Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama me qytetarët në takimin publik të ciklit kombëtar “Bashkia që Duam”, në Mirditë: 

 

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që jemi përsëri këtu. Herën e fundit kemi pasur një takim të ngjashëm dhe më kujtohet që kanë dalë disa probleme të cilët më vjen shumë mirë që janë ndjekur dhe janë zgjidhur. Ashtu sikundër edhe siç e tha edhe Lindita, tani ne kemi një instrument gjithmonë e më të konsoliduar që është platforma e bashkëqeverisjes, ku cilido që ka një problem me administratën, mjafton të harxhojë 2-3 minuta dhe menjëherë ka në dispozicion drejtpërdrejtë, titullarin më të lartë të sektorit, ministrin apo ministren përkatëse dhe për 10 ditë merr zgjidhje nëse i takon, merr atë që i takon dhe nëse nuk i takon merr përgjigje dhe nuk rri të sorollatet në kërkim të një të drejte apo të diçkaje që mendon se i takon dhe meazallah se arrin të marri përgjigje.

Nga ana tjetër, dua të them që në fillim që ne jemi në këtë takim sot në kuadër të një cikli takimesh publike në të gjithë territorin, të cilin e kemi emërtuar “Bashkia qe Duam”, jo për të bërë fushatë sepse fushata është ende larg relativisht, por për të diskutuar me qytetarët aty ku ne kemi drejtimin e bashkisë, mbi çka e kemi bërë e çfarë duhet të bëjmë. Aty ku nuk e kemi mbi si e shikojmë ne, alternativën e zhvillimit dhe të drejtimit të një bashkie të caktuar.

Më vjen shumë mirë që këtu në Mirditë ne kemi, besoj, mundësinë që të vijmë gjithmonë me kokën lart, jo se kemi bërë mrekullira, jo se nuk ka plot e plot probleme për të adresuar e për të zgjidhur, jo se kanë mbaruar këtu hallet dhe vështirësitë e njerëzve, përkundrazi, por sepse ne ju kemi dhënë të gjithëve provën e sigurtë që kemi bërë më të mirën tonë, për ta bërë Mirditën më të mirë se sa ç’ishte përpara se sa ne të merrnim drejtimin e qeverisë dhe drejtimin e bashkisë. Më vjen shumë mirë që mjafton të dëgjosh kryetarin e bashkisë që rendit me besnikëri të gjithë ato çka janë bërë për t’u ndjerë i motivuar dhe për t’u ndjerë mirë përpara jush e përpara atyre që na ndjekin përmes ekranit në këto momente sepse faktikisht nuk është një mrekulli që të sjellësh ujë 24 orë këtu, por mua më kujtohet që kur kam ardhur herën e parë si kryetar partie në opozitë dhe sa herë kam ardhur këtu që mund të jenë dhjetëra e dhjetëra, Pjetri ndoshta e di më saktë sepse qysh ditën e parë Pjetri ka qenë që më ka mikpritur, ka qenë uji kryefjala. E sot ne nisëm investimin për rrjetin e ujësjellësit të Rrëshenit dhe më në fund, 10-12 mijë banorë që janë të qytetit këtu e të rrethinave do kenë 24 orë ujë të pijshëm.

Unë nuk e kam harruar që është viti 2019 e në vitin 2019 të diskutosh akoma këtë temë nuk është maksimumi, por ama, nga ana tjetër, pashë pak atë raportin që kishte bërë drejtoria e ujësjellësit dhe kanalizimeve në Ministrinë e Infrastrukturës, që investimi i fundit në ujësjellës në Mirditë është bërë 51 vjet përpara. Ashtu sikundër, dje ishim në zonën rurale të Lezhës, investimi i fundit në sistemin e transmetimit të energjisë është bërë në vitin 1971. Pra, afro 30 vjet ne kemi jetuar me, nëse mund ta quaj, dhjamin e mbledhur në të shkuarën. E faktikisht, edhe në sistemin e energjisë edhe në sistemin e furnizimit me ujë, vetëm kemi konsumuar dhe kemi dëmtuar pa menduar për të nesërmen. Kemi vetëm pak vite që mendojmë edhe për të nesërmen, që e paguajmë rregullisht energjinë, përgjithësisht, kemi vetëm pak vite që kemi filluar të paguajmë ujin e pijshëm dhe po na bëhen të mundura disa investime që deri pak vite më parë, nuk bëheshin, faktikisht.

Jetohej dhe qeverisej me atë motivin “sa të jetë lala Gjoni, hani pini e këndoni pastaj shihni e kërkoni”. Nga ana tjetër, me vjen shumë mirë që po sot ne pamë edhe unazën e gjithë kësaj zone, Unazën e qytetit që do të mundësojë që gjithë mjetet e rënda të mos kalojnë më mespërmes qytetit, por ta anashkalojnë qytetin, duke garantuar kështu shumë më tepër normalitet dhe shumë më tepër qetësi në qytet.

Patjetër që ka të tjera punë për të bërë në infrastrukturë, nuk mbarojnë, kam që dje që dëgjoj nga Lindita çdo orë, për shembull atë rrugën e fshatit të vet se aty i kanë dhënë votat pa parti, por të gjithë bashkë për gocën e fshatit dhe tani i thonë mos hajde në fshat, po nuk solle rrugën. Në fakt është një rrugë që duhet bërë për hir të së vërtetës. Ashtu sikundër, ka edhe të tjera rrugë të rëndësishme këtu për atë që foli Ndreca që është nevoja për të krijuar lidhje më të shpejtë me të gjitha zonat ku ne besojmë shumë që do të ketë një zhvillim të mëtejshëm falë agroturizmit, falë industrisë së mikpritjes. Mikpritja shqiptare është traditë, ndërkohë që ne duhet ta kthejmë në një industri që do të thotë siç zhvillohet turizëm me hotele të mëdha në bregdet duhet të zhvillohet agroturizëm me bujtina, me kulla, me hotele të vegjël që janë një garanci për çdo familje për të dalë nga një situatë varfërie, për të dalë nga një situatë izolimi dhe realisht për të fituar më shumë se sa fitohet në emigracion.

