoti Kryeministër të falënderoj që jeni këtu, se problemet sigurisht që i njohim në nivelin qendror dhe në nivelin vendor. Bashkia e Patosit përbëhet nga tre njësi administrative, ku njësia Zharrëz përbëhet nga 6 fshatra dhe përbën pjesën më të madhe të sipërfaqes së tokë arë. Kjo njësi ka 2500 hektarë tokë bujqësore, nga e cila 1800 hektarë janë në zonë fushore dhe pjesa tjetër në zonë kodrinore dhe e gjithë pjesa fushore është sipërfaqe nën ujë, që ka nevojë për vaditje.
Ne, me të marrë funksionet e bujqësisë si pushtet vendor, kemi filluar një nga problemet më emergjente dhe prioritare në zonën e Zharrëz, që është problemi i përmbytjeve dhe i kullimit. Kemi bërë pothuaj 20 kilometra kanale të parë e të dytë në gjithë zonën, duke marrë në konsideratë ato që janë më emergjente dhe po vazhdojmë e do të vazhdojmë të pastrojmë të gjitha kanalet që përmbytin të gjithë tokat arë dhe për shkak të kësaj janë lënë të braktisura e të patrajtuara nga fermerët.
Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe me mbështetjen e qeverisë, pasi që këtë vit ka filluar pastrimi i kanalit të 12-të, me 3.9 kilometër gjatësi, që është një nga investimet më të mëdha të kësaj zone. Ajo që është më e rëndësishme dhe vlen ta përmend, është se është bërë me financimin e buxhetit të shtetit, nga Bordi i Kullimit në bashkëpunim me dy bashkitë. Ajo që është e rëndësishme është se të gjithë kanalet, të 20 kilometrat që ne kemi bërë, do të shkonte puna dëm, nëse ai kanal nuk do të pastrohej, pasi i gjithë kullimi ndodh në këtë kanal dhe në pjesën tjetër të vijës së Ngjalës.
Duke rregulluar çështjen e kulimit, sigurisht që dhe fermerët kanë filluar të ndjejnë që dora e ndryshimit ka filluar. Kanë filluar të merren më shumë me bujqësinë. Drejtimi i gjithë kësaj zone janë perime të ndryshme. E rëndësishme të thuhet është se kanë filluar të kultivojnë perimet në sera. Janë shtuar 20 hektarë sera, ku rreth 80 familje janë të lidhura drejtpërsëdrejti me këto zhvillime.
Padyshim që kërkohet ndihma e shteti për programe të ndryshme subvencionimi, por edhe bashkia do të planifikojë në buxhetet e ardhshme më shumë fonde në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës në bujqësi.
Kryeministri Edi Rama:
Shumë faleminderit dhe mirënjohje që keni ardhur këtu nën këtë diell të nxehtë, jo për të punuar, se ju punoni zakonisht kështu, por për të biseduar sëbashku.
Në fakt, ky nuk është një takim për të bërë një panoramë suksesesh të qeverisë lidhur me fshatin, por është një bashkëbisedim që ne do ta zhvillojmë në gjithë Shqipërinë me njerëzit që jetojnë në fshat dhe jetojnë me tokën, me vetëdijen se pavarësisht gjërave që janë bërë dhe në këndvështrimin tim janë bërë jo pak, mbeten për t’u bërë shumë më tepër. Mbi të gjitha mbetet për t’u bërë një punë kolosale, për të kapërcyer një epokë, e cila ishte e gjitha e përqendruar ose tek puna e bazuar vetëm tek krahët e familjes dhe tek të ardhurat nga pjesëtarët e familjes në emigracion, ose tek shpresa se do vinte në ndihmë ndonjë thërrime nga subvencionet e shtetit që kanë qenë minimale. Për t’u futur në një epokë ku falë edhe reformës administrative territoriale, falë këtyre njësive të reja të mëdha vendore, bashkitë të shërbejnë si urë komunikimi mes qeverisë dhe fermerëve dhe fermerët të kthejnë sytë në dy drejtime, ku deri më sot kemi përfituar shumë pak në krahasim me çfarë mund të përfitojmë; Në drejtim të programeve të financimit nga bankat dhe të programeve të financimit nga Bashkimi Europian.
