Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vështrim i Kryeministrit Edi Rama mbi të ardhmen e Arsimit të lartë në Shqipëri, gjatë një takimi me pedagogë të universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër:

 

– Ju e dini shumë mirë se në çfarë situate ka qenë me universitetet dhe sigurisht u desh bërë një hap ekstrem për mbylljen e universiteteve, për të vënë gjithë ato barriera në mënyrë që të frenohej e gjitha ajo hemorragji që ishte. Por ajo që më duket pak e çuditshme është, lidhja e rektorëve është direkt me ministrin, se rektori është personi numër një dhe si i tillë është edhe “mëkëmbësi” i qeverisë aty, nga pikëpamja e administrimit, flas për aspektin e zbatimit të ligjit, jo në aspektin e varësisë. Ka disa çështje që janë bërë themelore në këtë fazë. Me ligjin e Arsimit të Lartë, ne e kemi shtyrë shumë fort procesin e autonomisë dhe ligji jep një autonomi të madhe për universitetin. Sigurisht që nuk mjafton ta shkruash, mund ta shkruash, por zbatimi është diçka më vete. Ajo që më shqetëson, është se autonomia, në rastin e universitetit kuptohet menjëherë si liri, por nuk kuptohet edhe si përgjegjësi. Ato duhet të shkojnë bashkë sepse janë bashkë. Liria dhe përgjegjësia duhet të jenë bashkë paralelisht, që të funksionojë autonomia, ndryshe jam i lirë për gjërat që i kam në dorë vetë dhe pastaj për gjërat që unë duhet t’i nxjerr me duart e mia, ku është shteti.

Duhet të shkohet drejt një vënie në funksion të autonomisë për të qenë më kreativë dhe më vonë për të hapur shtigje të reja dhe për t’u adaptuar me kushtet e reja. Fatkeqësisht, tendenca e përgjithshme nuk është kjo, por shto programe për të mbajtur pedagogë dhe për të mbajtur universitetin me tarifa, shto numra për ta mbajtur me tarifa. Kjo është gjëja që na ka bërë ne të jemi shumë refuzues për të vazhduar në të njëjtën rrugë.

– Mendoj se dy janë korsitë ku duhet të ecim.

Së pari; Shqetësimet, idetë tuaja duhet te përkthehen në një platformë reforme për universitetin, të shkruar, të konsultuar mes jush dhe këtu duam ta çojmë ne universitetin për një dekadë. Ta diskutojmë, të biem dakord për këtë dhe të sqarohen edhe gjitha detajet e funksionimit, sepse unë mendoj se ka një problem tek ajo që dëgjova, se Ministria e Financave është e krijuar për të thënë “Jo”, nuk është e krijuar për të thënë “Po”. Po ike në Ministri të Financave “Jo”-ja është e sigurt, “Po”-ja është luftë e madhe për të gjithë, edhe për mua e kështu është në të gjithë botën.

Kjo është çështje që nuk duhet lënë të jetë spontane, kaotike, por të gjitha idetë tuaja duhet të kthehen në platformë dhe duhet të jetë e konsultuar dhe e bashkëdakordësuar me Ministrinë. Në sensin që të bëhet dialog midis partnerësh. Ne duhet t’i japim autonomisë një tjetër forcë dhe kur ajo platformë merr edhe dakordësinë e Ministrisë, nuk ngec më nëpër debate “kështu apo ashtu”.

– Së dyti; Ne kemi edhe një boshllëk midis pjesës poshtë dhe pjesës lartë, d.m.th, je ose me një shkollë profesionale, ose bëhesh doktor shkencash. Në mes duhet të krijojmë gjithë brezin e kolegjeve profesionale. Nëse dikush mbaron profesionalen e mesme në Shkodër për elektricist dhe nuk do të bëhet inxhinier elektrik, por të bëhet teknik, universitetet duhet të fillojnë të mendojnë për  krijimin e kolegjit profesional, për të marrë atë dyvjeçarin dhe kjo është pjesa më e nevojshme në treg.

Nëse shohim turizmin, sot, ne kemi problem se kemi ose kamerierë ose super menaxherë. Në mes, aty ku është i gjithë zinxhiri i shërbimit nuk kemi asgjë. Ne duam të fokusohemi këtu.