Unë jam i bindur që modelet e para të agroturizmit që kanë filluar, ishim me Ndrecën në Katund të Vjetër, pamë një agroturizëm që po lind të cilin ne e kemi mbështetur dhe është e padyshimtë sepse nuk është diçka që e kemi parë në ëndërr, është diçka që e kemi parë në vendet e tjera se si ka ndodhur që, në rast se emigrantët – e këtu ka shumë emigrantë në këtë zonë, – do kthejnë kokën nga kullat, do kthejnë kokën nga zonat e të parëve, do kthejnë kokën nga zonat e bukura të Mirditës, do të investojnë kursimet e tyre në agroturizëm, atëherë do kenë të ardhura në vit nga Mirdita më shumë se sa kanë nga Italia apo nga Greqia apo nga vende të tjera, sepse agroturizmi sjell shumë njerëz dhe krijon konsum aty, ku faktikisht premisat për konsum janë fare të ulëta dhe krijon punësim rreth e rrotull. Për shembull në agroturizmin ku ne ishim, aty ku nuk ka filluar akoma, por është bërë goxha punë, ai zotnia tha që do më duhet të marr njerëz nga jashtë zonës sepse këtu faktikisht janë të gjithë të zënë në kuptimin e punës, por ajo çka e preku pak kryetari është që në një sistem agroturizmi i jepet gjithë të tjerëve mundësia të punojnë dhe i jepet të gjithëve mundësia të shesin. Të gjithë ata që prodhojnë ushqimet për t’u gatuar e për t’u konsumuar dhe kështu shumë e shumë familje në fshat nuk kanë më nevojë të presin e as nuk janë të detyruara të vuajnë se nuk dalin dot në tregun e qytetit ku duhen të tjera mekanizma, ku duhet të kesh një sasi prodhimi të madhe, ku duhet të kesh akses në një infrastrukturë të një lloji tjetër, por mjafton prodhimi i vogël i arës apo i familjes për ta shitur tek agroturizmi dhe këtu të gjithë futen në zinxhir. Për shembull dje ishim tek Mrizi i Zanave.

Mrizi i Zanave është një model i jashtëzakonshëm suksesi i një djali dhe një familjeje që e lanë jetën në emigracion, erdhën në Fishtë të Lezhës, investuan kursimet e tyre me shumë zgjuarsi, kanë qindra familje rreth e rrotull që punojnë për ta. Dikush ju shet vezët, dikush ju shet mishin, dikush ju shet perimet, dikush mbledh shegët e egra dhe jua shet dhe faktikisht janë me rezervime. Aty, duhet të rezervosh dy javë përpara se ndryshe nuk gjen vend. Vijnë nga të gjitha anët e Europës për në Fishtë. Kush shkonte në Fishtë përpara se sa të ishte aty “Mrizi i Zanave” dhe si mund të mendoje të jetoje aty, çfarë do prisje aty dhe çfarë do kishe tjetër përveç një situate varfërie në rast se nuk hapej kjo rrugë dhe e mira e agroturizmit është që i sjell njerëzit tek ti, nuk je ti që duhet të shkosh tek njerëzit. Mund të jesh në majë të malit dhe ne folëm edhe për një projekt tjetër që patjetër do ta zhvillojmë sepse këtu kemi dy fshatra që janë në programin kombëtar të 100 fshatrave. Kemi Katundin e Vjetër dhe Oroshin. Folëm për rindërtimin e abacisë, për rindërtimin e sarajeve të familjes së kapedanit siç i thotë kapedani këtu dhe kjo përsëri në funksion të historisë, të traditës por edhe të krijimit të një industrie mikpritje se të gjithë flasin për Mirditën dhe për historinë sidomos mirditorët që e fillojnë ditën dhe e mbarojnë duke treguar se sa të zotë kanë qenë, mirëpo kur vjen puna që do të shkosh diku ta prekësh këtë histori nuk ke ku shkon.

Nëse shkon në Orosh të thonë këtu ka qenë kjo, këtu ka qenë ajo, por aty nuk ka asnjë gjë. Fatmirësisht janë të gjitha dokumentet dhe ne do të bëjmë një projekt. Folëm me kryetarin e bashkisë e do t’i rindërtojmë siç kanë qenë duke i kombinuar, nga njëra anë muzeun e historisë së Mirditës nga ana tjetër sarajet, bashkë me trashëgimtarët a ku di unë, të mund njerëzit të shikojnë të përfitojnë nga tradita e mikpritjes e të kalojnë kohë aty e kështu të gjithë do shkonin për historinë, për mikpritjen, për ushqimin dhe për të dëgjuar edhe përrallat e mirditorëve që kur fillojnë, nuk mbarojnë dhe të kënaqin fare dhe thua pse të iki, më mirë po jetoj këtu me përralla. Është për mirë kjo nuk është për keq kështu që mos mërmërisni, por më mirë duartrokisni.

Thënë këto, mendoj që edhe investimet e tjera të bëra kanë një rëndësi të veçantë për t’i dhënë sa më shumë arsye dhe sa më shumë motive pozitive sidomos të rinjve.

Kemi rindërtimin e pallatit të sportit që ka pasur këtu një traditë, sidomos ekipi i vajzave në volejboll. Sot shyqyr që shkova përpara se ta mbarojnë se i kishin bërë të vogla ato dhomat e zhveshjes dhe i binte të zhvisheshin me radhë lojtarët para se të dilnin në fushë kështu që jua zmadhova pak, por pjesa tjetër është realisht një gjë shumë e bukur që do të bëhet aty. Projekti është shumë i bukur. Ashtu sikundër, është shumë bukur që tani bashkia ka një institucion serioz, sëshpejti do jetë një godinë e gjitha në shërbim të qytetarëve me shumë hapësira pritëse, me shumë hapësira shërbimi gjë që nuk ishte më përpara.