Nëse për të dytën do të na duhet një mundim jo i vogël, sepse BE financon sigurisht në mënyrë bujare, por ka gjithmonë një kusht të panegociueshëm, financon në bazë projektesh të shkruara mirë, të shpjeguara mirë dhe bindëse. Gjë që kërkon burime njerëzore të kualifikuara, qoftë në nivelin e qeverisë, qoftë në nivelin e bashkisë, por qoftë edhe në nivelin e komunitetit të fermerëve.
Për të kaluar nga puna e përditshme me tokën, si një punë e detyruar që siguron vetëm ushqim për familjen, tek transformimi i familjes fermere në një biznes, është e domosdoshme të investohet në kapacitete. Nëse këtë investim, disa mund ta bëjnë, shumëkund mund të mos ketë mundësinë ta bëjë personalisht ose familjarisht, për këtë investim duhen që bashkitë e reja të përqendrohen seriozisht dhe departamentet e tyre të bujqësisë të jenë seriozisht të angazhuara, me njerëz të përkushtuar që e kanë pasion. Ju e dini më mirë se unë, që puna e bujqësisë e ka të domosdoshme dhe pasionin dhe dashurinë për tokën. Nëse të gjithë ata që punojnë me tokën e kanë, jo gjithmonë, madje në të shumtën e herës, burokratët nuk e kanë.
Ajo çfarë ka më shumë rëndësi në këtë moment është çfarë kemi tani në dorë. Tani në dorë kemi të ndihmojmë dhe të bashkëpunojmë për të rritur kreditimin në bujqësi, për të rritur financimin e familjeve fermerë, përmes Fondit Kombëtar të Garancisë që e ka vënë shteti në shërbimin tuaj, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Kjo hap rrugën tuaj për të marrë kredi nga Bankat e nivelit të dytë, por jo kredi me interesa dhe me kushte njësoj si të ishit biznese në qytet, por kredi me interesa shumë më të favorshme, të garantuara nga shteti. Kini parasysh që rezerva në dispozicion është rreth 300 milionë euro. Mundësia reale për thithje është minimalisht 50 milionë euro në vit. Që janë një shumë jo e vogël, po të kesh parasysh se me sa pak mbështetje, familja fermerë ose një komunitet familjesh mund të bëjnë diferencën e mund të hedhin një hap të rëndësishëm përpara.
Për këtë, ne do të punojmë shumë fort, por ajo që unë dua të bëj përmes këtyre bashkëbisedimeve është të sensibilizoj të gjithë ata që punojnë në fshat lidhur me këtë mundësi. Duke pasur gjithmonë parasysh që edhe bankat nuk i japin paratë symbylluri. Ato kanë nevojë për një projekt, kanë nevojë që të binden, por dhe për këtë do të jetë në mes shteti. AZHBR do të funksionojë si një ndërmjetës midis jush dhe bankave. Ju nuk do të vraponi sportel më sportel e bankë më bankë, por thjesht do të aplikoni përmes AZHBR-së dhe është AZHBR-ja që do të ndërmjetësoj për ju dhe do të garantojë për ju.
Kjo është një mundësi e re. Banka Europiane për Zhvillim dhe Integrim e konsideron një model të ri eksperimental edhe në nivel më të gjerë rajonal, që bëhet me Shqipërinë, sepse qeveria jonë e ka çuar përpara këtë ide që është pëlqyer. Tani jemi në kohën që të provojmë që kjo ide funksionon.
Nga ana tjetër, po të shikosh shifrat e financimit të bujqësisë, ka dy mënyra për t’u parë, si çdo gjë tjetër në këtë fazë; në raport me nevojat dhe në raport me ku u nisëm.
Në raport me ku u nisëm, krahasim nuk bëhet. Në raport me nevojat, krahasim nuk bëhet. Jemi të vetëdijshëm për këtë. Por ju jeni njerëzit e tokës dhe e dini shumë mirë që për të marrë një kokërr misër duhet punuar fort, duhen respektuar disa rregulla dhe duhet durim. Nuk mund ta mbjellësh sot dhe ta marrësh nesër. Por do ta mbjellësh sot, do t’i bësh gjithë hyzmetin, që ta marrësh prodhimin, kur vjen koha për ta marrë. E deri atë ditë, me gjithë hyzmetin nënkuptohet se do duhet eksperiencë, dije kujdes. Për një kokërr misër!