– Edhe më e rëndësishme është të arrijmë t’i integrojmë universitetet tona me universitetet e huaja. Një program këtu një program atje nuk është keq, por prapë ato janë gjëra që siç vijnë, ikin. Nëse universiteti bëhet filial i një universiteti jashtë, përshembull, universiteti i Shkodrës me universitetin e Sienës, me pedagogët që ka këtu me një kombinim me pedagogët dhe menaxhimin qendror atje, ju thuhet të gjithë të rinjve që në Shkodër shkon tek “Luigj Gurakuqi” i Sienës dhe merr diplomën e Sienës për këtë numër të caktuar programesh. Ndërkohë për mësuesinë nuk do ta bëjë Siena, por “Luigj Gurakuqi”. Për pjesën e çuarjes në një shkallë më të lartë është ai i Sienës. Sikur të jetë një diplomë që e merr këtu e funksionon në një territor më të gjerë se Shqipëria, që funksion në të gjithë BE-në, është gjë e madhe. Kjo mban më të mirët këtu dhe të gjithë paratë që shpenzohen nga prindërit për të mbajtur fëmijët me studime jashtë do të shpenzohen këtu, një pjesë do t’i mbetet edhe familjes, pasi shuma që shpenzojnë prindërit shqiptarë për të mbajtur fëmijët në shkollë jashtë është e jashtëzakonshme. Duke pasur këto mundësi këtu, krijohet edhe një nivel tjetër në gjithë sektorin privat që këta njerëz të jenë të interesuar këtu, nëse duan, por jo të jenë të detyruar të ikin se nuk i kanë shanset këtu dhe një ndërmarrje nuk vuan për të gjetur njerëzit e kualifikuar se i ka këtu. Kjo vetvetiu kjo sjell rritjen e pagave, sjell gjithë zinxhirin.

Këto duhet të ndodhin në mënyrë të strukturuar dhe kjo kërkon që ju, gjithë këto që keni të uleni  të bëni një platformë zhvillimi të universitetit 10-vjeçare.

Që të mos jemi pre e inercisë apo nevojave  imediate, por të shohim nevojat imediate në funksion se ku do shkojmë mbas 10 vitesh. Idetë i keni, por një projekt nuk ekziston për sa kohë që nuk është i shkruar. Momentin që shkruhet dhe momentin që merr aprovimin e përbashkët, atëherë palët kanë pjesën e vet të zbatimit. Universiteti me autonominë e vet ka pjesën e vet, Ministria ka pjesën e vet, qe duhet ta garantojë këtë autonomi dhe sigurisht duhet të garantojë dhe përgjegjësinë. Ndryshe hymë në një cikël  vicioz inercie që të dyja palët dhe krijohet një ngërç. Po besoj që është edhe normale, sepse është bërë hap shumë i madh me ligjin dhe do kohën e vet që të absorbohet.

– Tek mësuesia duhet të kanalizohen ata që janë më të prirurit për atë punë, të tjerët mund të jenë të prirur për të bërë përshembull, redaktorin, që është një nga mangësitë më të mëdha që kemi. Nuk arrijmë dot si shtet të kemi shkresa që nesër mos të qeshin të tjerët kur të hapin arkivat me shkresat e institucioneve tona. Përshembull, në Kryeministri kemi redaktor të gjuhës, nuk mund të firmos shkresa që të jetë ose nëse ndodh që ka një gabim, duhet të mbaj përgjegjësi ai, se është skandal që shteti, gjuhën e vet zyrtare në dokumentet e institucioneve të mos shkruhet saktë. Por nuk kemi redaktorët në të gjithë sistemin dhe mund t’i vësh redaktorë në të gjithë sistemin me ligj, po jo redaktorë që janë mësuar me shkurtime dhe ta shkruajnë letrën sikur po shkruajnë mesazh në wapp.

Në këtë vend figura e mësuesit u bë një lloj zheleje dhe filluan të bëhet mësues njerëz që nuk dinin as shkrim e këndim dhe mësues jashtë profilit, pa arsim. Mësuesi është figurë, nuk është një punonjës shteti dhe besoj në këtë drejtim janë bërë goxha përmirësime, edhe pse prapë ky është proces.

 

– Programi i ekselentëve ka funksionuar dhe vazhdon. Ajo adreson një fashë të caktuar, po nuk është një zgjidhje. Ajo që unë prapë theksoj, është së kjo është çështje e iniciativës tuaj, sepse universiteti në këtë fazë duhet të jetë proaktiv deri sa t’u japë të tjerëve argument se duhet të shkojmë tek ata.

Bashkitë në Shqipëri, përjashto disa, por në përgjithësi kanë probleme me kapitalin njerëzor. Nuk kanë një kapital njerëzor për arsye që dihen. Atëherë, universiteti është vendi ku mund të gjesh si kompensim për mungesat që ke. Drejtoju një universiteti dhe thuaji kam nevojë për një mbështetje, për të më dhënë një ekspertizë për një çështje. Por nuk e bëjnë sepse nga ana tjetër, edhe universiteti nuk i ka dhënë ato prova që mund ta bëjë këtë gjë. Kështu që edhe këtu duhet me qenë pak proaktiv.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.