Nga ana tjetër, kemi folur edhe për Rubikun sepse Rubiku është vërtetë një pikë shumë e bukur. Për fat të keq ka mbetur pak mbrapa, por tani ka ardhur koha për të bërë një investim aty edhe për unazën e Rubikut, edhe për pjesën e brendshme, e cila nga pikë, nga aks ku kalon gjithë dynjaja lart e poshtë, do të kthehet në një zonë këmbësore për qytetarët e kështu edhe aty ka shumë potencial në Rubik, – sado e çuditshme mund të duket sot, – për të pasur një industri të vogël turistike për t’i kthyer shtëpitë e për ta kthyer të gjithë atë pellg në një pellg mikpritjeje sepse ka shumë gjëra për të parë rreth e rrotull. Nuk është puna se do vijnë turistët e do rrinë vetëm aty, por aty krijohet një stacion dhe pastaj ka shumë gjëra për të parë rreth e rrotull.

Bashkia po punon për një aks ecjeje në natyre prej rreth 400 kilometrash e ka plotë turistë që vijnë edhe për këtë. Ne kemi pasur gjithmonë idenë që turizmi është deti, por në fakt po të shikoni numrat e të huajve që vizitojnë Shqipërinë, jo për detin, por për të parë pjesën e brendshme, për turizmin e aventurës, për turizmin historik, për turizmin e natyrës, janë numra të mëdhenj. Vetëm në zonën e Katundit të vjetër e deri tek pjesa lart këtej janë regjistruar rreth 70 mijë njerëz që kanë hyrë në vitin e fundit, por 70 mijë njerëz që kanë hyrë e kanë ikur brenda ditës, nëse arrijmë t’i mbajmë një, dy apo tre ditë falë strukturave të mikpritjes, imagjinoni se sa do konsumojnë këtu. E ato që do konsumojnë këtu do të jenë para që do mbeten tek familjet. Tek familjet që përndryshe nuk kanë se si të mbijetojnë ndryshe ose më saktë nuk kanë se si mund të mendojnë se si të fitojnë lekë gjë që mund ta sjelli vetëm shfrytëzimi i tre komponentëve, i bukurive natyrore, i kurioziteteve historike dhe i vlerave të mikpritjes. Këto të treja, Shqipëria i ka kudo fantastike. Këto të treja Mirdita i ka në çdo cep. Mjafton t’i kombinojë të treja e një familje që jeton në një shtëpi të varfër, kthehet menjëherë në një biznes të vogël e pastaj gjeneron të ardhura. Ne kemi ngritur një politikë mbështetëse për këtë punë. Për këtë arsye e kemi ulur taksën për hotelet në agroturizëm vetëm 5% dhe tatimin mbi vlerën e shtuar vetëm 6% do me thënë është minimumi i minimumit që bën që ai lloj biznesi të jetë fitimprurës në një kohë shumë të shpejtë e është një biznes që nuk ka shumë kosto për t’u ndërtuar sepse njerëzit nuk vijnë këtu për të gjetur diçka që nuk mund ta gjejnë diku tjetër. Vijnë këtu për të gjetur pikërisht atë që është tradicionale dhe që njerëzit e kanë nëpër shtëpia plus që është një zonë karakteristikisht shumë e pastër. Shtëpitë janë shumë të pastra dhe gjithë zona shkon e pastër. Kjo është një vlerë e shtuar që mund ti japi shumë efekte pozitive edhe si e tillë. Nuk dua të zgjatem më shumë se mund të flisja edhe për plot gjëra të tjera, por besoj që duke bërë bashkëbisedim, mund të dalin, mund të na jepet mundësia të flasim edhe për të tjerat. Një kërkesë kam në këtë rast.

Këtu secili mund të thotë çfarë të dojë nuk diskutohet, por është mirë të përqendrohemi tek temat e interesit të përbashkët sepse për ato raste kur janë hallet konkrete ose çështje individuale ne kemi platformën e bashkëqeverisjes dhe është e kotë që të humbasim kohë me diskutime, mjafton që të shkoni aty, ta regjistroni hallin tuaj apo problemin tuaj dhe merrni përgjigje brenda 10 ditësh. E përpara se t’ju jap fjalën, po ia kaloj fjalën këtij mikut tonë që kemi këtu, ju të gjithë e keni parë dhe keni thënë, mirë këta të tre i njohim, por ky kush është. Në fakt ky është një qytetar që ka një dëshmi personale për eksperiencën me platformën e bashkëqeverisjes kështu që po u çua njeri të flasi për gjëra personale, ky do tia japi përgjigjen.

-Përshëndetje! Unë sot do të flas si banor i Mirditës. Edhe unë si shumë qytetarë të Shqipërisë kam marrë zgjidhjen e problemit tim nga portali i bashkëqeverisjes. Në maj të vitit 2016, për arsye të rënies së ngarkesës mësimore në shkollën e mesme industriale të Rubikut, një grup inxhinierësh dilnin pa punë, por sipas kodit të punës, kur një punonjës del nga puna, jo me dëshirë të tij, ka dhe një shpërblim për të marrë për vjetërsi pune. Ne si grup inxhinierësh bëmë kërkesë në gjithë njësitë e linjës, por nuk gjetëm zgjidhje për disa muaj, ndoshta për burokraci. Unë në emër të grupit të inxhinierëve bëra kërkesën në portal dhe sqarova gjithë problematiken. Brenda 10 ditësh më erdhi përgjigja për zgjidhje dhe brenda një muaji gjithë problemi kaloi në llogari të këtyre personave. Nga ai moment që unë u sigurova që portali zgjidh probleme dhe është një realitet. Unë të gjithë njerëzve që bashkëbisedoj ose debatoj, për zgjidhjen e problemeve u sugjeroj portalin e bashkëqeverisjes për shumë arsye.  Zgjidh problemin duke qenë pranë një kompjuteri tek shtëpia, pa trokitur nëpër zyra, pa harxhuar, pa ndenjur në radhë dhe mbi të gjithë duke mos qenë ballë për ballë me zgjidhësin e problemit. Në këtë mënyrë rritet shpejtësia e zgjidhjes së problemit, por rritet edhe transparenca. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Unë shtoj vetëm këtë, që kush nuk e beson, duhet ta provojë. Me shumë fjalë njerëzit janë mësuar dhe janë ngopur, por kjo është beso dhe kontrollo. Kush ka një problem, ta provojë, nuk i kushton asnjë gjë, nuk paguan asnjë lek, 2-3 minuta dhe pret dhe nuk ke nevojë as të shkosh të takosh njeri, as nuk sheh njeri. Thjesht të marrin në telefon dhe punojnë me ty të tjerët për të zgjidhur hallin tënd dhe në fund fare thonë zgjidhjen e ke marrë, shko ku merret dokumenti përkatës apo ku merret përgjigja dhe në raste të caktuara, sipas shërbimit të vjen edhe në shtëpi. Kështu që besoni dhe kontrolloni në këtë pikë. Tani, rregulli është gratë përpara.