Ju jeni ata, të cilët të parët mund dhe duhet ta kuptoni që për të bërë Shqipërinë që duam, për ta kthyer djerrinën plotë gropa e ferra, me një sukses këtu e një sukses atje dhe midis dy sukseseve ose midis dy familjeve të suksesshme, një tërësi familjesh në varfëri, kërkohet shumë punë, patjetër shumë hyzmet dhe kohë.
Nuk dua t’ju lexoj shifra. Për një arsye shumë të thjeshtë, sepse, në fund të fundit, shifrat thonë shumë, por shifrat thonë dhe asgjë. Sepse secili nga ju mund të thotë dakord, mund të na thuash që e keni rritur 40 % kapacitetin e skemave mbështetëse. Në vitin 2012, skemat mbështetëse ishin 90 milionë. Në vitin 2015, 230 milionë. Por mund të pyesni, ku jam unë tek këto skema mbështetëse.
Mund t’ju them që në shtator fillon aplikimi nga skema mbështetëse e BE-së, 71 milionë euro grante për investime dhe makineri në fshat. Shifër e madhe, por ju sërish mund të thoni, ku jam unë?
Patjetër që mund t’ju them edhe që kemi hequr TVSH-në për makineritë dhe kjo ka sjellë një rritje të konsiderueshme të investimeve në sektorin e përpunimit të produkteve bujqësore në mënyrë të veçantë. Ashtu sikurse kemi rimbursuar TVSH-në për gjithë produktet bujqësore. E megjithatë, përsëri pyetjen ku jam unë, mund ta bëjnë shumica.
Sikundër shumica mund të bëjnë edhe pyetjen ku jam unë, pasi t’ju them se është rritur volumi i eksporteve në 3 mujorin e parë të vitit 2016, 70% më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë që pyetjes ku jeni ju, unë mund t’i përgjigjem pozitivisht për një element, që sot jeni të gjithë dëshmitarë, ju dhe në gjithë Shqipërinë, që pas 20 e kusur vitesh është bërë një punë shumë serioze për t’ju sjellë ujin në parcelë e për të siguruar kullimin. Është bërë një punë serioze që tregon sesa për turp ka qënë marrëdhënia e qeverisë me fshatin, për 20 e kusur vite. Qeveri pas qeverish që nuk i shikonin fare sesi ferrat, inertet, ndërtimet e paligjshme dhe gjithfarëlloj pengesash të tjerash i kthyen një pjesë të madhe tokash në djerrë. Mijëra e mijëra hektarë në dispozicion të njerëzve që donin të punonin tokën, por nuk i punonin dot se nuk vinte uji. E ujin nuk mund ta sjelli dot askush familjarisht. Edhe një fshat i tërë të ngrihet nuk e sjell dot ujin, nëse shteti nuk është mbrapa.
Për këtë arsye, me reformën territoriale, prania e kryetares së bashkisë së Patosit këtu, prania e kryetarit të Bashkisë së Fierit në një zonë tjetër rurale e kështu me radhë, është në radhë të parë, një reformë që do ndihmojë fshatin. Ju e patë vetë që menjëherë pas reformës, ne i vumë në dispozicion bashkive, paketën më të madhe, jo në vit, por krahasuar me 10 vite më parë, për pastrimin e kanaleve, për sjelljen e ujit dhe për garantimin e kullimit.
Ne jemi të vetëdijshëm që po të flasim për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, ky është një sistem primitiv. Në fakt, në këtë zonë, me bazë Divjakën, por të shtrirë në Roskovec e në një hartë të konsiderueshme në qarkun e Fierit, ne fillojmë së shpejti një projekt transformimi të gjithë sistemit të ujitjes, në një sistem të mbuluar. Pra, jo më kanale që rrinë në anë të rrugës e hidh çfarë të duash, por siç është uji që vjen në shtëpi, do të edhe uji që vjen në parcelë, i mbuluar dhe i kontrolluar për të mos u shpërdoruar. Do të ishte mirë ta bënim në gjithë Shqipërinë për një herë, por si?
Ju e dini më mirë se unë, ju e dinin më mirë se shumëkush që rri në Facebook dhe lëshon mesazhin e radhës nga kafeneja, se kokrra e misrit është shumë e vogël, por për atë kokërr misri ka mbrapa një histori të tërë pune, eksperience, sakrificash. Shumë thjesht, aq sa e vogël është ajo kokrra e misrit, aq janë të paaftë ta nxjerrin atë kokërr misri në tavolinë, të gjithë ata që rrinë në kafene e shkruajnë në Facebook.