-Jam një qytetare, pa shtëpi, pa asnjë lloj gjëje. Ndrec Dedaj më ka gjetur vend tek shkolla. Nuk di ca të them më tepër.

Përshëndetje! Unë jam Age Dodaj, një punonjëse në DSHP të Mirditës. Banoj në një shtëpi me qera, kam burrin invalid. Unë jam ankuar tek portali, jam ankuar në ministri për çështjen që unë dua të privatizoj objektin që posedoj. Objekti, me pretekstin se nuk ka blerës ka kaluar tek Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave sikur nuk ka blerës në një kohë që unë banoja me qera, ligjërisht, përmes personit që është pronar trualli, i takon atij që paguan qeranë. Kam paguar qeranë rregullisht, jam që nga 2008 e deri sot po bëj 11 vjet që banoj në atë pjesë të objektit. Unë jam e vetmja që kam paguar qera në atë objekt.

Kryeministri Edi Rama: Mirë, ndërkohë që ne flasim do vijë përgjigja.

Përshëndetje! Të gjitha gjërat u prekën, por statusi i minatorit nuk u prek. E dyta, për rrugën e Kthellës. Programin e Partisë Socialiste e kam lexuar dhe tani e 30 vjet i kam dhënë votën Partisë Socialiste. Jam pa parti, por me pikëpamje socialiste. Dua të dal hapur për të zgjidhur diçka.

Kryeministri Edi Rama: Po nuk ka problem se ne kemi të mirë që edhe atyre që nuk na e japin votën ju shërbejmë më mirë se ata që jua marrin votën kështu që mos ki merak. Se aty tek agroturizmi, edhe prandaj dhe ata nuk na afrohen, se thonë për punë kemi këta. Votën ua japim atyre të tjerëve të bëjmë ndonjë rrëmujë kështu që për atë punë mos ki merak.

-Unë i kam dhënë 100 vota Partisë Socialiste.

Kryeministri Rama: Paske besim të madh tek kushërinjtë.

E kam vëllain me dy gishta të dëmtuar, minator.

Kryeministri Edi Rama: Mirë na thuaj këtë tjetrën se kishe dhe një problem me rrugën.

-Rrugën nga Malaj në Kthellë, një rrugë 500 metra që kanë bërë fshatarët, nuk janë bashkuar dy rrugët bashkë. E treta, kërkoj për statusin prapë, që nuk u prek askurrkund. Dhe jam shumë mirënjohëse për ardhjen tuaj në Mirditë. Gjithçka është ndërtuar për qytetin e Rrëshenit por duhet të bëjmë më shumë për fshatin. Për statusin e minatorit prap edhe diçka tjetër. Unë jam bijë në Prosek, fshat që ka prodhuar shumë prodhime. Kur do shkojë uji vaditës për fshatin Prosek?

Kryeministri Edi Rama: Tani, unë nuk i preka të gjitha, e thash vetë, se po ti prekja të gjitha do rrinim këtu deri nesër, por për statusin e minatorit, ne kemi bërë një projektligj, për statusin e profesioneve të veçanta, do ti bashkojmë sëbashku. Është në diskutim me grupet e interesit dhe do shkojë së shpejti në parlament dhe do të bëjmë aq sa kemi mundësi. Padiskutim që të gjithë kanë të drejtë në ato që kërkojnë. Padiskutim që të gjithë kanë të drejtë në ato që kërkojnë. Padiskutim që për shembull, dje lindën trinjakët e parë të vitit. Unë isha në maternitet, u çuam atë çekun e bebes, 1 milionë e 200 mijë lekë secili. Dy vajza dhe një djalë në mos gabohem dhe disa komentonin, po çfarë janë 1 milionë e 200 mijë lekë për një fëmijë se fëmija ka nevojë për shumë më tepër se kaq. Po dakord patjetër, nuk janë zgjidhja për gjithë jetën, por 1 milionë e 200 mijë lekë janë 1 milionë e 200 mijë lekë. Deri dje ishin 50 mijë lekë të vjetra dhe shumëkush nuk e ka marrë fare. Tani është 1 milionë e 200 mijë për fëmijën e tretë. Kush bërë 3 përnjëherë, merr tre herë 1 milionë e 200 mijë. Tani, e thashë këtë se ka qenë problem i madh, po mirë po kur i bëjmë përnjëherë? Ne nuk do rrimë tani ti shohim atje në radhë, ti dole i pari 400 mijë, ti i dyti 800 mijë, ti i treti 1 milionë e 200 mijë. Rëndësi ka që erdhën dhe erdhën të gjithë me nga 1 milionë e 200 mijë. Patjetër që do ishte mirë tu jepnim 12 milionë, por sot këto janë mundësitë. Ama këtë gjë, dje, nuk e bënim dot. Studentët dolën në protestë, kërkuan përgjysmimin të tarifave, po të kishin dalë në protestë para 2 vitesh, mund të ishin akoma tani në protestë e nuk do jua bënim, jo se nuk ishte e drejtë, por se nuk do kishim mundësi. Tani, kishim mundësi dhe e bëmë. Jo vetëm përgjysmimin e tarifës, por edhe pagesën e plotë nga qeveria të atyre që janë me 9-10 dhe atyre që janë me ndihmë ekonomike dhe atyre që janë kategori të veçanta, të verbër, invalidë, e kështu me radhë. Dhe u dhamë edhe bursë, 100 mijë lekë në muaj atyre me 9-10 dhe atyre me ndihëm ekonomike. Pse? Sepse kishim mundësi. Është mjaftueshëm? Jo nuk mjafton, duhet më shumë, patjetër duhet më shumë, por sot këtë mundësi kemi. Kështu që të gjitha sipas mundësive. Edhe statuse, minator, naftëtar e me radhë, kanë vite që kërkohen, ka ardhur koha të mbyllet ky proces, por aq sa kemi mundësi. Për sa i përket atyre dy çështjeve të tjera që dole, qoftë rruga, qoftë furnizimi me ujë, nuk janë çështje të qeverisë, janë çështje të bashkisë dhe me sa unë mund të them është që është detyrë e kryetarit të bashkisë që t’i bëjë.

Kryetari i bashkisë Ndrec Dedaj: Patjetër që rruga nga Malajt në Kthellë të epërm është premtim i imi dhe unë do ta bëj brenda këtij mandati. Tani ka dalë koha, do çojmë mjetet e bashkisë se rrugë pa asfalt do bëhet. Kurse për sa i përket sistemit të vaditjes, ky investim ka filluar. Ka filluar me rrjetin e kanalit deri poshtë tek shkolla e Malajve dhe do avancojë pjesë-pjesë për të marrë ujë Proseku dhe e gjithë zona e Kthellës. Ky është premtim i imi, normalisht që nuk realizohet brenda këtij mandatit, por ka filluar si investim. Nuk mund të bëhen të gjitha njëherësh. Kaq kanë qenë mundësitë. Është premtim i imi elektoral, nuk e mbaj dot brenda këtij viti për Malaj 1 dhe për Kthellën kurse për Malaj 2 dhe Kodër Rrëshenin do vadisin këtë vit. Faleminderit!

-Është kënaqësi për mua sot që marr pjesë në një mbledhje për herë të parë me një kryeministër. Problemet, kryetari i bashkisë dhe ju i prekët, unë do prek vetëm një problem, një hall. Unë në mbledhjet dhe dëgjesa publike që kemi marrë pjesë më përpara. Ministres zonjës Lindita dhe zotit Ndrec Deda i kam kërkuar që ti thoni kryeministrit për 1000 metra tubacion për rrugë automobilistike të dimensioneve të mëdha sepse rrugët në Mirditë janë shumë të dobëta. Unë i kuptoj drejtuesit vendorë sepse buxheti i Mirditës është i dobët në fakt. Duhet që të organizohet në një formë, të gjendet një rrugë që të punojnë. Për shembull, unë i di shumë mirë rrugët e Mirditës, por dhe të Shqipërisë, gjithandej ka përmirësime, në Mirditë ka shumë pak te çështja e rrugës. Çfarë mund të bëhet për shembull? Nëse nuk ka buxhet, duhet të organizohet se populli është i gatshëm për punë e për ti rregulluar.

Kryeministri Edi Rama: Populli është i gatshëm të ndërtojë rrugët? Ku e ke këtë popull të shkojmë ta takojmë bashkë.

-Po, në fshati Blinishtë ku jetoj unë. Kemi organizuar dhe kemi marrë turbina për një rrugë 2 kilometra të gjatë të varrezave të fshatit dhe e kemi çuar atje edhe kafshë, por gjithmonë duhet të prijnë drejtuesit se populli do që t’i rregullojë. Ka si nuk ka, por të organizohet.

Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj! Vetëm mos më thuaj që rrugët në Mirditë janë njësoj siç kanë qenë. Po ma the këtë, atëherë unë nuk paskam ardhur në Mirditë, do kem shkuar në ndonjë vend tjetër kur për të hyrë në Mirditë mund të hyje me gjithë makinë në gropë para se të arrije këtu. Të kujtohet si ka qenë rruga e hyrjes këtu? Këtu pra në Mirditë jemi apo nuk jemi në Mirditë. Sa fëmije ke ti? I ke bërë për njëherë të katërt? Nëse i ke bërë të katërt përnjëherë ti ke të drejtë t’i kërkosh të gjitha rrugët përnjëherë.

Probleme me rrugët rurale ka në të gjithë Shqipërinë dhe mundësitë për t’i bërë të gjitha në një kohë relativisht të shkurtër nuk ekzistojnë, s’janë. Hap pas hapi do të bëhen. Unë besoj që, pasi përgjithësisht infrastruktura brenda bashkive të reja është përmirësuar, mandati i ardhshëm i bashkive do të jetë një mandat shumë më i fokusuar nga zona rurale, sepse, kini parasysh dhe një gjë, që, ky ishte mandati i parë që bashkitë e qyteteve patën edhe përgjegjësinë për zonat rurale dhe përgjithësisht zona urbane ka marrë shumë më tepër vëmendje, por, pak nga pak, do të fillojë të spostohet edhe vëmendja, por do fillojë të mendohet edhe pak më ndryshe, duke menduar për prodhimin në zonën rurale dhe duke menduar për rrugët që ndihmojnë prodhimin, duke menduar për agroturizmin, vetë bashkitë. Kështu që është një proces që do marrë kohën e vet.

-Para së gjithash do ju lutesha të na ktheni të drejtën e zgjedhjes. Jemi një popull turmë. Votojmë, nuk zgjedhim. Me listat e votimit ne nuk përfaqësohemi. Mirdita nuk ka deputetë. Në duam listë të hapur që të zgjedhim atë deputet që duam. Kjo nuk është demokratike. Ndrecën, e kemi djalë të mirë, ka punuar, nëse do të kandidojë herën tjetër, do uroja të ishte qytetar i Mirditës. Nuk bëhet puna në Mirditë me telekomandë. Kushdo që të kandidojë të jetë banor këtu. Spitali ynë ka vetëm emrin spital. Kemi një doktor kardiolog, është më i miri i Mirditës, por ama ai tani është 70 vjeç. Duhet ta shikoni spitalin e Rrëshenit. Është në gjendje katastrofike.