Dua të shtoj edhe një element tjetër, për të siguruar këtë ndërveprim. Pa diskutim, bujqësia është një territor ku dhe në vendet më të zhvilluara ka sot e gjithë ditën, një postulat: Pa shtetin nuk zhvillohet. Bashkimi Europian është një super fuqi që i rri në krah, ditë natë, çdo fermeri. Ama, tanimë, duke bërë një kapërcim shumë të madh prej kohësh, jo më bujqësi mbijetese, jo më bujqësi që ti në fshat je i dënuar thjesht e vetëm të sigurosh ushqimin tënd e të mos kesh pretendime të mëdha, ndërsa fëmija yt është i dënuar të mendojë vetëm si të iki, por bujqësi – biznes! Çdo familje – një familje fermere, jo një familje që rropatet për të nxjerrë ushqimin dhe për të çuar fëmijët në shkollë, me shpresën se fëmija do gjejë një punë në qytet e nuk do kthehet më kurrë në fshat; një biznes ku edhe ata të rinj që janë në radhët e dyta dhe presin nga babai kontributin për qejfet e tyre, përveçse për shkollën e tyre, të thonë do rrimë këtu, sepse me tokën, mund të bëj para.
Në këtë funksion, ne kemi filluar e do të ndërtojmë në gjithë Shqipërinë, sportelet unike. Sportelet unike janë sportelet që do t’i shërbejnë pikërisht çdo familjeje fermerë, për të siguruar nga pikëpamja teknike mbështetje për çdo ide, për çdo projekt dhe për të gjitha aspektet e jetës në bujqësi. Në mënyrë që ju të mos jeni vetëm për asnjë moment.
Një element tjetër i rëndësishëm që dua të theksoj, është subvencioni direkt i interesave tuaja bankare. Kemi 2 milionë euro në dispozicion, për të subvencionuar interesat për projekte që do financohen nga ky fond kombëtar garancie.
Mesazhi ynë që dua të jap, është se të gjithë ata që sot kanë zhvilluar një biznes, në kuptimin që kanë hapur një baxho, një punishte përpunimi për një produkt, apo një fabrikë, kanë ndërtuar apo duan të vazhdojnë të ndërtojnë sera dhe të cilët kanë filluar të mendojnë me kohë që këto gjëra nuk mund t’i bëjnë dot thjesht nga të ardhurat e tyre, por duhet të kenë mbështetje nga bankat – dhe jo vetëm ata, por dhe të tjerët, – duhet t’i kthejnë sytë nga institucionet financiare.
Tanimë nuk është situata që fermeri shkon tek banka dhe ajo i thotë se ka këto interesa, por ato interesa e bëjnë të pamundur financimin. Tani është secili nga ju dhe shteti në krahun tuaj, për të financuar interesat, për të ulur interesat në varësi të projekteve dhe interesave që kanë bankat. Këtu, familjet fermerë nuk duhet të presin nga shteti, por të jenë aktive dhe të kërkojnë nga shteti, jo vetëm në kuptimin që shteti të vijë na zgjidhë këtë punë, por kanë një rrugë për të trokitur; sportelin unik, AZHBR-në, bashkinë, bankën e kështu me radhë. Vetëm kështu, ne do të mund të fusim në bujqësi një volum të ardhurash që do të shumëfishojë pa asnjë diskutim, financimin e bujqësisë. Kush ju vjen e ju thotë “do t’ju japim e kaq, do ta shtojmë aq e do ata bëjmë aq,” ju tregon përralla.
Ajo që unë dua t’ju them është që do t’ju jemi në krah jo me fjalë, por me bashkëpunim, për të siguruar rritjen e financimit tuaj. Buxheti nuk mund t’i bëjë dot të gjitha, nuk i bën dot as buxheti i Bashkimit Europian. Buxheti stimulon një pjesë, bankat dhe institucionet e tjera financiare bëjnë pjesën tjetër.
Prandaj, miqtë e mi, na duhet shumë të mendojmë të ndërtojmë eksperienca, bazuar në dije. Në dije të thjeshta, të cilat janë, nuk është se do shkojmë të bëjmë shkencë. Në çdo zonë të Shqipërisë, në çdo ish komunë ka realitete që flasin për këtë, ka njerëz të fshatit që kanë ndërtuar histori suksesi, duke hapur derën e burimeve të tjera të financimit.