Kryeministri Rama: Të falënderoj shumë për çfarë the! Së pari, unë nuk jam dakord që kur zgjedh drejtpërdrejtë deputetin është sistem demokratik, kur zgjedh programin, skuadrën dhe liderin e një force është sistem jodemokratik. E dyta, Linditën nuk e ke zgjedh me sistem të drejtpërdrejtë, por më të mirë se Lindita nuk ke pasur dhe nuk ke për të pasur. Ky sistemi që thua ti, jo i drejtpërdrejtë, të ka dhënë mundësi që Parlamenti, pavarësisht se çfarë thonë e se çfarë zien kazani, të jetë shumë më i mirë seç ka qenë ndonjëherë, sepse ka shumë gra, që është shumë e rëndësishme dhe ka shumë më tepër kualitet seç ka pasur në të kaluarën. Nuk diskutohet kjo. Nuk ka sisteme zgjedhjesh demokratike – jodemokratike. Të gjitha sistemet kanë avantazhet, disavantazhet e tyre. Nuk ka një sistem perfekt. Së dyti, për Ndrecën, unë nuk e di a i bën me telekomandë, a i bën me televizor, ai bën me radio punët, por di që çfarë ka bërë Ndrecë Deda si kryetar bashkie për Mirditën ju as e keni parë përpara, as e keni menduar se do ta bëjë. Edhe ti që ia ke dhënë votën se ke menduar që do bëjë Ndreca kaq shumë për Mirditën. Ti ndoshta je mërzitur që ky s’ka marrë nuse nga Mirdita dhe këtu mund të kesh pak të drejtë, por të jesh i sigurtë që edhe nusja do flasë mirditorshe. Sa për spitalin, sistemi ynë shëndetësor ka shumë probleme sot, nuk diskutohet fare, por, nëse ka një pikë ku unë mendoj që është e qartë si drita e diellit se kush jemi ne dhe kush janë ata që ishin deri dje është pikërisht sistemi shëndetësor. Si ishte dhe si është? Si kanë qenë spitalet dhe si janë? Si kanë qenë qendrat shëndetësore dhe si po bëhen? Çështja e specialistëve në spitale prej 4 vitesh ka qenë një problem shumë i madh sepse ata për 4 vite nga 2009 deri në 2013 i mbyllën specializimet dhe ne mbetëm pa specialistë të rinj. Në janar kanë filluar specialistët e rinj dhe duke filluar nga ky vit të gjitha nevojat e spitaleve për specialistë do të plotësohen, plus ne kemi një program të veçantë që kush pranon të shkojë, përveç të rinjve, nga Tirana në një zonë tjetër të Shqipërisë të punojë si mjek paguhet si në Gjermani që ditën e parë sa shkon. Pra, përveç rrogës, merr edhe 2 milionë të tjera plus në muaj. Kështu kemi dhjetëra mjekë që kanë filluar punë nëpër spitale të ndryshme. Brenda një periudhe relativisht të shkurtër, çështja e specialistëve në të gjithë Shqipërinë nuk do jetë më problem. Patjetër që asnjë spital, edhe spitali ku kemi bërë investimet më të mëdha nuk është akoma aty u duhet të jetë. Nuk diskutohet kjo! Patjetër që në shërbimin tonë shëndetësor ka mjekë, ka infermierë që janë turpi i sistemit, sepse kërkojnë lekë. Të gjitha këto janë të vërteta, por ama kush më thotë që nuk e sheh se sa kanë ndryshuar spitalet dhe sa po ndryshojnë qendrat shëndetësore, duhet të shkojë urgjentisht të vizitohet nga sytë, ka probleme me shikimin. Ose pastaj, nëse mjeku do i thotë nga sytë s’ke gjë, duhet të vizitohet nga mendja. Kura është të shkëpusë prizën nga kazani. Shkëput prizën nga kazani, fillon mendja kthjellohet. Po e mbajte prizën lidhur me kazanin nuk di çfarë mendon dhe s’di çfarë flet.

Ndërkohë, kam letrën në dorë për Agen. E mora përgjigjen. Age, prona është në fondin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Ligjërisht nuk është në proces privatizimi. Nëse prona do të jetë në proces privatizimi, patjetër është ashtu siç thua ti. Por prona nuk është në proces privatizimi dhe Agjencia ligjërisht nuk mund ta çojë në proces privatizimi. Ti e ke marrë përgjigjen ligjore, kështu që në këtë fazë nuk ke çfarë kërkon, sepse Agjencia nuk ka të drejtë ta fusë në privatizim, e ka në fondin e vet. Platforma nuk plotëson të gjitha dëshirat. Platforma i përgjigjet ankesave lidhur me të drejtën. Pra, ty nuk ta ka ngrënë të drejtën askush. Ligji e ndalon privatizimin e objektit tënd për sa kohë objekti është në administrim nga Agjencia e Trajtimit të Pronës. Në momentin kur Agjencia e Trajtimit të Pronës do të mbajë një qëndrim të caktuar lidhur me objektin që s’është çështja e këtij diskutimi, atëherë është temë tjetër. S’je e kënaqur me përgjigjen, por kjo është përgjigja. Ti do shtëpinë ta marrësh sot, por Platforma s’ta jep dot. Do jesh aty, do vazhdosh të paguash qiranë, askush nuk do të të nxjerrë jashtë, por që të bëhesh pronare e atij objekti nuk mundesh për këtë moment që flasim.

-Jam nga Rubiku. Kam një problem. Motra ka mbaruar vjet në tetor masterin shkencor për inxhinieri elektrike, me mesatare 9.3, ekselente. Kemi bërë kërkesë te zyra e punës, te OSHEE, te portali Punë të Mbarë para një muaji, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne s’kemi kërkuar që të punësohet në ministri, apo në Kryeministri, por s’kemi marrë asnjë përgjigje.

Kryeministri Edi Rama: Së pari, më vjen keq që nuk është punësuar dot më parë, mbase s’ka qenë dot e mundur por është e sigurtë që do të punësohet, sepse të gjithë ata që kanë mbaruar me 9-ta dhe me 10-ta vitin e shkuar, apo që mbarojnë këtë vit do të kenë një mundësi punësimi në shtet, në administratën publike, ose në pjesën tjetër. Ajo që po vonon pak për të filluar për t’ju dhënë përgjigje është se janë shpallur 800 vende të lira pune, që janë 800 vendet e para, mirëpo shumë prej studentëve që kanë mbaruar me këto rezultate nuk kanë marrë dot dokumentet për shkak të atyre historive me bllokime korridoresh, bllokime dyersh e bllokime zyrash, por ne e kemi shtyrë pak afatin. Afati ka qenë deri në fund të janarit, e shtymë pak që tu japim mundësi të gjithëve që të aplikojnë. Kështu që vetëm nga kjo është, por 100% motra do të punësohet. Nëse nuk ndodh kështu unë s’vij më këtu.

-Jam emigrant, i kthyer me dëshirë nga Italia. Nuk e di nëse qeveria ka ndonjë program që të mendojë jo vetëm për ardhjen e investimeve të huaja, por të na kthejë emigrantët, sepse sjellin ide të reja. Unë jam punëtor. Kam punuar 13 vjet në Itali. Merrem me makineri të rënda. Tani punoj në Rrëshen. Në fshat e kam shtëpinë.

Kryeministri Edi Rama: Bëje një bujtinë atje, të mbështesim ne! Pastaj me ty, ua tregojmë dhe të tjerëve, iu themi, “shikojeni këtë, u kthye. Është më mirë se ju. Kthehuni dhe ju!” Ne këto iniciativa i mbështesim.

-Si është e mundur që të vriten 4 policë dhe gjykim i shkurtuar?! Si ka mundësi që deputeti në Kuvend 1 herë në 6 muaj ka të drejtë të marrë pjesë dhe merr lekët, kur çdo punëtor, qoftë privat, qoftë shtetëror, nëse nuk shkon në punë i hiqet dita e punës?  

Kryeministri Edi Rama: Së pari, për sa i përket asaj që the për gjykimin e shkurtuar të atij vrasësit të 4 policëve, nuk ka të bëjë me ligjin, por ka të bëjë me njerëz të liq dhe të korruptuar. Nuk janë vetëm ata, por janë plot që, duke parë se ju ka ardhur fundi në sistemin e drejtësisë për shkak të vetting-ut, po i bien me top. Këta jo vetëm i ranë me top, por kryen një akt kriminal, sepse faktikisht i rivranë 4 policët. Ne nuk do t’i ndahemi kësaj çështjeje dhe besoj që këtë vendim do të arrijmë që ta zhbëjmë, duke bërë të gjithë presionin e nevojshëm, por edhe këta gjykatës besoj që nuk do t’ia dalin të shpëtojnë kaq lehtë. Mua më ka ardhur tmerrësisht keq për atë që ka ndodhur, por, nga ana tjetër, këto janë gjëra që nuk më çudisin, sepse ne kemi ndërmarrë një reformë që është realisht një operacion i thellë si askush nuk e ka menduar për të pastruar kancerin nga i gjithë organizmi i sistemit tonë të drejtësisë duke shkulur nga trupi i sistemit tumore dhe metastaza të panumërta, sepse këta lloj gjykatësish e prokurorësh janë tamam si tumore dhe metastaza. Praktikisht ju e keni parë se si vetting-u po i largon një nga një gjithfarë peshkaqenësh dhe hienash në atë sistem. Njerëzit thonë, “po pse, për kaq ishte reforma, për të pushuar nga puna këta njerëz që, përderisa janë kaq të zhytur dhe të korruptuar duhet të jenë në burg?” Jo. Reforma në këtë fazë është pastrim dhe ndërtim i sistemit të ri. Sistemi i ri do të merret edhe me këta patjetër, me këta dhe me këdo, sepse e ndesh këtë sa herë ndodh diçka e tillë, ose sa herë njerëzit acarohen dhe dëshpërohen, “ik se dhe ti njësoj si këta je”, “ik se po nuk i fute në burg, unë s’ta jap më votën”! Tani, më falni, ne jetojmë në një sistem ku Kryeministri nuk të fut në burg, nuk është as prokuror, as gjykatës. Qeveria nuk fut njerëz nëpër burgje. Në burg të çon drejtësia. Për të nxjerrë përpara ligjit të gjithë ata që kanë problemë me drejtësinë duhet një drejtësi e drejtë. Drejtësinë e drejtë ne nuk e kemi pasur në të gjithë këto vite, sepse drejtësinë e drejtë e kanë penguar gjykatës dhe prokurorë si këta dhe politikanë si ai zorzopi i Tiranës, që, me paturpësinë më të madhe e bën vrasësin e 4 policëve mikun tim. Ndërkohë që, në raportet e ambasadës amerikane që u bënë publike, është e shkruar e zeza mbi të bardhë, se, vrasësi i 4 policëve ishte i lidhur me njeriun më të afërt të këtij zorzopi, Saliut. Ky është fakt. Po këtu historia është, merre të vërtetën, ktheje përmbys dhe hidhua njerëzve dhe zien kazani çdo natë me gjithfarë historish, gjithfarë shpifjesh, gjithfarë monstruozitetesh vetëm e vetëm se si t’i dëshpërojnë njerëzit, se si të çorodisin njerëzit, se si t’i bëjnë njerëzit që të mos kenë mundësi të shohin të vërtetën në asnjë mënyrë. Kjo është e gjitha. Kemi pasur të tilla, do të kemi të tilla në proces, sepse nga një anë këta njerëz komplet pa ndërgjegje, pa fe, pa atdhe, kriminelë me kostum dhe me kravatë nuk ndalen përpara parasë, se janë mësuar 30 vjet të bëjnë të njëjtën gjë, të grabisin prona, të grabisin qytetarë, të shkelin të drejta, të rivrasin të vrarë, të ripërdhunojnë vajza dhe gra të përdhunuara, duke qenë gjithmonë në anën e kriminelëve dhe në ndërkohë drejtësia e re kërkon kohën e vet. Këtu s’flasim për të ndërtuar një rrugë. Këtu flasim për të ndërtuar një sistem drejtësie. E kemi bërë reformën me shpejtësi të madhe dhe po ecim me shpejtësi të madhe, por ka kohën e vet çdo gjë. Një kalbësirë aq shumëvjeçare nuk mund të zhbëhet sa hap e mbyll sytë dhe një shtet i së drejtës nuk mund të ndërtohet sa hap e mbyll sytë. Ne kemi hyrë në këtë proces, por të mos mendojmë që të gjitha gjërat bëhen përnjëherë dhe për më tepër inati legjitim, dëshpërimi legjitim, revolta legjitime e brendshme ndaj padrejtësive nuk mund të përkthehet dot në verbëri dhe në budallallëk duke kërkuar, që, “pse nuk i fut ti në burg?” Jo. Qeveria nuk ka këtë detyrë. Shumica qeverisëse ka detyrë të bëjë reforma dhe të bëjë ligje që mundësojnë krijimin e sistemeve që pastaj duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur. Kjo është përgjigja ime. E di që padurimi është në kulm, sidomos në raport me drejtësinë, por nuk ka një rrugë tjetër. Ne nuk mund të themi që e ka fajin demokracia pse këta maskarenj ia dalin të na bëjnë për budallenj deri në pikën që të shkelin mbi gjakun e policëve të vrarë. Nuk e ka demokracia fajin. Sistemi që kemi zgjedhur është sistemi i duhur, por për të ndërtuar në këtë sistem institucione dhe mekanizma që janë garantë të së drejtës, aq më tepër pas gjithë asaj rrumpalle nuk është kollaj. Shikoni se çfarë ndodh! Ata njerëz që e çuan Shqipërinë në humnerë, sot i kanë kthyer të gjitha përmbys. Flasin për kriminelë këta! Flasin për kriminelë, ndërkohë që kriminelët sot janë më në cep se kurrë. Të gjithë emrat që këta përmendin janë nëpër burgje. Po kush i futi në burg? Këta i futën në burg? Flasin këta për kanabis e për krim e për vrasje! Sot janë përgjysmuar vrasjet. Sot ka shumë më pak aksidente seç kishte në të shkuarën. Sot Shqipëria është e pastër nga kanabisi. Të gjitha këto natyrisht nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, s’diskutohet, janë beteja të cilat kanë edhe problemet e tyre. Nuk janë vetëm rrugë suksesesh. Ka edhe dështime. Ka dhe situata të vështira. Janë të gjitha bashkë, por, ama sot me dje nuk ka të krahasuar. Nuk ka asnjë të krahasuar. Guxon Saliu t’i drejtojë gishtin Sandër Lleshit për gjykatës që janë aty për shkak dhe si rezultat i mbështetjes së Saliut dhe politikës së Saliut për një drejtësi që është aty krokodil që jep shpirt, por s’heq dorë, si rezultat i të gjithë pellgut dhe pisllëkut që i krijoi politika e Saliut mundësinë të rritet dhe të bëhet që të hajë njerëz! S’kemi çfarë bëjmë! Ajo që mua më krijon trishtim është vetëm ideja që ka ende njerëz të zakonshëm qytetarë të këtij vendi që kanë të gjithë të drejtën të mos na duan ne, por që vazhdojnë iu shkojnë mbrapa atyre. Si mund t’i shkosh mbrapa Lulit, – mua më vjen keq sinqerisht, – një kryetar opozite që thotë “do ta bëjmë 300 lekë litrin e energjisë”?! Tani, do thoni ju, “ndodh, është një lapsus”! Po tabela e shumëzimit lapsus, litri lapsus, ta bëjmë dhe naftën 300 kilovat edhe ta mbyllim këtë punë! Lum si ne që jetojmë, siç thonte ajo kënga!