Përsa i përket ujitjes dhe kullimit, ne deri sezonin e ardhshëm do të kemi vënë në dispozicion për të gjithë familjet që disponojnë tokë të punueshme, ujë dhe do të kemi siguruar që askujt të mos i përmbytet prodhimi, për shkak se nuk ka kanale. Pastaj, nëse hataja vjen nga qielli, kjo është një histori tjetër.
Në këtë zonë kemi dhënë edhe një provë tjetër, që mund ta dëshmojnë të gjithë fermerët e përmbytur. Për herë të parë në histori, çdo kokë bagëti është zëvendësuar kokë për kokë pas përmbytjes, çdo fermë është kompensuar metër për metër dhe për vetë prodhimin e humbur është bërë kompensim. Por kjo nuk mund të vazhdojë pa fund. Që do të thotë që bagëtitë që kanë filluar të matrikullohen gjithmonë e më shumë, është e domosdoshme.
Diskutuam dje në qeveri, problemin e infeksionit lidhur me krerët e bagëtive. Qindra krerë që duhen asgjësuar, për fat të keq. E dinin çfarë i bën të zëvendësueshme ato bagëti? I bën matrikulla. Përderisa u kemi thënë njerëzve matrikullojini, pra, sigurojini, do t’i përgjigjemi një për një dhe do t’i zëvendësojmë kokë për kokë edhe ato bagëti që do të asgjësohen. Ky ka qenë diskutimi i djeshëm në qeveri. Nuk i ka shteti paratë, do t’i gjejmë. Nuk mund të justifikohemi ndaj atij që ka respektuar rregullin dhe ligjin. Siç u kemi thënë respekto ligjin se ke këto garanci dhe përfitime, duhet t’u tregojmë që po, këto garanci e përfitime janë. Nuk ka justifikime.
Nga ana tjetër, ne do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi që fëmijëve të fshatit t’u garantojmë shkollimin normal. Që do të thotë të rindërtojmë të gjithë shkollat e rindërtueshme dhe të ndërtojmë shkolla të reja aty ku ka nevojë. Por jo vetëm shkolla. Fëmijët e fshatit kanë të drejtën e tyre të shkojnë edhe në çerdhe, edhe në kopsht.
E di që bëhet fjalë për një volum të madh, por është një e drejtë e pamohueshme, për të cilën ne do të punojmë shumë fort. Po bëjmë një projekt pilot në Bashkinë e Tiranës. Brenda një periudhe të arsyeshme, një vit e gjysmë besoj, do kemi të gjitha shkollat që i duhen Tiranës. Do ndërtojmë menjëherë 20 shkolla të reja, po jo nga buxheti i shtetit, por nga bashkëpunimi me sipërmarrjen. Këtë gjë do ta shtrimë në gjithë bashkitë. Nëse bashkia Patos ka nevojë për “X” shkolla të reja, për shembull, por në buxhetin e vet ka lekë për një gjysmë shkolle në vit, atëherë do të ndërtojmë gjysmën sot e gjysmën nesër dhe kur ne t’i kemi bërë gati shkollat, një brez i tërë do ketë dalë rrugëve, sepse nuk ka shkollë! Jo, do të bashkëpunojmë me sipërmarrjen dhe sipërmarrja do të investojë në kohë reale, do t’i ndërtojë të gjithë shkollat që duhen, me një kontratë që bashkia do t’ia shlyejë sipërmarrjes në 4 vjet, me një normë fitimi “X”. Kjo është e bëshme dhe do ta bëjmë.
Nuk dua t’ju bezdis me shifra e fakte me historinë e suksesit tonë në këto 3 vjet, sepse historia e suksesit tonë në këto 3 vjet matet me të shkuarën. Ndërkohë, historia e suksesit të çdo familjeje që jeton në fshat matet me të ardhmen. Dhe unë këtu jam që të flasim për të ardhmen, me mirëkuptimin e plotë që mundësitë tona nuk janë të pakufizuara, nevojat tona do të jenë gjithmonë shumë më të mëdha se mundësitë, por ne kemi një mundësi të madhe që, duke ndërtuar një ndërveprim të saktë midis qeverisë, bashkive, institucioneve financiare dhe me sytë nga fermerët, t’i japim bujqësisë dhe fshatit në 3 vitet e ardhshme, 300 milionë euro plus, që nuk vijnë nga buxheti dhe që janë para të lira për fshatin.