-Të falënderoj për çdo lloj investimi që ke sjellë në Mirditë. Të falënderoj për mirditorët që ke respektuar duke i vënë ministra, duke filluar me Linditën e Sandër Lleshajn. Vetëm kam një kërkesë personale, mos na sill më Ndrec Dedën për kryetar, se duam të fitojmë dhe ne të djathtit ndonjëherë.

Kryeministri Edi Rama: Ju të djathtët keni lindur me fat në Shqipëri. Për punë na keni ne. Për rrumpallë e për gallatë keni partinë tuaj. Kështu që, ju jeni aq rehat sa s’ka, se ju s’na votoni, ne punojmë për ju. Na bëni edhe gërr-gërr gjithë kohën, ne përsëri punojmë për ju. Na dilni nëpër rrugë me kazan në dorë, ne përsëri pas jush. Kështu që jeni rehat, ke të drejtë. Kurrë mos votofsh ti për Ndrecën e për mua. Ndreca dhe unë përsëri në shërbimin tënd jemi. Taksirat e ke, ne do qeshim pak me Lulin, s’kemi çfarë bëjmë, se kur thotë do t’ju bëjmë naftën 300 lekë kilovatin, do t’ju bëj energjinë 300 lekë litrin, ti e kupton vetë, se, mirë 7×7=42, u pa ajo punë, 42 është në fakt, me thënë të drejtën. Aq shumë e ka përsërit sa gati-gati na ka bindur të gjithëve që, si 42, si 49 njësoj është. Më e bukura është kur thotë, shkoi atje në Krujë, e tha, “betohem para sarisalltikut, nuk e takoj më Edi Ramën!” Aq shumë do të më takojë, saqë është gati të betohet atje që nuk më takon më kurrë. Njeriu kur s’do të të takojë, nuk betohet. Për çfarë do betohet? I betohet atij mos më lër ta takoj, se vdiqa për ta takuar?! Edhe këta që i shkojnë mbrapa e i thonë, “ta rrëzojmë, ta rrëzojmë”, nuk e dinë që ai i do mbrapa që të ketë sa më shumë, që të më thotë mua, “e sheh sa shumë kam? Kështu që më takon. Më fut dhe mua në qeveri, se vdiqa”. Këtë herë s’ka as çadër, se herën e kaluar kishin një çadër, pinin ndonjë birrë. Tani thonë do rrini, do jepni jetën atje. Jemi gati të japim dhe jetën kishte thënë Monika më duket, edhe thoshte njeri që, “jetën jo, nuk jemi duke e dhënë për ty”.

Unë ju falënderoj shumë për mikpritjen!

Është e vërtetë që kemi bërë shumë, por kemi bërë shumë në krahasim me ata. Në krahasim me çfarë duhet bërë, akoma kemi bërë shumë pak. Kështu që kjo është arsyeja pse do vijmë përsëri e përsëri, sepse duam të bëjmë shumë më tepër sesa c’kemi mundur të bëjmë deri tani.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.